Festivali i Këngës në RTSH nuk prezantoi në 50 vjetor krijimtarinë artistike që priste publiku, aq më shumë që dhe për emrat e njohur të krijimtarisë muzikore ai nuk erdhi në nivelin artistik që pritej. Kompozitori i njohur Alfons Balliçi, i cili në vitin 1968 u ngjit për herë të parë në skenën e festivalit tregon se në 50 vjetor ky aktivitet linte për të dëshiruar, ndërsa skenës i munguan dhe shumë emra të njohur të krijimtarisë muzikore.
Dekada të tëra me krijimtarinë muzikore nderuar dhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, kompozitori Alfons Balliçi pohon se problemet me festivalin nisin që nga përzgjedhja e këngëve që bëhet për festivalin. Sipas mjeshtrit të këngës shqiptare, nëse do të ishte një komision i aftë dhe me përvojë, atëherë do të bëhej një përzgjedhje artistike me vlera dhe nuk do të kishim këto probleme në krijimtari.
Në këtë intervistë kompozitori i suksesshëm i shumë këngëve popullore dhe të muzikës së lehtë shqiptare, orkestruesi i një numri të madh këngësh dhe veprave muzikore, ashtu si çdo artist profesionit e shqetëson mungesa e frymës kombëtare në krijimtari, duke theksuar se kënga duhet të tingëllojë shqiptare.
Në vitin 1968 ju keni marrë pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH ndërsa keni vijuar dhe pas viteve ’90. Pas kaq dekadash si e patë këtë aktivitet në 50 vjetor?
Vetë fakti që u fol për një jubile, 50 vjetor të një aktiviteti kaq madhor dhe të rëndësishëm të këngës shqiptare, do të thotë që ne prisnim kulmin e këtij festivali. Ne prisnim suksese që në organizmin e tij, realizmin e tij, pa përjashtuar këtu dhe pjesëmarrjen e figurave të njohura që kanë dhënë një kontribut të çmuar gjatë këtyre 50 viteve festival. Nata e tretë gala solli kujtimin dhe nostalgjinë e atyre viteve, por ajo mund të kishte këngë dhe më të bukura dhe mendoj se përzgjedhja e këngëve të kësaj nate duhet të ishte bërë më mirë.
Si ishte për ju nata e tretë e festivalit me dy netët që kishin këngë konkurruese?
Nëse do të bëjmë një krahasim, mendoj se krijimtaria e natës së parë dhe të dytë në Festivalin e Këngës në RTSH linte për të dëshiruar, krijimtaria e natës gala ishte shumë më lart. Këtu është problemi i mënyrës së organizmit të festivalit, dhe mua më duket se kjo punë çalon që në zanafillë të këtij aktiviteti.
Çfarë do të thotë kjo?
Zanafilla e festivalit në RTSH fillon me seleksionimin e këngëve që paraqiten në festival. Nëse kemi të bëjmë me një komision të aftë dhe me përvojë, që do të thotë në jetën tonë artistike nuk mungojnë emra si Agim Krajka, Aleksandër Lalo etj, atëherë do të bëhej një përzgjedhje artistike me vlera dhe nuk do të kishim këto probleme.
-Cilat ishin problemet në krijimtarinë artistike?
Në këtë festival mungoi melodia. Melodi mund të bësh dhe me nota pa frymë kombëtare, por këtu mungoi fryma kombëtare, që na dallon ne nga të tjerët që jemi shqiptarë. Është për të ardhur keq që kur del nga festivali nuk mban mend as këngën e fundit. Të thuash mungon fryma kombëtare në radhë të parë kjo përgjegjësi i bie jo vetëm kompozitorëve që shkruajnë dhe paraqesin krijimet e tyre për në festival, por dhe të njerëzve që seleksionojnë këngët.
Kjo është përgjegjësi e drejtorisë së RTSH është punë shtetërore, këta njerëz nuk janë të aftë për të seleksionuar, gjë që e ka treguar koha dhe në festivalet e tjera, pasi shohim që është po e njëjta gjë. Muzika shqiptare vuan nga i njëjti problem dhe këtu duhet një “operacion”. Kjo zgjidhet duke marrë njerëzit më të kualifikuar që për fat janë akoma gjallë. Këta ta kenë përgjegjësinë për të bërë seleksionimin e këngëve në festival dhe pastaj vjen faza e realizimit.