2012-01-16

Zenë Kapllani dhe Zenun Digitruni




SHIJA E BIRRËS MAQEDONASE(fragm. nga humoreska “Zenë Kapllani dhe Zenun Digitruni”)
 
Ndoshta, për t’i saktësuar sadopak gjërat... shija e çuditshme e birrave të Zenun Digitrunit mund të ndjehej dhe më pastaj... ngapak. Sidomos gjatë birrës së parë. Por me ta filluar të dytën, çdo gjë rregullohej automatikisht e binte nën kontroll të mishit të grirë dhe të "ingredientëve” të vegetës. Asaj pra, më të verdhës nga “albuminat e vitaminat”, asaj më të mirës vegetë kroate, “Podravka”.
Ndoshta dhe normale kjo dukuri, thjesht një “fenomen” i zakonshëm.
Tekefundit as nëpër gjelltoret e Prishtinës, domethënë të vetë kryeqytetit, asnjë çorbë... pa i ‘çik kripë nuk ia vlen!
 
S. Guraziu, 2006
 
| - - - - - - - -
| - - - - - - - - - - - - -
Dyqani i Zenun Digitrunit në Lamën e Kuqe dalngadalë nisi të bëhej mjaft i rëndësishëm për furnizimin e njerëzve, kryesisht të lagjes “Azemavinjtë”. Sepse katundi Sukë ishte i madh, kishte shumë lagje dhe ndoshta dhjetë ose njëmbëdhjetë dyqane.
Sheshi, për të cilin po flasim, nuk ishte qendra e fshatit. Nuk ishte as sheshi kryesor. Në kohën e “ngjarjes së tregimit” tonë (lexo: stisjes) ishte thjesht njëri nga sheshet në pjesën e epërme të fshatit. Një shesh fshati pa infrastrukturë dhe asgjë tjetër të mirëfilltë. Ca kanale anëve, mbushur mbeturina nga më të ndryshmet. Ca gurë, aty pranë derës së dyqanit, vendosur nga ndokush sa për të mos u mbështetur me prapanicën në pluhur ose në baltë. Ca porta oborresh nga më të çuditshmet rreth e rrotull. Ndonjë qen, gomar ose mace tek çapitet mërzitshëm për në anën tjetër, secili rrugës së vet.
 
Mund të thuhet se sheshi i ngjante një korzoje, mirëpo jo si të tjerat. Lama e kuqe sigurisht se ishte korzo origjinale, e llojit të vet. Me çdo detaj autentike. Verës, pluhuri të ëmbëlsonte frymën dhe arrinte ndonjëherë gjer në zog t’këmbës. Dimrit, skllotë e baltë gjer nën gjunj. Thonë, korzo e  tillë ka mbetur dhe sot e kësaj dite, natyrisht nëse nuk e llogarisim si “ndryshim” përmendorën e ngritur pas luftës. (Monument i punuar me gurë të latuar, me një pllakë të mermertë në ballë dhe një shqiponjë të hekurt në majë, shumë të “besueshme” me simetrinë e shqiponjës së flamurit, vizatuar e prerë me aparat autogen).
 
Me hapjen e dyqanit, Lama e Kuqe qe gjallëruar dukshëm. Nuk ishte gjithmonë njëjtë, por verës, buzëmbrëmjeve vlonte nga njerëzit që dilnin të çlodheshin pakëz pas punëve të ditës. Ta ndërronin nga një llaf me të tjerët për argatshtinë, ta pinin nga një Jupi, nga një limonatë, apo Coca-Colë e pse jo dhe nga një birrë.
Ndonëse, për fat të keq dyqani i Zenunit nuk mbante birra të Pejës, aso birra sahë, me ujë të ftohtë nga burimi i Drinit t’Bardhë. Sall një markë me germa të çuditshme... e ardhur nga Kumanova. Sepse me atje dikund e kishte lidhur “biznisin” dyqanxhiu.
 
