2012-01-18

Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror


Në një lartësi prej rreth 1400 metrash Kroji i Bardhë është vetëm 30 kilometra larg qytetit. Po ashtu edhe Shishtaveci, apo Novoseji, që janë vetëm 37 kilometra larg qytetit të Kukësit. Janë zona që i kanë të gjitha mundësitë për zhvillimin e turizmit malor.
Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror



























R.Hoxha

- Një ditë e ftohtë, por pa lagështi. Vetëm syri të sheh bardhësinë në shtigjet e largëta të Gjalicës, pak dëborë, edhe pse është fillim janari.

Një dimër i çuditshëm e rrallë i ndeshur kësisoj, pa reshje e me temperaturë mbi zero. "Është një kohë e përshtatshme për udhëtime drejt vendeve që të ngjallin ndjesinë turistike, udhëtime që të kujtojnë rininë, udhëtime që tani janë harruar nga të rinjtë", thotë Ardiani, mësuesi që ka marrë rrugën drejt Krojit të Bardhë në malin e Gjalicës, një pikë turistike që po bëhet gjithnjë e më e njohur jo vetëm nga vendasit, por edhe nga turistë e gjuetarë nga zona të tjera të vendit. 

Ajo gjithnjë e më shumë pret mysafirë e turistë, që duan të njohin dimrin e ashpër të maleve tona. Ky dimër ka bërë që udhëtimet përmes rrugës së Grykës së Vanave, që ndan Gjalicën e Koretnikun, që është edhe rruga e vetme që të çon drejt Shishtavecit, staneve të Novosejit, të jenë të përditshme. Jo vetëm për banorët e qytetit të Kukësit, por edhe nga zona të tjera të vendit, duke sjellë popullimin e këtyre zonave turistike. 

Të tillë vizitorë kanë bërë që te vendasit të forcohet bindja se zhvillimi i turizmit malor është mjaft fitimprurës. Aq më tepër tani që edhe infrastruktura rrugore i ka afruar këto zona me zonën fushore. 

Në një lartësi prej rreth 1400 metrash Kroji i Bardhë është vetëm 30 kilometra larg qytetit. Po ashtu edhe Shishtaveci, apo Novoseji, që janë vetëm 37 kilometra larg qytetit të Kukësit. Janë zona që i kanë të gjitha mundësitë për zhvillimin e turizmit malor. 

Turizmi malor është ende në fillimet e tij 

Ndryshimet janë vetëm në fillimin e rrugës. Pasi ende, pika turistike ku funksionojnë edhe lokale tregtare, frekuentohen pak. E tillë është pika turistike pranë Gurit të Mëngjesit në Shishtavec. "Gjatë dimrit lokali nuk funksionon sepse nuk ka klientë. Lokali nis punën në fund të muajit prill deri në tetor", tregon pronari i tij, Behudin Murati. 

Ai tregon se gjatë verës klientët janë të shumtë dhe vijnë këtu nga i gjithë rrethi, apo nga zona të tjera, madje edhe nga Kosova. Vijnë nga qyteti, por edhe nga fshatrat e Kosovës. Vijnë për ajrin e pastër. Por, këtu nuk mungojnë edhe pistat natyrale të skive që presin të shfrytëzohen. 

Edhe ndonjë grup që i afrohet Gurit të Mëngjesit, kryesisht për sportin e skive, vendqëndrimin e ka në fshatin Shishtavec, banorët e të cilit janë të njohur për mikpritje e gatimin karakteristik. Madje dy muaj më parë në këtë fshat u organizua edhe panairi i gastronomisë vendase. 

Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror
Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror





































"Jemi të njohur jo vetëm në shkallë vendi, por edhe më tej, të rinjtë tanë që i janë drejtuar emigracionit, kryesisht kryejnë punë në kuzhina. Ky është profesioni që e trashëgojmë nga brezi në brez", thotë 72 vjeçari Hyrmet Demiri, që ka punuar mbi 40 vjet si kuzhinier. 

Një tjetër pikë turistike po bëhet edhe Pylli i Mështeknave, ku thuajse çdo ditë janë të pranishëm vizitorë të ardhur nga zona të ndryshme, madje edhe të huaj, kryesisht nga Kosova. 

Kështu ndodh edhe te stanet e Novosejit. Prakticiteti për të ndërtuar jetën edhe në mal është virtyt i njerëzve të punës. Një prej tyre është Mahmut Noka te stanet e Novosejit. Pas vitit '90 vëllezërit e tij u larguan në drejtim të Tiranës. Tani banesat e tyre, Mahmuti i përdor për turistë e vizitorë, që kalojnë një natë aty mes malesh. 

