PROF.DR.KLARA KODRA
Poetika e Nolit, në 130-vjetorin e lindjes; Mitrush Kuteli dhe Arshi Pipa dhanë për këtë autor mendime diametralisht të ndryshme: i pari zbuloi dhe zbërtheu bindshëm origjinalitetin e tij të veçantë, ndërsa i dyti që e vlerëson si përkthyes, nuk e pranon si poet. Gjatë diktaturës poezisë së Nolit iu dha një interpretim kryesisht politik dhe mjaft subjektiv, ndonëse nuk iu mohua origjinaliteti. Në njëzetvjeçarin e fundit janë shkruar mjaft artikuj për të dhe një monografi me mjaft vlera nga studiuesi Nasho Jorgaqi, por forma e poezisë së Nolit është një minierë e pasur ende shumë larg shterimit. Shekulli i njëzetenjëtë duhet t’i bëjë më në fund një lexim objektiv këtij autori...
Vepra krijuese e Fan Nolit i ngjan një xhevahiri shumëfaqësh me ngjyra e drita të ndryshme nga të cilat poezia shkëlqen me dritë të veçantë. Megjithatë numri i poezive të shkruara nga Noli në hapësirën e jetës së tij të gjatë – reale dhe krijuese – është i paktë.
Madje studiuesi Elsie me të drejtë pohon se “është për të ardhur keq që Fan Noli dhe Faik Konica, këta dy stilistë më të mëdhenj të gjuhës moderne shqipe... t’i kenë kushtuar kaq pak energji krijimtarisë letrare”.
Për më tepër të gjitha vjershat e Nolit i takojnë llojit të shkurtër. Noli s’e arriti kurrë poemën që në përgjithësi ka qenë e parapëlqyer, qoftë nga pararendësit qoftë nga bashkëkohësit e pasardhësit e tij. Pak lirika, pra, po që spikasin për origjinalitet, kanë vulën e veçantë të personalitetit nolian.
Problematika e këtyre poezive është politike dhe në disa raste edhe sociale. Vetëm tre janë me frymëzim erotik dhe të trajtuar jo në rrafsh lirik, po nëpërmjet prizmit humoristik, vetëm njëra mund të quhet filozofike, ndonëse mesazhi filozofik tek ajo është i pandarë nga mesazhi social (“Tallja përpara kryqit”).
Midis lirikave të Nolit nuk gjejmë as edhe një lirikë peizazhi, gjë që e dallon nga shumica e poetëve shqiptarë të dashuruar me natyrën, edhe nga ata më të angazhuarit politikisht dhe në plan shoqëror si Naimi, Mjeda, Migjeni.
Megjithatë, problematika e poezisë së Nolit, edhe pse jo e shumëllojshme, dallon për thellësinë e mesazhit dhe forma për një përsosmëri të veçantë stilistike dhe metrike. Në këtë poezi ndeshim një galeri të tërë personazhesh, apo më saktësisht, tipash: udhëheqësi popullor, luftëtari, despoti gjakatar, oportunisti, aventurieri politik, renegati, i pavendosuri.
Noli shkrin në poezinë e vet veçoritë e fushave të tjera krijuese. Duke qenë politikan i dha karakter politik, si prift i dha motive biblike, si orator oratorinë, si kompozitor muzikalitetin.
Kjo veçori e fundit i ka falur poezisë së Nolit një aureolë të magjishme. Ai zbuloi muzikalitetin e ashpërsisë në gjuhën shqipe si Lasgushi muzikalitetin e ëmbëlsisë të kësaj gjuhe, qe mjeshtër i formës dhe për këtë shkak shumë i vështirë për t’u përkthyer në mos i papërkthyeshëm.
