NË TAKIMET E DOM MIKELIT 2012 KUVENDI I STUBLLËS I NGJAU KUVENDIT TË LEZHËS



Stublla e stolisur për festën e madhe në Jubileun e Madh
Në Stubëll të Vitisë, në edicionin XXIII-të të manifstimit tradicional në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, u mblodhën mijëra shqiptarë të të gjitha trojeve tona etnike dhe, në kishën e Shën Jozefit, ipeshkëvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji bashkë me kryehoxhën e Vitisë Imam Feim Abazi, bekuan flamurin tonë kombëtar, që i parapriu aktit të shenjtë të nënshkrimit të Paktit të Bashkimit Kombëtar, në Jubileun Shekullor – 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë akt të shenjtë ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të familjeve tona të shenjta – Jashari, Ramadani dhe Rugova. Manifestimi pastaj vazhdoi me Orën madhe letrare, ku sivjet lexuan mbi 40 poetë të të gjitha hapsirave arbërore dhe nga diaspora dhe u ndanë gjashtë çmime – tre me emrin e emblemës së prishjes së kufirit përmes tokave shqiptare, Agim Ramadani (luftëtar, poet e piktor) dhe tre të tjerë me emrin e Shën Jeronimit Ilir. Edhe programi artistik sivjet ishte special, në frymën e Jubileut tonë shekullor.
Shkruan: Engjëll KOLIQI, Stubëll, shtator 2012
Këshilli Organizativ i manifestimit “Takimet e Dom Mikelit” që nga pranvera u mblodh gati për çdo javë, në mënyrë që sivjet, në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të organizohet një manifestim pak më special nga 22 edicionet paraprake. Rregullisht janë angazhuar intelektualët e Stubllës (profesorë, shkrimtarë, gazetarë, ekonomisë, juristë), anëtarët e këshilleve të fshatit dhe të kishës, të rinjtë… Janë sjellë dhe janë shqyrtuar ide dhe propozime për një kremtim special e dinjitoz, në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në njërën nga mbledhjet, Këshilli Organizativ vendosi që tema bosht e akademisë shkencore, në edicionin e sivjemë të Takimeve të Dom Mikelit të jetë SHQIPTARËT 100 VJET PAS PAVARËSISË, si dhe të ftohen përfaqësuesit e të gjitha trojeve shqiptare (nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore apo siç po e quajnë Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi, si dhe përfaqësuesit e çamëve dhe të arbëreshëve. Datë e mbajtjes së manifestimit u caktua, si zakonisht e shtuna e tretë e shtatorit, data 22.
Siç ishte vendosur në Këshillin Organizativ, janë thirrur edhe institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës – kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, të cilat nuk erdhën, për shkak të udhëtimit të tyre në Nju Jork – në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së. Për çështje shëndetësore ka munguar përfaqësuesi i arbëreshëve At Antonio Bellushi, kurse përfaqësuesi i çamëve Shpëtim Idrizi, për çështje subjektive dhe objektive.

Stubllavaqa e stolisur me Flamurin 100 X 50 metra,i dhuruar nga Familja Legjendare Jashari e Prekazit
Stublla, e privilegjuar,ë jetë e stolisur me Flamurin e Bukur kuqezi

