2012-01-29

Rreth korrupsionit të përbashkuar




Arbana Xharra





Secili e ka territorin e vet, e di deri ku mund t’i afrohet kundërshtarit. Hiset i ndajnë me aq sa kanë pushtet. Por, shpeshherë u duhet të mbajnë baraspeshën e atyre të mirave që i përfitojnë në emër të “idealizmit”. Edhe pse ata janë shumë të vetëdijshëm se kujt sa i takon të marrë, nganjëherë ndodh që të dy palët të lakmojnë të “ngjyejnë me një sahan”. Për t’i fshirë “gishtat e përlyer”, atyre u duhen ndërmjetësues.

Kështu nisin të formohen biznese fiktive, duke tentuar të fshehin simbiozën e politikës me biznesin.

Gjithçka nis me lojërat politike, të cilat ditën na shfaqen kundërshtarë të ashpër, por natën janë të hapur për bashkëpunim. Për të kryer punë ata gjejnë njerëzit e denjë.

Kështu, gjatë viteve derisa qytetari me gojë hapur ka përcjellë politikën ditore, duke besuar se politikëbërësit mund të jenë vetëm të korruptuar dhe assesi bashkëpunëtorë, nëntokë ka ecur biznesi. Secili në taborin e tij nën harmoni të plotë të bashkëpunimit të ndërsjellë është duke punuar për kesh.

Tranzicioni, arsyetimi adekuat për të përfituar në krah të saj. Kosova në shtetformim, e cila duhet të ndërtohet, shtrohet e zhvillohet, në kurriz të taksapaguesve me mençuri të madhe është shfrytëzuar nën hije për bizneset e politikës. Derisa nisi të na dëshmohet se biznesi dhe klientelizmi nuk njeh parti, i majtë apo i djathtë, PDK apo LDK, AAK ose AKR, s’ka rëndësi kur janë në pyetje tenderët.

Por është për t’iu zgjatur dorën se si kanë ditur aq mirë të shtjerrin mundësitë e përfitimit. Krerët e partive politike kanë hulumtuar tregun dhe sot kanë ndërtuar standard të fortë. Përmes ndërmjetësuesve të tyre, kanë nisur të marrin para nga tenderët e shpallur në ministri dhe ndërmarrje publike. Ministria e Transportit, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), janë taktika më e mençur për të përfituar miliona pa u marrë vesh. Por këto burime i takojnë partisë më të madhe.

Janë vëllezërit Zhugolli, të cilët zyrtarisht figurojnë si financues i PDK-se, me firmat e tyre kanë qenë pjesë e tenderëve publikë në këta tre vjetët e fundit, vlera e te cilëve shkon në mbi 70 milionë euro. Shefi i prokurimit publik, Njazi Thaçi, është promovuar në detyrë. Nga ana tjetër dhjetëra kompani financuese të PDK-së kanë fituar tenderë në shtrimin e rrugëve.

Kurse vetëm prej Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë se Arsimit kompani që kanë financuar PDK-në kanë fituar tender në vlerë prej 40 milionë euro.

Nga ana tjetër partitë në opozitë janë marrë me biznese dytësore, tregti më të vogla, aty-këtu ndonjë tender jo kushedi se çfarë. Mirëpo, tash kanë nisur të shtirren burimet e financimit.

Dhe e reja e fundit na del këto ditë se Dino Asanaj, drejtor i bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP), i emëruar në këtë pozitë nga PDK-ja,është duke garuar në tenderin që e jep LDK-ja, për ndërtimin e parkingjeve gjigante në Prishtinë për 40 vjet. Në këtë garë, futen njerëz të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së. Janë kompani që kanë marrë tenderëtë rrugëve, leje ndërtimi dhe tenderëndërtimit e riovimi nga qeveria qendrore dhe ajo lokale, nga dy partitë më të mëdha.

“Arda Rei” pat fituar tenderin 13 milionëpër ndërtimin e rreth rrotullimin në hyrje të Prishtinës, “Mabetex” mori tenderin për rinovimin e pallatit të medieve që sot është ndërtesë e qeverisë në vlerë prej 15 milionë euro nga PDK-ja gjatë kohës sa AKR ka qenë opozitë dhe Dino Asanaj, i cili nga komuna e Prishtinës ka marrë tokën për ndërtimin e fshatit të VIP-ve me lejen e LDK-së, duke kryer në të njëjtën kohë punë për PDK-në. Lojërat politike po na dëshmojnë se mbrapa tyre fshehen hisedarë të të mirave që iu ofron fuqia e pushtetit dhe kur është në pyetje paraja s’ka garë politike.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...