2012-02-09

Gjuha hyjnore e Fishtës





I pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmim nobel, prozator, poet, përkthyes. "Militant i letërsisë shqipe" - cilësuar nga Lasgush Poradeci. "Poet kombëtar i shqitarëve" - Eqerem Çabej.
Më 1913 botoi librin "Mrizi i Zanave" dhe pas 35 vjet pune, më 1937 nxorri "Lahuta e Malcis", një vëllim prej 17 000 vargjesh, që u cilësua si Iliada shqiptare ose Bibla e lëvruesve të shqipes.
Ishte kryetar i kongresit të Manastirit dhe propozimi i tij fitoi në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në tetor 1913 nxjerr revistën "Hylli i drites", ndërsa më 23 tetor 1913 shpalos flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia.


Gjuha shqype
Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli fllad i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjáma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu á' gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po; á' e ambël fjala e saj,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'ameshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thánun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhánun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn k'ta djalë mbas djali.

Shqyp na vete, po pik' má para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp má s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë k'ta për dhé t'Parvet.

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xúni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kenë ndera e trimnive.

Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për té gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
N'per gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.

Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!

Gjendja historike e vjetit 1858 dhe plani i poemit.

Turqija nisë të ligështohet. Popujt e Ballkanit i dalin doret. Shqiptarët zgjohen: mendojnë edhe ata të fitojnë lirinë. Ndeshen me nji anmik tjetër. Knjaz Nikolla i Malit të Zi synon të shtijë në dorë pjesën veriore të Shqipnisë, i nzitun dhe i mësuem nga Cari i Rusisë. Ky i shkruen nji letër tanë dredhì e përkëdhelje Krajl Nikollës : i premton bukë e fishekë, mjaft që mos ta làjë Turkun të qetë. Letrën ia ep lajmëtarit ( kasnecit ) të vet, i cili mbas nji udhëtimi të gjatë, kapet në Cetinë, ku edhe dorëzon shkresën. Knjazi e këndon me vëmendje. Menjiherë çon e thërret serdarin e Vasoviq-it, Vulo Radoviq-in. Mbasi e merr me të mirë e ngarkon të formojë nji çetë cubash dhe me ta të biejë në Vraninë, për të plaçkitë e për të vrà.

Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk'rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu' e là t' mjerën në gjak, 5
frymën tue ia xanun njak,
e as tu' e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n' murë, 10
me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si 'i dèm, vu n' lavër spari,
qi, ka' e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m'e thekë strumb'llari,
s'ndigjon me tërhjekun m'pluer: 15
e tue dhanë kryq e terthuer,
tu' i dhanë bulkut shum mërzì,
me u vu s' ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt mësue 20
s'i'n me ndejë rob nën zgjedhë t'huej,
pagë e t'dheta me i là kujë:
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
e as kurrkujë n' këto troje t' veta 25
mos me i bà kurr tungjatjeta,
n'braz me Turk kurr nuk kanë rà
e as kurr pushkën s' ia kanë dà;
por t'janë grì me tè e t'janë vrà,
si me kenë tu' u vrà me Shkjà 30
E prandej si pat fillue
Turkut Ora m' iu ligështue,
e nisë pat m' iu thy' atij hovi,
m' qafë përditë tu' i mbetë Moskovi:
e ato fiset e Ballkanit, 35
zunë me i dalë dore Sulltanit,
nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
si Shqipninë me e skapullue
zgjedhet t' Turkut : qi si motit
n' ato kohët e Gjergj Kastriotit, 40
krejtë e lirë kjo t'ishte, e askujë
n'daç t'jetë Krajl a Mbret i huej,
me i bà kurr mà tungjatjeta,
kurr me i là mà pagë e t'dheta:
edhe Flamuri i Shqipnisë, 45
si fletë Engj'lli t'Perendisë,
si ajo flaka e rr'fesë zhgjetare,
me u suvalë prap n'tokë shqiptare.
Kur qe ai Knjazi i Malit t'Zi,
Knjaz Nikolla, 'i gërxhelì: 50
gërxhelì, por belaçì:
na dyndë top, na dyndë ushtrì
edhe del e bjen n'Shqipnì,
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
shka merr Drinin për s'të gjatit 55
der' n' Kalà të Rozafatit,
ku ai me ngulë do' «trobojnicën»,
do' m' ia vu Shkodrës «kapicën»:
me bà Shkodrën Karadak,
mbasi 'i herë ta kisht' là n'gjak! 60
Ka ndejë Turku e këqyrë haru,
pika-pika lotët tu'i shkue,
kah s'ka Shkjaut si me i qindrue;
se Moskovi e ka rrethue:
ka Stambollën muhasere! 65
Bàjnë shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zì

Cicmic me Çâshtjen Kombëtare Shqiptare
Kjo lojë âsht adaptue për Cyberspace simbas modelit të nji loje tradicionale shqiptare, qi âsht luejtë ktynehere motit nëpër odat kreshnike shqiptare. Siç mirret vesht nga burime të sigurta historiografike kombëtare (të afërta me odat) në odën tradicionale shqiptare - përveç qi âsht pleqnue e kuvêndue për çâshtje të rânda e qi âsht këndue me lahutë e çifteli trimnia e kreshnikvet e qi âsht mrehë m'unuer ndo'i tagan a lye ndo'i çark breshane - âsht luejtë edhe cicmic e hane. Me kalimin e kohës e me modernizimin e vêndit âsht ndie nevoja për adaptimin e këtyne dokeve tradicionale në kushtet e zhvillimit të shpejtuem industrialist e postmodernist.

Sfondi i Cyber Cicmicit, si lojë strategjike, âsht çâshtja e pazgidhun kombëtare e shqiptarvet në përgjithësi, gjegjësisht, ajo e Kosovës në veçanti. Cyber Cicmici ka 5 nivele të vështirsisë: 1) Autonomia kulturore, 2) Statusi special, 3) Republika federative, 4) Shteti i pamvarun, 5) Bashkimi i tâna trojeve. Mundet me u zgedhë edhe niveli Le t'del, ku t'del, dmth. "random", i cili besoj me pasë kênë, ma i shpeshti në ndërmarrjet e sfondit të lojës.

Për fillestarë rekomandohet me ia nisë prej niveleve mâ t'lehta - se me i'u veskë me'iherë të pestit ka mundësi me hupë si qeni e qebesa edhe me na qitë fare krejt. Për lojtarë të ideologjizuem rekomandohet me i ruejtë gurët e vet (me ngjyrë të bardhë) pa marrë parasysh qi ndonjêni prej tyne e ka emnin Brahim ose Hashim e mundet kësisoji me zgjue asociacione qi âsht fjala për 'far gurit, qi mâ shum bân sherr, se qi kryen punë: Cicmici âsht lojë strategjike, ku duhet me u shfrytëzue tânë gurt, qi janë në dispozicion. Pra: krejt guralecat e bardhë janë në shërbim të çâshtjes, emnat janë zgedhë rastësisht e çdo përgjasim me personalitete e fenomene reale âsht krejtësisht i rastit e ka ndodhë pa ndo'i qëllim të caktuem.

