2012-02-15

Adem Demaçi bëhet Adem Dema

Nga Flori Bruqi


description




Së shpejti lexuesi shqiptar do të ketë në dorë një vepër mjaft interesante. Është fjala për librin më të ri të Adem Demaçit, "Shkrumbnajë e dashur".

Këtu nuk është surpriza, pasi që tashmë me vite Demaçi i ka dhënën letërsisë sonë vepra interesante dhe të rëndësishme. Por, mbiemri me të cilin është nënshkruar autori i librit, tani nuk është Adem Demaçi, por Adem Dema. Për botimin e tij është kujdesur Shoqëria Shqiptare në Gjermani dhe Shtëpia Botuese "MediaPlusArt" në Prishtinë.

Vepra është një roman interesant përmes të cili autori ka sjellë një pjesë të jetës së tij. Kjo është konfirmuar edhe nga botuesi Fehmi Ajvazi, krijues dhe publicist. Ai në një prononcim për medie ka konfirmuar se ne këtë libër Demaçi do të prezantohet me mbiemër të ri-Dema.

Sipas tij, dalja me mbiemër të ri ka qenë kërkesë e vetë autorit të libri. "Kjo ka qenë kërkesa e Demaçit, kështu që ne si botues nuk kemi çka të shtojmë", ka thënë Ajvazi, duke shtuar se pas këtij botimi Demaçi do të quhet Dema.

Ajvazi ka thënë se romani "Shkrumbnajë e dashuri", është një roman i mirë dhe i lehtë për t'u perceptuar nga lexuesit. Po sipas tij, edhe ky roman në njëfarë mënyre është një vazhdimësi e romaneve që gjatë këtij 10-vjeçarit të fundit janë botuar nga ky autor. "Personazhet e këtij romani janë njerëzit e afërt të autorit, të cilët së bashku me të kanë përjetuar tragjedinë, tmerrin, dhunën e ushtruar ndaj popullit tonë gjatë dekadave të tërë. Është një rrëfim i sinqertë dhe mjaft i lehtë për t'u kapur nga lexuesi, i cili do ta ketë fare të lehtë për ta kuptuar luftën dhe heroizmin e popullit tonë", është shprehur botuesi i librit Fehmi Ajvazi. Libri është botuar këtë vit dhe përjashtuar disa vëllimeve që do të jepen kryesish falas, sipas Ajvazit në Kosovës nuk do të dalë në shitje, "Botimi i këtij libri do të dalë në shitje në Gjermani", është shprehur Ajvazi./Isa Vatovci/.




Autobiografi e shkurtër e Adem Demaçit

Sipas kujtimeve të nënës së tij kreshnike, Nazife Lahu- Demaçi, Adem Demaçi u lind diku në gusht-shtator 1935, por zyrtarisht ati i tij Zeqiri e regjistroi më 26.02.1936.
U rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, së pari herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit, babai arriti ta regjistronte Ademin në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën.

Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm, por me guximin dhe kureshtjen e vet, shumë herë shkaktonte “skandale” politike”.



Gjatë një festimi të shkollës, Adem Demaçi, papritur e pyeti mësuesen e vet Vezire Gllavica, “Mësuese, përse shqiponja në flamurin tonë është e rrethuar me sëpata?”. Kjo pyetje prishi atmosferën në klasë. Mësuese Vezirja që, deri në atë moment, plot gëzim e hare, tregonte se si më 1912, në Vlorë, Ismail Qemali me burrat e tjerë shqiptarë kishte ngritur përsëri flamurin e Gjergj Kastriotit, vrik ua ktheu shpinën nxënësve dhe u zhgreh në vaj. Nxënësit duke vërejtur se mësuesja Vezire dëneste, edhe ata u zhgrehën në vaj. Vetëm Ademi i vogël mbeti si i ngrafitur nga habia përse e gjithë klasa bashkë me mësuesen qante për shkak të një pyetje aq të thjeshtë që i kishte drejtuar mësueses aq të dashur.



Duke mos gjetur përgjigje ngushëlluese edhe ai iu bashkua vajit e dënesjes së përgjithëshme. Pas një copë here, mësuesja Vezire e mori veten, fshiu lotët, iu afrua Ademit të vogël dhe duke ia përkëdhelur flokët e bardhë iu drejtua nxënësve tashmë të qetësuar me fjalë trimëruese: “Edhe pak kohë shqiponja jonë ka për t’i luajtur krahët e vet të fuqishëm dhe ka për t’i bërë copë e grimë sopatat e zeza fashiste!”


Edhe si nxënës i klasës së parë të Gjimnazit Real të Prishtinës, më 1946, Adem Demaçi me pyetjen e vet “Pse edhe nxënësit serbë nuk mësojnë shqip sikurse shqiptarët që mësojnë serbisht?” që ia drejtoi arsimtares Zorka Peçenoviq, bëri që kjo e fundit, e befasuar dhe e dëshpëruar nga kjo pyetje, pasi që nuk ia doli ta qetësojë klasën me shpjegimet e veta, u zhgreh në vaj dhe me lot në sy u largua nga ora e mësimit, duke iu ankuar drejtorit të gjimnazit për atë që kishte ndodhur në klasë. Vetëm mosha fort e njomë e Ademit e shpëtoi atë që të mos përjashtohej nga shkolla.



