2012-01-28

Gjuhëtari i fshatit!


PROF.DR.TOMOR OSMANI

Gjuhëtari i fshatit!

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes së pedagogut dhe gjuhëtarit prof. dr. Simon Pepa. Sëmundja qe e pamëshirshme dhe ai ndërroi jetë kur kishte arritur të hartonte disa monografi, por së fundi, mundi të shohë të botuar veprën më të mirë të tij “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor” në dy vëllime. Ky botim ishte rrjedhojë jo vetëm i kërkimeve të prof. Simonit, por edhe i faktit se ai e njihte mirë fshatin, psikologjinë e tij, gjuhën zakonet, ritet etj.
Prof. Simon Pepa, ky gjuhëtar dhe personalitet që vdekja e rrëmbeu në moshën 65-vjeçare, lindi në Shkodër, më 31 dhjetor 1936, 75 vjet më parë dhe vdiq në Bari të Italisë, më 10 maj 2002 pas një sëmundjeje të rëndë, kur ishte në kulmin e veprimtarisë pedagogjike dhe shkencore. Pasi shërbeu për 19 vjet në fshatrat e Shkodrës si mësues, në vitin 1973 në moshën 37-vjeçare u transferua në Universitetin e Shkodrës si pedagog i gjuhës shqipe dhe më pas kaloi si sekretar shkencor në sektorin shkencor të albanologjisë pranë këtij institucioni. Qe një nga redaktorët dhe recensentët e disa botimeve të këtij institucioni, duke përfshirë edhe kolanën “Studime shqiptare”.
Sëmundja qe e pamëshirshme dhe ai ndërroi jetë kur kishte arritur të hartonte disa monografi, por së fundi, mundi të shohë të botuar veprën më të mirë të tij “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor” në dy vëllime, Shkodër, 2002. Menjëherë u ndie jehona me vlerësimet që i bënë këtij botimi në letrat përshëndetëse dërguar autorit dhe pas vdekjes familjes, si dhe në recensat dashamirëse që iu bë kësaj vepre me rëndësi në fushën e gjuhësisë. Ky botim ishte rrjedhojë jo vetëm i kërkimeve të prof. Simonit, por edhe i faktit se ai e njihte mirë fshatin, psikologjinë e tij, gjuhën zakonet, ritet etj. Ai qëndroi në fshat 19 vjet, por kohën nuk e kaloi kot, pasi me atë biçikletë që bënte rrugën nga fshati në qytet pranë familjes, me atë mjet shkonte në shtëpitë e fshatarëve për të mbledhur materiale gjuhësore, folklorike etj. Fshatarët ia hapnin me kënaqësi derën e shtëpisë, pasi ai ishte shumë i komunikueshëm dhe tërheqës, dhe në bisedat me ta ishte gojëmbël dhe i këndshëm.
Punova shumë vjet më të dhe u njoha me natyrën e tij fisnike dhe dashamirëse. Ishte njeri i fjalës. Vendosën të hartonim një monografi dhe e botuam me titull “Tabu dhe eufemizma në gjuhën shqipe”, Shkodër, 2000. Ishte shumë e lehtë të punoje me të. Për çdo problem diskutonte me gjakftohtësi dhe bindej kur i jepje ndonjë mendim tjetër. Ishte shumë aktiv në punën që merrte përsipër. Dhe jepte me kompetencë mendimin e tij për çdo çështje që na lindte gjatë punës. Duke gjetur një gjuhë të përbashkët e botuam monografinë, e cila qarkulloi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Më pas na lindi ideja që ta zgjeronim botimin e parë dhe filluam të grumbullojmë material të tjera, pasi vepra pati recensione pozitive dhe u shit shpejt. Më vjen keq edhe sot që nuk mujtëm ta vazhdojmë punën e nisur, pasi miku, shoku dhe kolegu im ndërroi jetë në moshën më aktive.
***
Simon Pepa qe edhe një pedagog i aftë. Kishte një veprimtari të pasur pedagogjike si mësimdhënës dhe botues, pasi shërbeu në shkollat e arsimit parauniversitar për dy dekada jo vetëm si mësues, por edhe si drejtues. Ishte bashkautor i katër teksteve mësimore dhe i shumë shkrimeve me karakter pedagogjik dhe metodik. Por mësuesi i fshatit nuk e pati të lehtë të ndërrojë kursin e jetës. Shkolla e lartë kishte objektiva dhe kërkesa të tjera. Por departamenti ku ai do të punonte kishte personalitete të shquara të gjuhësisë shqiptare, që njiheshin me botimet e tyre të shumta jo vetëm brenda, por edhe jashtë shtetit. Do të punonte me prof. Jup Kastratin, në