2012-10-02

Pellumb Kulla / Ramiz Alia i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit

Interviste imagjinare


Interviste imagjinare

Intervistë imagjinare, marrë zotit D.K., ish funksionar i lartë i Sigurimit

I intriguar mjaft nga botimet dhe shtypi i ditëve të fundit, në të cilin personazhe të dorës së parë shpalosin kujtime e dokumenta me peshë, ku shihet qartë se Sigurimi i Shtetit ndiqte njerëz të rëndësishëm të nomenklaturës komuniste, unë arrita të kontaktoj zotin D.K funksionar i lartë i armës së Sigurimit. I thashë se kërkoja një intervistë nga ai për “Shekullin”. Ai më pa me dyshim nga koka te këmbët për një kohë të gjatë teksa unë ngriva nga frika se do të më kërkonte dokumentin e gazetës, që nuk e kisha. Por ai e pranoi ftesën pa kërkuar shkresurina. Vetëm m’u lut që për shkak të detyrës së lartë që pat mbuluar në Sigurim, të mos identifikohej. Gjysëm orën e parë e harxhuam për të caktuar inicialet e tij. Së fundi ramë dakord të quhet D.K., gërma nga të cilat asnjëra nuk bën pjesë në emrin dhe mbiemrin e tij të vërtetë.

Në fillim më pyeti ai:



D.K. - Përse të intereson kjo temë?

Unë - Më intereson, se pas 15 vjetëve, po na del një tablo tjetër nga ç’e kishim menduar. Kuptohet që kjo me kalimin e viteve do të thellohet. Do të vdesin dëshmimtarët dhe tregimet mbi persekutimet do të bëhen më ngjethëse. Por unë desha të provoj, a është e saktë që objektivi i vërtetë i Sigurimit nuk paskan qënë të huajt dhe reaksionarët, por vetë funksionarët e lartë të Partisë, Frontit, Bashkimeve Profesionale. Ne kujtonim si persekutim, internimet, burgimet, pushkatimet, punët e rënda…

D.K. - Ke përfytyrim të gabuar. Për cilin të përndjekur do që të dish më shumë?

Unë - Për sho… Për Ramiz Alinë.

D.K. - Ku e ke hallin? Ku do ta nxjerrësh kollën?

Unë - Nuk kam për të nxjerrë asnjë kollë. Vetëm më vjen mirë që edhe sho.. Ramiz Alia të zerë një vend të nderuar midis të përsekutuarve, që janë aq në modë edhe që nderohen aq shumë sot në demokraci. Këtu kam parasysh njëmbëdhjetë shoqatat e tyre, miliardat e letrave me vlerë, përgatitjet që bëhen për reabilitimin e tyre para se ata të arrijnë të vdesin. E plot, e plot mirësi, që nuk i them dot.

D.K. - Qëllimin e paske të mirë. Jam gati të përgjigjem.



Tani nisa të pyes unë:



Unë – E keni ndjekur Ramiz Alinë?

D.K. - Egërsisht!

Unë - E kish nuhatur ai ndjekjen tuaj?

D.K. - Ne nuk i kishim dhënë shkas që ta kuptonte, por ai e ndjente, si të gjithë.

Unë - Pse “të gjithë”? Ishin shumë ata që ndiqnit?

D.K. - Me mijëra! Që nga kandidatët e Komitetit Qendror e lart! Ti, aty më parë, përmende burgimet dhe pushkatimet… Ato nuk janë asgjë para ndjekjes. E di ti, se çfarë domethënë të të ndjekin?

Unë – Nuk e di. I ndiqnit, po a i zutë?

D.K.- Jo nuk i zumë, por ndjekja nuk është pak.

Unë - Sidoqoftë kjo gjë ata nuk i pengoi të kishin funksione, të udhëhiqnin, t’u botoheshin të thënat, të jetonin në apartamente luksoze, të pushonin në vila edhe më të mira, të lëviznin me automobilë të shtrenjtë, të bridhnin nëpër Europë…

D.K. – Hiçgjë! Këto ishin hiç krahasuar me ndjekjen që i bënim ne!

