Librat mëkojnë të ushqejnë popullin, por populli mban dietë…


Nga Agim Shabani
Një realitet i hidhur, që për ne shqiptarët e kalon çdo kufi të normalitetit. Kjo dietë pothuajse është ulur këmbëkryq dhe ka pushtuar frikshëm shoqërinë shqiptare të mijëvjeçarit të tretë. Pa frikë mund të themi se shqiptarët lexojnë më pak libra se çdo popull tjetër. Shumica e shqiptarëve, përveç librave që kanë lexuar në shkollë nuk kanë lexuar asnjë libër tjetër.
Kjo lidhet me neglizhencën, mungesën e dëshirës, apo më e keqja ,analfabetizmi. Është shqetësues fakti se mos-leximi i kalon kufijtë e mungesës së dëshirës për të lexuar. Ne jemi një popull që leximin e shikojmë si të panevojshëm, humbje kohe, lodhje e kotë e mendjes  etj.
A është leximi humbje kohe?  Nëse dikush në perëndim dhe jo vetëm. do të thoshte  po, do ishte budallallëku më i madh që do bënte në këtë rast, sigurisht do e merrnin për të marrë. Këtu përballen dy realitete të kundra, kur shikon se për ne shqiptarët të lexosh një libër nuk është vetëm humbje kohe por dhe marrëzi, etj.
Të lexosh një libër, jo vetëm nuk është humbje kohe, por të ndihmon për të kapur kohen e humbur, jo vetëm kaq. Kur libri bazohet në gjëra të vërteta, njohuritë që ti merr nga një libër apo një tjetër mund të të ndihmojnë shumë në jetë. Për shembull, të lexosh një libër historie të ndihmon sepse ti di çfarë ka ndodhur në x kohë dhe jo vetëm kaq.
Gjithashtu një libër gjeografie të ndihmon në njohurinë e vendeve, dhe jo vetëm kaq. Një libër  shkencor të ndihmon gjithashtu, si për shembull një libër që është shkruar në bazë të shkencave mjekësore apo natyrore të vjen në ndihmë që të dish si të kujdesesh për shëndetin etj. Edhe librat artistikë,  si për shembull romanet, edhe pse të shkruar me  fantazinë e autorit, të vijnë në ndihmë. Leximi është mënyra më e mirë për largimin e stresit. Kur një njeri është i lodhur, i stresuar apo ka probleme të tjera që e shqetësojnë, dhe kërkon të shkëputet pak kohë nga bota ku jeton.
Këtë gjë e bën më së miri leximi i një libri, ku gjatë leximit shkëputesh nga bota reale,  duke u futur në atë imagjinare. Është e vërtetuar dhe shkencërisht se leximi të bën mirë për trurin, Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për librin, por mund të gjesh dhe mënyra të tjera leximi, si  shumë informacione të fushave të ndryshme i gjen dhe në kompjuter.
Gazeta është një tjetër mundësi leximi, por, ne shqiptarët kalojmë shumë kohë duke iu përkushtuar gjërave  fare të parëndësishme, dhe nuk gjejmë pak kohë për lexim. Kjo gjë e ka futur shoqërinë tonë në një qorrsokak të papranueshëm për kohën, ku mos leximi është në nivele tepër të larta. Shpesh shqiptarët e marrin gazetën vetëm për të parë fotot. Një gjë e mirë për ata që kanë vendosur reklamën në njërën gazetë apo tjetrën.  Thuhet se fotoja vlen sa për njëqind fjalë.
Kjo është edhe e vërtetë, por nëse nuk i lexojmë disa fjalë rreth fotos, ne nuk mund ta kuptojmë domethënien e fotos.  Para disa vitesh,   një program humoristik  në një televizion të Kosovës, trajtoi temën e të lexuarit të librit nga njerëzit. Aktorët luanin në një lagje të Prishtinës, ku gjoja shpërndanin libra falas. Shpërndarësit u habitën në faktin se banorët kërkonin libra sa më të trashë. Në fund u kuptua se qëllimi i marrjes së librit nuk ishte leximi i tij por ndezja e zjarrit.
Edhe pse këtu bëhet fjalë për një humor, prapa këtij humori është një realitet i njëjtë që për fat të keq është pjesë e  të gjithë shoqërisë tonë. Një dijetar thotë se e kam shumë herë më të lehtë të fitoj një debat kundrejt shumë njerëzve të ditur, dhe ta humb shumë herë më lehtë kundrejt një njeriu të paditur. Në këtë rast dijetari ka pas të drejtë, sepse njerëzit e ditur bazohen në njohuritë e tyre,duke i argumentuar. Ndërsa një i paditur  flet në anë të hamendësimeve.
Këtë për fat të keq e hasim shpesh në mesit tonë, jo vetëm të qytetarët e thjeshtë por dhe te politikanët. Këta të fundit shpesh e kthejnë një debat  krejtësisht të pakuptueshëm. Arsye e parë është mungesa e fakteve kundrejt palës tjetër apo drejtuesit të debatit.
Ndërsa arsye e dytë është mungesa e aftësisë të shtrimit dhe interpretimit të argumenteve. Një gjë e tillë vjen dhe si rrjedhojë e të mos lexuarit. Jo të gjithë politikanët tanë janë në politikë në saj të aftësisë së tyre si politikanë apo intelektualë, pa frikë mund të theksojmë se ka nga ata që nuk e mbajnë mend kur dhe kë libër kanë lexuar të fundit.
Leximi i një libri mund të na qetësoj dhe çlodhi, gjithashtu ndikon dhe në uljen depresionit dhe në zbutjen e nervozizmit. Ngaqë ne si popull nuk lexojmë, është dhe kjo arsyeja që ne shqiptarët jemi një popull gjak nxehtë dhe agresiv.
Ky realitet është shumë herë më i rëndë te shqiptarët e Britanisë së Madhe, të cilët pothuajse nuk e dinë çfarë do të thotë libër. Këtë nuk e sheh vetëm te qytetarët e thjeshtë, por dhe tek ata që sot hiqen si intelektualë dhe si elita e shoqërisë tonë këtu.
Libraritë në Londër janë të panumërta por është e pamundur që diku të gjesh një libër në shqip. Edhe nëse diku ka libra në shqip ata kanë mbetur në rafte pa u prekur asnjëherë, përjashto këtu nga pastruesit. Kjo gjë dëshpëruese duket qartë, duke parë dhe se si shkruajnë në forume të ndryshme, jo vetëm që shkruajnë sipas dialektit të tyre, por e kanë të pamundur të ndjekin strukturën e shkrimit.
E njëjta gjë shihet dhe në fjalime, jo vetëm se fjalimet janë të shkruara, por pothuajse për çdo herë janë të njëjtat fjalë. E thënë troç e njëjta letër, ku u është fshirë data duke vënë datën aktuale.
Duke shpresuar që brezi i ri nuk do të ndjek të vjetrin, dhe duke iu bërë thirrje atyre prindërve që nuk kanë lexuar ndo një libër, edhe në mos e bëfshin në të ardhmen, të paktën të mos i ndalojnë fëmijët që të lexojnë, që brezi i ardhshëm të mos mbetet në qorrsokakun ku është brezi jonë. Vetëm kështu ne do të ndryshojmë faqen e zezë fytyrës tonë

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)