atë kohë përgjegjës i Departamentit të Gjuhësisë që shquhej si studiues i mirëfilltë i gjuhës shqipe, deradian, bibliograf që kishte botuar dhjetëra monografi dhe studime; me prof. Kolë Ashtën, njohës i veçantë i autorëve të vjetër, ( ai së bashku me T. Osmanin do të fillonin të botonin monografinë e këtij autori “Leksiku historik i gjuhës shqipe” që sa qe gjallë S. Pepa u arrit të botoheshin dy vëllimet e para); me prof. Fadil Podgoricën një etnolog i mirënjohur, njohës i thellë i folklorit shqiptar dhe me pedagogë më të rinj që kishin bërë emër në gjuhësinë shqiptare me veprat dhe shkrimet e botuara në shtypin shkencor dhe periodik. Ky mjedis bëri që ai t’i përvishej punës me seriozitet, në mënyrë të veçantë duke vlerësuar kohën në maksimum, duke shfrytëzuar edhe eksperiencën dhe përvojën e kolegëve të departamentit; Simoni nga dita në ditë rritej, lexonte vazhdimisht, botonte në shtypin shkencor dhe periodik dhe shkallë-shkallë arriti të marrë tituj dhe grada shkencore. Kështu në vitin 1989 mbrojti me sukses disertacionin për gradën “Kandidat i shkencave” dhe në vitin 1995 ajo u konvertua “Doktor i shkencave”. Po në atë vit mori titullin “Profesor i asociuar”. Nuk u kënaq me aq dhe vazhdoi punën kërkimore-shkencore me mjaft intensitet duke shkruar dhe botuar dhe kjo bëri që në vitin 1999 të marrë titullin akademik “Profesor.”                                                    
***
Prof. Pepa la të botuara, përveç teksteve mësimore, këto vepra: “Gjurmime kulturore”,Shkodër, 2000; “Tabu dhe eufemizma në gjuhën shqipe”, si bashkautor, Shkodër, 2000; “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor”, në dy vëllime, Shkodër, 2002; “Zadrima dhe bijtë e saj”, Shkodër, 2003; “Breng dhe gaz nga Shkodra ime”, Shkodër, 2001. Ka shkruar dhe botuar me dhjetëra studime dhe artikuj shkencorë dhe divulgativë dhe ka kumtuar në Shkodër, Tiranë,
Elbasan, Kosovë etj., por edhe jashtë shtetit si në Zagreb, Nju Jork dhe Broz të SHBA-së.
“Gjurmime kulturore” është një përmbledhje me studime, artikuj dhe kumtesa. Në këtë përmbledhje autori ka përfshirë shkrimet për figura të shquara, disa të njohura, disa të persekutuara nga regjimi i kohës. Shkrimin e parë ia kushton Frang Bardhit si autori i fjalorit të parë latinisht – shqip (1635). Si lektor i leksikologjisë, S. Pepa analizon vlerat e këtij fjalori, dobësitë, por edhe rëndësinë që ka për leksikografinë shqiptare. E mbyll shkrimin me këto fjalë: “Frang Bardhi i dha shumë atdheut dhe kulturës shqiptare…, është në nderin e kulturës shqiptare që emri dhe vepra e këtij atdhetari të shquar duhet të zërë vendin që i takon.”  Simoni vazhdon me trajtimin e dy vëllezërve Filip e Kolë Kraja, të Fulvio Kordinjanomit. Me një respekt të veçantë autori i kësaj përmbledhjeje, shkruan për atë Justin Rrotën. E nis shkrimin me këtë vlerësim: “Në radhën e atyre dijetarëve që u përpoqën me mish dhe shpirt për gjurmimin e studimin e gjuhës dhe të letërsisë së bukur shqipe, që punuan me këmbëngulje dhe dashuri për të nxjerrë në dritë thesare të kulturës shqiptare, radhitet edhe dijetari i shquar atë Justin Rrota.” Kontributi i Justin Rrotës qe i shumanshëm. Ai qe studiues me emër i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore dhe monografish për autorët e vjetër dhe historinë e alfabetit të gjuhës sonë, letrar etj. Dhe gjithë vepra e tij pas viteve ’90 po ribotohet nga biblioteka françeskane, duke përfshirë edhe veprën madhore në dorëshkrim “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore” Shkodër, 2006, f. 612  që ka lëndë nga leksikologjia, fonologjia, morfologjia, sintaksa dhe etimologjia, si dhe të dhëna për disa lëvrues të shqipes. Dhe S. Pepa shtron nevojën që të bëhen kërkime për të gjetur korrespondencën e tij të pasur me personalitete të shquar të kulturës sonë, si me N. Joklin, A. Desnickajen, A. Xhuvanin, E. Çabejn, G. Petrotën etj. Megjithëse i sëmurë, i ngujuar në një karrige, me dy gishtërinjtë që i punonin shkroi pa pushim. Ishte adhurimi i pakufi dhe pasioni për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare për të cilat Justin Rrota shkriu gjithë jetën e tij.
