2012-10-02

Pellumb Kulla / Ramiz Alia i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit

Interviste imagjinare


Interviste imagjinare

Intervistë imagjinare, marrë zotit D.K., ish funksionar i lartë i Sigurimit

I intriguar mjaft nga botimet dhe shtypi i ditëve të fundit, në të cilin personazhe të dorës së parë shpalosin kujtime e dokumenta me peshë, ku shihet qartë se Sigurimi i Shtetit ndiqte njerëz të rëndësishëm të nomenklaturës komuniste, unë arrita të kontaktoj zotin D.K funksionar i lartë i armës së Sigurimit. I thashë se kërkoja një intervistë nga ai për “Shekullin”. Ai më pa me dyshim nga koka te këmbët për një kohë të gjatë teksa unë ngriva nga frika se do të më kërkonte dokumentin e gazetës, që nuk e kisha. Por ai e pranoi ftesën pa kërkuar shkresurina. Vetëm m’u lut që për shkak të detyrës së lartë që pat mbuluar në Sigurim, të mos identifikohej. Gjysëm orën e parë e harxhuam për të caktuar inicialet e tij. Së fundi ramë dakord të quhet D.K., gërma nga të cilat asnjëra nuk bën pjesë në emrin dhe mbiemrin e tij të vërtetë.

Në fillim më pyeti ai:



D.K. - Përse të intereson kjo temë?

Unë - Më intereson, se pas 15 vjetëve, po na del një tablo tjetër nga ç’e kishim menduar. Kuptohet që kjo me kalimin e viteve do të thellohet. Do të vdesin dëshmimtarët dhe tregimet mbi persekutimet do të bëhen më ngjethëse. Por unë desha të provoj, a është e saktë që objektivi i vërtetë i Sigurimit nuk paskan qënë të huajt dhe reaksionarët, por vetë funksionarët e lartë të Partisë, Frontit, Bashkimeve Profesionale. Ne kujtonim si persekutim, internimet, burgimet, pushkatimet, punët e rënda…

D.K. - Ke përfytyrim të gabuar. Për cilin të përndjekur do që të dish më shumë?

Unë - Për sho… Për Ramiz Alinë.

D.K. - Ku e ke hallin? Ku do ta nxjerrësh kollën?

Unë - Nuk kam për të nxjerrë asnjë kollë. Vetëm më vjen mirë që edhe sho.. Ramiz Alia të zerë një vend të nderuar midis të përsekutuarve, që janë aq në modë edhe që nderohen aq shumë sot në demokraci. Këtu kam parasysh njëmbëdhjetë shoqatat e tyre, miliardat e letrave me vlerë, përgatitjet që bëhen për reabilitimin e tyre para se ata të arrijnë të vdesin. E plot, e plot mirësi, që nuk i them dot.

D.K. - Qëllimin e paske të mirë. Jam gati të përgjigjem.



Tani nisa të pyes unë:



Unë – E keni ndjekur Ramiz Alinë?

D.K. - Egërsisht!

Unë - E kish nuhatur ai ndjekjen tuaj?

D.K. - Ne nuk i kishim dhënë shkas që ta kuptonte, por ai e ndjente, si të gjithë.

Unë - Pse “të gjithë”? Ishin shumë ata që ndiqnit?

D.K. - Me mijëra! Që nga kandidatët e Komitetit Qendror e lart! Ti, aty më parë, përmende burgimet dhe pushkatimet… Ato nuk janë asgjë para ndjekjes. E di ti, se çfarë domethënë të të ndjekin?

Unë – Nuk e di. I ndiqnit, po a i zutë?

D.K.- Jo nuk i zumë, por ndjekja nuk është pak.

Unë - Sidoqoftë kjo gjë ata nuk i pengoi të kishin funksione, të udhëhiqnin, t’u botoheshin të thënat, të jetonin në apartamente luksoze, të pushonin në vila edhe më të mira, të lëviznin me automobilë të shtrenjtë, të bridhnin nëpër Europë…

D.K. – Hiçgjë! Këto ishin hiç krahasuar me ndjekjen që i bënim ne!

Unë – Ju, përse i ndiqnit?

D.K. – Sepse ata kishin qëllime që t’ia lehtësonin jetën popullit. Ata maskarenj ishin gati të jepnin jetën për njerëzit e thjeshtë, për të vuajturit e diktaturës.

Unë – Nuk ju pëlqente juve kjo gjë?!

D.K. – Jo!

Unë – Pse?

D.K. – No coment!

Unë - Më ndjeni që ngul këmbë në këtë pyetje, zotëri, por në tërë këto kujtime të çmuara që botohen, flitet që këta funksionarë janë përndjekur dhe persekutuar keq. Por nuk del nga kush? Me një fjalë, tregohet se këta vuajtën dhe u cfilitën, por në atë teatër të diktaturës, tërë personazhet e njohur dalin të mirë, pozitivë. Mungon pala që bën keq.