Në një tubim të letrarëve të Kosovës, më 1955, ku ishin të pranishëm edhe udhëheqës të lartë partiakë e shtetërorë të Kosovës dhe ku këmbëngulej që të provohej se në Kosovë ishin duke u bërë hapat e parë të letërsisë, Adem Demaçi, i cili sapo kishte filluar studimet e letërsisë në Beograd, u ngrit e tha se “ne nuk jemi duke bërë kurrëfarë hapash të parë, sepse ne kemi tashmë traditën tonë letrare, kemi Naimin, Çajupin, Migjenin, Spasen, Nolin, Kutelin dhe se ne vetëm duhet të vazhdojmë rrugën e tyre në letërsinë tonë”. Kjo qe një sfidë që tregoi se në mes të letrarëve të Kosovës po lindëte rebeli.



Gjithashtu, në një tubim tjetër, një vit më vonë, të letrarëve të Kosovës, pasi që Mehmet Hoxha, një udhëheqës ende me ndikim në hierarkinë e udhëheqësve shqiptarë të asaj kohe, u zotua që të mos lexohej dhe të mos botohej Ernest Koliqi që jetonte dhe krijonte në Itali, Adem Demaçi, duke marrë pjesë në diskutim tha se “nuk ka asgjë të keqe nëse e lexojmë Koliqin sepse ai është mjeshtër i rrallë i novelës shqipe dhe se ne kemi shumë çka të mësojmë nga ai”. Kjo nuk kaloi pa mërmëritje në qarqet politike të Kosovës, por regjimi komunist më shumë preferonte që, po të qe e mundur, Demaçin e talentuar dhe tashmë të popullarizuar, ta bënte për vete se sa të merrte masa kundër tij.

Adem Demaçi, krahas krijimtarisë letrare, ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve. Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap. Dënonte fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955-1956, dënonte arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto raprezalje frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi.



Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçit “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit. Romani, nën petkun letrar, me aludime dhe metafora pothuaj të hapta ishte në të vërtetë nje mesazh politik.

Porosi ishte që shqiptarët t’i lenin më një anë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist. Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej. Ai do të vihej, shumë shpejt, para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të inkorporohej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të shqelmohej pa mëshirë nga regjimi dhe do të kalonte nëpër kalvarin e pafund të mundimeve.



Në verën e 1958, Demaçit iu sugjerua në mënyrë subtile që të inkuadrohej në rradhët e Lidhjes Komuniste, gjë që po ashtu butazi u refuzua nga ai. Mirëpo, kur pas një farë kohe atij ky sugjerim iu bë në mënyrë këmbëngulëse, Demaçi po ashtu u përgjigj me vendosmëri: “Shikoni, për ju më mirë do të jetë të mos ngatërroheni me këtë punë, sepse kur do të më përjashtonin nga Partia, dikush do të mund të kujtohej e të pyeste se kush qe ai që e propozoi Ademin të anëtarësohet në Lidhjen Komuniste dhe do ta “hanit” edhe ju bashkë me mua!”. Me kaq kupa u derdh!



Në kreun e UDB-së u vendos që Demaçit t’i merrej liria dhe me këtë hap të arriheshin dy objektiva: së pari të eliminohej vetë ai si element “turbullues” dhe së dyti dhe kjo është më e rëndësishmja, inteligjencës shqiptare t’i futej data dhe të mos guxonte të dilte nga binarët e nënshtrimit dhe të konformizmit.
Për këtë qëllim, më 19.11.1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua dhe pas disa muajsh në hetuesi, u nxuar para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”.

Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të mos derdhet gjaku dhe të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me nënën e vet- Shqipërinë!



Qytetarët që kishin mbushur sallën e madhe të gjyqit nuk i përmbajtën dot lotët. Vetëm nëna Nazife nuk qante. Ajo ishte krenare me birin e vet trim.

Dënimin drakonik prej pesë vjetësh Adem Demaçi e priti me buzëqeshje. Sfidën e regjimit për t’u sakrifikuar krejtësisht dhe përgjithmonë për lirinë e Kosovës Demaçi e pranoi me një mendje dhe pa mëdyshje.
Pas daljes nga burgu i parë, nëna i pat thënë: “Bir i nënës, Nëna Nazife, herët ose vonë, një ditë do të vdesë, por populli shqiptar nuk ka për të vdekur kurrë, prandaj lere Nënën Nazife në dorën e Zotit e ti kapju popullit!”

Adem Demaçit iu desh vetëm leja e nënës së vet që me krejt forcën, t’i përkushtohej përpjekjeve politike në funksion të lirimit të popullit shqiptar nga dominimi, diskriminimi dhe destruksioni serbomadh.
Nga pranvera e 1963, Adem Demaçi, bashkë me Ahmet Haxhiun (i ndjeri), Fazli Graicevcin ( i ndjeri), Zeqir Gërvallën, Selman Berishën, Azem Beqirin, Hilmi Rakovicën (i ndjeri), Emine Rakovicën, Rexhep Ukë Drenicën (i ndjeri), Tefik Karamanin, Xhaferr Mahmutxhikun, Dibran Bajraktarin ( i ndjeri), Teki Dervishin( Kadri Kusarin ( i ndjeri), Din Spahiun ( i ndjeri), Isa Demajn (i ndjeri), Rexhep Elmazin ( i ndjeri), Shefqet Strofcin, Avdyl Lahun ( i ndjeri), Mustafa Venharin ( i ndjeri), Hysen Dacin, Mahmud Dacin ( i ndjeri), Durak Mazrekun ( i ndjeri), Mejreme Berishën, Sulejman Drinin ( i ndjeri), Elheme Shalën, Ali Sokolin ( i ndjeri), Drita Halimin, Xheladin Dedën ( i ndjeri), Ajshe Cakën dhe Nazmi Sejdiun, iu rrek punës së rrezikshme dhe tepër të vështirë për formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.

