Në BE të çon vetërespekti


   Nga   Albin Kurti

Asnjë shtet, popullsia e të cilit ka qenë gati 100% për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk ka hyrë në BE. Vetëm atëherë kur ekziston një përqindje e konsiderueshme e kundërshtarëve të aderimit në BE, disi piqen kushtet për të hyrë në BE. Kësisoj, nëse e gjithë popullsia jonë është për inkuadrim të Kosovës në BE, kjo vetëm sa paraqet një garanci shtesë që nuk do të inkuadrohemi në BE.

Në vitet e ’90-ta, thuajse të gjithë kroatët ishin për anëtarësimin e Kroacisë në BE. Por, atëbotë Kroacia ishte aq larg prej BE-së. Kroacisë iu deshën më shumë se dy dekada pavarësi të shpallur dhe mbi 16 vjet prej se përfundoi lufta atje, që t’i bashkohet familjes së Bashkimit Evropian. Të dielën që shkoi, në referendumin e organizuar, 66% të qytetarëve të Kroacisë u deklaruan PËR anëtarësim në BE.

Megjithatë, kjo shumicë prej dy të tretave ishte shumicë e pakicës prej 44% që dolën në referendum. Rrjedhimisht, PËR anëtarësimin e Kroacisë në BE votuan më pak se 30% të trupit elektoral që do të thotë se as çdo i treti qytetar i moshës madhore në Kroaci nuk votoi PËR hyrjen e shtetit të tyre në BE.

Ngjashëm është situata edhe me shtetet që më herët u bënë anëtare të BE-së. Kështu, Finlanda votoi PËR anëtarësim në BE me 57% të 71% të trupit të vet elektoral, Estonia me 67% të 64%, Austria me 67% të 82%, Çekia me 77% të 55% etj. Pra, referendumet janë mbajtur atëherë kur kishte debate jo të lehta rreth anëtarësimit në BE, e në të cilat subjektet e ndryshme politike e shoqërore kanë argumentuar për e kundër anëtarësimit të vendit të tyre.

Në ato debate publike e parlamentare janë shoshitur gjerë e gjatë përparësitë e mangësitë, dobitë dhe dëmet e anëtarësimit në BE. Pra, këto shtete në prag të anëtarësimit të tyre e kanë trajtuar Bashkimin Evropian si interes të kalkulueshëm dhe jo thjesht si vlerë të padiskutueshme. Prej çështjeve të sigurisë kombëtare dhe sovranitetit shtetëror e deri te ndikimet në degët më të ngushta të industrisë janë trajtuar nga pikëpamja e asaj që fiton ose humbet shteti i veçantë atëherë kur anëtarësohet në BE.

Qytetarët i kanë përcjellë ato diskutime dhe kanë marrë edhe vetë ata pjesë në to në forma të ndryshme para se t’i drejtohen kutive të votimit në referendum. Të rralla janë rastet, e ndoshta edhe nuk ka ndonjë shembull tjetër përpos Sllovenisë, kur për një shtet mund të thuhet që më shumë se gjysma e trupit elektoral të tij ka votuar PËR anëtarësimin e atij vendi në BE.

Mbase edhe s’mund të jetë ndryshe. Vetëm një shoqëri që e ka të zhvilluar mendimin kritik, vetëm një qytetari dhe shtet ku opozita për asnjë çështje, qoftë ajo edhe për atë të inkuadrimit në BE, nuk është as e margjinalizuar dhe as e vogël, arrin të inkuadrohet në Bashkimin Evropian.

Përderisa dëshirohet në mënyrë absolute anëtarësimi në BE, ai shtet dhe populli i tij do të presin e dëshirojnë edhe shumë gjatë një anëtarësim të tillë.

Filozofia moderne konsiderohet se nis pikërisht me Rene Dekartin, i cili na mëson që rruga për tek e vërteta është ajo e metodës së dyshimit sistematik.

Ky është edhe gurthemeli i filozofisë kontinentale evropiane, i cili e ngrit në piedestal kritikën përmes racionalistëve dhe mandej vetëm sa e përforcon atë duke ua kundërvënë atyre empiristët. Tash duket që kjo shprehet mu te rezultatet e refrendumeve për anëtarësim të shteteve të veçanta në Bashkimin Evropian, popullsitë e të cilave vazhdimisht dyshojnë derisa dakordohen në fund për t’iu bashkangjitur BE-së.

Anëtarësimi në BE rreshtohet gjithsesi në anën e mendimit kritik përkundrejt uniformitetit të konsensusit. Ata pajtohen sepse ka jo pak prej atyre që nuk janë pajtuar.

Mungesa e mbështetjes absolute për anëtarësim në Bashkimin Evropian është dëshmi edhe e një lloj vetërespekti të shteteve që i bashkohen BE-së. Një lloj vetëpërmbajtje para anëtarësimit është treguar si shenjë e pjekurisë për anëtarsim dhe e ka përshpejtuar anëtarësimin.

