2012-01-25

Pesha e “gurve të kufinit”


arsim.canolli Pesha e “gurve të kufinit”

Nga Arsim Canolli
Prozës shqiptare të diskursit të shkencave sociale i është shtuar edhe një studim mjaft i thukët antropologjik. Ky është libri i Nebi Bardhoshit “Gurtë e kufinit” (2011). Ky studim rrok temën e së drejtës pronësore dhe pikëlidhjeve të saj me aspektet tjera të jetës sociale, kulturore, ekonomike e politike të kozmologjisë shqiptare të shtresuar në dimension të dhënë kohor e hapësinor (Has), gjegjësisht me traditën kanunore dhe sistemet ligjore shtetërore.
Pa dyshim se një ndër veçantitë e këtij studimi është pikërisht fakti se vjen nga disiplina e antropologjisë, gjegjësisht antropologjisë juridike. Kjo fushë ka qenë dhe është ende në përpëlitje të planifikimit të mirëfilltë të shtigjeve e udhëve të kërkimit të saj. Andaj, prozës shqiptare për një kohë të gjatë i ka munguar një studim antropologjik që shtjellon të drejtën kanunore (brenda saj atë pronësore) në raport me marrëdhëniet e tjera kulturore, ekonomike e politike dhe bashkëjetesën e kësaj të drejte me sistemet e ndryshme ligjore. Studimi i Bardhoshit, përfill udhën tashmë të rrahur në antropologji juridike që nga Malinowski e këndej, se e drejta dokesore me gjithë normativitetin e saj nuk duhet të studiohet e leçitur nga shtegu burimor kulturor, por gjithnjë brenda kozmologjisë së këtij shtegu. Si i tillë, vjen si një sprovë e mirë dhe e duhur në antropologjinë shqiptare.
Libri jep një hartë mjaft të thuktë të relacioneve sociale brenda fshatit shqiptar si bashkësi e traditës shqiptare, duke i parë ato gjithnjë në relacion me spektrin e pronës dhe pronësisë si katalist të zhvillimi të tyre. Bardhoshi nuk mëton të përqafojë shkolla deterministe a priori, por interpreton shtegun social (moral e ligjor) në Has, duke i veneruar prej së afërmi marrëdhëniet sociale në lidhje me marrë e dhëniet materiale. Për të, këto gjëra janë gjithnjë në lidhje me njëra-tjetrën. Në disa raste disa dukuri brenda spektrit të marrëdhënieve sociale Bardhoshi i nxjerr si “në funksion” të marrë e dhënieve materiale. P.sh. mjafton të ndalemi te “pirja e kafes” si rast sui generis i etikës juridike shqiptare, i cili ishte bërë akt solemn në kujtesën kolektive. Pra, nëse i pihej kafja një pune (si simbol, sepse mund të ishte edhe darkë), atëherë ajo ishte punë e evidentuar në kujtesën kolektive të fshatit dhe mund të përkujtohej e të shërbente si dëshmi e garanci për palët në bashkëpunim. Ndonëse kjo formë solemne shërbente si dëshmi dhe garanci në marrëdhëniet sociale në fshat, duhet të cekim se kemi tashmë mjaft evidenca se dhënia e bukës (prej së cilës del edhe “pirja e kafes”)është një ndër komponentët kyç të etikës shqiptare. Si e tillë nuk është vetëm në funksion të transaksioneve ekonomike, por nis nga një funksion etik origjinar, sikurse besa e nderi, të cilat shpesh janë të vetmjaftueshme nën hijen e strukturës etike të Kanunit.
Me një shtjellim të thukët të pronës e pronësisë dhe peshës që ato kishin në traditën shqiptare, duke e përvijuar atë nëpër ndryshimet e mëdha të sistemit politik, ligjor e social, Bardhoshi dëshmon se kur një sistem ligjor imponohet prej së larti dhe nuk është në favor të njerëzisë, dhe në raste të ndryshimit të sistemit, është i prirë të “humbë betejën” përkundër ligjit apo të drejtës tradicionale. Ajo që duhet të theksojmë është se Nebi Bardhoshi rrok temë që çel udhë në shtegun interpretativ të diskursit antropologjik; udhë të vetëinterpretimit dhe konfidencës akademike e intelektuale mbi peshën e