Nëpër artin poetik të Adem Zaplluzhës


 


 

Nga Fatmir Minguli


Një libër me poezi, tek e lexon për të parën herë, të bën të mendohesh, duke hulumtuar për të gjetur diçka që të pëlqen. E shpesh nëpër libra të tilla që tani dalin me shumicë, diçka nuk gjen.

Por nuk ndodh kështu te poezitë e poetit kosovar Adem Zaplluzha, poezi të paraqitura në librin “Përtej teje”. Që në titullin tingëllueshëm poetikisht ky libër të vë në mendim. Nga poezia në poezi ndjen shfaqje të hapur ndjenjash, shfaqje që jepet majtas djathtas, miras e keqas. Shkurtimisht është poet i pandikuar. Tek lexon poezitë e këtij libri mëndja të shkon te proza e shkurtër e Migjenit të mah, “Pak poezi”:

“Pak poezi… pak poezi të drithëshme si fjala që del drejtpërsëdrejti nga zemra e emocioneve… Pak poezi- të rrojsh një çast të shënuem. Një shkëputje, vetëm një shkëputje çasti nga jeta në të cilën të gjitha ndjenjat i shitën për bukë dhe për pare”.

E çfarë thotë Ademi, asgjë më tepër se sa thotë Migjeni i brishtë dhe kur, para 70 – 80 vjetësh. E sot prap ashtu është!


***


Në dukje të parë poezitë e Zaplluzhës paraqiten sit ë pakuptimta, me metafora që kërcejnë vrullshëm, ku alegoria shpesh është therëse pork u mendimet janë më se të kuptueshme. Me durim të paktë lexuesi vjen e vendoset në gjykimin realist të autorit e shpejt kupton se ai bën gjetje abstrakte port ë mbështetura në tokën e Kosovës, ku llogjikja dhe jo llogjikja sulmojnë njëra tjetrën përderisa çdo gjë vuloset në vetë ekzistencën. Në poezinë “Kafeja” është ky pasazh befasues:

“Kur i pastroj
Flokët e mia të thinjura
Nga çdo fije e zbardhur
Shtrydhi nga një tregim.”

Poeti Adem Zaplluzha është i ashpër në poezitë e tij. Madje dhe i idhët. Por për mendimin tim vepron mirë. Mendoj se kështu e do kjo kohë që po kalojmë, kohë e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Por është poeti ai që revoltohet dhe emeton rezultatet e kësaj revolte. A nuk ka ndodhur kështu historikisht nëpër botë kur poetët ishin ballë revoltash. Kujtoni Klubin Petëf, Grupimin 63, Bitmikët etj etj.
Por Zaplluzha nuk është autor tekstesh revolucionare. Ai hedh mbi poezitë e tij vellon e abstraktit filozofik, atë të mendimit të zgjedhur, disi të kamufluar por gjithsesi revoltues. Ai nuk i thur hymne e dithirambe Atdheut, natyrës, gruas, dashurisë, por a ii infiltron të gjitha nëpër vargjet e tij sa konçizë aq edhe të bukur.
Psh. Zapllusha në poezitë e tij “lulet” e të gjitha llojeve nuk ekzistojnë si të tilla por si elementë plotësues të ideve madhore të poetit. Këtë mekanizëm poetic, ai e përdor shpesh si: “plepi, gjethet e të cilit nuk nëpërkëmben”, “dikush mbrëmë i ujiti zambakët me lotin e natës”, “bisedojnë me yjet për lojën tonë me pikat e shiut” etj.
Këto lloj teknikash e bëjnë revoltën e poetit sikur ndodhet në një shilarës që herë lëkundet tejet në pesimizëm e herë hidhet në sulm nëpërmjet shfrytëzimit të ëndrrave për të ardhmen:

Me vetëdijen më të thellë
Mbolla në shpirtin tuaj pemën
Që e quajte liri


(Jetoni kështu të lumtur)

E pastaj si shumë poetë europianë të mbas 1900-ës Zaplluzha shpesh u ngjan poetëve “të mallkuar” francezë Bodler e shokë, poetë që folën ashpër por realisht për jetën normale. Me kontekst ekzistencialist Zaplluzha shkruan:

kur na zë në befasi një hiç
ndalemi buzë udhës
dhe qeshim
e këndojmë hiçëçe
(Rreth hiçit)

Nëse lexuesi dikton në poezitë e tij një ironi, ajo patjetër është e pranishme si një magmë lidhëse e ngjarjeve të kohës me shpirtrat e njerëzve. Por duhet kuptuar kjo magmë që dhe vetë poetin e dyzon e ai shprehet:

në se në dhimbjen time
e shikon në sy
Do të kuptosh se si deti
Hap damarët
Dhe në të njëjtën kohë
E mbyll
Vetveten në guackë.
(Kjo udhë e gjatë)

Alegoria e Zaplluzhës është e krahut perëndimor për nga poetika, alegori që e ndihmon atë të gjej forca e të ringjallet:

Sa herë që lodhej stina
Aty ishin shpatullat e mia
E barte tërë qytetin
Deri te porta e ringjalljes
(Ky vënd)

Ironia mirdashëse, alegoria e fuqishme, metaforat akrobate e shpotia e dëndur janë veti të poetëve të zgjuar.
Kjo zgjuarsi nuk përmendet këtu për të lavdëruar poetin. Jo. Kjo i vleu poezisë që zhvillohet sot në Kosovë e Shqipëri. Edhe pse është hera e parë që ndeshesh me poezinë e Adem Zaplluzhës, unë e konsideroj atë si arritje të poezisë kosovare. Te ky libër unë shoh poezinë e re, larg sistemeve të kaluara prolindore por dhe larg disa poezive skeletike të viteve 8ç-9ç-të në Kosovë.
Poezitë e tij tingëllojnë reale por të vendosura brënda absurdit sferik i cili sa herë rrotullohet na shfaq skema herë të optimizmit , herë të zemërimit, të “rënies në humnerë”, si në poezinë “Nga ky realitet”:

shumë pak energji të brëndshme
qarkullon nëpër damarë
kjo anemi shpirtërore
po i ngjan kandilit
që është duke e shuar
dhe nuk na ndriçon
as kujtesën tonë.

Ide të tilla gëlojnë shpesh në faqet e këtij libri por lexuesi mendoj se nuk trishtohet, as nuk fiket, përndryshe ai mediton e më tej sqarohet.. . epastaj shfaqen skenat e tjera të sferës:

Më tregoni
Nëse dini kur u lindët
Ose më mirë më flisni
Për lindjen e juaj të nesërme
(Më mirë më flisni)

Në poezitë e Adem Zaplluzhës gjejmë shumë skena të tilla të një optimizmi thellësisht qytetar, jo vetëm në prishtinë. Janë shumë poezi të tilla të bukura si “Poezia”, “Sekreti”, “Për festën kombëtare”, “Flokët e erës”, “përtej teje” e plot të tjera. Ashtu siç është i idhët apo i këndshëm njëkohësisht, Adem Zaplluzha, tamam në Prishtinë shkruan këto vargje në mënyrën me të thjeshtë:

Prandaj edhe nuk mendoja
Se do shkruaj poezi
Në këtë moshë
Por fatmirësisht
Poezia po më shkruan mua
(Poezi)

Mendoj se ka të drejtë! Ndonëse në poezitë e tij ka shumë labirinthe, çdo labirinth e ka një dalje

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)