2012-02-03

Kosova eldorado e fenomeneve sociale deviante







Shkruan: Prof. Dr. FADIL MALOKU, sociolog

Fadil Maloku lindi më 6 prill 1958. Është profesor i Sociologjisë në Departamentin e shkencave shoqërore të Universitetit të Prishtinës. Më tepër se 210 vite është i angazhuar në sfera të ndryshme si ligjërues, hulumtues, dokumentarist dhe autor. Po ashtu ka arritur rezultate të lakmueshme në sferën e të drejtave të njeriut. Ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe debate ndërkombëtare të rëndësishme dhe ka botuar rreth 50 artikuj për dukuritë sociologjike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

1. Probleme shoqërore Kosovare.

 Togfjalëshi që më së miri do mund të zbërthente apo thënë më ndryshe skanonte gjithë proceset që ndodhën apo aktualisht janë duke ndodhur në shoqërinë kosovare, pa mëdyshje janë ato që me gjuhën sociologjike identifikohen si probleme shoqërore.

Me këtë shtrirje të kësi sojit ky togfjalësh në shoqërinë kosovare, në fakt do të duhej të ishte pretekst i mjaftueshëm për të ndërmarrë hapa të duhur në diagnostifikimin e gjendjes dhe statuseve të ndryshme stratifikuese të shoqërisë sonë, e cila akoma është nën “ethet” e procesit të tranzicionit, ashtu siç kemi shkruar me herët.

Pra, duke qenë Kosova një “eldorado” e llojit të vete, apo si po thonë politikajt “një rast sui generis” dhe nëse ndalemi te problemi dhe elementet që atij ia jap karakterin dhe primatin e të qenit në top listën e çështjeve që meritojnë vëmendjen e një sociologu, atëherë padyshim që nevojitet përveç diagnostifikimit edhe terapia adekuate.

E themi kështu edhe për shkak se Kosova, në periudhën e instalimit të demokracisë (akoma të brishtë në të gjitha dimensionet e saja!) po gjeneron konsekuenca sociale (vetëvrasjet, dhuna familjare, prostuticioni, etj.) , ekonomike (kriminalitet të shtuar, krim të organizuar, korrupsion, etj.) politike, ( nepotizëm, konformizëm, oportunizëm, etj) me përmasa do thosha më shqetësuese se sa vendet tjera që u ballafaquan me procesin e tranzicionit.

 Për t’i eksploruar problemet shoqërore, jo vetëm kosovare por përgjithësisht ato të vendeve në tranzicion, duhet cekur se ato ngërthejnë disa parametra matës, apo identifikues në mënyrë që të diagnostifikohën më saktë.

Ndër këta parametra, duhet cekur: një, përfshirjen apo tendencën e masivizimit në shoqëri, dy, atë të kërcënimit që ngandonjëherë mund të shndërrohet në aso shkalle alarmuese për gjithë sistemin shoqërorë, dhe tre, procesin e ndërgjegjësimit apo aksionit kolektiv që duhet ndërmarr në rast se sistemi shoqërorë kërcënohet aq shumë sa që vlerat e instaluara të bankrotojnë tërësisht!

Ndër problemet shoqërore që më së shumti analizohet shkaku i ri dizajnimit të raporteve shoqërore është padyshim ai i devijimit social.

2. Devijimi social.

 Duke u nisur nga një fakt evident shoqëror, se vlerat dhe normat e reja së bashku me ndryshimet që ato sjellin në sferat e ndryshme (shoqërore, politike, ekonomike, sociale dhe sidomos kulturore) gjithnjë në fillim kontestohen, ngaqë sistemi i vjetër, apo tradita dhe etnopsikologjia e njerëzve është e prirur në fillim t’i perceptojë me dyshime dhe ngandonjëherë ngërçe deri në absurditet shkaku se ato akoma s’janë akomoduar me sistemin e gjerë vlerorë, çështja e “marrjes” apo të paktën amalgimit me vlerat e reja që i prodhon një situatë e caktuar historike (p.sh tek ne ajo e mosdurimit ndajë regjimit serb bie fjala) bëhet çështje shumë diskutabile në gjithë rrjetin social të shoqërisë.

