Albanologu Robert Elsie lindi në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978. Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e 'takimeve shkencore' midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft) ), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në një fshat malor të Gjermanisë afër kufirit belg.
Dr. Robert Elsie
Shkrimtar, albanolog, përkthyes, interpret
Knaufspescher Str. 14
D-54597 Olzheim / Eifel
Germany Tel.: +49 6552 992220
Fax: +49 6552 992222
Websites: robert.elsie@t-online.de
www.elsie.de
www.AlbanianLiterature.net
www.AlbanianHistory.net
FLORI BRUQI
Në Tiranë promovohen dy libra të albanologut Robert Elsie
Nën kujdesin e zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, Akademia Diplomatike e MPJ-së organizoi sot, më 3 shkurt, ceremoninë e përurimit të dy librave të albanologut, përkthyesit dhe studiuesit të njohur kanadez Robert Elsie.
Konkretisht dy librat që vijnë në gjuhën shqipe janë: Fjalori historik i Shqipërisë (Botimet UEGEN) dhe Fjalori historik i Kosovës (Skanderbeg Books).
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin vetë autori Robert Elsie, por edhe diplomatë, studiues, shkrimtarë, gazetarë dhe personalitete të tjera. Në fjalën e tij përshëndetëse, zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto vlerësoi se librat e Elsies janë dy vlera që do të vendosen në piedestalin e rëndësishëm të veprave për historinë dhe për kulturën shqiptare. Ai shtoi se vepra e Profesor Elsie është një gur themeli në afirmimin e kulturën shqipe, si një nga kontributorët e rëndësishëm të civilizimit botëror.
Një fjalë më të zgjeruar rreth këtyre dy botimeve me vlerë te albanologut Robert Elsie, mbajti dhe deputeti Mark Marku. Ndërsa në fund, fjalën e mori vetë autori, Elsie, i cili theksoi se librat e tij janë enciklopedi me fakte dhe dokumente të vërteta, që duhet të dinë të huajt për shqiptarët.
“Në kuadër edhe të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, sot zhvillojmë një aktivitet tjetër. Kemi promovimin e dy librave të rëndësishëm, kontributorë të drejtpërdrejtë në kulturën shqiptare siç është: Fjalori Historik i Shqipërisë dhe Fjalori Historik i Kosovës. Janë dy vlera që jam i bindur që do të vendosen në piedestalin e rëndësishëm të veprave për historinë dhe për kulturën shqiptare. Këto dy vepra i bashkon një emër i ndritur, një emër i cili ka nderuar prej vitesh me kontributin e tij të jashtëzakonshëm fondin e kulturës shqiptare. Ky emër është emri i Profesor Robert Elsie. Profesori pa asnjë ekzagjerim mund të konsiderohet si një enciklopedi e kulturës shqiptare, me kontributin e tij poliedrik dhe shumë profilik, ka lëvruar të gjitha aspektet e kulturës tonë, ka lëvruar përkthimin, kërkimin shkencor, ka studiuar mitet, ligjet shqiptare, ka sjellë vepra të jashtëzakonshme të kulturës botërore në fondin e asaj shqiptare dhe këtë e ka bërë me një dashuri të veçantë, me një përkushtim për t`u marrë shembull. Pra e ka dashuruar shumë kulturën dhe trashëgiminë shqiptare dhe për këtë ne i jemi shumë mirënjohës. Unë dëshiroj që ky eveniment të shënojë dhe një herë një tipar shumë të rëndësishëm që vëmë re për kulturën dhe trashëgiminë tonë, atë që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve nga më të shquarit kontemporanë, dhe sigurisht ky kontribut i Profesor Elsie është i tillë, një gur themeli për ta vazhduar këtë rrugë, këtë traditë që tashmë është krijuar, duke afirmuar kulturën shqipe si një nga kontributorët e rëndësishme të civilizimit botëror. Thashë i huaj ndonëse, Profesor Elsie mban një pasaportë shqiptare, por është i lindur është në Kanada. Pavarësisht kësaj, unë mendoj se ai është një shqiptar i mirë, një kontributor i kulturës dhe i trashëgimisë tonë”, tha Haxhinasto.
Ndërsa, albanologu, përkthyesi dhe studiuesi i njohur kanadez Robert Elsie ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për organizimin e promovimit të këtyre dy librave.