Regjimi policor serb kishte qenë gjatë tërë kohës në përcjellje të Adem Demaçit me shokë. Pas dy-tre aksioneve, më 8 qershor 1964, ky u arrestua bashkë me shumicën e organizatorëve. Pas hetimesh të egra, gjatë të cilave, nga torturat pat vdekur Fazli Grajcevci, grupi u nxuar para gjyqit.

 Dënimet qenë vërtet drakonike (prej gjashtë deri në pesëmbëdhjetë vjet), mirëpo edhe efekti politik, si në opinionin e brendëshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, ishte fort i madh. Në qarqet politike të kohës, regjimit të Jugosllavisë së atëhershme i duhej të përgjigjej ndaj shumë pyetjeve të pakëndëshme. Titoja, mjeshtri i madh i kozmetizimit të totalitarizmit, tashmë u detyrua të mendonte si të distancohej dhe të shpëtonte nga hija e Aleksandër Rankoviqit, për të vazhduar edhe më tutje pushtetin e vet.

Kur Adem Demaçi, më 8 qershor 1974, doli nga burgu i Pozharevcit, gjendja në Kosovë ishte larg më ndryshe se në qershor 1964. Edhe pse dominimi jugosllav ende ishte mjaft i pranishëm, për sa u takon çështjeve thelbësore për lirinë e Kosovës, gjasat për të arritur lirinë përmes një evolucioni të shkallëshkallshëm nuk ishin të pamundëshme.

 Dukej se për Titon dhe për komunistët, tashmë të moderuar sllovenë, kroatë dhe boshnjakë, ideja dhe mundësia e pavarësimit të dalëngadalshëm të të gjitha njësive federale nuk ishte më diçka e huaj dhe e largët, përfshi këtu edhe Kosovën, deri në një lidhje konfederale. Kështu do t’i jepej fund të gjitha kundërshtive dhe kundërthënieve nacionale në ish federatën jugosllave.

 Mirëpo krerët e komunistëve serbë, maqedonas dhe malazias kishin frikë pikërisht nga një mundësi e tillë, prandaj po merrnin masa intensive në funksion të monolitizimit të shtetit jugosllav dhe të jugosllavizmit si variant i pansllavizmit ortodoks.

Në frymën e këtyre tendencave, gjatë vitit 1975 në Kosovë, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Vojvodinë, ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, u bënë shumë burgosje arbitrare dhe u montuan shumë procese gjyqësore kundër njerëzve të cilët policia sekrete serbe i konsideronte të rrezikshëm dhe bartës të forcave disintegruese të Jugosllavisë.

Me këtë qëllim, me 6 tetor 1975, Adem Demaçi u burgos në Prishtinë për të tretën herë. Në procesin e kurdisur, pas hetimeve mizore, u dënuan, me dëshmitarë të rremë dhe në mënyrë të pamëshirshme, Adem Demaçi, Rexhep Mala ( i ndjeri), Skënder Kastrati dhe 16 vetë të tjerë. Dënimet u prenë prej 15 deri në 5 vjet. Ndonëse fare i pafajshëm, Adem Demaçi, nuk hoqi dorë nga ideja e tij se shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lirë dhe të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe shqiptimin e dënimit ndaj tij prej 15 vjetësh ai e priti me buzëqeshje. Tani ai e kishte krejtësisht të qartë se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e shpartallimit të vet të sigurt.

Në mars të vitit 1990, në kazamatin famëkeq të Stara Gradishkës, ku qendronin të patundur, Adem Demaçi dhe tridhjetë shqiptarë të tjerë, tash katërmbëdhjetë vjet, për herë të parë, autoritetet policore lejuan të hynin brenda nëpunësit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

 Pastaj lejuan të hynin edhe disa gazetarë. Të gjithë gazetarëve me të cilët pati rastin të takohej, Adem Demaçi u pati thënë se z. Millosheviq, me politikën e vet punon për shpartallimin e Jugosllavisë. Jugosllavinë tashmë e kishin përfshirë ethet e dekompozimit. Demaçi mundohej që ky dekompozim të bëhej dalëngadalë, në mënyrë paqësore dhe pa gjakderdhje. Nga perspektiva dhe rrethanat e asaj kohe kjo dukej e mundëshme.

Me 21 prill 1990, Adem Demaçi me shumë shokë nga burgjet e Kroacisë u liruan.
Në intervistën e parë një ditë a dy pas lirimit nga burgu, që ai e dha për televizionin slloven, pa shprehur kurrëfarë urrejtje ose mllef hakmarrës, Ademi u mundua të hapte rrugë e shtigje për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe të favorshme për të gjithë ata që jo vetëm me fjalë por edhe me vepra ishin për liri dhe barazi në hapësirat e Ballkanit.

Në një takim në Ljubjanë, para një auditori të madh, Demaçi, nuk nguroi që të shprehej kundër variantit me luftë për zgjidhjen e mosmarrëveshjve me Serbinë. Madje për habinë e të gjithëve, duke synuar urat e mirëkuptimit, ai për herë të parë e përdori edhe dyfjalëshin “vëllezërit serbë”.

Në pranverë të vitit 1991 Demaçin e bindën që të merrte kryesinë e “Këshillit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”. Këshilli edhe deri atëhere kishte punuar dhe kishte dhënë ndihmesë të madhe, por me ardhjen e Adem Demaçit në krye të tij, falë autoritetit të tij të madh në popull, falë guximit, aftësive organizative dhe këmbënguljes së tij, këshilli, nga një kolektiv prej gjithsej 25 vullnetarësh, pa lokale të veta dhe pa mjete materiale, shumë shpejt, gjeti lokalet e veta të punës, krijoi mjete të domosdoshme materiale për një punë sadokudo normale, krijoi nëndegët e veta në të gjitha qendrat e Kosovës dhe në shumë qendra të njohura të botës, kështu që në rradhët e tij ai përfshiu më se 2000 anëtarë.