Është e çuditshme si një poet aq i angazhuar që e çoi në skajshmëri karakterin qëllimor i cili e dalloi përherë letërsinë shqiptare (është quajtur si themelues i lirikës politike në këtë letërsi) të tregojë një kujdes aq të madh për lëvrimin e formës, duke kombinuar në mënyrë aq të mrekullueshme mjetet shprehëse si figuracionin dhe metrikën (Noli ka madje një varg të vetin, trembëdhjetërrokëshin si Naimi gjashtëmbëdhjetërrokëshin), duke krijuar një shumëllojshmëri neologjizmash.
Dihet se poezia e angazhuar politike i ngjan një shkëmbi, duke u përplasur me të cilin talentet mediokre thyhen, ndërsa talentet e mëdha e hedhin në erë me forcën e energjisë së tyre dinamike.
Kur kjo problematikë mishërohet në formën artistike i duhet të ndeshet me dy rreziqe, me atë të racionalizmit dhe me atë të retorikës së zbrazët. Poezia e Nolit është padyshim retorike, po me një retorikë të çiltër. Është poezi mendimi, po jo racionaliste, as e sforcuar, shkrin thellësinë e mendimit me fuqinë e ndjenjës, tablotë e gjalla të realitetit dhe portretet e goditura të personazheve.
Poezia e Nolit është poezi e çastit se u shkrua në momente të caktuara historike, është aktuale në kuptimin e ngushtë të fjalës, është thellësisht autobiografike, po kjo s’e pengon të kapërcejë me bukurinë e saj caqet e kohës dhe të vendit (është thellësisht shqiptare me portretet e njerëzve shqiptarë që jep, me koloritin e gjuhës, po është njëkohësisht moderne dhe evropiane, me prirjen çmitizuese dhe me kultin e fjalës). Kjo poezi trajton edhe probleme të mëdha ekzistenciale si liria, përgjegjësia, pushteti, thelbi njerëzor.
Në poezinë e Nolit shkrihen patosi heroik, patosi tragjik, patosi romantik dhe patosi satirik. Është në thelb një poezi realiste që ka trashëguar diçka nga energjia romantike dhe për të cilën nuk është i huaj kulti i së ardhmes.
Është një poezi lirike, epike, dramatike, satirike. Ka një koncizitet të jashtëzakonshëm, kështu që mund të pasqyrojë me pak vargje një periudhë të tërë historike, madje shekuj historie. Cikli i poezive me motive biblike pasqyron revolucionin e 1924-s, kurse poezia “Himni i Flamurit” na jep me gjashtë strofa katërshe tërë historinë e Shqipërisë dhe vjersha me dhjetë strofa “Tallja para kryqit” pasqyron tërë historinë e krishterimit.
Poezia e Nolit që dallohet për karakterin e vet shpërthyes i ngjan një shpërthimi vullkanik, veçse poeti duke përdorur me kujdes punën e limës dinte t’i jepte formë llavës, të disiplinonte kaosin e mendimeve dhe të ndjenjave. Si gjithë njerëzit e mëdhenj Noli u lavdërua, u himnizua, u kritikua ashpër, u kuptua dhe u keqkuptua. Është interesant që dy figura të shquara të kulturës shqiptare si Mitrush Kuteli dhe Arshi Pipa dhanë për këtë autor mendime diametralisht të ndryshme: i pari zbuloi dhe zbërtheu bindshëm origjinalitetin e tij të veçantë, ndërsa i dyti që e vlerëson si përkthyes, nuk e pranon si poet. Gjatë diktaturës poezisë së Nolit iu dha një interpretim kryesisht politik dhe mjaft subjektiv, ndonëse nuk iu mohua origjinaliteti.
Në njëzetvjeçarin e fundit janë shkruar mjaft artikuj për të dhe një monografi me mjaft vlera nga studiuesi Nasho Jorgaqi, por forma e poezisë së Nolit është një minierë e pasur ende shumë larg shterimit. Shekulli i njëzetenjëtë duhet t’i bëjë më në fund një lexim objektiv këtij autori, në një nga aspektet e tij më të veçanta, botës së poezisë së tij, pa ekzaltime dhe pa kritika nihiliste, duke gjetur çelësin që do të lejojë të depërtojë në poetikën e tij.