D.K. - Nuk të mjaftojmë ty, ne, Sigurimi? Sigurimi është personazh i njohur.

Unë - Mirë, po cili? Ju, përshembull, nuk pranoni të identifikoheni dhe quheni D.K.

D.K. – A ramë dakord për inicialet?! Apo ta dhjesim intervistën, tani?!!Ou!

Unë – Dakord. Kërkoj ndjesë. Unë desha që gjërat të jenë të qarta deri në fund, se në rast se fillojmë dhe ulërijmë të tërë për thuprat që na fshikulluan 20-30 vjet më parë, në Shqipëri do bëhet një kakafoni, që nuk do ta marrë vesh i pari të dytin. Ju keni ndërmend t’u jepni dëshmi persekutimi të gjithë këtyre të mëdhenjve?

D.K. - Pse mos do të presim t’ua japin ato… shoqatkat?! More ty, çfarë të shqetëson ty vetë? Ke ardhur te unë për të marrë edhe ti ndonjë dëshmi?

Unë - Çfarë dëshmie! Unë atëhere nuk kisha lindur akoma. Flas si “Shekull”, jo si gazetar!

D.K. – Atëhere ti do kesh zili ndonjë gazetar!

Unë – Asnjë zili. Ja ta konkretizojmë me gazetarët, apo shkrimtarët. Po të jetë se nga çanaku i persekutimeve, do të nisni të ushqeni dhe Dritëronë me Ismailin, siç po mundohen të bëjnë disa, atëherë vaj medet moj Shqipëri!

D.K. - Pse njeh ti ndonjë shkrimtar që është persekutuar më shumë?

Unë - Ja, pikërisht se nuk njoh, aty është belaja! Nuk i njoh përshëmbëll ata qindra studentë, që nuk u lejuan të studjojnë për letërsi! Ja, ata nuk kanë emra! Ata tani nuk njihen dhe del që as nuk janë persekutuar! Nuk kam ç’të them! Sidoqoftë, ju faleminderit, çanaku është i madh… Gëzohem që mora vesh, që nga ju paska vojtur edhe sho… Ramiz Alia!



Dhe e lashë.Ai më ndoqi me sy nga pas me një vështrim dhelpëror edhe më tha:

- Eja ndonjë ditë të të tregoj për persekutime edhe më të mëdha!

Unë u intrigova më keq dhe pyeta:

- Se mos keni ndjekur dhe Enver Hoxhën!

Ai qeshi dhe e pohoi:

- Hajde të ndjekur, që i kemi bërë, hajde! Persekutimin që ka patur Enveri, nuk

e ka patur njeri, po prit, prit! Më vonë do të dalin!

Unë i shkova edhe një herë për ballë dhe e pyeta:

- Po ju, dreqi e mori, ju, kush ju urdhëronte? Kush ju udhëhiqte?

Ai pa përreth sikur kërkonte njerëz që të më lidhnin. Po unë, nuk isha aq budalla

sa të qëndroja akoma dhe ia mbatha tatëpjetë shkallëve.

A ka pasë diktatura desidencë dhe desidentë?



Pergaditi Daniel Gazulli
A ka pasë diktatura desidencë dhe desidentë?
Ja një shembull:
 Letër e At Pjetër Mëshkallës
 Kryetarit të Këshillit të Ministrave 
            Mehmet Shehu
            Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i këthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli. 
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. 
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. 
Por, unë dëshroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. 
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën. 
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet. 
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. 
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? 
Sidomos pjesa e friksueme me kërcënime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të? 
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té. 
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Ju, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit. 
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira. 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime 
          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Meshkalla 
   në Kryeministri – Tiranë                    meshtar katolik i Shoqnisë Jezu. 
            
 5 Prill 1967.

Leximi dhe interpretimi i letërsisë së Atë Anton Harapit


Ndue Ukaj
“Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë”

“Libri është shkruar me një gjuhë të nivelit të lartë teorik e kritikë, me stabilitet termash e domethëniesh semantike, diçka e rrallë në kritikën shqipe. Mbarështimi i materies dhe trajtimi i fenomeneve të brendshme dhe të jashtme të prozës së Harapit, gjithherë për të qenë relevante, i nënshtrohen një liri të leximit.”


Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur nga Tuzi, Anton Gojcaj në librin ”Fakticiteti në letërsi-proza letrare e Anton Harapit” (Buzuku 2007), ka bërë një përpjekje serioze por të studiuar letërsinë e shkrimtarit dhe dijetarit të mirënjohur Atë Anton Harapit. Libri është konceptuar sipas një logjike të ekuilibruar, ndërsa autori i librit sikundër le të kuptojmë se “roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim” (Ian Meclean). Metaligjërimin i Gojcajt realizohet me përkushtim e dije empirike letrare, madje, do të thoshim, edhe për të sprovuar një tendencë qëllimmire, për të kthyer rendin e munguar në aporinë e studimeve letrare tek ne, veçanërisht ndaj korpusit letrar të autorëve e veprave të ekskomunikuara për dekada të tëra në kritikën letrare shqipe, pjesë e së cilit korpus të gjerë, është vepra e viganit të letërsisë dhe mendimtarit shqiptar, françeskani Atë Anton Harapi. Kjo intencë kërkon të korrigjojë leximit që i janë bërë këtij autori të madh. Përmes këtij libri, studiuesi Gojcaj përveç se shpjegon si është konstituar dhe si funksionon proza e Harapit, në anën tjetër arsyeton një mënyrë specifike leximi që kërkon të ndërtoj metaligjërimin kritik mbi doktrina e ide letrare, për të bërë të mundshme, në të njëjtën kohe e vendosjen e kuptimeve të veçanta letrare në një kontekst të paqartë e kundërshtues, në një kontekst me dilema specifike për natyrën e shkrimeve të Harapit. Anton Gojcaj i rrahur në letërsi, i pajisur me dije universale, parakonceptimet për letërsinë i ka të ndërtuara në përvojën e gjerë empirike, andaj sikundër insiston se “vepra letrare nuk është një objekt që duhet përkufizuar, por një efekt që përjetohet” (Wolfgang Iser). Nga këndej, proza e Harapit nga Gojcaj lexohet dhe interpretohet me status të pastër letrar.
Letërsia shqiptare në zhvillimin e saj ka patur fatin tragjik të popullit të saj. Ajo s’arriti të zhvillohej sipas ritmeve normale, ngase ndërhyrjet e ideologjisë e kanë cunguar, penguar dhe sabotuar. Ajo u vlerësua gjithqysh, por më së paku sipas parimeve estetike e letrare. Madje, për të komplikuar punën, letërsia shqipe nuk u studiua në relacion me dije teorike letrare, nga të cilat duhej të nxiteshin premisat për konstatime të qëndrueshme e logjike letrare. Këndej pari edhe shumë autorë u janë nënshtruar regjimeve që kanë prodhuar ideologjitë, si dhe skemave të tyre që janë manifestuar në mënyrën më të vrazhdë në art e letërsi, sidomos gjatë dekadave kur Shqipëria u gjend nën diktaturë. Këtë fat e ka përjetuar, në mënyrën më tragjike edhe shkrimtari e dijetari i madh, autori i shkollës së madhe letrare të Shkodrës dhe kodit të fuqishëm françeskan, Atë Anton Harapi, i pushkatuar nga diktatura e Enver Hoxhës, i ndaluar të lexohet, ribotohet dhe studiohet për dekada të tëra, deri në fundin e shekullit të kaluar, me motivet më të ulëtat e më primitivet e mundshme. Duke njohur ketë kontekst të rënd, studiuesi Anton Gojcaj i qaset këtij fenomeni letrar për të funksionalizuar letërsinë e Harapit në kuadër të historisë letrare shqipe dhe historisë së ideve letrare, në një kontekst të ri leximi e interpretimi. Studiuesi me guxim e përgatitje të duhur profesionale i përqaset prozës letrare të Harapit, duke bërë analizë sintetizuese dhe sistematike, jo vetëm për të argumentuar dhe dëshmuar ”fakticitetin” në letërsinë dhe prozën e tij, që është intencë e studimit në fjalë. Po ashtu, ky studim ka objektivë  të qartësoj dilemën e shumë studiuesve të veprës së Harapit: nëse është ajo letërsi e pastër a jo. Këtë intencë e eksploron me shembuj të fuqishëm letrar. Studiuesi duke dëshmuar relacionet mes fakticitetit dhe fiksionit, raportet dhe ndërkomunikimet e natyrshme mes këtyre dy kategorive të shkrimit edhe në rrafshin universal të letërsisë, e edhe në atë nacional, arrin gjithashtu të dëshmoj nivelin e lartë estetik që ngërthen proza e Harapit, gjegjësisht dy veprave fundamentale “Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë”. Së këndejmi edhe vendin që zë ajo e autori i saj në kuadër të letërsisë shqiptare përgjithësisht. Anton Gojcaj nuk ka dilemë lidhur me aspektin esencial të këtyre teksteve: ato janë tekste me status të plotë letrar dhe si të tilla duhet lexohen e interpretohen. Në këtë sens, autori me argumente polemizon me elemente të caktuara në mendimin letrar shqiptar, të cilat kanë tentuar shpëlarjen e historisë së letërsisë, sipas apetiteve ideologjike, apo edhe leximeve të mbrapshta e tendencioze. Madje, edhe ndaj atyre që marrin guxim të shkruajnë pa e lexuar fare Harapin.
Gojcaj eksploron elementet qenësore të prozës letrare të Harapit, në kategoritë e brendshme dhe të jashtme të saj. Pastaj jep kualifikime të vlefshme letrare për tipologjinë e kësaj prozë, për kodet dhe toposet letrare, për kategorinë e zhanrit dhe nivelet e narracionit, për kohën si përbërës i rendësishëm narrativ, për pozicionet e rrëfimit, gjithnjë në suaza të një sinteze, e cila synon të asimiloj dije e formacione empirike letrare, në funksion të statusit letrar që merr teksti i Harapit. Dijet dhe empiria letrare, studiuesit i duhen për t’i kontekstualizaur karshi letërsisë së shkrimtarit në fjalë, respektivisht dy veprave të cilat i merr si objekt studimi “Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë”. Nga këndej, argumentet që nxjerr janë bindëse, sepse shoqërohen me shembuj relevant të letërsisë dhe bëhen me përkushtim, analiza të thukta e gjithëpërfshirëse.