Fjala e lirë dhe mendimi i lirë i Këshillit me në krye Adem Demaçin po ndiheshin gjithnjë e më shumë në botë.

Në dhjetor 1991, Parlamenti Evropian në Strasburg, me angazhimin e fortë të të ndjerit Aleksandër Langer, të zonjës Doris Pack, të shumicës së deputetëve të këtij parlamenti dhe me angazhimin e pakursyer të bashkëatdhëtarëve tanë Behare Rexhepi dhe Reshat Sahitaj, i akordoi z. Demaçi çmimin e lartë “Sakharov”.

Pas kësaj mirënjohje të lartë Adem Demaçi ndërmori një turne të gjatë nëpër botë me ç’rast takoi shumë personalitete të njohura botërore si dhe shumë bashkëatdhëtarë tanë të shpërndarë në të katër anët e botës.
Pas kthimit nga udhëtimi i dytë në SHBA, në pranverë 1993, Demaçi mori një ftesë për të kontaktuar drejtpërdrejt me shikuesit e televizionit të Beogradit dhe të Serbisë përmes televizionit të pavarur të Beogradit.

Ftesën e pranoi pa mëdyshje. Brenda 100 minutave, sa zgjat zakonisht emisioni i drejtpërdrejt, mu në mes të Beogradit, Demaçi mbrojti me dinjitet, me argumenta dhe në mënyrë të shkëlqyeshme të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë të lirë dhe të pavarur si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.

Në verën e vitit 1994, me ftesë të Rrethit të intelektualëve të Beogradit (Beogradskij Krug), në krye të të cilit qendronte profesori i ndritur dhe disidenti i njohur, tash i ndjeri Miladin Zivotiq, Demaçi u gjend sërish në Beograd. Mbeti e paharrueshme fjala e tij e frymëzuar që ua tha intelektualëve të Beogardit: “. Për këtë që kaq fort e dua lirinë për popullin tim, për këtë jeni edhe ju fajtorë, zotërinj të nderuar, sepse edhe prej jush kam mësuar se si duhet liria e pavarësia..”

Edhe në vitin 1995, bashkë me Bajram Kosumin dhe Masar Stavilecin, Adem Demaçi, para po të njëjtit forum në Beograd, u mundua që të mbante gjallë dhe të forconte shansin e zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës edhe pse “Marrëveshja e Dejtonit” qe një paralajmërim zhgënjyes për ata që besonin në zgjidhjet paqësore në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Pas shpërthimeve të para të organizuara në shumë pika të Kosovës njëkohësisht, në pranverë të 1996, me angazhimin energjik të anëtarëve të nënkëshillit tonë në Bruksel, Behare Rexhepit dhe Reshat Sahitajt, Adem Demaçi mori rrugën për në Bruksel, Hagë dhe Londër. Përpjekjet e Demaçit për të bindur dhe angazhuar fuqitë evropiane që të përdornin mjetet e tyre për të penguar gjakderdhjen edhe më të madhe që po paralajmërohej në Kosovë, hasën në moskuptimin dhe mospërfilljen e faktorëve përkatës dhe Demaçi u kthye në atdhe shumë i mërzitur dhe i zhgënjyer.

I bindur se pa gjak regjimi serb nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë nga pushtimi i Kosovës, Demaçi, më në fund, nuk i refuzoi thirrjet, disa herë të përsëritura, që t’i bashkohej Partisë Parlamentare. Qëllimi ishte që me anë të PP të krijohej mbështjellësi i domosdoshëm dhe i kualifikuar politik për lëvizjen çlirimtare që tanimë rridhte nga zemra e popullit dhe kishte vendosur të paguante çdo çmim për lirinë e vet.

Qëllimi tjetër më i zgjeruar ishte që përmes PPK të krijohej “Forumi Demokratik i Kosovës”, një lëvizje e kompletuar gjithëpërfshirëse politike e cila do të na shpinte deri te liria e Kosovës me shumë më pak sakrifica.

Me synim që UÇK të vendosej faktikisht dhe formalisht në qendër të lëvizjes gjithëpopullore për liri të Kosovës, Adem Demaçi bashkë me bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë të udhëheqjes së atëhershme të PPK, më 5 dhjetor 1997, i drejtoi një Letër të hapur UÇK-së. Me gjithë angazhimin e parezervë për realizimin e këtyre synimeve tejet të domosdoshme, këto përpjekje hasën në moskuptimin tragjik dhe paaftësinë fatale të aktorëve të tjerë politikë që nuk ishin në lartësinë e duhur të momentit dramatik historik.

Me 22 shkurt 1998, Adem Demaçi, në Prishtinë, në Qendrën Amerikane, në cilësinë e Kryetarit të PPK pati një përballje dramatike me të dërguarin special të SHBA-së për hapësirën e ish Jugosllavisë, z. Gelbard. Në përpjekjet e atëhershme të gabuara amerikane për të zgjidhur çështjen e Kosovës duke nënshtruar shqiptarët, z. Gelbard kërkoi nga Adem Demaçi që edhe ky të përkrahë tezën e tij të gabuar se UÇK ishte organizatë terroriste!

