Konkluzionet nuk mund të jenë në kundërshtim me premisat. Qeveria e Hashim Thaçit i ka pranuar bisedimet me Serbinë pa e njohur kjo e fundit Republikën e Kosovës. Si rezultat ka negociata midis Qeverisë së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, lidhur me Kosovën.
Pranimi i Edita Tahirit që të hiqet mbishkrimi “Republika e Kosovës” në përfaqësimin e nismave rajonale është në përputhje të plotë me qëndrimin nënshtrues të Qeverisë së Kosovës karshi Serbisë.
“Arsyetimet që po bëjnë zyrtarët qeveritarë janë të papranueshme. Po na thuhet se Kosova hoqi dorë nga Republika, por edhe Serbia hoqi dorë nga Rezoluta 1244. Ky arsyetim vjen nga pozicioni i atyre që Kosovën e shohin si një çështje të pazgjidhur, që nuk dihet se kujt i takon, e kush ka të drejtë mbi të”, Arsyetimi i tillë i pranon synimet shoviniste të Serbisë si legjitime.
Paralelja që po bëhet me rastin midis Greqisë dhe Maqedonisë nuk qëndron. “Maqedonisë nuk i kontestohet subjektivitetin shtetëror, nuk i mohohet shteti, por emri i shtetit, ndërkaq, Serbia e konteston emërtimin shtetëror sepse nuk e njeh dhe e lufton vetë shtetin e popullin e Kosovës”.
Heqja e fjalës “Republikë” nga emri i shtetit tonë dhe shfuqizimi i reciprocitetit në Kuvendin e Kosovës e kanë fuqizuar Serbinë në Kosovë si dhe në arenën ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.
Kjo gjë ia ka rritur shumë Serbisë gjasat për ta marrë statusin e vendit kandidat për BE. Koncesionet që po i bën Qeveria e Kosovës lidhur me shtetin janë sinjal i keq dhe krijojnë konfuzion edhe për shtetet që e kanë njohur apo që duan ta njohin Kosovën si shtet.
Nismat rajonale, shteti ynë do të përfaqësohet me mbishkrimin “Kosova” dhe me një fusnotë poshtë. “Kosova është emri i vendit, Republika është shenjuesi subjektiv, ajo tregon se çfarë është Kosova. Subjekti i Kosovës si vend është Republika, e subjekti i Republikës është vullneti i popullit”.
"Kosova Republikë”, kjo parullë e kahmotshme, kjo thirrje e brezave kundër pushtuesve është plot kuptim edhe sot. Sa më shumë koncesione me Serbinë, më e dëgjuar do të bëhet kjo thirrje; sa më shumë vjedhje e pazare të pasurisë publike, më i shpejtë e më i madh do të jetë reagimi i publikut në mbrojtje të Republikës, por edhe më cilësor do të jetë ndryshimi”.