2012-01-29

Në vend të parathënies për librin “Gjuhëshqipja të zonjërojë”


Një libër që na vlen të gjithëve

Në vend të parathënies për librin “Gjuhëshqipja të zonjërojë”

       Nga Namik Selmani

     namikselmani@yahoo.ca

Mund ta nisja këtë parathënie të librit tim  me një mendim të artë të njerëzve të mençur që asnjëherë nuk i kanë munguar kombit tonë, po edhe as botës së madhe me një qytetërim qindrashekullor.  Po thjeshtësia e paraqitjes së një problemi, të një libri duket se nganjëherë nuk ka nevojë për shumë filozofime. Për shumë citime qoftë edhe të marra me shumë respekt nga mentarë të botës. 
Një libër që merret me gjuhën e kombit tonë dhe problemet e saj, është e duhet të jetë i të gjithëve. Me pak të kaluar, por më shumë me të ardhmen  e saj. Se ajo na bashkon, na jep identitet para botës së madhe ku shpesh vrapojmë herë si nevojtarë për të jetuar më mirë, herë si kureshtarë të ngazëllyer nga ajo që nuk e kemi parë kurrë, herë si të barabartë në kulturë e mençuri me të huajt, herë duke ndriçuar skenat e vendeve  me talentin e  jashtëzakonshëm, herë të futur në anonimatin e njerëzve që kërkojnë të jetojnë më mirë e të besojnë sinqerisht se jeta e nesërme do të jetë më e mirë, më e begatë, më e ngarkuar me mirësi me dashuri…

Në jetë pa dashje bëhemi borxhlinj të pagjykuar nga asnjë gjykatë, në asnjë vend të botës. Shikoni se sa krijime të ndryshme, poezi,  tregime, romane,  drama, opera, këngë,  valle janë bërë për VENDLINDJEN. Shumë. Të panumëruara. Duket se borxhi ndaj asaj të dukshmes e të padukshmes i ka detyruar të gjithë që të bëjnë tërë ato vepra deri edhe te urat, rrugët, xhamitë kishat, teqet, manastiret, krojet, lulishtet, lapidarët, shkollat, shtëpitë për jetimë e për pleq. Dhe mirë kanë bërë. Bota e madhe i ka dhënë njeriut edhe atë KOD të padukshëm që të vlerësojë vendin e tij në një mënyrë që ai e mendon më të  mirën. Po shkolla është pak më ndryshe. Shumë më ndryshe. Të lidhësh jetën me tingujt e zileve e me fisnikërinë që të jep ajo edhe si nxënës, edhe si mësues, madje edhe si ai roja që rri aty në shi e në vapë pranë portës me atë mirësjelljen e mikpritjes për fëmijët, ai kuzhinier i mencës së konviktit ku ti ke kaluar me vite, është bukur për të gjithë, shumë bukur. E përtej kësaj bukurie që ka edhe shumë romantizëm ka edhe një BORXH që të gjithë ne duhet ta lajmë sa më shpejt e pa asnjë mëdyshje. Detyrimi për të lënë më të mirën e mundshme për të. Për të edhe për ata që ende nuk janë ulur në të. Në vendet fqinjë ku ka shqiptarë shpesh gjuha amtare po bëhet Gur për politikën që bëhet atje. Është për t’u shqetësuar se akoma në dedadën e dytë të shekullit XXI kërkohëet që të venitet shkëlqimi i shkronjave të një kombi në trojet  ku ai banon, ku frymon, ku ëndërron, ku marton fëmijët e ku përcjell në  varr të dashurit.