Ndërsa, albanologu, përkthyesi dhe studiuesi i njohur kanadez Robert Elsie ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për organizimin e promovimit të këtyre dy librave.
“Falënderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe z. ministër për fjalët e mira. Gjithashtu falënderoj profesorin Mark Marku për fjalët tepër të ngrohta që ‘nuk i meritoj’, edhe një falënderim të veçantë mikut tim Visar Zhiti, i cili më ka nxitur të vij dhe të promovohem, nëse mund të themi kështu. U jam mirënjohës gjithashtu botuesve të mi dhe kam nderin të kem 2 botuesit këtu, z. Xhevahir Lleshi për vëllimin e Shqipërisë, ‘Fjalor historik i Shqipërisë” edhe Flutura Haska për vëllimin e Kosovës “Fjalori Historik i Kosovës’. Të mos harroj edhe përkthyesit, sepse unë jam vetë përkthyes dhe përkthyesit shpesh harrohen, kështu që përmend me emër: Eva Bani që ka përkthyer vëllimin e Shqipërisë dhe Majlinda Nishku që ka përkthyer vëllimin e Kosovës. Kur mora përsipër vëllimin e Shqipërisë më sugjeruan 150 faqe dhe më dhanë një kufizim prej 250 faqe. Kur mbarova punë me kishin dalë 500 faqe. Redaktori i shtëpisë botuese u ankua se vëllimi i Shqipërisë do të dilte kështu më i madh se vëllimi i Rusisë, por përsëri me këmbënguljen time libri u botua pa shumë kufizime. Botuesi amerikan u tregua gjithashtu shumë dashamirës për fjalorin e Kosovës, botimi i parë i të cilit anglisht doli në vitin 2004, përpara njohjes ndërkombëtare të pavarësisë, ku na mungoi vetëm një flamur për kopertinën”, tha në fjalën e tij Elsie.
Çfarë janë këto libra?
“Quhen fjalorët historikë, por në fakt janë më shumë enciklopedi të përgjithshme të shteteve të botës. Për vëllimet Shqipëri dhe Kosovë jam përpjekur të përfshijë zërat për të cilat një studiues i huaj, një student i huaj mund të kërkoj informacion për figura dhe dukuri për të cilat ai mund të ketë lexuar apo dëgjuar, dhe për të cilët ai dëshiron të dijë pak më shumë. Këto vëllime do të shfrytëzohen si doracakë të standardeve të bibliotekave publike dhe universitare në botën anglisht-folëse dhe do të shërbejnë kështu për të përhapur të dhëna të sakta për Shqipërinë dhe për Kosovën, vende të cilat janë ende relativisht të panjohura dhe të pa kuptuara. Për përkthimin në shqip të këtyre vëllimeve, dikush mund të thotë: - Anglisht? Mirë, dakord, por përse në shqip? Unë e kuptoj mirë vërejtjen por do të dëshiroja të nënvizoja diçka. Në botën shqiptare ka një mori librash me mendime, me interpretime, me qëllime, me dëshira, me kritika, me frymëzime artistike, por ka shumë pak libra me të dhëna të sakta, pra me informacion bazë objektiv. Kjo është një mungesë kolosale, e cila pengon ecurinë e botës shqiptare, mungesa e një informacioni të saktë. Marrim për shembull figurat historike. Në librat shqip shkruhet shpesh se filani ishte atdhetar i flaktë, i cili luftoi me shpatë në dorë, për të mbrojtur çështjen kombëtare, por pavarësisht nga atdhetarizmi i tij i flaktë, kush ishte kjo figurë konkretisht? Kjo nuk dihet dhe shpesh herë as nuk i intereson lexuesit. Mjafton që ishte patriot. Synimi im në këto libra për Shqipërinë dhe për Kosovën, anglisht dhe tani edhe shqip, është për t'i ofruar lexuesit të huaj të dhëna të sakta dhe informacion, ndër të tjera, për të korrigjuar shumë gabime dhe keqinterpretime që përsëriten në shtypin e huaj për shqiptarët. Nëse lexuesi shqiptar mëson diçka më shumë për vendin e tij, atëherë akoma më mirë”, u shpreh Elsie.