Kjo kërkesë hasi në kundërshtimin e vendosur të Demaçit. Z. Gelbard tri herë me zë të ngritur i tha Demaçit se “UÇK-ja është organizatë terroriste”, kurse Demaçi tri herë përsëriti së UÇK-ja ishte organizatë çlirimtare. Takimi përfundoi në atë mënyrë që bashkëpunimi midis Adem Demaçit dhe PPK në njërën anë dhe amerikanëve në anën tjetër, rreth zgjidhjes së çështjes së së Kosovës, u ftoh për disa muaj të ardhëshëm.

Me 12 gusht 1998, me ftesën e udhëheqjes së UÇK-së në Tiranë u arrit marrëveshja gojore që Adem Demaçi të merrte përsipër udhëheqjen politike të UÇK-së dhe të përfitonte mundësinë për krijimin e Asamblesë së Kosovës.

Pas kësaj, Adem Demaçi, në mes të Prishtinës, mu përpara kthetrave të kulçedrës kriminale, hapi Përfaqësinë Politike të UÇK-së dhe rreth vetes mblodhi shumë këshilltarë kompetentë që e ndihmuan pa rezerva për gjashtë muaj- deri më 26 shkurt 1999, aq sa edhe zgjati bashkëpunimi shumë i gjallë dhe i frytshëm midis udhëheqjes së UÇK-së dhe Adem Demaçit e stafit të tij të vyer e lojal.

Adem Demaçi nuk u pajtua me “Projektin e Rambujesë” sepse ai ofronte vetëm një autonomi tepër të cunguar për shqiptarët.

Gjatë bombardimeve të forcave të NATO-s mbi Serbinë dhe mbi caqet usharake në Kosovë, Adem Demaçi refuzoi të fshihej ose të arratisej nga Kosova.

Rezultate modeste në kulturë

description





Institucionet shtetërore të Kosovës vazhdojnë të proklamojnë se janë duke dhënë maksimumin në promovimin e shtetësisë së Kosovës. Jashtë nuk ka mbetur edhe Ministria e Kulturës, puna e së cilës në këtë drejtim është vlerësuar në mënyra të ndryshme nga njerëzit e kulturës. Në fakt, duhet të pranojmë se institucionet kulturore, në këtë rast MKRS-ja. Nuk mund të bëjnë ndonjë gjë të madhe në këtë drejtim. Ajo çfarë mund të bëjë kryesisht ka të bëjë është të mbështesë prezantimin e institucioneve dhe iniciativave të ndryshme kulturore jashtë shtetit të Kosovës. Njerëzit e kulturës thonë se MKRS-ja nuk ka bërë sa duhet në prezantimin e shtetësisë së Kosovës gjatë këtyre 4 vjetëve. E në këtë drejtim në masë të madhe ka ndikuar edhe buxheti i vogël që ndahet për këtë ministri, por edhe ndërrimet e shpeshta të ministrave dhe stafit të lartë të kësaj ministrie. Skenaristi Arian Krasniqi në një prononcim për "Kosova Sot" është shprehur se gjatë këtyre viteve nuk është parë ndonjë angazhim serioz nga MKRS-ja në këtë drejtim. "Unë mendoj se tash e sa vite nuk kemi pasur ndonjë angazhim serioz e institucional, e aq më pak nga MKRS-ja për promovimin e vendit tonë përmes artit dhe kulturës", ka thënë ai. Sipas tij, këto vite të pavarësisë më shumë janë konsumuar në aspektin politik, se sa në atë kulturor e artistik. "Kjo do të thotë që ne ende mbesim larg caktimit të prioriteteve kulturore që do të rezultonte me një promovim kulturor e artistik të vendit tonë jashtë", është shprehur ai. Ndërsa regjisori Mahir Musliu është shprehur se gjatë këtyre viteve të Ministria e Kulturës ka luajtur një rol modest. Ai ka thënë se përmes artit filmik shteti ynë mund t'i afirmojë vlerat dhe resurset e veta. Por, sipas tij, kjo nuk bëhet me 400 mijë euro në vit. Edhe shkrimtari Ardian Haxhaj ka thënë se MKRS-ja nuk ka buxhet për të kryer punë si duhet në këtë drejtim. Ai ka thënë se është bërë traditë që Ministria e Kulturës të ketë një buxhet krejtësisht inferior për mbështetjen e aktiviteteve kulturore, apo për zhvillimin e projekteve të ndryshme letrare, kinematografike, muzikore etj., me të cilat Kosova mund të prezantohej jashtë kufijve të saj. "Zhvillimi i aktiviteteve kulturore në shtetet e vogla si Kosova e kanë të pamundur të krijojnë të hyra vetjake, me një fjalë ta mbajnë vetveten dhe të përfitojnë materialisht, pa subvencionimin e buxhetit të shtetit", është shprehur shkrimtari Haxhaj.
I. Vatovci

Himni i Kosovës ende pa tekst!