Në BE nuk hyn pse e do BE-në, por pse e respekton veten. Vetëm kur ta respektosh veten të do BE-ja. Vetërespekti na shfaqet si kusht për respekt të ndërsjelltë. Dhe, vetëm atëherë, me rastin e anëtarësimit të një shteti në BE, kemi edhe interesin e dyanshëm. Nga respekti e dashuria e njëanshme ka interes të njëanshëm që s’mund të shndërrohet në marrëveshje të përbashkët me BE-në dhe as anëtarësim në BE.

Kosova nuk mund të anëtarësohet në BE duke e dashur e respektuar më shumë BE-në sesa vetveten. Kjo është në kundërshtim me idenë e BE-së dhe mënyrën e zgjerimit të saj. Prandaj, fakti se ne himnit tonë ia vëmë emrin ‘Evropa’ tregon se sa larg jemi anëtarësimit në BE.

I gjithë investimi i Kosovës për anëtarësim në BE konsiston te përmirësimi i imazhit. Fjalët që thuhen, tekstet që shkruhen, sjelljet që praktikohen dhe paratë që harxhohen vihen në funksion të imazhit sa më të mirë të Kosovës, ndërkohë që krejt këto nuk bëjnë as 1% të përshtypjes që krijojnë korrupsioni, kontrabanda e kriminaliteti, varfëria, papunësia e arsmimi i dobët, bisedimet vetëposhtëruese me Serbinë, moskontrollimi i kufijve e mungesa e integritetit territorial.

Ne përpiqemi të dukemi ashtu qysh besojmë se është mirë të dukemi për syrin e Brukselit, teksa vetëzbrazemi nga vullneti dhe pajisemi me sytë e tjetrit që duam të na pranojë. E, qasje më të sigurt për të mos na pranuar s’besoj të ketë.

Mendojmë që nëse nuk ka protesta e greva, atëherë në Bruksel do të thonë që ky vend s’paska probleme dhe, rrjedhimisht, do të na ftojnë të anëtarësohemi. E shpërfillim faktin që Brukseli shikon shifrat tona socio-ekonomike, politike, administrative e ato të sigurisë, e të cilat rrëfejnë për një realitet krejt tjetërfare prej atij që e portretizojnë qeveritarët e buzëqeshur. Dhe, kur kihen parasysh ato shifra, atëherë ne dukemi shumë keq mu pse nuk protestojmë e nuk bëjmë greva.

Një gjendje si kjo e Kosovës me këtë mjerim social, pasiguri politike e stagnim ekonomik, nëse kombinohet me mungesë të reagimit aktiv qytetar, shoqëror e institucional, do të na e spostojë madje edhe të shumëpërfolurin liberalizim të vizave.

Thjesht, kur zyrtarët nga Brukseli e shohin heshtjen kosovare ndaj realitetit të zymtë në vend, ata kurrë s’do ta bëjnë as liberalizimin e vizave për Kosovën se lëre diç më shumë: mendimi i vetëm që atyre do t’u sillet në kokë është që qytetarët e Kosovës janë të qetë sepse po përgatiten ta braktisin vendin me shansin e parë që do t’ua japë liberalizimi i vizave. Janë protestat, peticionet, grevat e demonstratat në Kosovë si shprehje e pakëkaqëisë së qytetarëve që duan ndryshime ajo që do ta përshpejtonte liberalizimin e vizave për Kosovën. Sepse, asisoj, sinjali që do të dërgohej do të ishte ai i një qytetarie që ka vendosur të jetojë në Kosovë dhe për këtë arsye dëshiron që ta përmirësojë Kosovën dhe jetën në të.

Le të mos harrojmë që Kosova nuk e fitoi pavarësinë pse dukej bukur por pse dukej keq. Lufta që u zhvillua, vuajtjet e humbjet tona, janë rruga e gjatë që u kalua drejt pavarësisë. Mandej, pavarësia që u shpall para katër vjetësh ishte veçse zbritje prej pavarësisë, e cila edhe ishte e drejtë jona por edhe e meritonim. Ata që s’janë më, dëshmorët e martirët e kombit, e sollën pavarësinë e Kosovës, kurse qeveritarët e ndryshëm e zvogëluan atë në llojin dhe nivelin e pavarësisë të tillë çfarë ajo u shpall në vitin 2008. Zbritja nuk ka mbaruar. Ajo s’do të përfundojë pa u ngritur qytetaria.

Në shtetin e pavarur të Kosovës nuk kemi as liri të Republikës dhe as liri brenda Republikës. Madje, liria brenda Republikës po shtypet në mënyrë që liria e Republikës të zvogëlohet. Qeveria lufton me aq zell të madh protestat paqësore dhe lirinë për to brenda Republikës, ashtu që pastaj në bisedime me Serbinë ta zvogëlojë lirinë e Republikës dhe vetë Republikën.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)