"Tani nuk kam shumë vizitorë, ndërsa në muajt e verës vizitorët janë të përditshëm, bile qëndrojnë deri në një javë. Ndërsa tani kalojnë një natë e largohen. Gjithsesi më parë gjatë dimrit nuk shihnim njeri pranë banesave tona, ndërsa tani kemi vizitorë edhe në dimër", thotë i kënaqur Mahmuti. 

Nuk janë vetëm këto pika turistike, është edhe "Sasati", "Kroji i Kuq", 'Kroi i Bardhë", që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe në dimër. 

Pikat e tjera turistike kanë nisur të vihen në punë 

Njëra anë e Gjalicës, që shihet edhe nga qyteti i Kukësit, ka nisur të vizitohet. Në këtë anë ndodhen disa prej bjeshkëve të mira të Gjalicës, që gjatë verës mbushen plot. Kështu ka nisur të ndodhë dalëngadalë edhe gjatë dimrit. Një prej tyre është Kroi i Kuq, një nga bjeshkët më të mira të Gjalicës. 

Kroi i kuq ka nisur të pëlqehet jo vetëm nga banorët e fshatrave përreth, por edhe nga shumë vizitorë nga zona të tjera të vendit. Kjo edhe për faktin se deri afër tij ka edhe rrugë makine, një rrugë e ngushtë ku makina lëviz me vështirësi, por gjithsesi të heq mundimin e të ecurit më këmbë nëpër shpatinat e rrëpirta të malit. 

"Rruga e makinës na bën t'i drejtohemi për ushtrimin e sportit të skive. Aty ka edhe një lokal për të na shërbyer ushqimin, por edhe ndonjë pije", tregon Islam Cengu, mësues në fshatin Shtiqën. 

Islami tregon se tashmë numri i vizitorëve është në rritje, kur vetëm pak vite më parë gjatë gjithë dimrit nuk kujtohej kush të ngjitej deri te Kroi i Kuq që ndodhet thuajse afër majës së malit Gjalica. 

Vizitorët kanë mësuar edhe për pikat e tjera turistike që ndodhen jo shumë larg. Të tilla janë Kroji i Ramës, Kroji i Kishës dhe Kroji Tatzot, që vizitohen vetëm nga pasionuarit pas alpinizmit dimëror.

Vendet e përshtatshme turistike janë edhe të tjera si Sasati në lartësinë e mbi 1700 metrave mbi nivelin e detit. Sasati është i njohur, pasi në stinën e verës ai mbushet plot me vizitorë që qëndrojnë deri sa vjen dimri. 

Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror
Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror





























"Tani ka nisur të vizitohet edhe në dimër. Nuk mungojnë banesat e vogla të barinjve që mbushen gjatë verës. Kjo gjë po ndodh edhe në dimër", tregon Flamur Cengu nga fshati i Shtiqnit.

Kanë qënë edhe investimet që kryejnë vetë banorët që po i nxisin vizitorët të njohin më mirë verilindjen, deri tani të harruar. Vetë biznesmenët vendas po ndërtojnë një hotel në pyllin e Mështeknave, një tjetër te ura e Lapajve, pranë fshatit Bushtricë. 

"Është vetëm fillimi i një pune që sa vjen e rritet në shërbim të zhvillimit të turizmit, ndërsa investimet në këtë drejtim sa vijnë e rriten", thotë përgjegjësi i zyrës së zhvillimit në Këshillin e Qarkut, Shahin Hereni. 
Drejt shtrirjes më të gjerë të turizmit dimëror 

Zhvillimi i turizmit malor ka bërë hapa të rëndësishme përpara në këtë rajon malor të vendit. Kjo ka çuar në shtimin e numrit të banesave turistike në zonat rurale. Po ashtu edhe ndërtimi i autostradës, i aeroportit të Kukësit kanë krijuar mundësi efikase për zhvillimin cilësor të turizmit malor, për të cilin kërkesat janë gjithnjë në rritje. 

Kjo ka bërë që nga specialistët vendas puna të përqendrohet në përgatitjen e projekteve zhvillimore të shtrirjes së zhvillimit të turizmit në bashkëpunim edhe me komunën e Prizrenit. 

"Në shërbim të zhvillimit të turizmit janë përgatitur 10-12 projekte, ndërsa fondi i akorduar për to arrin në rreth 200 mijë dollarë, fond i qeverisë shqiptare dhe i PNUD-it. Përmes këtij fondi është parashikuar edhe ndërtimi i një tregu në fshatin Shishtavec dhe caktimi i një dite tregu në bashkëpunim me komunën e Dragashit, gjë që do të shënojë tregun e parë të përbashkët mes dy vendeve etj", thotë Hereni.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...