Unë – Ju, përse i ndiqnit?

D.K. – Sepse ata kishin qëllime që t’ia lehtësonin jetën popullit. Ata maskarenj ishin gati të jepnin jetën për njerëzit e thjeshtë, për të vuajturit e diktaturës.

Unë – Nuk ju pëlqente juve kjo gjë?!

D.K. – Jo!

Unë – Pse?

D.K. – No coment!

Unë - Më ndjeni që ngul këmbë në këtë pyetje, zotëri, por në tërë këto kujtime të çmuara që botohen, flitet që këta funksionarë janë përndjekur dhe persekutuar keq. Por nuk del nga kush? Me një fjalë, tregohet se këta vuajtën dhe u cfilitën, por në atë teatër të diktaturës, tërë personazhet e njohur dalin të mirë, pozitivë. Mungon pala që bën keq.

D.K. - Nuk të mjaftojmë ty, ne, Sigurimi? Sigurimi është personazh i njohur.

Unë - Mirë, po cili? Ju, përshembull, nuk pranoni të identifikoheni dhe quheni D.K.

D.K. – A ramë dakord për inicialet?! Apo ta dhjesim intervistën, tani?!!Ou!

Unë – Dakord. Kërkoj ndjesë. Unë desha që gjërat të jenë të qarta deri në fund, se në rast se fillojmë dhe ulërijmë të tërë për thuprat që na fshikulluan 20-30 vjet më parë, në Shqipëri do bëhet një kakafoni, që nuk do ta marrë vesh i pari të dytin. Ju keni ndërmend t’u jepni dëshmi persekutimi të gjithë këtyre të mëdhenjve?

D.K. - Pse mos do të presim t’ua japin ato… shoqatkat?! More ty, çfarë të shqetëson ty vetë? Ke ardhur te unë për të marrë edhe ti ndonjë dëshmi?

Unë - Çfarë dëshmie! Unë atëhere nuk kisha lindur akoma. Flas si “Shekull”, jo si gazetar!

D.K. – Atëhere ti do kesh zili ndonjë gazetar!

Unë – Asnjë zili. Ja ta konkretizojmë me gazetarët, apo shkrimtarët. Po të jetë se nga çanaku i persekutimeve, do të nisni të ushqeni dhe Dritëronë me Ismailin, siç po mundohen të bëjnë disa, atëherë vaj medet moj Shqipëri!

D.K. - Pse njeh ti ndonjë shkrimtar që është persekutuar më shumë?

Unë - Ja, pikërisht se nuk njoh, aty është belaja! Nuk i njoh përshëmbëll ata qindra studentë, që nuk u lejuan të studjojnë për letërsi! Ja, ata nuk kanë emra! Ata tani nuk njihen dhe del që as nuk janë persekutuar! Nuk kam ç’të them! Sidoqoftë, ju faleminderit, çanaku është i madh… Gëzohem që mora vesh, që nga ju paska vojtur edhe sho… Ramiz Alia!



Dhe e lashë.Ai më ndoqi me sy nga pas me një vështrim dhelpëror edhe më tha:

- Eja ndonjë ditë të të tregoj për persekutime edhe më të mëdha!

Unë u intrigova më keq dhe pyeta:

- Se mos keni ndjekur dhe Enver Hoxhën!

Ai qeshi dhe e pohoi:

- Hajde të ndjekur, që i kemi bërë, hajde! Persekutimin që ka patur Enveri, nuk

e ka patur njeri, po prit, prit! Më vonë do të dalin!

Unë i shkova edhe një herë për ballë dhe e pyeta:

- Po ju, dreqi e mori, ju, kush ju urdhëronte? Kush ju udhëhiqte?

Ai pa përreth sikur kërkonte njerëz që të më lidhnin. Po unë, nuk isha aq budalla

sa të qëndroja akoma dhe ia mbatha tatëpjetë shkallëve.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...