gurëve tanë kufitarë, të luajtur apo të ngulitur, të ngjyrosur apo të mbetur anash, të randë e të thyer. Studimi i tij ndihmon dijen shqiptare që të tejkalojë gurtë e “kufirit” të saj për të zgjeruar frymëmarrjen e frymëdhënien antropologjike dhe të kthehet dhe të vërë gurë të randë e të latuar mirë në themelet e antropologjisë juridike (por jo vetëm të asaj juridike, siç cek edhe autori), si një disiplinë ende e re në studimet shqiptare. Duhet të cekim edhe njëherë se zgjedhja e temës është mjaft e qëlluar, sepse rrok për brirësh një objekt mjaft të ngjeshur empirik siç është prona në një zonë e cila në kosmologjinë e saj kulturore ishte e njëjtë, ndërsa ndahej në dy juridiksione territoriale të ndryshme, mes Shqipërisë dhe Kosovës (e cila gjendej nën juridiksionin e shtetit jugosllav). Hasi është një zonë me një traditë dokesore mjaft kompakte, e cila frymonte nën hijen e së drejtës kanunore (tëpashkruarës), por iu desh që për më së 30 vite t’i nënshtrohej një kontrate sociale ideologjike (të mbishkruarës), e cila e shpronësoi malësorin e saj nga toka e tij, shtegu për të cilin e me të cilin kishte frymuar me shekuj.
Pa dashur të nënvlerësoj shkrimin, larg asaj, dua të piketoj një rast kur Bardhoshi citon mendimin e Zef Valentinit, se të jesh subjekt i Kanunit nis “fillimisht si një konsensus i lirë … pastaj vazhdon gjithmonë si një zgjidhje e lirë…” dhe e cilëson atë si mendim të gabuar. Bardhoshi këtu jep argumentin se subjekti nuk ishte i lirë, p.sh. nuk mund të shitej toka pa pyetur vëllazërinë etj. Mirëpo, mendoj se Valentini këtu flet për një lidhje morale të detyrimit si konsensus tradicional përkundër një bindjeje ndaj një vullneti të një autoriteti imponues. Ai jep këtë konkluzion duke pasur parasysh besën shqiptare (që është botëkuptim i vetë shqiptarit) e jo bindjen ndaj një autoriteti apo ndaj atij që zotëron jus glandii. Valentini nuk flet specifikisht për lirinë mbi marrëdhëniet pronësore, por flet në përgjithësi për besën si një liri kozmologjike e Kanunit, subjekti i të cilit lidhej në të moralisht dhe me konsensus, sepse ishte t’bana e tij etike, estetike e politike. Mendoj se në këtë rast, dhe në disa raste tjera, analogjia mes koncepcionit induktiv dhe empirisë së evidentuar në terren mund të mos bëjë përshtypje. Por, nuk do të thotë se s’ka peshë fare.
Sa i përket etnografisë në “dheun tand” (antropologji në shtëpi), atëherë ekziston një shprehi etnografike të cilën shumica e antropologëve vendas e marrin apo e përvetësojnë: funksionalizohet evidenca e marrë nga njohja e informantëve arktipë përkundër dhe/ose krahas hapjes ndaj informantëve realë. Për t’i ikur kësaj shprehie shumë antropologë vendas si objekt studimi marrin diçka brenda “dheut” të tyre, të cilën nuk e njohin aq mirë. Kjo në njërën anë është një mënyrë e mirë për të krijuar distancë etnografike dhe lavruar terrenin tand me sy çelë, pasi që nuk e njeh si pëllëmbën e dorës, por, në anën tjetër, mund të na hyjë në hak, sepse lavrën e bëjmë me sy mshelë, duke u bazuar në informatat arketipe nga terreni e rreth terrenit tonë. Nebi Bardhoshi në librin e tij “Gurtë e kufinit” ka dëshmuar se “dheun” e tij e njeh edhe me sy mshelë, por e interpreton dhe e prezanton gjithmonëme sy çelë. Andaj, ky studim i prezantuar në këtë libër, pa dyshim se është një ndër studimet më serioze në fushën e antropologjisë juridike e antropologjisë në përgjithësi në studimet shqiptare.

*Pedagog në Departamentin e Etnologjisë-Universiteti i Prishtinës.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...