Rexhep
Shahu u lind në vitin 1960 ne Lume. Fëmijërinë e kaloi në breg të
Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në
mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe
rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.
Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.
Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.
Ka
provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e
blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit,
minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë
sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve,
ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka
punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në
organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e
Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.
Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën
për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të
përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej pesë vitesh edhe revistën
kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë.
Rexhep
Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë
tretur shpateve te fëmijërisë si larat e dëborës. Vijat e fatit
shpeshherë trazohen në përngjasim me relievin e përthyer të Bardhocit të
Kukësit, fshatit të tij të lindjes, njërit prej fshatrave të Lumës, i
ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë
ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.
Veç librit “Lis i Vetëm në Fushë”, ky
autor ka botuar edhe pesë libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre
libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i
Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së
Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”,
Tiranë, 2006.