Kjo dukuri, kur të analizohet me syrin e një sociologu bëhet edhe më e kontestuar e do të thosha edhe më e dyshimtë edhe për shkak se u adresohet periudhave të ndryshimeve radikale, ku nuk ka ndonjë pardon për sistemin e vjetër vlerorë dhe për mënyrën e tillë të menduarit dhe vepruarit social.

 Për të analizuar këtë fenomen apo dukuri të ndërrimit të sistemeve vlerore, në periudha dhe situata pothuajse edhe historike, padyshim që paraprakisht duhet intervenuar me skalpelin e një sociologu (më mirë do të ishte një kulturologu që mjerisht s’e kemi!) në mënyrë që ta kemi një pamje më të saktë lidhur me këto procese dhe zhvillime sa dinamike aq edhe të vështira për t’i eksploruar

Që në fillim duhet cekur se fjala apo nocioni deviant, deviacion rrjedhë nga fjala latine deviation që nënkupton në fakt një largim apo një lloj mënjanimi nga drejtimi apo rruga e zakonshme e një trupi që zakonisht e bënë apo të paktën e ka bërë gjatë procesit të realizimit të vetë.


Deviacioni apo kjo lloj shmangieje nga rrugëtimi i zakonshëm ta themi kushtimisht zhvillimor nga normat e përgjithshme të pranuara dhe të dëshmuara shoqërore nga ndonjë entitet: etnik, politik, social, kulturor etj. zakonisht zgjon jo vetëm kërshërinë por herë herë edhe përjashtimin e individit dhe grupit që e kultivon referencën e të qenit tjetërfare.

 Në gjithë këtë proces të themi të braktisjes nga norma e kushtëzuar dhe e kodifikuar zakonisht te rrethi shoqëror i etabluar , ndodhë shumë herë që individi apo grupi i cili inicion këtë abortim përveç të qenit shkaktar , ai njëkohësisht bartë edhe pasoja të izolimit, e mund të ndodhë edhe pasoja të kërcënimit të jetës dhe emancipimit të përgjithshëm shoqëror, ashtu siç mund të ndodhë në jetën e përgjithshme jo vetëm sociale por edhe shoqërore.


Pra, ta quajmë ky lloj deklinacioni nga norma apo standardi i përgjithshëm, e gjithsesi edhe i pranuar nga shumica e individëve apo grupeve, në realitet mund të prodhojë reperkusione negative (sidomos në fillim të inicimit të këtij procesi?) dhe sosh pozitive(kur arrin të rikomponohet si normë dhe standard i ri në jetën dhe praktikën zhvillimore dhe mendojë gjithsesi emancipuese.

 E them emancipuese edhe për një fakt se sjellja e re e individit apo grupit në rast se arrin të “provokojë”, pra te zgjojë reaksion shoqërorë, pra vëmendje të cilësuar si opinion pozitiv për normën apo sjelljen e re, ajo shumë lehtë zë vendin e normës së vjetër dhe ky proces i kundërshtisë, apo më mirë me thënë pranim dorëzimit të vlerave të reja në mënyrë ciklike ndodhë në të gjitha shoqëritë që gjenden në një vetëkërkim social, politikë, e sidomos kulturor.

Duke u bazuar në këtë proces të huamarrjes, por jo edhe gjithnjë të huadhënies shoqëritë që janë apo të paktën kanë kaluar ethet e procesit të tranzicionit, gjenden gjithnjë para dilemave hamletiane: të ruajtjes, konservimit të normës, sjelljes apo thënë më troç traditës dhe pranimit të normës, sjelljes dhe sistemit të ri verorë. Është interesant, që ky proces i pranimit të normave dhe sistemit të ri vlerorë në asnjë shoqëri dhe në asnjë formacion shoqëroro- politikë nuk ka kaluar pa represione, kontestime dhe mospranim e vështirësi .


