Krijuesit Ali Podrimja e Nikolla Spathari e ndajnë çmimin poezia më e mirë e lexuar në orën e madhe letrare ‘Pena e Flakës’, në të cilin aktivitet letrar të manifestimit “Flaka e Janarit 2012”, punimet e tyre i lexuan më tepër se 30 krijues nga pjesë të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës.
Juria në përbërje: Haxhi Vokshi, Albinë Idrizi e Prend Buzhala, shpërblimin për poezinë më të mirë të lexuar, ia ndau dy krijuesve, Ali Podrimja dhe Nikollë Spathari, me këtë rast Albinë Idrizi, njëra nga anëtarët e jurisë, bëri të ditur se vendimi i jurisë ishte unanim e që vendosi që poezitë e këtyre dy poetëve u vlerësuan për të marrë epitetin e çmimit poezia më e mirë e “Penës së Flakës”.
Ndërkaq, juria e konkursit letrar “Flaka e Janarit 2012”, në përbërje: Musa Ramadani, Sabile Keqmezi – Basha e Xhevat Latifi publikoi edhe fituesit e konkursit letrar në poezi dhe tregim të shkurtër.
Xhevat Latifi, në emër të jurisë, tha se kanë pranuar dhe shqyrtuar 122 poezi e 35 tregime. Sipas tij, juria ka lexuar punimet, rilexuar dhe vlerësuar, duke konstatuar se konkursi i sivjetmë letrar i këtij manifestimi ruan me fanatizëm një traditë të begatë dhe inkurajon artistët dhe fjalën e shkruar, përmes vlerave të të cilëve nderon edhe ata që u flijuan për liri, ka ruajtur konstantën edhe sa i përket numrit përkatësisht vëllimit, por, në rend të parë edhe cilësinë në krijimet, qofshin ato poezi apo në prozë, tregime.
Përndryshe, para këtij aktiviteti, u mbajt takimi letrar kushtuar portretit krijues të Jusuf Gërvallës, në 30-vjetorin e rënies për lirinë e Kosovës, ku me referimet e tyre u paraqiten Nazmi Rrahmani, shkrimtar dhe botues, Prend Buzhala, poet dhe kritik letrar, Flamur Maloku, poet dhe kritik letrar, Nexhat Rexha, poet dhe kritik letrar, Rexhep Munishi, muzikolog, Tahir Arifi, kritik letrar, Imer Topanica, poet dhe kritik letrar, derisa poezi për dhe të Jusuf Gërvallës i deklamuan: Ramadan Kurti, aktor i Teatrit të Qytetit, Linditë Ramushi, poete dhe aktori e regjisori Llesh Nikolla.
Ndryshe, pas më shumë se dy javë aktivitetesh të ndryshme kulturore, të mbajtura në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2012”, i cili mbahet në kujtim dhe nderim të atyre që ranë gjatë janarëve të historisë, me këtë orë letrare dhe komunikimin e rezultateve të konkursit letrar, iu hap rruga edhe shtyllës së katërt, asaj muzikore, “Fest Flaka”, me çka edhe u përmbyll ky manifestim.