Libri që po ju paraqes titullohet “Gjuhëshqipja të zonjërojë”. Është një libër që ka një brengë, ka kujtim, ka nostalgji, ka klithëm, ka dashuri, ka poezi, ka të ardhme. Ka edhe gaz  njerëzor, ka emocion, ka mesazh  për atë që ti nuk e ke bërë edhe aq mirë pavarësisht se kush është mëkatari apo viktima. Se për to po flitet shumë, shumë. Nostalgjikë të mëdhenj, gati dhe të pabesueshëm, bëhemi kur kujtojmë se jemi baballarët e gjuhës së Evropës Kërkohet ndryshim, kërkohet e nesërme. Shpesh pa ditur se kush është fillimi dhe fundi i kësaj kërkese shumë njerëzore Gjithësesi nuk mund të thuhen të tëra.  Askund e asnjëherë. Ani. Po edhe ajo, fjala për gjuhën e kombit tonë, duhet thënë pa droje, pa lënë pengje pas vetes. Pak fytyrëskuqur për atë që duhet të ishte bërë më mirë. Libri ka një mesazhin e “zonjërimit“ të shqipes. Është detyra më e domosdoshme që duhet të bëjmë për të.  Një nxënës që mbaron shkollën e mesme  kërkon që të njohë sadopak e të dijë  ato probleme që ka gjuha  e kombit të tij. Një shqiptar që flet shqip, kudo ku jeton dhe punon, duhet të bëjë sa më shumë për “zonjërimin” e saj, sot e nesër. Një poet shqiptar që jo rallë herë kur shkruan me brumin e saj duket sikur ka në gojë një çimçakiz. Një gjyqtar që harron se veç shkresës së vendimit të tij ka edhe detyrimin që të shkruajë bukur e pastër gjuhën e vendit të tij. 
Një mësues i gjuhës e letërsisë shqipe mund të shohë pak edhe vetveten me anë të këtij libri në atë proces mësimdhënieje që në rastin e gjuhës amtare nuk është thjesht një veprim teknik, monoton, që matet me 45 minutat e një ore mësimi, po shumë më tepër. Pak më shumë do të kujtojë edhe një botues që, bashkë me paratë që fiton çdo ditë, duhet të mendojë se duhet të kujtojë brenda vetes edhe për detyrën morale dhe kombëtare që ka për të mbrojtur e pasuruar gjuhën e kombit tonë.

                Kemi shumë “borxhe” ndaj gjuhës shqipe për bashkëkombasit çamë. Për gjuhën që flitej në odat e dasmat  të parëve të mi, në lëmë, në krojet e panumërt, në rrugë e në brigjet parajsore të Jonit apo nën hijen e ullinjve mbretërorë, i madhi Naim Frashëri do ta quante “gluhë perëndie”.  Është një borxh i pashlyer për ata që jetojnë në Mal të Zi, në Maqedoni, në Kosovë, tek ata shqiptarë që kanë si gungë të trishtuar fjalën “emigrant”, “refugjat” “kurbetli” etj që e kanë gjuhën e tyre në kufijtë e mbijetesës, ashtu si është edhe vetë jeta e tyre ekonomike që kalojnë në shtetet ku banojnë e ku vënë kokën në jastëkët e të gjitha ngjyrave. Se gjuha e mëmës dhe e babait tënd, vëllezër,  nuk është si një valixhe që mbushet sa hap e mbyll sytë në një shitore me drita verbuese mes buzëqeshjeve të atyre që të mbushin atë e të atyre që të marrin pas pak minutash në kasën e plumbosur eurot e xhepit tënd, të djersës tënde.. Gjuha është një horizont që i përket jo vetëm syve të tu, por edhe syve të fëmijëve të fëmijëve të tu….
             I futur në një kolanë botimesh në këtë vit me kurorë nderi siç është ai i 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, besojmë se ky libër do të mbulojë modestisht një nevojë, që e kemi ne, si komb, në këtë udhë të gjatë jete. Mbase është edhe një lloj piskame për të kërkuar atë që ende nuk është bërë, ashtu si duhet në lëmin e gjuhës që na bashkon, të asaj gjuhe, me të cilën shkruajmë këngët e ligjet, shkruajmë ëndrrat e poezitë për jetën e trimat, shkruajmë traditat e klithim për dhimbjen që jo pak herë na ka trokitur në derë….
Jo më kot armiqtë tanë të të gjithë kohërave e vendeve, para se të na digjnin shtëpitë, ullinjtë, pragjet, të vrisnin njerëz të pafajshëm, të na thanin krojet e ujit e të na digjnin grunjërat e bukës kanë goditur ata që kanë punuar për të përhapur gjuhën shqipe.
Dëgjoooooni!!???..  Bie një zile shkollore. Për gjuhën shqipe bie. Një zile që edhe lotin e mallit dhe të dashurisë për pragjet e shkollave të nxjerr nga qerpiku i lodhur nga vitet….Bie si një këngë e pambaruar.  ZILJA që të fton te GJUHËSHQIPJA, asnjëherë nuk duhet të mbarojë tringëllimën e saj.

Janar, 2012