“Me nanë” në internet
Blerina Rogova Gaxha
Librin për Enver Hoxhën, të renditur në njërin prej “best sellerëve” të fundit në letërsinë shqipe, e kanë djegur në Ferizaj, në Gjirokastër, në Berat... Në vitet 1936-1937, kur nazistët e Hitlerit po i digjnin librat e disa shkrimtarëve hebrenj, njëri prej tyre tha: “Këta që sot po na i djegin librat një ditë do të na djegin edhe neve”. Pak vite më vonë populli hebre u shndërrua në popullin më të djegur të kohës.
Ka shumë vjet që në Kosovë ose në Shqipëri nuk është parë të jenë djegur libra. Bile kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimeve të hekurta kur librat janë ndaluar e zgjedhurme ‘gisht’. Është shkruar shpesh për kulturën e komunikimit si bazë e një normaliteti të një entiteti të madh ose të vogël, por degradimi i kësaj kulture ndër ne dhe përtej kufijve, rezulton të jetë më shqetësues së kurrë më parë. Tashmë, më shumë se ndonjëherë tjetër, është “fëlliqur goja” e politikanëve, e deputetëve, e ministrave, e publicistëve dhe e intelektualëve.
Për më tepër është ashpërsuar tej mase fjalori i i qytetarëve të zakonshëm, i njerëzve që frekuentojnë faqet e internetit, rrjetet sociale apo portalet që janë bërë me qindra dhe shumica syresh janë shndërruar në log të përplasjes. Lufta verbale në faqet e internetit, fillon herët në mëngjes dhe nuk përfundon kurrë. Disa vite më parë kjo luftë zhvillohej më “armiqtë” virtual të një kombi tjetër, por tash është shndërruar në luftë brenda llojit. Në kupolën e politikës shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, niveli i komunikimit ka shkuar te pika e kuqe, ku drejtues më të lartë të politikës janë cilësuar horra të bulevardeve ose lavire të shesheve.
Lufta për fuqi e njerëzve që kurrë më parë nuk kanë pasur pushtet, dhe niveli sadist i komunikimi të tyre, është reflektuar keq edhe në shtresën e njerëzve të zakonshëm, të cilët tashmë nuk janë të gatshëm ta kuptojnë mendimin ndryshe. Mjafton të hysh në Facebook, ose në cilindo portal shqiptar e të shohësh forumet e luftës me fjalë, përplasjet me sharje dhe fyerje që mund të të shpojnë deri n’asht. Ose t’i shohësh “titrat” ku shikuesit mund të shkruajnë çfarë të duan e të nënshkruhen si të duan dhe të fyejnë për shembull edhe moralin e dy ministreshave në qeverinë e vendit.
Komunikimi apo polemikat intelektuale në letërsinë ose publicistikën shqiptare, kanë ditur të jenë të nivelit të lartë, ato sot ruhen në biblioteka si shembuj të përplasjes inteklektuale. Lufta e sotme me fjalë, është bartur në formën më të përhapur të komunikimit, në internet. Prandaj edhe mënyra e forma se si po na vjen kjo luftë verbale, është shqetësuese.
Megjithëse nuk ka statistika të sakta, besohet se numri i njerëzve që lexojnë gazeta apo e kanë fuqinë e të kuptuarit të informacionit që plasohet në mediet elektronike, është shumë i vogël. Por numri i atyre që e “plakin” ditën në internet, është tmerrësisht i madh. Në një studim të publikuar në SHBA, thuhej se një fëmijë amerikan deri në moshën 12 vjeçare, falë internetit, mund t’i shohë 24 mijë vrasje dhe prandaj fuqia e tij shkatërruese njëkohësisht, luan një rol të jashtzakonshëm në krijimin e personalitetit të tyre.
Po cila është fuqia shkatërruese e “luftës verbale” të shqiptarëve në internet? A po krijohet një brez njërëzish të cilët edukohen në frymën e një “lufte të fëlliqur” ku sharjet dhe ofendimet i kanë në majë të gjuhës e ku luajnë me nanë e me babë? A mos kjo formë komunikimi po na shndërron në një shoqëri jotolerante, pasojat e së cilës do t’i ndjejmë gjatë? Cila është përgjegjësia e elitës intelektuale e politike për instalimin e një klime të tillë komunikimi? Dhe fundja a ka mundësi që të ndalen “yryshxhitë” e internetit që po zbrazin kaq shumë vner e primitivizëm në çdo gjë që u del përpara? Javën e fundit u tha se globin do ta përfshinte një stuhi magnetike, që besohej se do të shkaktonte telashe në sistemet e telekomunikimit dhe të internetit. Çfarë do të mund të ndodhte atëherë...