ANALIZÊ

Këmbëngulja me të cilën vazhdohet të insistohet në drejtim të ruajtjes së shtrëmbërimit të të vërtetave historike por në mënyrë më të sofistikuar, që të duket sa më i besueshëm shtrëmbërimi, parimisht më revolton shumë. Shtysë që t'a trajtoj problemin siç do t'a shihni në vazhdim, u bë pohimi i një personaliteti të mirëfilltë në fushën e studimeve shoqërore i cili së fundi ishte pozicionuar duke thënë pak a shumë ... mos t'i shkojë në mëndje njeriu të shajë personalitetet e shquara të letërsisë tonë se do të nxjerr në dritë disa letra të Fishtës ku ai i shan toskët ... .
Ky pohim kërcënues, i bërë pikërisht nga ana e një studiuesi, i lidhur me pohime e konsiderata të së njejtës natyrë të bëra nga njerëz me vlera tejet të diskutueshme niveli kulturor, (pavarësisht nga titujt edhe gradat shkencore që mbajnë), më bëjnë të mendoj se kemi të bëjmë me një sindromë e jo më me çfaqje simptomatike. E sindromat, po nuk u trajtuan, çojnë drejtë sëmundjesh të thella e dëndur edhe të pashërueshme.
Hyjmë tashti në temën e mirëfilltë : cili shqetësimi kryesor imi ? Patër Gjergj Fishta, shkrimtari i anatemuar përgjatë diktaturës komuniste, nuk ka qenë as grek, as serb e as kamerunas. Ai ka qenë shqiptar dhe veprat e Tija kanë qenë vepra të një shqiptari të flaktë. Nga ana tjetër shtroj pyetjen : a ka person të përkryer dhe pa gabime në jetë ? Si tha Krishti kur qe fjala të goditej me gurë gruaja e përdalë ? “Le t'a hedhë gurin e parë ai që ësht'i pa mëkatë “ . (E doemos askush nuk guxoi t'a godiste mjeranen). Prandaj si të gjithë njerëzit e gjallë, para Fishtës si edhe mbas Tij derisa të shuhet bota, gjithsecili kanë bërë gabime si edhe faje e do të vazhdojnë të bëjnë të tilla. E me që Fishta paska edhe anë të errëta përgjatë jetës së Tij, fjalë është kjo të kërcënojmë se do t'i bëjmë publike ato në qoftë se kritikohen personalitete të shquara të letërsisë tonë ? Është fakt i pamohueshëm se vetëm atje ku ka shumë dritë mund të qëmtohen edhe hije ! Kujt ësht'i zhytur në errësirë nuk i shquhen hijet, por ama as dritë ai nuk ka ! E pra pa dashur t'u themi atyre që kërcënojnë t'a hedhin shikimin prapa e t'a shikojnë udhën e përshkuar nga ata vetë duke u krahasuar me Patër Gjergj Fishtën e t'a gjykojnë veten e tyre, por vetëm i ftoj të mendohen mirë dhe t'a pyesin veten se kujt i shërbejnë duke vepruar kësisoji me një personalitet shqiptar i cili ka fituar respekt e konsiderata ndërkombëtare ? Ky kërcënim për t'i a hedhur në fytyrë një qëndrim të gabuar një personaliteti të tillë, është qëndrim që i ka hije vetëm një kategorie shqiptarësh : Piros Dimas-ve (ish Pirro Dhima) me shokë ! Nga ana tjetër problemi, në themel, nuk është as të fshihen e të mbulohen fakte e bëma të lidhura me jetën e cilitdo, por kryesorja është këto të studjohen e të analizohen lidhur me kohën si edhe rrethanat kur u përjetuan. Por ama në asnjë mënyrë të mos trajtohen si kërcënime . Ky, po, është faj dhe faj i rëndë !
Personalitete poliedrike përmasash si ai i Patër Gjergj Fishtës, për qëllime pragmatiste politike të caktuara, u anatemuan përgjatë gjithë periudhës diktatoriale pa i u njohur atyre asnjë meritë qoftë kombëtare, artistike apo qoftë edhe shkencore. I zi u etiketua Patër Gjergji dhe u luftua si i tillë. As që pranohej të shquhej një e mirë sado e vogël tek Ai ! Dhe e keqja më e madhe qe se për t'a mbështetur këtë qëndrim lloj, lloj shtrembërimesh u sajuan rreth Tij si edhe veprës Tij ! Kjo qe një taktikë, një direktivë partie. E njejta gjë u bë me figurën e Mustafa Merlika Krujës. Nuk i mohohet dot atij se qe bashkënënëshkrues i Aktit të Pavarësisë në Vlorë. Pa as më të voglin dyshim Mustafa Merlika Kruja ishte gjuhëtari më i shquar ndër bashkëkohësit e tij, por në asnjë tekst të botuar gjatë periudhës diktaturës s'është zënë në gojë ky fakt. Kurse, për interesa politike të ngushta të regjimit komunist, figura e Mustafa Krujës u etiketua vetëm si fashist e si kuizling, akuza edhe këto vetë shumë të diskutueshme ! Vazhdojmë me fizikantin Selaudin Toto të cilit i qenë pushkatuar dy vëllezërit si antimonarkistë, vetë qe internuar nga fashizmi italian e pastaj, kur pa asnjë faj dënohet me vdekje dhe pushkatohet nga diktatura komuniste, dhunshëm i harrohet emri edhe si fizikant. Po ky nuk qe fizikant, dhe aq. Ishte nxënës i shquar i të madhit Enrico Fermi që me këmbëngulje desh t'a mbante në grupin e asistentëve të tij kurse Selaudin Totua nuk e pranoi karrierën e shkëlqyer që i hapej ... sepse desh të vinte e t'i shërbente Atdheut (që ia hëngri kokën).
I solla shëmbujt e mësipërm vetëm me vetëm që të sqaroj sadopak se sa e dëmshme është për interesat kombëtare t'i trajtojmë figurat e shquara të kombit tonë nisur nga mllefe edhe pasjone që në themel kanë arsye politike e këto pastaj mbështeten nga njerëz të pakarakter dhe që ushqejnë cmira profesionale.
Vazhdojmë tashti me argumentin tonë të fillimit, Patër Gjergj Fishtën. Përse u anatemua Patër Gjergji nga diktatura ? Përse u bë e pamundura që atij vigani të kombit as mos t'i zihej në gojë emri i Tij ?
Të shumta ishin fajet që ai mbarte mbi kurriz : së pari, qe intelektual i shquar klerik. Nga ana tjetër, ishte ai që hodhi në letër nëpërmjet vargjeve të Lahutës Malcís “Historin'e Shqipërisë” në marrëdhënjet e saj me fqinjin tonë verior sllav duke trajtuar një periudhë kohore që nga 1858-ta e deri më 1913 me frymën e së vërtetës e duke e skalitur e nxjerrë në pah shovinizmin serb ashtu siç ishte me të gjitha atavizmat e tija antishqiptare. Si klerik ai domosdo ishte edhe antikomunist sepse e njihte mirë e me themel si ideologjínë komuniste e gjithashtu edhe bindjet e skajëshme ateiste të përkrahësve të saj. Patër Gjergji pikëpamjet ateiste që kishin filluar e përhapeshin në Shqipëri mbas Luftës I-rë Botrore e deri në vitet kur filloi Lufta e II-të, i kish përcaktuar si “ Të mishnuemt e ateizmit mâ të rafinuem t'Oksidentit e i egërsísë mâ të ftoftë t'Orientit “ . E me që të gjitha virtytet e Patër Gjergjit duheshin kthyer në faje të tij , u përdor edhe helmi i mashtrimit djallëzor duke e akuzuar si antikombëtar e gjithashtu edhe si fashist.
Për hir të së vërtetës, në vijim, t'i hedhim një sy fluturimthi pikave më kulmore të veprimtarisë patriotike të Patër Gjergjit, e pastaj japim edhe përgjigjet e mirëfillta.
I referohemi studiuesit të madh arbëresh Gaetano Petrotta i cili ka pohuar : Fishta është ndër të parët e më të mëdhenj atdhetarë të cilët në kohët më të vështira bënë çmos për t'a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmísë dhelparake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që ishte çeshtja e Shqipërisë, At Fishta gjëndej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e gjallë të vetën, zgjonte prej gjumit më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë.
Duhet thënë që në fillim se prof. Petrotta nuk i kishte të pambështetura konsideratat e tija për At Gjergjin, por ishin veprat si edhe veprimtaría e prelatit të madh që e çuan studjuesin e madh arbëresh në këto përfundime. T'i shikojmë.
Për Patër Gjergjin nuk kish të ndalur përkushtimi atdhetar : kur e ardhmja e kombit të Tij ishte e rrethuar nga një mjegullnajë krejtësisht e turbulltë edhe kur Bismarcku Shqipërinë e shihte si “ një shprehje gjeografike ” duke shtuar edhe “ ... shqiptarët as gjuhë të tyre të shkruar nuk kanë … “ Ai e kuptoi se asnjë përpjekje për themelimin e shtetit shqiptar nuk mund të kishte sukses në qoftë se nuk hidheshin themelet e gjuhës shqipe të shkruar. Sot, të folurit edhe të shkruarit shqip brënda kufijve shqiptarë, duket si një gjë krejtësisht normale. Mirëpo duhet të kthehemi në vitet e para të kapërcyellit shekujve të XIX-të si edhe të XX-të (gjë të cilën ne nuk e konceptojmë dot sot), dhe të përjetojmë atë që e ka përcaktuar me një pohim sa lakonik e gjithashtu kuptimplotë studjuesi i thellë i historisë dhe i gjuhës shqipe, Mustafa Merlika Kruja “ ... nën sundimin tyrk, kur filluen me na u çelë syt neve, shkrimi e këndimi shqip përbânte nji delikt kundra shtetit. ”
E pra, në ato kondita, kur pushtuesi otoman rrekej me çdo mjet t'a pengonte popullin tonë mos t'a lakmonte pavarësínë e Shqipërisë e gjithashtu mos t'i binte mbrapa lavrimit të gjuhës shqipe që e ka mbajtur gjithmonë në këmbë ndjesínë e kombësísë, Patër Gjergji me të gjitha fuqít'e Tija i luftoi këto qëllime të prapta t'armikut ! E tërë veprimtaría e Atë Fishtës kishte si shtysë idealin e mbarë jetës Tij që qé Shqypnía zojë n'védi mrenda kufîjve ku flitet shqyp ! Dokumentim i këtij përkushtimi është fakti se si në bashkëpunim me atdhetarin e shquar, Abatin e Mirditës Imzot Prengë Doçin, si edhe të mbështetur nga atdhetarët e tjerë si Ndoc Nikaj, Pashk Bardhi, etj. në vitin 1899 themeluan shoqërinë letrare “ Bashkimi “ ku Imzot Fishta, duke qenë krahu i djathtë i Abatit, ishte anëtari më aktiv. Pikërisht alfabeti i gjuhës shqipe, i formuluar si alfabet shkencor, qe vepër e shoqërisë letrare Bashkimi e prandaj Patër Gjergji, i cili ishte ndër krijuesit e këtij alfabeti, në nëntorin e vitit 1908, duke i peshuar edhe drejtëpeshuar të gjithë këta faktorë, u bë njeri nga nismëtarët e Kongresit të Manastirit. Ai e shihte qartë se nuk kishte si të bashkohej kombi ynë në një shtet të mirëfilltë kur gjuha e tij shqipe të shkruhej me “kirilicat” e Kirilit apo me “krrabat” osmane që për më se 500 vjet u kishin ngecur në fyt shqiptarëve ! Zgjedhja e tij si Kryetar i Komisísë së Alfabetit Shqip flet qartë për ndikimin e madh bindës që ai pati ndër pjesëmarrësit e Kongresit dhe me ndikimin e personalitetit të Tij alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi , me shumë pak ndryshime, u shpall pastaj nga Kongresi i Manastirit si alfabeti zyrtar i gjuhës shqipe ! Pra, Patër Gjergji, lojti rol kryesor duke u bërë pjesë e rëndësishme e asaj kryeure që lidhi Rilindjen tonë Kombëtare me Pavarësinë e Shqipërisë, në atë kapërcyell shekujsh !
Patriotizmi i Tij shquhet dukshëm edhe në lidhje me dasínë fetare të cilën fqinjët shovinistë, (së bashku me mungesën e gjuhës së shkruar), i konsideronin armë të mprehta dhe prova evidente të mosekzistencës një kombi shqiptar. E pikërisht për t'iu kundërvënë këtyre insinuatave që në kancelerit'e Europës kishin zënë vënd, më 1913-ën, në shënjë revolte kundra Fuqive Ndërkombëtare që e mbanin të pushtuar Shkodrën, Patër Gjergji do të ngrinte Flamurin Shqiptar në Kishën e Gjuhadolit. E, në shënjë vëllazërimi dhe solidarizimi mes muslimanëve dhe katolikëve, do të lidhte me një banderollë dritash Kishën me minaren e Xhamisë së Fushë Çelës. Çuan atëherë “qeveritarët e huaj” dërgatën e tyre që mes kërcënimesh frikësuese urdhëruan uljen e flamurit por “Frati trim” me ironinë e Tij të guximëshme i dërgoi mesazhin e Tij sundimtarit të Shkodrës, admiralit britanik Sir Cecil Borney ku mes të tjerash i shkroi : “Flamuri jonë e ka për ndérë të gjuhet prej topash t' huej” . Dhe admirali vërtet që nuk iu përgjigj letrës Atë Fishtës por ... as nuk dërgoi forca t'ia ulnin flamurin !
Patër Gjergji qe ai që pohonte botërisht :

