Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka paralajmëruar se subjekti i tij politik do të ngre padi ndaj oficerëve dhe policëve që ushtruan dhunë ndaj protestuesve. Në një konference për medie, ai vuri në dukje se në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka pasur edhe grupe jo formale, të cilat kanë qenë të gatshme të ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve. Duke folur mbi thirrjen e krye-kuvendarit Krasniqi për bisedime midis të gjitha partive politike, deputeti Selimi tha se Vetëvendosja nuk do të bisedojë me askënd për të lejuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Burime të agjencisë së lajmeve KosovaPress kanë bërë të ditur se ndër kompanitë që kanë punuar me kriminelin, Zvonko Veselinoviq janë pompat e benzinës në Serbi. Duke u mbështetur në hetimet që po zhvillohen, mësohet se nevojat ditore për derivate të naftës në veri të Kosovës janë rreth 100 ton, përderisa atje çdo ditë hyjnë më shumë se 300 ton derivate. Përveç kontrabandës me naftë, Veselinoviq ka bashkëpunuar ngushtë edhe me grupet kriminale nga Jagodina e Krushevci për transportimin e narkotikëve dhe armëve, të cilat përmes veriut janë bartur në tregun evropian. Këto burime theksojnë se interesi i këtyre grupeve kriminale është mbajtja e sistemit të barrikadave, rrugëve alternative pa kontroll dhe anarkisë. Pikërisht kjo gjendje kaotike përkon me interesat e krerëve ilegale të komunave, të cilët synojnë mbajtjen e një referendumi në shkurt. Misioni evropian i EULEX-it deri më tani as nuk ka zhvilluar hetime e as nuk ka bërë ndonjë arrestim të këtyre karteleve mafioze që struken para barrikadave. Paradoksalisht, EULEX-i praktikon arrestimin e njerëzve brenda institucioneve të Kosovës, që në plot raste, privohen nga liria pa kurrfarë prove bindëse.
Deklarata e kryeministrit, Thaçi, i cili ditë më parë foli me një fjalor të ashpër kundër Vetëvendosjes, duke u shërbyer edhe me fjalorin autokrat të Sali Berishës, ka bërë që disa deputetë të Partisë Socialiste të Shqipërisë të mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje. Deputeti, Ditmir Bushati, duke mbështetur këtë Lëvizje thotë, “sa kohë që Vetëvendosja udhëheq protesta paqësore e bëhet promotore e një politike të begatë e parimore për qytetarët, mbështetur mbi një vendim të Kuvendit të Kosovës, ndjej neveri ndaj baltosjes që tentohet t’i bëhet asaj nga ata politikanë që të përbashkët mes tyre kanë veç pasurimin e shpërdorimin e besimit të qytetarëve e jo atdhedashurinë”. Ndërsa deputeti, Erjon Braçe, i cili e ka shprehur hapur simpatinë e tij ndaj opozitës në Kosovë, prej ditësh po komenton këtë protestë të Vetëvendosje dhe ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj saj. Sipas tij, arrestimi i deputetëve të opozitës është shfaqja më e keqe që po jep qeveria e Kosovës. Këtyre qëndrimeve u është bashkuar edhe deputeti, Taulant Balla, i cili porosit që dhuna dhe gazi lotsjellës i shqiptarëve kundër shqiptarëve duhet të shmanget.