Gojcaj mendon më të drejtë se Harapi, ka vlera të jashtëzakonshme në kulturën e shkrimit shqip në shumë aspekte, duke përmendur atributet e tij si një apologjet i besimit dhe tolerancës ndërfetare shqiptare, si një promotor i rryer për emancipim dhe kulturë të njëmend shqiptare, si polemizues i shkathtë, madje edhe për probleme globale, siç ishte ideologjia komuniste, me të cilën polemizon; si moralist i madh e erudit i pashembullt. Mbi të gjitha, studiuesi mendon se Harapi spikatet për prozën e tij të veçantë, e cila “endet” mes fakticitetit dhe fiksionit dhe pikërisht ky dimension e bënë atë sui generis, ndërsa Harapi mbetet personaliteti më i madh i kulturës shqiptare pas Fishtës, Nolit dhe Konicës, siç thotë dijetari i letërsisë Aurel Plasari. Duke diskutuar statusin letrar të këtyre teksteve, çështje kjo që ka zgjuar interesim edhe tek studiues tjerë të veprës së Harapit, shumë prej të cilëve mendojnë se veprat kanë vlerë dokumentare për bazamentin historik, si dëshmi e të dhëna, përmes kujtimesh dhe lenë mënjana statusin e tyre letrar, Gojcaj polemizon me këto ide, me pedanteri dhe vë në pah se të dhënat historike nuk cenojnë statusin e tekstit letrar, madje shkruan se: “fiksionalieti nuk është i rezervuar ekskluzivisht për letërsinë dhe artin, kurse semantika e letërsisë nuk mund të ngushtohet në njëfarë sinonimi të fiksionit…Tolstoj në “Lufta dhe paqja” ka përfshirë po ashtu personazhe, fytyra historike, ndër të tjerë edhe vetë Napoleon Buonapartën, por për këtë gjë askush nuk e konteston faktin se vepra në fjalë është një roman, pra një vepër letrare”. Kjo referencë e përmendur në kontekstin e prozës së Harapit i jep argument e peshë idesë së fakticiteti jo që nuk cenon statusin letrar të teksteve të Harapit, por në të kundërtën, e bën atë më të veçantë. Andaj Gojcaj, mendon se shumëçka që është e lidhur me perceptimet për një vepër apo dukuri letrare, ka ndërlidhje logjike me faktorin lexues, sepse vepra letrare është një fakt që përjetohet. I bindur në idetë tij, studiuesi thekson se “Andrra e Pretashit” paraplotëson gjitha kriteret letrare për t’u quajtur roman, përkundër shumë mendimeve tjera të mëparshme që këtë vepër e kanë kualifikuar si prozë dokumentare, kujtime etj. Gojcaj nuk ka asnjë hamendje, ky tekst letrar është roman dhe në këtë rrugë sjell argumentet e brendshme të tekstit letrar, sikundër në planin ligjërimore, njashtu edhe në atë narrativ, veçanërisht në analizën e kronotipeve letrare, elemente këto që janë krejt të reja në mendimin letrar tek lidhur me prozën e Harapit. Përkundër bindjes së fuqishme për prozën “Andrra e Pretashit”, kur përcaktuan kategorinë e zhanrit, për tekstin tjetër letrar “Valë mbi valë” ka disa hamendësime, edhe pse nuk ngurron t’i thotë novelë filozofike. Edhe ky përkufizim del i ri. Edhe pse Gojcaj këto dy proza i sheh në suaza të dy kategorive zhanrore, ai prapëseprapë gjen pika të nyjëtimit të përbashkëta. Një element i përbashkët është narratori-shkruan Gojcaj, ndërsa tjetër tipar karakterizues është hapësira e madhe që zënë dialogjet. Një vëmendje të posaçme në këtë studim zë edhe hulumtimi i kohës si përbërës i dy prozave.
Në aspektin intertekstual, autori sheh ndërlidhje funksionale mes prozës së Harapit dhe diskurseve orale, sidomos me fjalët e urta si njësi të shfaqjes së intertesktualitetit. Ndërsa anë planin tjetër ligjërimor, sheh një ndërlidhje funksionale me diskursin biblik dhe librin e shenjtë Bibla.
Libri është i mbarështuar me një kulturë të lartë letrare, studiuesi Gojcaj letërsinë e lexon me vëmendje, ai i hulumton me përkushtim, gjitha idetë dhe diskutimet për t’i mbështet me referenca relevante që e ndihmojnë dhe e kompletojnë këtë studim, i cili duhet të tumiret me vlera të veçanta në kontekstin tonë letrar. Kështu ky studim kontribuon dukshëm në hapjen e mëtejme të studimeve letrare, si dhe krijon pamje tjetër për autorin e madh Anton Harapi. Duk lexuar nga një kënd e veçantë empirik, i çliruar nga mitizimet e gulfimet e panevojshme, Gojcaj sikundër le të kuptohet se letërsia ka forma të ndryshme të leximit dhe secila e pasuron botën e madhe të letërsisë.
Libri është shkruar me një gjuhë të nivelit të lartë teorik e kritikë, me stabilitet termash e domethëniesh semantike, diçka e rrallë në kritikën shqipe. Mbarështimi i materies dhe trajtimi i fenomeneve të brendshme dhe të jashtme të prozës së Harapit, gjithherë për të qenë relevante, i nënshtrohen një liri të leximit (Umberto Eco). Por kjo liri nuk cenon objektivitetin e nevojshëm, sepse letërsia lexohet në relacion, në interkomunikim. Gjitha idetë letrare shoqërohen me referenca relevante edhe në planin letrar, fiksional, edhe në atë teorik-kritik. Ky aspekt, e bën këtë studim të veçantë dhe të rëndësishëm për kulturën letrare shqipe.