Si t'kshtênë, si muhamedan, / Shqypninë s'bashkut t'gjith e kan,
E prandej t'gjith do t'qindrojmë, / Do t'qindrojm'e do t'luftojmë,
Kem m'u bâ kortarë-kortarë, / Priftën, fretën, hoxhallarë

Për Shqypní ! 
Pa le pastaj kur Patër Gjergji derdhte mllefin e Tij të skajshëm kundra gjith'atyre që nuk punonin për të patur një Shqipëri të fortë. U sulet prelati atyre me forcë që luftëtarët më të ashpër do t'ia kishin zilí e nuk ndalet as para mëkatit të agresivitetit edhe ndaj vetë Perëndisë, e thotë :

O Perendi a ndjeve, / tradhtarët na lane pa Atdhé.
E Ti rrin e gjuen me rrfé, / lisat n'për male kot ! 


Kurse kur vjen puna tek gjuha e Tij amtare, meshtári patriot shkruan vargje që për nga lirika e tyre mund të quhen me plot gojën tipike e në vazhdim ata përfundojnë me një dramaticitet të përkryer, vërtet shëmbullor :

Por Patër Gjergji
 aq sa ishte patriot i skajshëm, aq me takt dinte edhe të shkruante. Homeri i kombit tonë, (siç e ka quajtur albanologu gjerman Maksimilian Lambertzi), në vargjet e Lahutës Malcisë, nuk i lejoi vetes në asnjë rast të çfaqeshin as armiqësítë klasore, as dasítë e fiseve e aq më pak çfaqjet e fanatizmit. Ylli Polar i Tij qe : “Mâ s'parit të bâhej Shqypnija, mandej ajo të zbukurohej e të stolisej !” Për atë “Lahutë” të përbërë nga 30 këngë të gjata me kompleksivisht 16.838 vargje, të cilat përshkohen nga hove dhe shpirt luftarak, e që janë të mbushura me burrní, njomësí si edhe limontí njëheresh, Poeti punoi jo pak por 30 vite !
Vijmë tashti tek akuza e komunistëve se Patër Gjergji qe antikombëtar.
Si provë e kësaj fajësíe janë paraqitur vargjet e Tija tek “Metamorphosis” e Ânzave të Parnasit ku autori shprehet :

T'a dijë Shqypnija / Pra, e shekulli mbarë
Se mâ mbas sodit / Un s'jam shqyptar. 


