Atlantida dhe misteri i saj!
Kanë kaluar me qindra shekuj e me mijëra vjet, që nga koha kur i madhi Platon, shkroi për Atlantidën e famshme e të mrekullueshme, me civilizim e saj kaq të përparuar saqë dhe imagjinata e tij nuk e perceptonte dot.
Zanafilla
Kur Poseidoni, perëndia e lashtë greke e detit, për të parën herë takohet me Cleiton, lind dashuria, që në jetë do të sjellë 5 palë binjakë. Si vend për jetesë të lumtur perëndia e detit zgjodhi një ishull në Oqeanin Atlantik, i cili më pas do të marrë emrin e birit më të vjetër të Poseidonit – Atlasit. Në ishull mbretëronte një klimë e mesme dhe gjatë vitit kishte dy pranvera. Pjesën qendrore e qeveriste biri më i vjetër me mjaft sukses. Paqja dhe toleranca ishin moto të banuesve të ishullit. Atlantida konsiderohej e shenjtë, sepse ishte e mbrojtur nga dielli, prej momentit kur ai shtriu krahët dhe i dhuroj ishullit kushtet optimale për jetë.
Civilizimi dhe teknologjia
Atlantidasit ishin autodidaktë dhe progresivë. Ata ndërtuan një civilizim madhështor, që u shpërnda në të gjitha viset ku dominonin. Ishin Titan – superior, Gjigant – për nga shpirti dhe trupi dhe Ciklop – për punë të rënda fizike. Vendi ishte i pasur dhe produktiv, me një florë dhe vegjetacion të bujshëm. Banorët e ishullit ndërtuan miniera dhe shkritore, industri të vogla dhe punëtori, ku përpunonin metalet për nevojat e përditshme. Të gjitha veglat dhe mjetet e nevojshme për jetë u punuan nga metalet e fisnikëruara. Emblemat, monumentet sakrale dhe stolitë personale, të gjitha ishin të punuara nga ari i pastër.
Pallatet dhe faltoret kishin formë trapezoide me hyrje në formë harku. Në qendër të ishullit dominonte statuja madhështore e perëndisë Atlas. Sistemi i përpunuar i ujitjes, me shumë liqejë dhe diga të ndërtuara, mundësonte zhvillimin e bujqësisë dhe siguronte sasi të mjaftueshme të ushqimit. Porti detar i Atlantidës, në çdo kohë mund të pranonte 1200 anije, të cilat vinin nga të katër anët e botës për të tregtuar me banorët e ishullit.
Klima e përshtatshme mundësonte dhe zhvillimin shpirtëror të atlantidasve. Virtytet e larta morale, dëshira për paqe dhe progres, arsimi i lartë janë vetëm disa tipare të banorëve të ishullit. Në mes ishte i vendosur pylli i shenjtë i Poseidonit. Burime të ndryshme me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë, linin përshtypjen e një parajse të vërtetë. Shkollat dhe hipodromi i ndërtuar në ishull, mundësonin argëtim dhe edukim për banorët.
Katastrofa
I tërë ky civilizim madhështor u shkatërrua brenda një dite të vetme. Në momentin e kataklizmës, ishulli ishte në luftë me Athinën, e cila me çdo kusht dëshironte të pushtonte vendin më progresiv të asaj kohe. Ka disa hipoteza për shkaqet e zhdukjes së ishullit:
- Valët gjigante të shkaktuara nga cikloni Tsunami, kanë mundur të fundosin ishullin dhe banorët e tij. Ky shpjegim është tradicional dhe është i bazuar në disa fenomene natyrore karakteristike për Oqeanin Atlantik.
- Shpjegimi i dytë duket më kompleks dhe ka të bëjë me rritjen e nivelit të ujit, që mund të ketë përmbytur ishullin. Ky fenomen koincidon me fundin e epokës së akullt dhe të shkrirjes së sasive të mëdha, që rrjedhimisht rrisin nivelin e oqeanit.
Spjegimet e tjera kanë të bëjnë me tërmete të ndryshme, vullkane apo dridhje tektonike të tokës. Sidoqoftë, ende nuk ka shpjegim të bazuar për zhdukjen e Atlantidës.
Shkencëtarët, në bazë të gërmimeve arkeologjike, supozojnë se Atlantida ndodhej në mes të ishujve Kurile dhe Gjibraltarit, dhe duket të ketë ekzistuar njëmbëdhjetë shekuj para erës sonë.
Imagjinatë e Platonit apo ndjenjë e fajit kolektiv të njerëzimit, dëshirë për rikthim në parajsën e humbur, Atlantida mbetet enigmë për ne të gjithë. Enigmë për një ishull, një shtet, një botë ideale. Në kohën anomike në të cilën jetojmë Atlantida mbetet ideal i paarritshëm për qenien njerëzore, e cila është më afër vetëshkatërrimit se kurdoherë më parë…