Cikel Poetik nga Ali Podrimja

Shkruan: Mr.sci.Flori Bruqi



Ali Podrimja (28 Gusht, 1942 - 21 Korrik, 2012) Gjakovë, Kosovë, ku pati një fëmijëri të vështirë.Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare.



Stili poetik

Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit Serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitojë lirizmin dhe ndenjën poetike, por pa mundur të dalin krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional.


Ali Podrimja lindi me 1942 në Gjakovë ku edhe kaloj rinine. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi tërë jetën. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:

Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,)
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një...

Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).

Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj.

 Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut.

Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë.

 Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike.

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.
Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz.
Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.
Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

Me daten 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas nje festivali te poezise ne France. Pas kerkimeve te parreshtura te autoriteteve franceze, me 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jete i shkrimtarit. Ai vdiq ne rrethana te panjohura.


Dashuria

Koha eshte te duhemi
te kesh besim ne mua kur te them: Trime,
te kem besim ne ty kur me thua: Trim.
Por koken time kryenece shume kurthe ngrite,
shume e pushket mbushi babai yt, fisi yt,
nje mije e nje te zeza kurdise ku do ma zije priten.
E nen kulm banonim,
nga frengjia me drite me peshove,
me dite lexoja Shekspirin ne hijen e Kulles,
se mos do te takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinen nga dielli, nga acari!
Kam frike se ma therin syrin cubat e territ,
kam frike se me vrasin pas shpine te pabeset.
Dashuria ime, ma zgjat doren ta kapercejme kete
uje te madh,
i huaj s’jam as vij nga toke e vdekshme.
Ne fund te livadhit te kositur a po sheh:
ai kali i bardhe eshte yni e tash pergjithmone.
Me shikon drejt ne sy, leri zenkat, fjalet, sharjet,
Une do te te sjell Lulen nga zemnra e Bjeshkes,
do ta ndez llamben ne Kulle,
do ta hedh faren ne token e re.
Kur te desha, coja dashurie me nje grua te marre,
e mehalla jeohnte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, s’menduam pak edhe per vete,
Koha eshte te duhemi.

Unë, biri yt, Kosovë

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.


NJË NATË NGA NETET PA GJUMË

Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemer,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
per të përqafuar unë, ashti yt?

Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë keto gjurmë gjaku që po shtohen
nëper fytyren tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rrethë shtëpisë sime?…
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…

Sonte vëtem mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në keto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!


PARISI, VENDLINDJA

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndërrat do t’i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.

Paris, maj 1981

EPIKA

Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s’kam të qesh me veten c tepruar…
Miq,

Kosova është gjaku im që nuk falet!

Ndue Ukaj në revistën internacionale poetike Ann Arbor Review

Revista amerikane, Ann Arbor Review: International Journal of Poetry, e cila botohet në shtetin Florida, është revistë e fokusuar vetëm në publikimin e poezisë. Kjo revistë, ka një traditë disa dekadëshe dhe që nga atëherë, ka botuar poetë të shquar. Në numrin e ri të saj të pranverës, që ka dal këto ditë, në këtë revistë prestigjioze të poezisë, është prezantuar me një poezi, poeti nga Kosova Ndue Ukaj. Poeti Ukaj prezantohet në këtë revistë me poezinë, Liria e poezisë, të përkthyer anglisht nga Peter Tase.



Liria e poezisë

Engjëjt zbresin ngadalë,

Butësisht

Qetësisht

Dashurisht

Mbi shkronjat e tua t’zjarrta

Puthin dhembjet që njeh vetëm ti

Puthin dashuritë që she vetëm ti

Puthin vetmitë që prek vetëm ti

Oh-et e shpirtit dëlirë

E lumja poezi.



Pastaj ngadalë e më ngadalë

T’i përkëdhelin lotët e gurëzuar

Faqet e rrudhura aty ku atdheu

I dhembjeve përplaset me kohët

Nëpër metaforat që bërtasin…

Çirren natë e ditë pa nda

Oh, heshtin bërtasin, bërtasin heshtin

Paralelisht,

Dhe shfaqen me buzëqeshjen si diell

Mëngjeseve blu me bebëza të ngushtuara

Netëve të errëta me bubullima dridhmuese



Të thonë e bukur, të thonë mbretëreshë

Të thonë e çfarë s’të thonë.



Ti, e heshtur si vetmia

E zhurmëshume si trishtimi

Përkund dhembjen tënde të përjetshme

Misterin e pafund… sa krijimi

Ku gëzimi e dhembja përplasën si në pasqyrë

Dhe rrokullis shikimin e butë buzë në buzë

Gojë më gojë



N’ heshtje si zog grabitqarë merr

Herë dhembje e herë plandosesh n’gëzime.

Oh e lumja poezi që dashuron pakufi.

Cikel Poetik-Arshi Pipa

Shkruan:Mr.sci.Flori Bruqi

Arshi Pipa, lindi në Shkodër, ishte poet, gjuhëtar, kritik dhe pedagog shqiptar.

Bir i një familjeje dinjitoze për ideale e virtyte atdhetare dhe krenare për traditat kombëtare, Arshiu mori drejtimin e një njeriu të ndershëm e kambëngulës në bindjet e veta, kundërshtar i çdo konformizmi. I ati, Mustafa Pipa, qe njeri me kulturë të gjanë, jurist për nga profesioni, patriot dhe demokrat për kah idealet.
Fotoporteti
 E ama, nanë Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye, burrneshë e vërtetë shqiptare, vdiq në internim, me shpirtin plagë.

 I vëllai, Muzaferi, avokat, me interesa të gjana kulturore, demokrat, kundërshtar i çdo diktature, botues i revistës “Fryma”, ku shprehi pikëpamjet e tij përparimtare politike e shoqënore, u pushkatue në terr nga organet e sigurimit, sepse kërkoi me gjetë drejtësi e rregull në gjyqet e tyne kriminale.

 Motrat, edhe pse të shkëlqyeshme në mësime dhe intelektuale të formueme, u detyruen me ba punët ma të randa për me fitue bukën e gojës. Vitet e para t'arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës, (Ndarje Klasike) në 1938, më pas studioi për filozofi në Universitetin e Firences. Disertacioni i tij, “Morali dhe feja tek Bergson” u paraqit në 1942 dhe ai mori gradën e doktorit në filozofi. Në vitin 1941 ai kthehet në atdhe, ku u emërua mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës. Në atë kohë jepte mësim njëkohësisht në licetë shtetërorë të Shkodrës dhe dhe të Durrësit deri në 1944.

 Pas luftës, ishte mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në kolegjin e mësueseve në Tiranë. Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në Prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit të tij kategorik për të vepruar në përputhje me politikën e regjimit totalitar. Dokumentimi i dhjetë viteve (1946-56) kaluar në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar, gjendet tek “Libri i burgut” (1959).

Në 1957-ën u arratis për në Jugosllavi ku jetoi për disa kohë si refugjat. Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.

Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).

Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, - çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, - gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue.

Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968).

Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij.

U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ).

U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 Shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”.

Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh.

E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to.

Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

Veprat

Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet.

 Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.).

Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.

Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, - një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.

“Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.).

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” ). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des etudes sud-est euripéennes”.
Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip.

Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. ).

Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).

Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, F.B).

Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” ). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” ). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.
Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, - shkruhej në kopertinën e fundit, - kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshiu vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme.