description




Ajo shpreson se shpejt edhe Kosova ta ketë himn me tekst, sepse vetëm kështu do të ketë më shumë emocion himni kombëtar. Edhe këngëtarja Anita Ahmeti thotë se himni do të ishte shumë më mirë edhe më tekst, sepse atëherë do të ishte më i plotësuar. Edhe pse ajo mendon se himni kombëtar nuk do të zëvendësohet asnjëherë. "Për mendimin tim do të ishte shumë më mirë dhe më i plotësuar po të kishte himni edhe tekst, kështu që mendoj se do të do të ndikonte pozitivisht teksti i himnit edhe në përfaqësim ndërk­ombëtar të artistëve, sportistëve dhe çdo kosovari që merr pjesë në ndonjë event ndërkombëtar", thotë këngëtarja Anita Ahmeti.Më 17 shkurt 2012 do të bëhen katër vjet që kur Kosova u bë shtet i pavarur. Natyrisht se me ardhjen e pavarësisë u bë e nevojshme dhe e domosdoshme që të kemi një flamur, himn. Të dyja u bënë, por ajo që mbeti në gjysmë ishte himni, i cili u bë vetëm me melodi, por pa tekst. Këngëtarët dhe kompozitorët thonë se himni me tekst do të ishte më i kompletuar. Kompozitori Ilir Tolaj tha se do të ishte mirë që himni të kishte tekst. "Besoj se do të ishte mirë që himni të kishte tekst, por ka shumë shtete që e kanë himnin pa tekst", nënvizoi ai. Nga ana tjetër, kompozitori tjetër Sami Pira, i cili ka marrë pjesë në konkursin për himnin e Kosovë, të cilin e ka pasur edhe me tekst. Ai thotë se himni pa tekst është problem politik, por ai shpreson se në një të ardhme sa më të afër ta ketë edhe tekstin, qoftë ky himn që është tani apo edhe të shpallet një konkurs tjetër. Në periudhën kur është shpallur konkursi për himnin e pavarësia e Kosovës ka qenë një çështje që të mos konkurrohet me tekst. Teksti është element bazë për himnin jo vetëm për himni, por për çdo këngë teksti është kryesorja. Në atë kohë kur është bërë himni është bërë thjesht me pretendime politike, unë për veten time i kam ikur asaj platforme, pra të konkurrohet vetëm me melodi dhe pa tekst", thotë Pira. Ai thotë se punimi i tij ka qenë me tekst, por që në atë kohë nuk ka kaluar. "Unë e kam bërë me tekst, por kompozicioni im nuk kaloi. Konsideroj që në të ardhmen patjetër që duhet ta ketë tekstin, sepse pjesa më e madhe e shteteve e kanë himnin me tekst. Në fakt, problemi i himnit është më shumë politik. Tekstin që kam pasur unë për himn ka qenë i tillë që nuk ka prekur askënd, pra ka qenë tekst për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë. Patjetër se së pari është dashur të gjendet një tekst i mirë, i cili nuk prek identitetin e askujt dhe mbi këtë do të duhej të konkurrohej me melodi, pra së pari teksti e pastaj të bëhej melodia", nënvizoi kompozitori Pira. Këngëtarja Adelina Emini thotë se himni pa tekst nuk ka dhe aq shumë kuptim, por ajo i kupton rrethanat kur është vendosur himni i Kosovës.
B. ZYBERI

Angelina Jolie refuzon të vizitojë Beogradin

Aktorja hollivudiane, Angelina Jolie, të martën ka mbërritur në Sarajevë në premierën e filmit të saj “In the Land of Blood and Honey”. Filmi i ri i Joliei - një rrëfim dashurie që i kundërvihet gjenocidit në luftën e Bosnjës - është shfaqur në Sarajevë të martën mbrëma. Pak orë para gala premierës, Jolie dhe ekipi i filmit kanë mbajtur një konferencë për media. Në tepihun e kuq para sallës olimpike “Zetra” ka parakaluar bashkë me Brad Pitt pak minuta para shfaqjes së premierës të martën mbrëma. Ajo e ka përshëndetur publikun në gjuhën boshnjake. 
 
E në konferencë u është përgjigjur akuzave të palës serbe, e cila filmin e saj debutues si regjisore e cilëson antiserb. 

"Më vjen keq, ngase kjo po dëshmon se ky vend ende është i ndarë. Më vjen keq për këtë, ngase shumë aktorë me të cilët kam punuar në film, më rrëfenin për harmoninë që ka ekzistuar në kohën e Jugosllavisë”, ka thënë aktorja me nam, në sallën e një hoteli në Sarajevë, e mbushur me gazetarë vendorë e të huaj. Sipas portalit sarajavo-x.com, Jolie ka thënë se nëse në filmin e saj është dikush ndaj të cilit bëhet me gisht, ajo është bashkësia ndërkombëtare, e cila katër vjet bënte sehir kur agresori serb masakronte. Ajo ka thënë se tema e filmit është universale.

Por aktorja me nam ka deklaruar se nuk do të shkojë edhe në Beograd në premierën e filmit atje. 

“Nuk do të shkoj për shkak të komenteve armiqësore dhe agresive të përfaqësuesve të fuqisë së shtatë në Serbi”, citohet të ketë thënë Jolie. 

Bashkë me të në konferencë kanë qenë edhe aktorët kryesorë në filmin e Joliet: Zana Marjanoviq, Goran Kostiq, Rade Sherbexhija, Vanesa Glogjo, Fegja Shtukan, Boris Ler, Ermin Sijamija, Alma Terziq. Aktori i njohur kroat, Sherbexhija, ka thënë se “arti nuk e ka për detyrë të sqarojë situatat politike, por të zbulojë gjëra të çuditshme e të tmerrshme”. 

Filmi i Joliet prej kohësh ka shkaktuar debat. Myslimanët boshnjakë kanë thënë se presin që “In the Land of Blood and Honye” të përqendrohet në gjendjen e tyre që kanë përjetuar në luftën brutale të vitit 1992 deri më 1995. Distributori i filmit në Republikën Serbe ka njoftuar se nuk do ta shfaqë filmin, ngase aty serbët portretizohen të dhunshëm. Filmi shpalos një romancë që zhvillohet midis ushtarit serb dhe viktimës së tij, një grua myslimane. Debutimin në Sarajevë e kanë shikuar rreth 5 mijë njerëz. Filmi po ashtu do të shfaqet edhe në pjesën kroate-boshnjake të këtij vendi. Por distributori në Republikën Serbe ka thënë se serbët nuk duan ta shohin atë. Për këtë arsye, Vladimir Ljevar i ka thënë “The Associated Press” se “In the Land of Blood and Honey” nuk do të shfaqet në kinematë e këtij vendi. “Thjesht nuk ka interesim për këtë film dhe nuk mund t’i shes biletat”, ka thënë ai. “Fakti se serbët janë djemtë e këqij të filmit është arsye pse nuk ka interesim. E kam shikuar këtë film. Ka pasur kritika shumë të këqija. Është joprofitabil”, ka thënë ai. Në shenjë proteste për këtë një qytetare e Prijedorit e ka shfaqur ilegalisht filmin e Joliet në banesën e saj.  

