Gjykata Komunale e Besianës e udhëhequr prej gjyqtarit, Behxhet Muçiqi, u ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak prej 15 ditëve nëntë aktivistëve të Vetëvendosjes për pjesëmarrje në protestën e 14 janarit. Në seancën që zgjati për rreth 6 orë kjo masë u është shqiptuar këtyre aktivistëve: Frashër Krasniqit nga Prishtina, Salih Zybës nga Prishtina, Hysen Durmishit nga Prishtina, Naim Bunjakut nga Vushtrria, Bekim Sylejmanit nga Mitrovica, Genc Musës nga Besiana, Musa Ajetit nga Mitrovica, Gezim Hysenit nga Besiana e Sabri Bajraktarit nga Dragashi. Prokuroria kishte akuzuar të gjithë të arrestuarit për dyshim të veprës penale për pjesëmarrje në protestën e 14 janarit dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Pas dëgjimit të akuzave, pala mbrojtëse ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientëve të tyre, sepse edhe ashtu kishte kaluar afati i paraburgimit të tyre prej 48 orëve, dhe më këtë rast Gjykata ka shkelur ligjin, duke i mbajtur ata nën arrest më tepër se 48 orë.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kërkuar nga Kryetarja Jahjaga që t’i thërrasë të gjitha subjektet parlamentare dhe jo-parlamentare, pas zhvillimeve të fundit në vend. Sipas tij, kryetarja e ka detyrim kushtetues që t’i thërrasë për bisedime subjektet politike në vend. Krasniqi citohet të ketë thënë se përmes rrugës nuk mund të zgjidhen problemet, duke vlerësuar se Vetëvendosja nuk i ka harxhuar të gjitha mundësitë ligjore për mocionin e Kuvendit. Ai ka shprehur keqardhje për arrestimin e deputetëve të Kuvendit dhe nënkryetarit, Glauk Konjufca.