Cikel Poetik-Arshi Pipa
Nemesis (mallkim)

I

Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë,
mbërthye qelash ndër pranga,
nga gjoksi i shtypun sungullon mâ e naltë
kur del prej s’thelli kanga.
Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën:
anmiq t’adheut! Tradhtarë!
pse duem Shqipnin e plotë, pse urrejmë na namën
e huej, pse jem, shqiptarë.
E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit
t’anmikut për trofe,
ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit
e zhyen me tjetër fè,
ata qi deri dje mbajshin kapistra,
teneqexhinj, shollarë,
gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra:
ata janë atdhetarë!
Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë
na këllasin, na e shtyjnë
n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lypë
qeshin e na pështyjnë.
Na lagin dimnit qelat, elektrikun
na e venë ndër veshë e n’gojë
e ndër trupa… E qeshin tue fikun
cigaret n’sy për lojë.
Na vene jelekun sa me u thye kërbishtnash,
na lanë me ditë e netë
varun për shpatullash mbi maje gishtash,
pa ngrënë, pa pi, pa fjetë.
Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë
me shkelma na mbarojnë,
na hjedhin prej dritores, e veç rrallë
me nji plumb na nderojnë.
Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun
si coftina na kallin,
ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun
lotët që zbusin mallin.
Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën,
se tortura qi e sosë.
E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën
urrejtjen qi rroposë.
Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fatore
kur shokët qi nuk ranë,
me shpirtin dalldisur për fitore,
do t’thrrasin gjakun tonë.
Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë
qi vegla u bâh’ ni qorre.
E zezë asht nata, por s’ashtë veç një natë.
Dielli i liris, ti shporre!
E n’se lypet durim e besë qi s’vdaret.
aq sa më dhambë me bre
hekurin që kryqzon dyert e dritaret,
qoftë ajo ligjë për né.
Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë
me besën e dëshmorit,
nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë,
pa shfrim mbrenda kraharorit,
ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun,
shpartallon ledh e strehë,
dhe si shqiponja e flamurit vërtikun
ndër qiellna t’lira zhgrehë.
Përpëlitet Shqipnija nën mizoren
thundër si krymb n’handrak.
Heu, deri kur ma do puthim dorën
qi syt na i plasi gjak?
Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén
ksaj zgjedhe fund me i dhanë!
Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen
veç burg e kasaphanë.

Elegji për Gac Çunin

Këtë elegji poeti ia kushtoi një ish nxënësi të tij dhe shok burgu, Gac Çunit ish-mësues në Kastrat të Shkodrës, që kur vdiq në burgun e Burrelit, nuk i kishte mbushur të tridhjetat. Ai ishte turbekuloz, megjithatë u kishte bërë ballë me trimëri vuajtjeve të burgut. Në mars 1956, pak muaj para se të lirohej, ai pati një sulm apendiciti. Drejtori i burgut e la të vdiste pa e çuar që të operohej. Në burg Gac Çuni kishte kompozuar këngë patriotike, njëra prej tyre ishte kënga për tre të rinj shkodranë të vrarë në gusht 1948 prej Partisë Komuniste. Gaci kishte kompozuar edhe këngë të tjera mbi motive popullore. Njëra ndër këto: “Kanga e kaçurrelit”, është bërë sot popullore në Shqipëri.

Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin!
Banja t’madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin!
Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë
Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë!

Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t’Bedenit,

fill andej përplasun brrakave t’liqenit;

ra e u’mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati,

s’ishte për tê kazma, s’ishte për tê shati

Se ktij qielli i fali çka s’i dha secilit:

frymën e muzikës, zanin e bilbilit.

Oh sa herë ndër muzgjet e robnis ai zâ

Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ

Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija,

tash ndër kangë shkodrane, tash n’Ave Maria.

Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin

Tretun ndër kujtime t’ambla qi ato zgjojshin…

Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë,

mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë!

N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë

Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?

Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahanuer!

Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer!

Fshâj e përmbas teje le t’ankojë shoqnija

qi na njofti vlerën, mbarë t’ankojë rinija!

MANDATA

Ja kushton vllaut. Ja cka shkruen Pipa

Kjo elegji u shkruajt në Nanduer 1948, pak para se të nxirresha në gjyq për herën e dytë. Ky gjyq u ba në Prokurori të Durrësit me dyer të mbylluna dhe zgjati gjithsej 15 minuta. Vendimi i gjyqit u dha brenda në burgun e Durrësit. Im vëlla Myzafer Pipa, avokat, qe arrestue në shtatuer 1946 dhe mbasi u torturue deri në vdekje, u nxuerr dhe u vra me nji batare automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte dashtë t’ikte. Vrasjen e tij, të cilën ma kishin mbajtë mshehtë, e mora vesh vetëm gjatë proçesit të dytë në Prokurorinë e Durrësit.Andrrën e pau nji i burgosun, kosovari Azis Sula, në kohën e vrasjes. Im vëlla pat qenë burgosë nga autoritetet fashiste italiane n’ishullin Ventottene afër Gaetas, më 1940 dhe më vonë internue në kampin nazist të Prishtinës më 1944.

Elegjia Vllazërore



Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t’kishte lanë,
edhe pse miqt e shokët
nuk dojshin me ma thanë.
Der sa mbi krye mandata,
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka në andërr
prej kohe m’ishte gja.

E pau epileptiku

qi s’njifte mue as ty.

Po kapërcejshim lumin

kur befas ura u thye…



Un rashë… m’u turr vërtiku…

humba! Uluroi një za…

Ti u hodhe, m’kape, m’qite…

por vetë nuk dole ma!

Ti vuajte, ti rreziqe

durove simbas stinës

nga ishulli i Ventottenes

ndër telat e Prishtinës.



E pse përbuze vdiqe

terrorin bolshevik,

gjithmonë armik i shtypjes

e bir i atdheut besnik.

Sot qi nga dita e mortit

Ka rrjedhë ma se nji mot,

tue ta nderue kujtimin,

o vlla, nuk derdhi lot.

Pse për vdekjen e t’fortit

i fortë duhet me u bamë.

As i përmendi fajtorët:

nuk kam ma çka me i namë.



Kur ndofta nga mizori

Po përgatitet ura

për mue kët herë e kanga

e mbramë âsht kjo qi thurra,



me gjakun tand dëshmori

vulosi sot nji bè:

përbuzi komunizmin

e truhem për atdhè.

Cikel Poetik MARTIN CAMAJ

Shkruan :Mr.sci.Flori Bruqi


Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik të vitit 1925; vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih. Ishte shkrimtar dhe albanolog, një figurë e madhe e letrave dhe pedagogjisë shqipe.

Martin Camaj

Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit mori edukatë klasike dhe më tej studjoi në Beograd ku studioi romanistikën, por mori mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përseafërmi me botën arbëreshe, dhe nis e mëson shqip. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Në Munih, ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në vdekje,. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik "Nji fyell ndër male", Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe "Kânga e vërrinit", Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t'u kthyer. Këto u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive "Legjenda", Romë 1964 dhe "Lirika mes dy moteve", Munich 1967, kishte disa poezi nga "Kânga e vërrinit", që u ribotuan në "Poezi" 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti (1888-1970). Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet "Selected Poetry", New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe "Palimpsest", Munich & New York 1991.

Tituj të veprave

Nji fyell ndër male - Prishtinë 1953
Kanga e vërrinit - Prishtinë 1954
Djella (novelë) - Romë 1958
Legjenda - Romë 1964
Lirika mes dy moteve - Munih 1967
Poezi (1953-1967)- Munih 1967 [3]
Njeriu më vete dhe me të tjerë - 1978 [3]
Poezi 1981
Drandja (proza poetike)- Munih 1981 [3]
Rrathë (novelë) - 1981
Shkundullima - 1985
Karpa (novelë)- 1987
Poezi 1981
Tingujt e parë

Botimet dygjuhësore
Poezi (shqip-italisht)- 1985
Me pendlat e korbit të bardhë (shqip-gjermanisht)
Meshari i Gjon Buzukut - Romë, 1960
Tekst mësimor i gjuhës shqipe - Wiesbaden 1969
E folmja shqipe në provincën e Avelinos - Firence 1971
Antologjia: Këngë shqiptare - Dusseldorf 1974
Gramatika shqipe - Wiesbaden 1984


GJAKMARRJA

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lòt.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mal e vrrî.



MES SHËNGJERGJAVE

Nepër palcin e eshtnave ndij
frymën e vdekjes.
Për rreth digjet ajri
e shikimi tret në udhën e pa skâj.
Më dhimben vetëm sýt:
do të shohin dhambët e amshimit
tue u mbyllë përpara.

NJI POETI TË SOTËM

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,

zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,

akull
ndonëse nën shtatë lëkura.



MOTIV I VJETËR NË KTHIM

Shtatë vasha u çuen peshë
kur ngjyra e korbit fluturoi
përmbi shtyllën e jetës:
sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u çuen peshë
e u turrën vrap me funda
në duer sa qethi mbas korbave
e vetëm me za i tretën si plafa të murmë
nën karmat e vendit tim.

Po s’erdhët ju, vasha,
kur të zbardhen pusat e ujit
në lumë përpara agimit,
ngurzohen ehde duert e foshnjeve
në palaré.

DRENI PLAK

Barijtë tradhtisht e lanë shkret bjeshkën
për ngrohësinë e vërrijeve.
Dirgjen shtigjeve tue folë me za të naltë
punë grash e qeshin
me ujin e prronit zhgrehshëm tue u derdhë,
prej pusi në pus.

Dreni plak çoi kryet prej dheut të djegun,
e vrejti gjethin e zverdhun. Mandej
shkoi e u kap me të bijtë për punë
drenushash.

I thyem e la edhe ai bjeshkën e ndoqi
gazin e prronit teposhtë, shigjetë zjarmi
mërgues për vendet e vuta e bar dimni
që kurr nuk ka me e prekë!

Kur e vranë, barijtë i hapën qepallat
e i panë ndër bebza
shum drej tue pi currila uji.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...