Talentët kosovarë zbulohen jashtë vendit

Në reality-show të formatit botëror, si “The Voice” apo “X-Factor”, brenda një periudhe njëvjeçare janë zbuluar gati dhjetë talentë muzikorë kosovarë. Për mungesë të një licence kombëtare, këta talentë janë detyruar që aftësitë e tyre t`i sprovojnë në spektakle televizive të organizuara në Shqipëri, Kroaci, Bosnjë- Hercegovinë e Gjermani, shkruan sot “Koha Ditore”. 

Mungesën e një spektakli kësisoj të rinjtë e shohin si hendikep, ndërkaq njerëzit e sferës së muzikës si mision ta pamundur, shkaku i kostos. 

”Për emisionet ‘The Voice’ apo ‘X-Factor’ duhet të merret licenca nga kompanitë përkatëse dhe kushtojnë shumë”, ka thënë Florent Boshnjaku, kompozitor kosovar. Ai thotë se në Kosovë këta talentë nuk kanë përkrahje. 

“Askush nuk e çan kokën të mendojë dhe të investojë për talentë të rinj”, ka kritikuar ai.

Teuta Kurti, Vesa Luma dhe Rona Nishliu qenë ndër të parat nga Kosova që shpërthyen në “Ethet e së premtes” në Shqipëri. Rona këtë vit do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong”. Shumë të rinj kosovarë të tjerë ua kanë parë hairin organizimeve të tilla. Disa prej tyre kanë befasuar jurinë nëpër skenat e talent show-ve jashtë vendit.

”Vetëm në momentin kur ata popullarizohen në mënyrë tjetër apo nga dikush tjetër, atëherë tek mediumet dhe shteti ynë në masë të vogël zgjohet interesimi për ta”, ka thënë Boshnjaku, i cili njëherësh ka kompozuar këngën “Suus” të Rona Nishliut, me të cilën ajo fitoi të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurosong”. 

Ardian Bujupi dhe Mark Marku janë zërat kosovarë që ishin shumë afër finales nëpër talent-show në Gjermani dhe në Kroaci, të cilët tashmë kanë realizuar edhe këngë të veta. Rrugës së tyre po shkojnë shumë të tjerë. 

Në Gjermani edicioni i këtij viti i "Deutschland sucht den Superstar" (Gjermania kërkon yllin) nxori në pah talentin e kosovareve Vanesa Krasniqi dhe Dardana Sokolit. Krasniqi para tre vjetësh në “Das Supertalent” të RTL-it zuri vendin e tretë. Javën e kaluar në Bosnjë, Shaqir Ahmeti ka bindur jurinë duke kënduar shqip në një talent- shou të të njëjtit format, finalja e të cilit do të mbahet më 17 të këtij muaji. 

“The Voice of Albania”, që përfundoi të premten e javës së kaluar, në gjysmë finale ka dërguar kosovarët Xheraldina Berisha, Drilon Shala dhe Yll Limani. Vendin e parë e zuri tetëmbëdhjetëvjeçarja nga Prizreni, Rina Bilurdagu.

”Suksesi i të rinjve kosovarë është i padiskutueshëm. Kjo tregoi edhe në shown e fundit në Tiranë ku triumfoi Rina, këngëtarja nga Kosova”, ka thënë Boshnjaku.

Fakti që Bilurdagu ka rrëmbyer çmimin, ka ngjallur edhe shumë reagime në Shqipëri. Në rrjetin social “Facebook” kanë vërshuar komente nga më të ndryshmet për kosovarët në faqen zyrtare të këtij evenimenti, duke fyer protagonisten dhe kosovarët që ‘të kenë një talent-show të vetin”.

”Mendoj që organizimi i një evenimenti të tillë do ishte më se i mirëpritur po të realizohej në Kosovë, sepse në ‘The Voice...’ u dëshmua që Kosova është një vend që pati prurje vokale të shumta, e të mrekullueshme”, ka thënë gjysmëfinalisti Drilon Shala. Sipas tij, pjesëmarrja e të rinjve kosovarë në “The Voice” dëshmon domosdoshmërinë e një organizimi të tillë në Kosovë. 

“Në gjysmëfinale nga tetë konkurrentë katër ishin nga Kosova, e tregon që një organizim i tillë do ishte një gjë shumë e mirë”, ka shtuar ai. 

Me gjithë faktin që shumë kosovarë dolën të suksesshëm nëpër talent-show nëpër vende të tjera, realizimi i një spektakli të tillë në Kosovë përveç që kushton, nuk ka iniciativa për të. 

”Ndër vite kemi treguar që kemi talent të shkëlqyer këtu dhe nëpër botë, por që fatkeqësisht në Kosovë nuk kemi se çka t’ju ofrojmë më shumë se ‘fama’ në trojet tona”, ka thënë Boshnjaku, duke bërë krahasime me vendet e tjera që ofrojnë më shumë mundësi për të “shpërthyer” në aspektin e famës së vërtetë.
 