 Një vend të rëndësishëm zënë edhe trajtimi i figurave të tjera me kontribute të veçanta për gjuhën shqipe, si: D. Nikollë Gazulli, themeluesi i leksikografisë krahinore dhe i asaj onomastike, i kontributit të prof. E. Çabejt për leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare, i Kolë Ashtës që një jetë ia kushtoi kulturës shqiptare etj. Pastaj autori në pjesën e dytë merret me veçori të gjuhës shqipe dhe të veprave të disa autorëve.
Vepra e dytë dhe më e arrira e prof. Pepës është Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor,në dy vëllime, Shkodër, 2002. Këtë monografi autori e ka ndarë në dy vëllime: vëllimin e parë ia ka kushtuar studimit teorik, ndërsa në vëllimin e dytë jepet një fjalor prej 1461 fjalësh dhe shprehjesh nga fusha e bujqësisë së gegërishtes veriore, duke bërë vise-vise edhe krahasime. Hartimi i një monografie të tillë nuk ka qenë një punë e lehtë, por ai, duke punuar për një kohë të gjatë në fshat është njohur me traditën bujqësore, njëkohësisht duke qenë i dhënë pas gjurmimit të fjalës shqipe, e ka ndihmuar autorin që të shkruajë një vepër të tillë me kompetencë profesionale dhe shkencore. E veçanta, përveç të tjerave, është se në këtë monografi fjalët dhe shprehjet e paraqitura këtu, në shumicën e rasteve, nuk i ka fjalori i gjuhës shqipe, prandaj është më vlerë se shërben për pasurimin e tij. Ai ka qenë një studiues i hollë dhe fjalën nuk e ka parë thjesht në vështrimin leksikor, por e ka krahasuar edhe me të folme të tjera të shqipes brenda dhe jashtë vendit. Si leksikolog që ishte, drejtimi i analizës së fjalës është nisur nga shumëkuptueshmëria e tyre, si: sinonimia, homonimia, antonimia. Autori nuk ishte një vëzhgues i thjeshtë, por ai do të zbulonte tek këto fjalë, terma dhe shprehje pasurinë e madhe të leksikut krahinor, vjetërsinë e tyre, duke u ndalur edhe në veçoritë fonetike, morfologjike dhe fjalëformuese. Leksiku bujqësor, që i përket një tradite të hershme pasqyrohet edhe në onomastikën veriore dhe në regjistrat kadastralë apo edhe në autorët e vjetër. Për mendimin tim, kjo monografi është një ndër sprovat e para me këtë tematikë, duke sqaruar me kompetencë probleme të diskutueshme të hershme dhe të sotme nga kjo temë. Një meritë e veçantë është edhe shoqërimi teorik i kësaj teme me një fjalorth shumë të pasur dhe të domosdoshëm për një disipline të tillë. Prandaj në të gjitha aspektet monografia është një vepër e arrirë dhe e suksesshme e autorit, vepër që e nderoi atë.



Vepra
Vepra tjetër titullohet “Zadrima dhe bijtë e ndritur të saj”. Autori e ka ndarë këtë monografi në shtatë kapituj. Pjesa më e madhe i është kushtuar martirizimit të klerit katolik, por kapitullin e dytë ia kushtuar disa prej figurave më të shquara që kanë dalë nga kjo krahinë, si: Frang Bardhi, Pjetër Zarishi, imzot Gjergj Koleci, atë Gjergj Fishta, dom Gjon Gazulli, dom Nikollë Kazazi dhe dom Jak Zeka. Ndërsa “Breng dhe gaz nga Shkodra ime”, Shkodër, 2001 përfshin disa lirika nga qyteti i lindjes, si dhe disa poezi humoristike.

Pedagogu
Pedagogu dhe gjuhëtari Simon Pepa, ky studiues me horizont, që gjatë punës në shkollën e lartë u shqua jo vetëm si mësimdhënës me ato leksione të pëlqyeshme nga masa e studentëve, të cilët dëgjonin me shumë vëmendje çdo fjalë të tij, por edhe si gjuhëtar i afirmuar. Vdekja nuk e la të realizonte ëndrrat e tij, ndonëse kishte shumë për t’i dhënë gjuhësisë shqiptare.  

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...