Duke e gjykuar tashti akuzën si edhe ata që e mbështesnin akuzën e tyre në këta vargje, mundësítë janë dy : ose keqdashje e skajëshme si pasojë e urrejtjes së paprincip ndaj nji kollosi të patriotizmit si edhe kulturës, ose injorancë aq e pakufíshme sa që vetë Patër Gjergji, Patër Anton Harapi ose Baba Rexhebi me të gjithë atë plejadë kollosësh ... do t'i mëshironin ! Sa i takon keqdashjes, nuk kemi pse të merremi me të si edhe me bartësit e saj, do të qe kohë e humbur. Sa i takon padíjes së të gjithë atyre që mendojnë se janë në gjëndje t'a gjykojnë kollosin Fishtë duke i lexuar vargjet e Tija pa asnjë bazë përgatitjeje, e ndjej për detyrë t'u shpjegoj se në “Metamorphosis” autori evokon ndërrimet apo kuptimin e anasjelltë duke marrë si shëmbull kryeveprën e poetit të madh të Romës lashtë, Ovidit. Kurse, shprehur pa krahasime simbolike, me ata vargje Poeti shpreh zemërimin e Tij skajor dhe nxjerr mllefin e grumbulluar brënda shpirtit të Tij patriotik kundra bashkatdhetarëve shqiptarë të kohës, dallkaukë e mjeranë ! E për t'ia paraqitur thjeshtë edhe qartë lexuesit vullnet-mirë idén'e Mjeshtrit Fishtë, aq sa i ka lartësuar Ai virtytet e besës edhe burrnisë së shqiptarit në apoteozën e Lahutës, po aq e ka fyer, tallur edhe poshtëruar në Anzat e Parnasit vesin si edhe përçudnimin e virtyteve shqiptare nga ana e njerëzve të pakarakter !
Akuza tjetër, e propaganduar me harsh mes katër erërave nga diktatura komuniste, qe se Fishta ishte fashist sepse pranoi të bëhej anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë e domosdo duke u bërë kësisoji ithtár i fashizmit, e miratoi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Argumentet për t'a hedhur poshtë këtë akuzë janë të shumëta. Mjafton që lexuesi objektiv i këtyre radhëve të gjykojë me logjikë të paanëshme faktet që do të paraqiten e pastaj, po deshi të thellohet e të qëmtojë më thellë, të tëra i gjen të dokumentuara ndër arkiva.
Qeveria fashiste italiane, me dekret mbretëror, e dekoroi Patër Gjergjin me dekoratën më të lartë që akordonte ajo. Ky qe hapi i palës italiane për t'a heshtuar zërin e fratit françeskan i cili me vargjet e tija patriotike mbushte zemrat e shqiptarëve. Dhe reagimi i Patër Gjergjit ndaj kësaj fyerjeje që i bëhej personalitetit të tij n'aspektin patriotik, (siç e mendoi Ai), qe i menjëhershëm : E refuzoi t'a pranonte dekretin mbretëror duke u shprehur : Kjo dekoratë nuk âsht për mue !
Në vijim Akademia Italiane, anëtarë të së cilës ishin personalitete nga më të shquarat në botë, shumë edhe lauratë të çmimit Nobel, ngarkon Atë Agostino Gemellin, Rektorin e Universitetit të Zemrës së Krishtit në Milano dhe mik i Patër Gjergjit, të merrej vesh me të në se Ai pranonte t'emërohej anëtar i Akademisë. Dhe Atë Gjergji pranoi, ndonëse dekoratën e fashizmit e ktheu mbrapsht. Ai pranoi së pari, sepse një pjesë e madhe e akademikëve ishin të njohur si antifashistë duke filluar që nga filozofi Benedetto Croce, kompozitori i famshëm Pietro Mascagni, Maestro Perosi, vetë Atë Agostino Gemelli e të tjerë me radhë. Kurse nga ana tjetër Ai u pohoi studentëve të Tij e ndërmjet tyre edhe Atë Danjel Gjeçajt që e ka publikuar se “ ... kurkush nuk thotë se aj qi e pranon çmimin Nobel u bâ suedez ... e në luftë s'pëvetë kush se ç'fabrike i ke armët, por se si i ke përdorë ato ... un sot për sot si akademik mund vyej mâ shum për Shqypni ... ” Edhe vetë Ati i Shënjtë Papa Piusi i XII-të, (i cili dihet se nuk qe fashist), gjatë pritjes që i akordoi Patër Gjergjit në vitin 1940, mes të tjerash i tha : “ ... Emnimi yt si akademik i Italisë âsht nji nderë për Fé edhe për Kombin t'ând. ”
Vijmë tashti tek një fakt tjetër tejet kuptimplotë. Nga data 10 dhjetor 1940 Mjeshtri po përjetonte ditët e spasme të jetës Tij. E viziton Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, dhe Fishta i thotë :
“ Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkri për të pa nji Shqipni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja. ” 
Edhe kur u varros, arkivoli i Patër Gjergjit, simbas dëshirës Tij, u mbulua me flamurin kombëtar autentik të Dedë Gjo' Lulit, flamur pa sopatat e Liktorit të qindisura mbi të, (të cilat u hoqën kur Mustafa Merlika Kruja e vuri këtë si njerin nga kushtet e tija, kur pranoi të formonte qeverinë e tij).
Mendoj se me të gjitha këto argumente, të cilave studjuesi i mirëfilltë dhe pa komplekse politike mundet t'u gjejë edhe dokumentacionin mbështetës arkivor, hidhen poshtë të gjitha akuzat çpifëse edhe dashakeqe ndaj Poetit tonë Kombëtar, Patër Gjergj Fishtës !
Para epilogut të këtij shkrimi, nuk mundem mos të radhis pohimet e disa prej personaliteteve nga më të shquarat të kombit tonë që janë shprehur duke e vlerësuar Atë Gjergjin dhe veprën e Tij.
Profesor Eqrem Çabej , pa asnjë mëdyshje ndër studjuesit më të thellë të gjuhës shqipe, ka pohuar në një kartolinë të cilën ia pat dërguar Lasgush Poradecit : “ Lexova Lahutën e Malcisë dhe u mahnita. Jam gati të bëhem katolik për hir të Fishtës . “
Profesor Kostaq Cipua na e ka pohuar në klasë : “… tek vepra e Fishtës shkriheshin në një atdhedashuria me mjeshtrinë poetike . “ Profesor Cipua gjithashtu është shprehur me shkrim duke e quajtur Atë Gjergj Fishtën, “ Patriarkun e letrave shqiptare .”
Sejfulla Malëshova është shprehur në shtyp: “... mëndjes së fuqishme të Fishtës Shqipëria duhet t'ia dijë poezitë më të mira epike, lirike, dramatike . “
Hafëz Ali Korça , klerik musliman dhe mësues i gjuhës shqipe, shprehej lidhur me Atë Fishtën : “ ... Me këmbënguljen e tij gjuha jonë e lashtë gjeti sintetizim të shkruar … Nuk kam si t'a harroj me sa dashuri më përqafoi dhe më përgëzoi, (kur qemë takuar shumë vite më vonë me Fishtën), që në demonstratën e madhe të Korçës më 1910 kundër shkruarjes së gjuhës shqipe me shkronja arabe, unë bekova shkronjat latine të abecesë shqipe të Kongresit Manastirit dhe thashë edhe një lutje për to …”
Shkrimtari Petro Marko ka thënë : “ Fishta është elefant i mbuluar nga pluhuri gjatë dekadave të regjimit komunist . “
Poeti i i madh Lasgush Poradeci e ka përcaktuar Fishtën “ shkëmb i shpirtit shqiptar – Vigan i Kombit . “
Vijmë tashti edhe tek epilogu i këtyre radhëve.
Analistët e indoktrinuar mund të qëmtojnë kalime nga shkrime ose epistolari i Patër Gjergjit ku Poeti i Madh të jetë shprehur pa respekt kundra toskëve. Nuk e ve fare në dyshim. Po studjuesi në fjalë duhet atëhere të bëjë edhe një analizë “sasiore” ku të verë në ballancë sa herë është shprehur Atë Gjergji kundra gegëve e sa herë kundra toskëve. E vetëm kësisoji analistit do t'i rezultojë se në 90 % të rasteve Patër Gjergji ka kritikuar, sharë e shpotitur gegët dhe mjedisin e tyre e vetëm 10 % toskët. Dhe arësyeja është evidente : sepse Gegërínë edhe gegët Mjeshtri i njihte me rrënj'e me themel ! Prandaj jo pa qëllim, nga moría e personaliteteve shqiptare si edhe të huaja që janë shprehur me vlerësime dhe respekt sipëror ndaj Personit si edhe veprës Patër Gjergjit, radhita vetëm pozicionimin e figurave të shquara nga Toskëria të kombit tonë !
Mbas kësaj analize dhe ballafaqimi faktesh historike, vërtet e ndjej veten dishka të lehtësuar, por prap me kokë ulur dhe i dëshpëruar i mbyll këto radhë dhe shtroj pyetjen : përse duhet kërcënuar se po u mundua njeri të kritikojë shkrimtarë tanë të shquar që shkëlqimin e morën me veprat e tyre gjatë periudhës Realizmit Socialist, me vrap do t'u kundërvihen e t'a kritikojnë viganin Fishtë? Pse, frika e nxjerrjes në dritë të hijeve të kollosit Fishtë duhet t'ua evidentojë dritën, që eventualisht kanë, ata shkrimtarë e t'ua fshehë hijet e tyre? Jo zotërinj. E vërteta historike kërkon që drita dhe hijet e secilit jo vetëm të nxirren në shesh por edhe të krahasohen. Ky i vetmi kriter simbas të cilit do të shquhet kush është titan e kush pigmé.

Vepra e Pjetër Bogdanit nuk është thjesht një tekst për shërbesat fetare

Pjetër Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare. Ai shquhet jo vetëm si klerik i lartë, por edhe si atdhetar, me një dashuri të pakufi për gjuhën shqipe e për popullin shqiptar, por edhe si dijetar e letrar, si luftëtar i paepur për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane dhe për zhvillimin e përparimin e tij kulturor. Me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet "Çeta e profetëve", Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare. Lindi në Gur të Hasit, një fshat i Kukësit, rreth vitit 1625, Ungji i tij Andrea Bogdani, edhe ai klerik i lartë (kryepeshkop i shkupit), ishte marrë me lëvrimin e gjuhës sonë, kishte hartuar në gjuhën shqipe edhe një gramatikë të latinishtes, madje kishte mbajtur në Kosovë edhe një shkollë ku mësohej gjuha shqipe.
Mbasi kreu studimet e mesme fetare në Kolegjin e Loretos dhe punoi disa kohë si meshtar në Pult e Prizeren, me shpenzimet e të ungjit kreu edhe studimet e larta në Kolegjin e Propaganda Fides dhe në 1655 mori dy dekorata, njerën në filozofi dhe tjetrën në teologji, çka ishte gjë e rrallë sidomos asokohe për një të ri shqiptar.Më 1656, në moshën 31-vjeçare, emërohet peshkop i Shkodrës ku shërben për 21 vjet (1657-1677), duke qenë i ngarkuar njëkohësisht edhe me administrimin e kryepeshkopatës së Tivarit, 12 vjetët e fundit të jetës së tij i kaloi si kryepeshkop i Shkupit.
Atij ju desh të luftonte njëherazi në tri fronte kryesore: edhe kundër zgjedhës së huaj, që në mesin e shekullit XVII ishte rënduar shumë, edhe kundër kishës ortodokse dhe sidomos patriarkanës serbo-ortodokse të Pejës, që i kishte shtuar përpjekjet e vjetra për të mos lejuar shpërthimin e kryengritjeve antiosmanene dioqezat e saj, edhe kundër politikës që ndiqte vetë kisha katolike e Romës në Ballkan. 
Kudo që punoi , qoftë si peshkop i Shkodrës dhe administrator i kryepeshkopatës së Tivarit, qoftë si kryepeshkop i Shkupit, të gjitha këto detyra Bogdani i kreu jo vetëm si klerik, por edhe si patriot. Bashkë me predikimin fetar dhe nën petkun e klerikut ai edukonte te besimtarët edhe ndjenjën e dashurisë për liri e për atdhe dhe urrejtjen ndaj pushtuesëve osmane, nxiste dhe organizonte qëndresën kundër tyre dhe, jo rrallëherë, ka marrë pjesë drejtëpërdrejt në kryengritjet antiosmane që shperthyen në atë kohë.
Gjatë luftës turko-veneciane (1664-1669), ai u përpoq që të organizonte veprime të përbashkëta me venecianët kundër pushtuesve osmane. Po kështu edhe në konfliktin turko-austriak (1689) Pjetër Bogdani mori malin për të organizuar kryengritjen e armatosur, dhe, kur forcat austriake hynë në Prishtinë, me ta u bashkuan edhe rreth 500 luftëtarë të cilët kronisti austriak i cilëson "arnautë", d.m.th. shqiptarë. Bogdani ishte faktori vendimtar i këtij bashkëveprimi, aq sa kronisti i mësipërm, kur vdiq, më 6 dhjetor 1689, në mënyrë lakonike shkruan se "me vdekjen e Pjetër Bogdanit iku edhe fati ynë në tokë". Dhe me të vërtetë, ushtria austriake filloi të pësonte disfata të përditshme. Frytet e punës politike të Bogdanit për afrimin e shqiptarëve myslimane e katolike kundër zgjedhës shekullore, sidomos simpatinë që gëzonte ai tek shqiptarët myslimanë, e dëshmon edhe suksesi që pati më 1680, kur pajtoi brenda tri orëve fiset e Krasniqit dhe të Gashit, që ishin në gjakmarrje.
Për t'u shpëtuar këtyre ndjekjeve, atij i është dashur shpeshherë të merrte udhët e maleve. Madje edhe sot nëpër vendet ku ka kaluar ka shpella që mbajnë emrin e tij e që tregojnë se ai është fshehur në to për t'u shpëtuar operacioneve ushtarake turke. Gjatë këtyre arratisjeve, me sa duket, ai merrte me vete biblotekën personale, ose , të paktën, dorëshkrimet e vyera, sepse sikurse e thotë vetë me keqardhje, gjatë këtyre shtegtimeve të detyrueshme atij i humbi (hupi si krypa nd'ujët-shkruan ai) dorëshkrimi i gramatikës së të ungjit. 
Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë e patriotizmit shqiptar dhe të kulturës shqiptare jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare "Çeta e profetëve" (Cuneus profhetarum), që e botoi në Padovë, më 1635 me ndihmën e një miku të vet.
Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare, me punën e gjatë këmbëngulëse më se tridhjetëvjeçare, Bogdani i dha letërsisë shqiptare dhe popullit shqiptar një vepër madhore, që kurorëzoi traditën e mëparshme letrare e kulturore dhe që paralajmëroi një periudhe të re të zgjimit gjithkombëtar.
Bogdani është një njeri erudit. Nga leximi i veprës së tij mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italishten, latinishten, kroatishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten, dhe sirishten.
Por më tepër se doktorata që mori edhe gjuhët që dinte, për vlerat e shquara të Bogdanit flet vepra e tij, " Çeta e profeteve„ është shkruar me një kulturë të gjerë, në të ka informacion të pasur nga historia e popullit tonë, nga filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij nuk është përkthim. Legjendat biblike që janë në themel të saj, ai i ka përpunuar në mënyrë të lirë dhe herë pas here fut ide, arsyetime dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik, shkencor-natyror etj, që s'kanë të bëjnë fare me legjendat biblike dhe që i japin asaj karakter origjinal. Vepra e Bogdanit nuk është thjesht një tekst për shërbesat fetare, as për mësimin e fesë, siç ishin veprat e Buzukut e Budit. Ajo është një vepër teologjike-filozofike, me elemente të shumta enciklopedike që përshkrohet fund e krye nga dashuria e madhe për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe, nga dëshira për të ndihmuar zhvillimin dhe përparimin e kulturës shqiptare dhe nga urrejtja për pushtuesin. Vepra përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë trajtohen probleme teologjike e filozofike të doktrinës së krishtere, kurse në pjesën e dytë jetëshkrimi i Krishtit. Po autori del jashtë ketyre caqeve. Në pjesën e parë trajtohen edhe shumë probleme të shkencave natyrore, si të gjeografisë, astronomisë, fizikës, matematikës etj, por edhe të shkencave shoqërore si të teorisë së letërsisë etj. Duke goditur besimet e kota, ai në veprën e tij shpjegon, psh., si formohet shiu, vesa, breshri, bora, vetëtima etj., ç'janë tërmeti, eklipset e diellit e të hënës, baticat e zbaticat, flet për njohjen e botës nëpërmjet shqisave etj Meritë e tij është se gjithcka e trajton në nivelin e mendimit më të përparuar të kohës kur jetoi. Në pjesën e dytë, duke përshkruar jetën e Krishtit etj., ai solli në letërsinë tonë llojin e jetëshkrimit, realizmin në përshkrimin edhe vizatimin e figurave biblike, duke përdorur me mjeshtëri rrëfimin artistik në njerëz të ndryshëm. Ndihmesa e tij është e rëndësishme sidomos në formimin e prozës shkencore shqiptare.
Me interes të veçantë janë idetë e tij patriotike që parashtron jo vetëm në parathënien e veprës, por edhe gjatë shtjellimit të materialit. Sa herë i bëhet e mundshme, ai gjen rast të përmendë qëndresën burrërore të shqiptarëve. Me admirim flet p.sh., për qëndresën e kelmendasve "Kush mundetë me i ra mboh se ma i vobekje Vuca Pasha, i silli për të mbledhë një ushtri 12.000 vetësh, nuk i mjaftuan shumë milion ar, se kelmendasit tanë, të sijtë, me nji zan. "Eja kush ashtë trim„ mbledhunë afër 500 vetë, vranë Vuca Pashën, vjetit të Krishtit 1639„ …etj.
Bogdani njeh mirë historinë e Shqipërisë dhe shkrimet e për të prandaj, kur i vjen rasti, ai përmend me krenari vlerësime pozitive që kanë bërë historianë të huaj për vendin dhe popullin tonë. Diku ai përmend thënien e Herodotit: Cezar Augusti "Dëshironte fort me pasun ndë ushtritë tinë t'arbëreshëtë. Përse thonj pësonjënë shumë e nuk druhen për hu e për het, se janë më zemërorë se të tjerëtë„ .Karakteristike tjetër e personalitetit të Bogdanit është mendimi i tij iluminist. Nëpërmjet përhapjes në popull të dijes dhe kulturës në gjuhën shqipe, ai shikonte një nga rrugët për të shpëtuar nga zgjedha e huaj. Paditurinë (në parathënien e veprës së vet) ai e quan një nga shkaqet kryesore të mjerimit dhe të skllavërisë së popullit.
"Prashtu dergjet e dheu ndë robi t'errëtë e verbuem me dy palë niegulla të zeza mbi faqe, që janë mkati i të paditunitë, perse u dvua dieja e urteja. E tue kjanë dheu i Arbënit ndë mjedistë t'pafevet„ …
Pra, autorit i qan zemra që populli i tij dergjet nën zgjedhë të huaj dhe ndodhet i verbuar me dy palë mjergulla, që janë mëkati e padituria. Dhe kjo, sepse dheu i Arbërit ndodhet mes të të pafeve, d.m.th. të pushtuesve osmanë.
Lënda që trajton Bogdani në veprën e tij, është e vështirë, sepse përmban koncepte e nocione abstrakte të fushave të ndryshme të dijes. Prozës shqiptare në atë kohë i mungonte tradita për të shprehur këto nocione. Por Bogdani asnjëherë nuk u përkul e nuk u ligështua para vështirësive, sepse kishte besim tek thesari i pasur i gjuhës shqipe. Me përpjekje këmbëngulëse, duke mbledhur me kujdes fjalë të lashta e të rralla nga visari i gjuhës popullore e duke i përdorur ato me kuptim të drejtpërdrejtë ose të figurshëm, ai e ngriti gjuhën shqipe në nivele të reja, tregoi aftësitë e saj për të fituar mundësi të larta shprehjeje e stili. Ai është i vetëdijshëm se në këtë punë mund të ketë edhe të meta e mangës , prandaj ne fjalët e fundit të parathënies së veprës ai i drejtohet lexuesit: "Të lutemi pra, litari em i urtë, të më ndijeçë në gjeç fjalëzë, që të trazon veshëtë. Përse as dielli pa hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë..."
"Çeta e profetëve„ përmban edhe disa vjersha, shkruar nga vetë autori ose nga të tjerë. Nga këto, me interes të veçantë si për formën, ashtu edhe për idetë e saj, është një vjershë e Lukë Bogdanit. Ajo na sjell të gjallë deri në ditët tona kujtimin për Skënderbeun dhe mbresat e autorit për bukurinë dhe madhështinë e vendlindjes së poetit dhe veçanërisht të viseve ku ka jetuar e punuar poeti. 
Me sa duket, me kërkesë të Vatikanit (ndoshta për të kontrolluar përmbajtjen para se të jepej leja e botimit), Bogdanit iu desh që veprën e tij ta përkthente në gjuhën italiane. Në këtë mënyrë shqipja ballafaqohet me një gjuhë evropiane të zhvilluar për kohën dhe veprës se Bogdanit i takon fati që të jetë e para vepër e përkthyer nga shqipja në një gjuhë tjetër, dhe autorit merita që të jetë i pari përkthyes i letërsisë shqiptare në gjuhë të huaj. Vepra e Bogdanit me përmbajtjen dhe me gjuhën e saj e çoi shumë përpara traditën e shkrimit të shqipes e sidomos të lëvrimit të prozës origjinale. Me veprimtarinë e tij patriotike, duke bashkuar ndjenjën fetare me ndjenjën kombëtare, me personalitetin dhe me veprën e tij, Pjetër Bogdani i siguroi vetes një vend të veçantë në historinë e patriotizmit shqiptar e të kulturës sonë kombëtare.

Dashuria Bardhit , për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë








Autori i tretë i rëndësishëm i letërsisë së vjetër shqiptare është Frang Bardhi. Midis autorëve të tjerë të kësaj periudhe, Bardhi zë një vend të vecantë. Duke ndjekur vazhdën e paraardhësve në veprimtarinë atdhetare, në fushën e krijimtarisë letrare i kalon caqet e përkthimeve fetare. Ai kishte interesa më të gjera. Bardhi bëri edhe përkthime fetare, por ato mbeten të pabotuara dhe 
humbën, prandaj ai ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si leksikografi i parë shqiptar, si historian, folklorist e etnograf. Bardhi studiohet në historine e letërsisë sonë me dy vepra oigjinale: "Fjalori latinisht-shqip„ dhe "Apologjia e Skënderbeut„. Këto vepra e lidhin atë më tepër me humanizmin shqiptar sesa me traditën e letërsisë fetare të shekujve XVI-XVII.
Edhe për jetën e Bardhit dhe për veprimtarinë e tij kemi pak të dhëna. Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Budi, krenohej që i perkiste një familjeje pjestarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit. 
Studimet i kreu në Itali, në kolegjin e Loretos dhe pastaj në atë të Propaganda Fides. Me 1635 u emërua peshkop i Sapes ( Zadrimë ). Në veprimtarinë e tij politike Bardhi do te jetë në rradhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t'u cliruar nga zgjedha e huaj, zhvillimit dhe përparimit të vendit dhe të gjuhës shqipe. 
Gjendja e mjeruar e popullit nën sundimin e egër osman, dëshira dhe përpjekjet për t'a ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që i dërgonte herë pas here Papës. Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhët të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …"
Relacionet e tij kanë edhe më shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit, për zakonet, traditën e tij etj. Ashtu si edhe Budi, madje që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanitvetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: "Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t'i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë.
Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishëtar, por edhe të pregatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t'i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar 
shqiptarë, që t'u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave. 
Vitet e fundit të jetës së Bardhit në vend që të ishin vite pune në lëmin e gjuhësisë e të letërsisë shqipe dhe të lëvizjes shqiptare për t'u çliruar, siç pritej prej hartuesit të fjalorit të parë të shqipes, përmbledhësit të parë të folklorit të parë të shqipes, prej mbledhësit të parë të folklorit tonë dhe prej mbrojtësit erudit të shqiptarisë së Skënderbeut, ishin vite lufte kundër pushtimit të huaj, ashtu edhe kundër synimeve të kishës katolike të Romës, vite që e lodhën shumë. Duke u gjendur në pellgun e kundërshtimeve dhe të intrigave që u thurren kundër tij më në fund u dorëzua, në mos drejpërdrejt, tërthorazi. Vdiq fare i ri, në moshën 37-vjeçare, në një kohë kur mund të ndihmonte shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të kulturës shqiptare.
Megjithatë Bardhi mbetet një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai na la trashëgim dy vepra madhore "Fjalorin latinisht-shqip„ dhe "Apologjja e Skënderbeut„. "Fjalorin latisht-shqip„ Bardhi e shkroi që kur ishte student dhe e botoi më 1635 në Romë. Autori thotë se e shkroi këtë vepër që t'i ndihmonte "…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardhohet sa me parë të ve …„ Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër t'u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Fjalori përmban rreth 2.500 fjalë shqipe. Krahas fjalëve, jepen edhe togfjalësha që tregojnë përdorimin e tyre. Në këtë fjalor për herë të parë gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë të përpunuar, siç ishte gjuha latine në atë kohë. 
Përkthimi në shqip mbështetet kryesisht në gjuhën popullore, në fondin kryesor të gjuhës sonë, por shpeshherë Bardhi sjell në përdorim edhe shume fjalë të lashta. Me këtë vepër zë fill leksikologjja shqiptare, ndaj me të drejtë Bardhi quhet edhe leksikologu i parë në historinë e gjuhës shqipe. Në fund të fjalorit, në një shtojcë, autori ka perfshirë edhe material gjuhësor, si; emra mashkullore e femërorë, emra farefisnie, emrat e qyteteve dhe të kështjellave kryesore të Shqiperisë, parafjalë, pasthirrma, disa mënyra të përshëndeturi si dhe një dialog të shkurtër.
Por kjo vepër i hapi rrugë dhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës sonë, sepse në të jane përfshirë edhe 113 proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera. Edhe në zgjedhjen e tyre autori niset nga qëllime të qarta patriotike. Ndër këto proverba, interes të veçantë kanë ato që dëshmojnë për vetitë e bukura morale të popullit tonë, veçanërisht ato që shprehin urrejtjen për pushtuesin, si : "Tek shkel turku, nuk mbin bar„etj.
Në fjalorin e tij ka përdorur alfabetin latin, pothuajse njëlloj si Buzuku e Budi, me ndonjë ndryshim të vogël, çka të bën të mendosh se duhet të ketë njohur veprat e tyre.
Vepra tjetër e njohur e Bardhit është "Apologjia e Skënderbeut", botuar latinisht në Venedik më 1636. Titulli i saj i plotë është: "Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshem i shqiptareve, u kthehet bashkëatdhetarëve dhe atdheut të tij prej Frang Bardhit". Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut. Këtë vepër autori e ka shkruar për 15 ditë, në kulmin e zemërimit, në rrugë e sipër, kur po kthehej në Shqipëri për të hedhur poshtë mendimet e pathemelta të një peshkopi boshnjak, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. Më 1631 boshnjaku Tomko Marnavici kishte botuar një libërth ku pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve. kjo rrethanë i jep veprës një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik. 
Këtë falsifikim Bardhi e quan të "kobshëm„ dhe ai iu vu punës për këtë vepër, se, po të heshtte, i dukej sikur do të tradhëtonte veten dhe atdheun. Pra , është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t'i japë popullit të vet atë që i përket, duke pasur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu sic nuk do t'i lejonte vetes të rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës "Unë e mora përsipër këtë barrë, - thotë Bardhi, - jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu
(lexues) të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s'ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema".
Dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta janë idetë themelore që përshkojnë fund e krye veprën. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t'i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit.
Për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut autori niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit.
"Vazhdimisht gjer në ditët e sotme, - shkruan autori, - bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimërinë e tij nëpër gostitë… dhe e quajnë Skënderbeun tonë me emrin "Kuçedra e Arbrit", d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë që shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu".
Ndjenja patriotike, dashuria për popullin dhe vendin e vet, krenaria për të kaluarën e tij të lavdishme dhe admirimi për heroin që çuditi botën me trimërinë e tij përshkojnë gjithë veprën. Këto përcaktojnë edhe disa cilësi të stilit të autori , si: patosin e ngritur, frazën e gjatë dhe të ngjeshur, gjuhën e mprehte plot thumba, për të hedhur poshtë fallsifikimet e kundërshtarit etj. Këto tipare e bëjnë veprën jo thjesht një polemikë historike, por një libër me vlera letrare. Njeri me kulturë të gjerë dhe mendje të mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikograisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII.

Jeta e Budit është një jetë kushtuar fund e krye çështjes shqiptare.

Pjetër Budi është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të pupullit tonë. Për jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht që i dërgoi më 1621 një kardinali të quajtur Gocadin. Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit. Në këtë letër Budi pas hyrjes bën edhe një autobiografi të shkurtër , nëpërmjet së cilës mësojmë dicka të sigurt për jetën e tij.
Lindi në Gurë të Bardhë të Matit me 1566 nga një familje e dëgjuar dhe e vjetër. Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkevet të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587 u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe me vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Gjatë viteve 1516-1522 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. U mbyt në dhjetor të vitit 1622 duke kaluar Drinin, por vdekja e tij nuk ndodhi aksidentalisht; atë e shkaktuan qarqet anti shqiptare, që shikonin tek Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj. Këtë e vërteton më së miri aktakuza me të cilën hidhet në gjyq personi që thuhet se e shkaktoi këtë vdekje dhe aktet e gjyqit përkatës. Në këtë mënyrë Budi është një nga martirët e parë të kulturës shqiptare.
Gjatë 29 vjetëve që shërbeu në vise të ndryshme, i veshur me petkun e klerikut, Pjetër Budi u shqua edhe për një veprimtari të dendur atdhetare. Ai gjithë jetën dhe energjitë e tij ia kuhstoi çlirimit të vendit. Hartoi plane për dëbimin e pushtuesit dhe u përpoq të siguronte edhe ndihma nga Vatikani e nga vende të tjera. Ai bënte pjesë në atë shtresë të klerikëve, që u lidhën me krerët e fiseve shqiptare dhe iu kundërvunë jo vetëm sundimit të egër osman, por edhe Vatikanit, kur ishte fjala për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Clirimin dhe shpëtimin e vendit Budi, e shikonte te fshatarësia e lirë, sidomos te malësorët, të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtimin dhe e vazhduan me ngulm qëndresën e tyre. 
Siç del nga letra që i dërgoi Gocadinit, misioni kryesor për të cilin ai shkoi më 1621në Romë, ishte që të bëhej zëdhënës i kërkesave të shqiptarëve dhe të kërkonte ndihma. Letra e tij është një projekt i një kryengritjeje të armatosur që një klerik ia drejton një kardianli dhe organeve të administratës kishtare për të kërkuar ndihmë për popullin e tij, që të çlirohej nga zgjedha e huaj. Ndër të tjera shkruan: "Kur u nisa prej këtyre vendeve, fort m'u lutën ata kryetarë fisesh, si dhe disa kryetarë myslymanë, që t'ia shfaqja Papës ose ndonjë princi tjetër këtë dëshirë të tyre e t'u lutesha që të na sigurojnë mbrojtje e ndihmë … për t'u çliruar. Dhe jo vetëm të krishterët, por edhe të parët e myslimanëve… Të gjithë duan të dalin një herë e mirë prej kësaj gjendjeje të mjeruar ose të vdesin me armë në dorë. Grushti që do të marrë Turqia këtu, do të jetë ndihmë edhe për polakët„ .
Por shpresat e tij, si gjithmonë, mbetën të zhgënjyera. Megjithatë, ai asnjëherë nuk u ligështua. I dëshpëruar nga mosrealizimi i planeve të tij, iu vu punës për të përkthyer e botuar veprat e veta në gjuhën shqipe. Budi është i pari nga klerikët që do të thotë se perëndia nuk e degjon atë që i lutet në gjuhë të huaj, atë që përsërit vetëm fjalë boshe pa i kuptuar ato që thotë. Me këmbëngulje dhe përpjekje të mëdha arriti që më 1618 të botonte në Romë veprën e parë "Doktrina e krishtenë„ dhe më 1621 dy veprat e tjera"Rituali roman" dhe "Pasqyra e të rrëfyemit". Veprat e Budit janë kryesisht përkthime ose përshtatje të lira tekstesh fetare, por qëllimi i botimit të tyre është, në radhë të parë, qëllim komëtar. Ato do t'u shërbenin klerikëve në Shqipëri për ngritjen e tyre profesionale në shërbesat fetare, por më tepër do t'i shërbenin ruajtjes së gjuhës shqipe, që shprehte në atë kohë shtyllën kryesore të kombësisë, do t'u shërbenin përpjekjeve për çlirimin e vendit, zhvillimit e përparimit të arsimit dhe kulturës së popullit shqiptar, që ky të mos mbetej më prapa se popujt e tjerë. Për qëllimin dhe rëndësinë e tyre autori është i vetëdijshëm kur thotë se librat shqip do t'i shërbenin kur të kthehej në viset e Shqipërisë për të pregatitur kryengritjen e përgjithshme dhe për të fhsehur në sy të pushtuesëve këtë veprimtari të lartë kombëtare. Po të studjohen me kujdes veprat e Budit, duket qartë se shpesh herë ai del jashtë tekstit origjinal nga përkthen dhe përshkruan doke e zakone shqiptare, të cilat janë krijime origjinale në prozë. Kjo gjë bie më tepër në sy në veprën "Pasqyra e të rrëfyemit", që ka një rëndësi të veçantë edhe për historinë e etnografinë. Në faqet e fundit të veprës autori ka vendosur një letër të gjatë, afro 70 faqe ku shkruan plot dashuri për atdheun e popullin dhe ankohet për mungesën e shkollave dhe për klerin që nuk përpiqej t'u hapte sytë bashkatdhetarëve. Deri më sot letra është konsideruar si proza e parë origjinale në letërsinë shqiptare, që buron drejtpërdrejtë nga zemra e një atdhetari. Kjo e bën Budin shkrimtarin e parë të letërsisë shqiptare që lëvroi prozën origjinale. Në këtë letër pasqyrohen elemente të jetës shqiptare të kohës dhe ndihet shqetësimi i klerikut patriot për fatet e popullit e të gjuhës së tij amtare. Budi përshkruan traditat e zakone shqiptare, por, mbi të gjitha, ndalet në gjendjen e mjeruar ku e ka hedhur pushtimi i huaj dhe padija e popullit të vet. Për këtë gjendje ai akuzon edhe bashkëatdhetarët e vet "djesitë„ e "leterotetë„ (dijetarët e letrarët), që u vjen dore ta ndihmojnë popullin për të dalë nga kjo gjendje, por që nuk po bëjnë asgjë…
Proza e Budit dëshmon jo vetëm për idetë përparimtare, por edhe për aftësitë e tij letrare. Edhe pse në të ndihet ndikimi i leteraturës kishtare latine, ai është munduar t'i japë gjuhës shqipe një shprehje e formë të bukur, duke shfrytëzuar pasurinë e gjuhës popullore dhe frazeologjinë e saj të pasur. 
Faqe me rëndësi në krijimtarinë e Budit përbëjnë vjershat e tij. Para tij njohim vetëm një vjershë të shkurtër me 8 vargje, të shkruajtur nga arbëreshi Matrënga, kurse Budi na ka lënë 23 vjersha me mbi 2.300 vargje, prandaj me të drejtë ai mund të quhet nismëtari i parë i vjershërimit shqip.
Vjershat e Budit kryesisht janë të përshtatura nga latinishtja e italishtja, vetëm pak janë origjinale. Është e vërtetë se në hartimin e tyre nuk kemi një frymëzim e teknikë të lartë, por vihet re një përpjekje serioze për ta pasuruar gjuhën shqipe edhe me krijime që synojnë të shprehin në vargje të bukurën në artin e fjalës shqipe. 
Në njërën prej tyre, në formën e një pyetje retorike, poeti shpreh ndjenjën e trishtimit dhe të kotësisë që e pushton kur mendon se të gjithë njerëzit i rrëmben vdekja:

"Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtë si rrufe?„ 


Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cënonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t'i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim. Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj. Rrjedhimet e këtij vendimi të guximshëm u dukën shpejt. Forcat kundërshtare u bashkuan në një front të përbashkët, duke përdorur si mjet valët e rrëmbyeshme të Drinit, për ta eleminuar Budin në një ditë të dhjetorit të vitit 1622.Jeta e Budit është një jetë kushtuar fund e krye çështjes shqiptare. Programi fisnik i gjithë kësaj veprimtarie atdhetare mund të përmblidhen në këto fjalë që shkroi me dorën e tij: "…aqë sa munda luftova me gjithë zemër jo për qishdo lakmi e lavdi të mrazët, po me një të madh dëshirë për ndihmë të patries e të gjuhës sonë„ .
Figura e Pjetër Budit ngrihet si shembull heroizmi e vetëmohimi për vendin dhe popullin e vet, duke u bërë në disa drejtime pararendës i rilindësve.

De Rada kishte nxjerrë në dritë Rrëfimet e Arbrit

 