Disa ditë përpara Stublla është stolisur me 100 flamuj kombëtar, kurse një ditë para festës ata janë shumëfishuar. Stubllavaqa – kodra nbi Stubëll, në majë ishte mbuluar me flamurin kombëtar të madh 100 X 50 metra, i dërguar special nga Familja Legjendare e Prekazit Jashari.
Kremtja filloi në ora 10, në Kishën e Shën Jozefit në Stubëll, gjithashtu e stolisur me mbishkrime dhe me flamuj kombëtar, kësaj here jo me meshë si zakonisht, por me akademinë shkencore dhe me bekim të flamurit kombëtar e me nënshkrim të Paktit të Bashkimit Kombëtar, siç kishte vendosur edhe ipeshkëvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji. Të zotët e shtëpisë – famullitari i Stubllës Don Albert Jakaj dhe Kryetari i Komunës së Vitisë Mr Nexhmedin Arifi, i kanë shpallur të hapura takimet dhe i kanë përshëndetur të pranishmit, duke u dëshiruar mirëseardhje.
Kyetari i komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, tha se takimet e Dom Mikelit nuk janë krenari vetëm për Stubllën dhe Anamoravën, por janë krenari e gjithë kombit shqiptar, pasi ato përshkruajnë përpjekjet e popullit shqiptar për të ruajtuar dhe kultivuar gjuhën e tyre në Ballkan. ‘”Shkolla shqipe e hapur nga Dom Mikel Tarabulluzi dhe shkolla shqipe në Pozheran, hapën rrugën drejt pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 “, tha Arifi. Të pranishmit i ka përshëndetur, në emër të presidentes Jahjaga, shefi i kabinetit Ilir Salihu, i cili ka folur për vlerat e Stubllës dhe të shkollës së parë, por edhe për fatin e shqiptarëve, që mbas 100 vjet ndarjeje do të mund të jenë të bashkuar në kuadër të Bashkimit Europian.

Famullitari Don Albert Jakaj,kryetar i Këshillit Organizativ

Kryetari i Komunës së Vitisë, Mr. Nexhmedin Arifi,duke folur në Kuvend

I dërguari i Presidentes Jahjaga, Ilir Salihu,duke përshëndetur të pranishmit
Sarë Gjergji, i cili ka moderuar këtë fazë të festës, ka ftuar në skenë ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë Z. Islam Lauka, i cili ka folur më gjatë se të gjithë, duke thënë se ndjen një kënaqësi të veçantë, sa herë që vjen këtu. Jemi dëshmitarë të një zgjimi që nisi nga këtu – ka thënë Lauka – nga ky vend, kur shkolla shqipe nisi rrugëtimin e vet, për të mos u ndalur kurrë… shqiptarët arritën, me dinjitet, të sfidojnë një shekull gjenocid… Islam Lauka, theksoi se Stublla është një nga shtyllat e rëndësishme të ruajtjes së identitetit kombëtar, pasi ndër shekuj ishte qendër e qëndresës.
Po citoj pjesë nga fjala e Ambasadorit Lauka, në këtë Kuvend Kombëtar: “S’di si t’ia filloj, por e ndjej një kënaqësi të veçantë ku sot, këtu ku jemi, sikur po ndodhë zgjimi kombëtar. Jemi dëshmitarë të një zgjimi që nisi këtu, nga ky vend, ku shkolla shqipe nisi rrugëtimin e vet për të mos e ndalur kurrë. Dhe ia doli fitores. Ndonëse të tjerët na kanë quajtur me shumë emra përbuzës, edhe djaj, edhe të egër, me bishta, pa identitet, njerëz nga shovenistët – sidomos serbë, që kanë folur dhe shkarkuar zi e më zi, ne përballë një gjenocidi shekullor, ia dolëm fitores.
Jemi popull me dinjitet dhe ajo që ngjau me popullin e Kosovës, në këto vitet që shkuan, ishte një tmerr i paparë. U bënë shumë arrestime, që edhe sot po ndodhin ne Luginën e Preshevës, që nuk janë gjë tjetër, pos taktika të Millosheviqit, kasapit të Ballkanit. Por, shqiptarët e kanë kuptuar rrugën e integrimeve, rrugën e BE-së, e cila na çon në rrugën e Europës së Bashkuar. Prandaj, sot, identiteti i shqiptarëve është krejt i natyrshëm dhe është shembull për të mirë, edhe për të tjerët. Pra, edhe pas 100 vjetësh të pavarësisë së Shqipërisë, ne duhet të ndërtojmë ura afrimi, në rrugën e integrimeve…”.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Z. Islam Lauka
Pastaj në foltore janë ftuar ish ushtarakët e Brigadës 138 Agim Ramadani – