2012-02-03

Cikël me vjersha nga Janaq Pani





MALET E VETËTIMËS
Male Vetëtime kreshtamprehtë
Nga shpata gdhendur e jatagani
Limer shqiponjash për foletë
Dhe trimash me zemër luani.
O male Vetëtime kreshtëlarta
Me supet që s’i ulët asnjëherë
Stërrall për retë rrufezjarrta
Dhe shtiza flamuri në erë.
Iu kam plazmuar në retinë
Ngado që shkoj, mbi male e dete
Iu kam balsam për krenarinë
Si hajmali iu mbaj me vete.
GOZHDËT
Gozhdë në treg nuk ka mbetë
Xhama e korniza gjithfarë
I blenë me ngut ca poetë
Nëpër mure për të varë
Turli çmimesh që patën marrë.
5 CENT
Përtheva mesin, përkula gjurin
Një pesë cent në xhep ta shtie,
Ky akt s’e tjetërsoka burrin
Dhe vlera shumë nuk i bie.
Dhe 5 cent kanë aq vlerë
Apo në qoftë një cent i vetëm,
Kët’ fat s’e patën dhe të tjerë
Te këmbët tona ne e gjetëm.
Centët e gjetur i le mënjanë
Në muaj sa bëhen t’i shoh,
Të gjithë bashkë vlerën e kanë
As sa një kafe që të ngroh.
ERDHI ÇASTI
Erdhi çasti, s’kam pretendime
U gëzohem ç’kam arritur,
E jetova jetën time
Disa shkallë duke ngjitur.
Për më tej s’iu kam zili
Lart n’u ngjitën shumë të tjerë
Për ç’arrita me dashuri
Më i lumturi jam ndjerë.
Po më bren veç një dëshirë
Ç’ka le pas nga geni i im
Në se bëhen më të mirë
Do kap ëndrrën në fluturim.
TË MBIJETOSH
Të besës miqtë të paktë i kam
Se jeta doli nga shtrati i vjetër
E ec tani në hulli tjetër,
Të mbijetosh do jesh luan
Ose së paku të shndrohesh dhelpër.
KUSH E BËN LIGJIN
Në pyll gjithë kafshët
Nga janë e nga s’janë
Si mbret përmbi krye
Njohin veç luanë
Po mbreti, si mbret
Vetë e bën ligjin
Si ia thotë mendja
Ta bën edhe gjyqin
Të tjerët te kryet
Të vendosin kryqin.
NË DARDANI
Jo, jo unë në Dardani
Nuk kam qenë ndonjëherë,
Malli që më djeg në gji
Ndonjë ditë do më shpjerë.
Brenda në Prizren të Besës
Ku ndjek hapa trimërie
Bëhesh gati dhe të vdesësh
Si një trimi që i ka hije.
Te kull’ e Jasharëve djegur
Më flet zemra:”Pa qëndro!
Në qofsh edhe zemërlepur
Shndërrohesh këtu hero.
Dardani – kështjellë qëndrese
Supet lart – bedenë rinuar,
T’u tha loti – pikëz vese
Njëqind vjet e dëshëruar.
ERA E MORAVËS
për M.
Erë e Moravës sa lehtë fryu
E puthi flakën e një qiriu
E desh të terë një lot te syri
E desh të zbutë dhimbjen te gjiri
E desh mermerin për ta flladitur
Të sjellë më afër vitet e fikur
Dy emra në një vend skalitur,
Kët’ zverdhje gushti duke ikur
Si medalion i verdhë hëne
Plazmuar në kujtesën tënde…
NË PLAYA CALETA – KUBË
Në Playa Caleta dorë miku
Nga toka kubane na u zgjat,
E zemra dallgë Atllantiku
I ngriti për miqtë e pafat.
Zoti Kubën e mban me hatër
Me gjelbërimin gjithëvjetor,
Veç jeta lind e ngrys e varfër
Zemërduruar, shpirt paqësor.
Një buzëqeshje të valë tropiku
Dhe një “Ola!” shqiptuar ëmbël
E dalë nga një zemër miku
më shfaqen shpesh tani në ëndërr.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...