Jeronim De Rada lindi më 1814
 në fshatin e vogël dhe piktoresk Maki të Kozencës, jo larg nga Shënmitër Korona, qendër e kolegjit arbëresh Shën-Adrianit. Në këtë kolegj De Rada i ri kreu studimet e para, që patën rëndësi të veçantë për formimin e personalitetit të tij. Aty ai studioi letërsinë antike dhe moderne, njohu idetë e Revolucionit Francez, që ndikuan në formimin e personalitetit të tij. Më 1833 De Rada mbaroi kolegjin dhe i ati e mbajti një vit në fshat, për të përmirësuar shëndetin. Pikërisht gjatë qëndrimit në vendlindje ndodhën dy ngjarje, që do t'i jepnin hov krijimtarisë së tij letrare. Në shekullin XIX ngulmimet arbëreshe, sidomos ato të arbëreshëve të Italisë kishin ruajtur të paprekur ndjenjën e dashurisë për atdheun e të parëve, gjuhën, zakonet e tradiat stërgjyshore, e shfaqën me një forcë të veçantë vetëdijen e tyre shqipatre edhe në fushën e lëvizjes kulturore e letrare. Letërsia e re që lindi tek arbëreshët përtej Adriatikut nga dhjetëvjetëshi i tretë i atij shekulli, me gjithë tiparet e veçanta që buronin nga kushtet në të cilat ndodheshin të mërguarit, ishte një degë e letërsisë shqiptare të kohës, e lindur si shprehëse e idealit të çlirimit të atdheut. Prandaj, në qendër të kësaj letërsie ishte ideja patriotike, evokimi i traditav e të lavdishme të popullit tonë dhe, në rradhë të parë, i kohës së Skënderbeut. Tipari themelor i jetës politike të Italisë në gjysmën e parë të shekullit XIX në Itali eci përpara proçesi i shuarjes së marrdhenieve feudale dhe i zhvillimit të marrdhënieve të reja kapitaliste. Italinë, veçanërisht pjesën jugore të saj e dallonte një prapambetje dhe varfëri e madhe
Pikërisht në këto kushte i dhanë hov lëvizjes kombëtarepër çlirimin e vendit. Në krye të lëvizjes së masave në vitet `20 u vu borgjezia liberale dhe organizata e fshehtë e karbonarëve.
Lufta e tyre arriti një rezultat të pjesshëm: kufizimi i absolutizmit përmes kushtetutës. Në vitet `30 doli në skenë oragnizata "Italia e Re„, e themeluar nga revolucionari Maxini, që rrithte nga shtresat e borgjezisë së vogël. Ajo veproi përmes kompllotesh e kryengritjesh, të cilat dështuan, sepse organizata nuk nuk mbështetej në masat e gjera të popullit. Të njëjtin fat pësuan edhe aksionet revolucionare popullore në vitet 1848-`49, kur levizja për çlirimin e Italisë u ngrit në një shkallë të re dhe mori përpjestime shumë të gjera. Si rrjedhim, bashkimi i Italisë u arrit vetëm në vitin 1867 dhe u konsolidua plotësisht me 1870. Frytet e fitores i korrën borgjezia e madhe dhe çifligarët liberalë, të cilët nuk i plotësuan kërkesat e masave për ndryshime shoqërore, madje as për republikë dhe e bashkuan Italinë nën dinastinë e Savojës. Një rol të ndjeshëm në ngjarjet e kohës luajtën edhe arbëreshët, që në lëvizjen për çlirimin e zhvillimin demokratik të vendit shfaqën një heroizëm e shpirt sakrifice të rrallë.
Në këto kushte, te bashkatdhetarët tanë përtej detit lindi një veprimtari aktive politiko-kulturore e letrare, që u dendësua sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Kjo veprimtari mori hov nga kontaktet përherë e më të dendura me lëvizjen kombëtare të Shqipërisë, me rrethet politike të ngulimeve të ndryshme shqiptare dhe me personalitetet më të shquara që ishin në krye të kësaj lëvizjeje. Letërsia arbëreshe e shekullit XIX kishte si tipar të saj kryesor patriotizmin. Duke qenë shprehje edhe e aspiratave demokratike dhe e pakënaqësisë ndaj kushteve shoqërore, ajo, që në fillim i kushtoi vëmendje të veçantë problematikës shoqërore.
Për frymën demokratike të letërsisë arbëreshe dëshmon edhe interesi që u tregua për luftën çlirimtare të popujve të tjerë. Kjo letërsi gjeti shprehjen e vet përmes drejtimit letrar të romanticizmit, po u ushqye nga një filozofi që, me racionalizmin e saj, dukej se binte në kundërshtim me "etjen për pafundësi„ dhe "kultin e ndjenjës„, që e dallonte këtë drejtim nga filozofia iluministe.
Figura më e ndritur e kësaj letërsie dhe një nga figurat më të mëdha të Rilindjes sonë është Jeronim De Rada.Jeronim De Rada lindi më 1814 në fshatin e vogël dhe piktoresk Maki të Kozencës, jo larg nga Shënmitër Korona, qendër e kolegjit arbëresh Shën-Adrianit.
Në këtë kolegj De Rada i ri kreu studimet e para, që patën rëndësi të veçantë për formimin e personalitetit të tij. Aty ai studioi letërsinë antike dhe moderne, njohu idetë e Revolucionit Francez, që ndikuan në formimin e personalitetit të tij.
Më 1833 De Rada mbaroi kolegjin dhe i ati e mbajti një vit në fshat, për të përmirësuar shëndetin. Pikërisht gjatë qëndrimit në vendlindje ndodhën dy ngjarje, që do t'i jepnin hov krijimtarisë së tij letrare. Djali u njoh me folklorin, që i zbuloi atij shpirtin e popullit të vet. Po në këtë kohë ai njohu një vajzë të varfër, të bijën e një bariu, që e afroi me njerëzit e thjeshtë dhe i frymëzoi vjersha të ngrohta dhe të ndiera. Një botë më e gjerë u hap para De Radës së ri më 1834, kur i ati e dërgoi të studionte për drejtësi në Napoli, qendër e madhe kulturore-politike e Italisë së Jugut. Aty i riu arbëresh u njoh me lëvizjen letraree politike të kohës, shkroi dhe botoi krijimet e para letrare. Aty lindi vepra e tij e parë e botuar "Këngët e Milosaos„, që shënonte agimin e një periudhe të re për letërsinë kombëtare. Kjo vepër hodhi kushtrimin për çlirimin e atdheut të stërgjyshërve:
"Erdhi dita e Arbërit„!
Vepra "Këngët e Milosaos„ u botua më 1836. Poema, me vlerat e saj të spikatuar ideore dhe artistike, e bëri të njohur poetin dhe ngjalli entuziazmin e arbëreshëve. Që nga ajo kohë fillon për De Radën një rrugë e re: rruga e përpjekjeve aktive për t'i dhënë dritë atdheut të të parëve. Po atë vit ai u shtrëngua të ndërpriste studimet dhe të kthehej në fshat, për shkak të kolerës që kishte rënë në Napoli. Pa shkuar asnjë vit poeti mori pjesë në një komplot për të përmbysur regjimin absolutist të Burbonëve. Komploti dështoi dhe poeti, për t'i shpëtuar burgosjes ose dënimit me vdekje, u detyrua të jetonte gjashtë muaj si komit.
Edhe më vonë, kur ai bënte praktikën si avokat në Napoli, policia e gjurmonte si njeri të dyshimtë. Më në fund e arrestoi dhe e burgosi. Pas lirimit nga burgu, De Rada mbeti pa punë dhe u shtrëngua të hynte si mësues privat në një familje fisnike të Napolit.
Më 1840 ai botoi poemën e vet të dytë, "Serafina Topia„ e cila më tepër sesa një poemë dashurie, ishte një himn për bashkimin dhe vllazërimin e shqiptarëve. Censura burbone, duke kuptuar idetë liridashëse të librit, nuk lejoi qarkullimin e tij. Megjithatë, poeti vazhdoi rrugën e krijimtarisë, duke plotësuar "Milosaon„ me këngë të tjera, duke botuar, për herë të dytë poemën "Serafina Topia„ dhe tragjedinë "Numidët„(italisht). Në këtë periudhë De Rada u bë i njohur edhe jashtë kufijve të Italisë. Veprimtaria letrare nuk e largoi poetin nga politika. Baticat revolucionare të vitit 1848 e gjetën De Radën duke mbrojtur aktivisht pikëpamjet përparimtare përmes gazetës së tij "Arbëreshi i Italisë„. Shpërthimi i reaksionit të egër e detyroi atë të mbyllte gazetën e të tërhiqej në fshatin e lindjes "për të pritur kohë më të mira„. Megjithatë, poeti, nëpërmjet punës së vet, nuk e reshti veprimtarinë politike. Në këtë kohë ai iu kushtua më tepër çështjes kombëtare shqiptare. Më 1849, pas përpjekjeve aktive të De Radës, në kolegjin e Shën-Adrianit u vendos mësimi i shqipes dhe poeti u bë mësues is saj., po pas tre vjetësh u pushua nga puna për idetë e tij përparimtare. 
Më 1847 dhe më 1848 De Rada kishte nxjerrë në dritë Rrëfimet e Arbrit, katër novela në vargje, ku ideja patriotike vinte duke u fuqizuar në krahasim me krijimet e tij të para. Këto novela dalloheshin për një romantizëm me karakter të stuhishëm, për thellësi lirizmi, por kishin edhe ërrësi dhe copëzim. Më 1850 poeti u martua me arbëreshen Madalena Melkji, me të cilën pati katër djem. Pas vitit 1860 ai filloi të boronte një sërë veprash estetike, gjuhësore, politike, folklorike, që mbështetnin aktivisht çështjen shqiptare, si"Parimet e estetikës„(1861), "Lashtësia e kombit shqiptar„(1864), "Rapsodi të një poeme arbëreshe„(1866) etj. Më 1878 poeti ngriti hapur zërin në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, duke protestuar me forcë kundër cënimit të terësisë tokësore të Shqipërisë. Ai tashmë ishte lidhur ngushtë me lëvizjen kombëtare dhe atdheun e të parëve dhe militonte në dobi të kësaj çështjeje edhe nëpërmjet publiçistikës. Kështu, më 1883-`87 De Rada nxorri revistën e parë shqiptare "Flamuri i Arbrit„, që u bë tribinë atdhetarizimi dhe mbrojtëse e interesave tona kombëtare ndaj synimeve grabitqare të shovinistëve fqinjë dhe të imperializmit austriak e italian, duke shtruar kërkesën për autonominë e Shqipërisë. Vitet e fundit të jetës qenë të rënda e të mundimshme. Fatkeqësitë e rënda familjare (vdekja e gruas dhe e djemve) nuk e mposhtën poetin, përkundërazi ai u bë më i zjarrtë se kurrë në veprimtarinë e tij poetike e krijuese. Në këtë kohë ai përfundoi poemën e gjatë "Skënderbeu i pafat„, poemën "Gjon Huniadi„ variantin e fundit të "Serafina Topisë„, me titull "Një pasqyrë e jetës njerëzore„. De Rada organizoi edhe dy kongrese gjuhësore për çështjen e shqipes (Koriljano Kalabro, 1895, Ungër, 1897), mori pjesë në Kongresin XII të orientalistëve ne Romë, ku foli për gjuhën tonë dhe, me përpjekjet e tij u cel një katedër e shqipes në Institutin e Gjuhëve Orientale në Napoli.
Në këtë periudhë ai ishte përsëri mësues i shqipes në Shën-Adrian. Vdiq me 1903, në moshën nëntëdhjetëvjeçare, në një dhomë të shkretë, pa dritë, pa zjarr, pa bukë, duke lënë pas pikëllimin e gjithanshëm të arbëreshëve.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...