Fajtor për faktin që në Kosovë nuk ka talent-show, Boshnjaku i bën mediat, por edhe Qeverinë e komunat, të cilat, sipas tij, mund të ndihmojnë në formën e subvencionimit të aktiviteteve të mirëfillta kulturore.

”Me siguri shumica do ta japin përgjigjen se nuk ka fonde (që deri në një masë është e vërtetë), por ende jemi në kohën kur njerëzit tek ne mendojnë që çdo investim nga njëqind për qind së pari duhet të përfitojnë shtatëdhjetë për qind në xhepin e tyre pastaj investimi të bëhet me tridhjetë për qind të mbetura, që në fakt duhet të jetë e kundërta. Por në atë rast nuk ka interes përfitimi”, ka thënë ai.

Duke mos dashur të zhgënjejë të rinjtë, Boshnjaku realizimin e një talent-show e parasheh të pamundur. Për këtë thotë se mungojnë kushtet elementare.

”Paramendo finalen në një sallë me minus tridhjetë gradë. Normalisht që duhet plotësuar kushtet për diçka të tillë. Ne ende themelet e sallës nuk i kemi, e lëre më fondet për licencë”, ka shtuar ai.

Me gjithë faktin që Kosova nuk po u ofron pothuajse asnjë mundësi talentëve të rinj, ata që kanë mbërritur deri në gjysmëfinale të “The Voice of Albania” kanë deklaruar që janë ndarë të kënaqur nga organizimi atje.

”Kam përfituar një eksperiencë të veçantë, një talent-shou i cili nuk harrohet kurrë”, ka thënë gjysmëfinalistja Berisha. 

Për Yll Limanin, gjysmëfinalistin nga Prishtina, ”The Voice..” mbetet eksperienca që i hapi shumë rrugë në botën e muzikës.

”Më ka ndihmuar shumë që të formohem si artist dhe si njeri”, ka thënë ai. 

Ndëshkimi fizik i bën fëmijët më agresivë kur rriten

Analiza e 20 studimeve të kryera me më shumë se 500 familje të përfshira ka treguar se si ndëshkimi fizik i fëmijëve të prapë nuk sjell kurrfarë dobie. Madje, sa më shumë që prindërit kanë ndëshkuar fëmijët e tyre fizikisht, duke i goditur në prapanicë, shuplaka apo janë shfryrë në ta duke u bërtitur, aq më shumë fëmijët kanë qenë të prirë për një sjellje të tillë më vonë në jetë.

Njëlloj kështu fëmijët në të cilët prindërit kanë çuar dorë kur janë sjellë në mënyrë të prapë kanë pasur më shumë gjasa për çrregullime të shëndetit mental më vonë në jetë, siç është depresioni. 
 
Gati pa përjashtime, këto studime kanë treguar se si ndëshkimi fizik është i lidhur me masën më të madhe të agresivitetit të drejtuar ndaj prindërve, vëllezërve dhe motrave, moshatarëve dhe bashkëshortëve.

“Prindërit shpesh besojnë se si fëmijët e tyre i kundërshtojnë me qëllim apo qëllimisht bëhen të këqij, por në shumicën e rasteve fëmijët thjesht bëjnë atë që është normale për zhvillimin e tyre. Fëmijët e vegjël shpesh dinë të thonë JO për gjithçka, por ekzistojnë teknika që mund t’ju ndihmojnë në situatat e tilla:

“- injorojini dhjetë sekonda kur bëhen të këqij dhe ridrejtojeni sjelljen e tyre në diçka tjetër;

- vendosni rregulla, por shpjegoni pse ekzistojnë dhe pse përdoren ato”, ka shpjeguar Joana Durrant nga Universiteti Manitobe, një nga udhëheqësit e hulumtimit të botuar në revistën “Canadian Medical Association Journal”. 

Në 20 vende të BE-së është i ndaluar ndëshkimi fizik i fëmijëve, ndërsa në SHBA dhe Britani të Madhe ekzistojnë masa juridike dhe ligje me të cilat rregullohet ndëshkimi fizik i fëmijëve.

Fshati i mallkuar, çdo shtëpi me rast kanceri

Ekspertët e shëndetësisë në Gjermani kanë mbetur të shokuar nga zbulimi se në një fshat me 1 500 banorë, ka të paktën një të sëmurë me kancer në çdo shtëpi.

Rastet e tumoreve në 2011-n u rritën me 50%, jashtë çdo lloj proporcioni të përhapjes së sëmundjes që i merr jetën tetë milionë personave çdo vit në shkallë botërore.
 
Kërkuesit e Universitetit të Lybekut, që hetuan fenomenin, të përhapur sidomos me tumore në mushëri, gjoks, ezofag, mitër dhe stomak, nuk janë në gjendje të përcaktojnë një shkak.

Madje ata kanë përjashtuar edhe tre centralet e afërt bërthamorë dhe një fabrikë toksike bojërash pranë, të fajësuara si shkaktare të sëmundjes nga banorët e Vevelsuethit, pasi ekspertizat nuk treguan për prezencë të rëndësishme të lëndëve të dëmshme për shëndetin, në zonat e ndodhura pranë.

Megjithatë, banorët nuk janë të bindur nga ekspertizat e para dhe i kanë bërë thirrje autoritetet shëndetësore në Berlin që të urdhërojnë një tjetër testim të zonës për gjetjen e asaj që ata e konsiderojnë si një “epidemi tumori”.

Kryetari i fshatit, Ingo Karstens, i cili ka humbur dy gra nga sëmundja, e konsideroi atë si “një mallkim”.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...