Për këtë në fillim, ata që njiheshin si ekspertë, njohës pa hile të birrave, ia kishin zënë për të madhe Zenun Digitrunit. Një lloj bojkoti ndjehej në ajri, edhe pse askush s’e thoshte një fjalë. Njerëzia rrallë e porositnin një birrë maqedonase. Nuk i refuzonin vetëm kur dikush qeraste, sepse ashtu s’kishte kuptim. Kur dikush ta ofron një pije, është nder, është nderim... sikur që është dhe zgjatja e një cigareje. Përse thuhet: “t’u rritë nera...”? Nuk thuhet kot, kjo ka domethënie. Tekefundit është një kod i pashkruar. Nuk ka kuptim të refuzohet cigarja, përveç nëse nuk je duhanxhi. Ashtu po, dihet kjo. Ashtu sikur të rri nën sqetulla një respekt nga të gjithë të pranishmit. Respekt i heshtur për joduhanxhiun.
 
Të refuzohet birra s’do kishte fare kuptim. Sepse nëse për asgjë tjetër... atëherë nëse fyti të është tharë e shkrumuar refuzimi s’do konsiderohej as modesti, as mrekulli... pos ndonjë marrëzi e kulluar. Refuzimi i një birre nuk qe praktikë e as nuk do t’ishte far’ mençurie në Lamën e Kuqe. Mbase nuk ka qenë as atëherë kur ishte Lamë, nuk ishte as në kohën e Zenun Digitrunit.
Kështu që, dalëngadalë, me kohën qenë mësuar edhe ekspertët, edhe laikët birraxhinj, edhe “eksperimentuesit” e edhe ata më “të ndjeshmit” me shijen krejt ndryshe të birres maqedonase.
 
Dikush dyshon se kjo pati qenë po ashtu njëra nga ato taktikat e Zenun Digitrunit.
Sepse dihet tashmë, siç e thotë shpesh dhe vetë Zenë Kapllani, Zenun hesapi... Atë nuk do ta quanin kot siç e quajnë: Digitrun. Për çdo gjë i bënte llogaritë paraprakisht. Deri në detajet më të “padukshme”. 
Dyshimi bazohet në faktin se ai duke ua hapur ndonjë konzervë mishi të grirë "narezak"13 iu thërriste: "...hëëëëëë, ku di dhia ç'áshtë taxhia. Ku dini ju qysh pihen birrat, aman? Fytin plot kashtë e pluhun nga prashitja, e do të k’naqet me birrë! Ku ka ashtu, hëëë?! Fytit duhet me ia ndihmu pak, o xhanëm!".
 
Sekretin e "Vegetës", aso prodhuar nga "Podravka"14, nuk ua zbuloi dhe për ca kohë.
Kur një delegacion pati ardhur nga Kumanova për çështje biznesi, tek atëherë ata që patën qëlluar aty e kuptuan se dhe "narezak"-ut duhet t'i ndihmohet. Dyqanxhiu, siç e lyp zakoni, bënte çmos që musafirët “biznismenë” ta ndjenin veten si në shtëpi. Nuk kursente asgjë, vetëm e vetëm që ata të ndaheshin të kënaqur. Por, dorën në zemër, pakëz dhe nga “inati”, se ç’e shtynte njëfarë krenarie përbrenda... Se ç’i ishte bërë mendja çykë që biznismenët maqedonas ta kuptonin patjetër se dhe këndej i ditkan marifetet e birrave.
 
Pastaj, këta fatlumët që patën rastin ta mësojnë sekretin e "Vegetës", nuk e mbajtën këtë sekret vetëm për vete. Brenda një kohe të shkurtër që të gjithë, madja dhe lagjia më e largët atje prapa “bishtit t’shejtanit”... ajo e “Zekollëve” e dinin si duhet t'i ndihmohet fytit. 
Ndoshta, për t’i saktësuar sadopak gjërat... shija e çuditshme e birrave të Zenun Digitrunit mund të ndjehej dhe më pastaj... ngapak. Sidomos gjatë birrës së parë. Por me ta filluar të dytën, çdo gjë rregullohej automatikisht e binte nën kontroll të mishit të grirë dhe të "ingredientëve” të vegetës. Asaj pra, më të verdhës nga “albuminat e vitaminat”, asaj më të mirës vegetë kroate, “Podravka”.
 
Ndoshta dhe normale kjo dukuri, thjesht një “fenomen” i zakonshëm.
Tekefundit as nëpër gjelltoret e Prishtinës, domethënë të vetë kryeqytetit, asnjë çorbë... pa i ‘çik kripë nuk ia vlen!
| - - - - - - - -
| - - - - - - - - - - - - -





Top of Form








Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...