3 Çfarë përgjigje ka sociologjia? 

Shikuar nga aspekti sociologjik, çdo sjellje njerëzore që në masë devijon nga standardi apo norma e kodifikuar dhe e pranuar nga një grup shoqërore social, mund të konsiderohet si sjellje devijante.

 Pra sipas këtij përkufizimi, çdo abstenim nga sjellja standarde, pra sjellja e pranuar nga shumica e atij komuniteti na del si diçka që në fillim duhet të kontestohet, duhet të refuzohet, pra shpesh ka ndodhë që edhe të luftohet me të gjitha mjetet, ashtu siç ka ndodhë në shumë raste në historitë e shoqërive të ndryshme.

Model identifikues për këtë proces refuzues padyshim janë vlerat dhe sistemi i vlerave që prodhon p.sh. tendenca e globalizimit dhe integrimeve që po pretendohen të bëhen në ish vendet dhe shtetet postkomuniste. Por a mund të thuhet se çdo refuzim apo çdo dalje, abortim, mënjanim, etj, nga norma apo standardi i sjelljes së pranuar sociale, shquhet si devijim?

Sociologjia amerikane, p.sh kur është në pyetje çështja e përkufizimit të devijimit social më shumë është e prirur që ta ndërlidhë me interaksionin fizik, që për sociologjinë evropiane paka a shumë është shumë diskutabile.

 Kjo i bien që diskursi mbi deviacionin social të këndvështrohet ekskluzivisht përmes dioptrisë së “kontaktit” kërcënues fizikë! Sipas sociologjisë amerikane, vetëm “veprimi fizikë...”, mund të cilësohet si devijim, kurse të kundërshtuarit përmes ideve, apo të menduarit ndryshe ndajë normës nuk mund të cilësohet si proces devijues.

Ekzistojnë p.sh raste, kur devijimi nga norma ta quajmë ashtu fillestare që është etabluar në një shoqëri të caktuar, mund të paraqitet edhe përmes simbolikës dhe se individi apo grupi i cili devijon nga norma fillestare nuk është e thënën të cilësohet si shkelje flagrante e normës fillestare.

 Pra, sipas kësaj logjike, vetëm interaksioni i ashpër shoqërorë në realitet e kërcënon normën ekzistuese. Por ajo çka me këtë rast akoma është diskutabile, kur janë në pyetje sistemi i dhënie marrjeve të vlerave ka të bëjë me atë që shquhet vijë e kuqe, apo në fakt cila formë apo cili nivel i devijimit si të themi e bënë “alarmues” normën ekzistuese?

 Përmendëm më sipër reaksionin shoqërorë që dosido mund të merret si një parametër fillestar për të identifikuar shkallën e kontestimit të kësaj norme, por duket që vetëm ky parametër është i pamjaftueshëm në procesin e de normimit. S’ këndejmi sot shumica e sociologëve pajtohen që këtij procesi nxitës të kontestimit normativ duhet t’i shtohet pa dyshim edhe mekanizmi i sanksioneve që ndërmerren zakonisht, si bashku me procesin e stigmatizimit si edhe ai i situatës së kualifikuar si shkelje normative e normës apo sjelljeve dhe përgjithësisht sistemit shoqërorë.

Sociologët ,si mjek të shoqërisë bashkëkohore konstatojnë që shoqëria e shëndoshë përveç që ka nevojë për krim ka nevojë edhe për dënimin e këtyre krimeve dhe sjelljeve deviante, ngaqë si njëra dukuri ashtu edhe tjetra janë shenja tipike të një pjekurie sociale dhe një parapërgatitje për të fuqizuar inxhinieringun industrial që garanton progres ekonomik dhe emancipim të përgjithshëm shoqëroro-politik.

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...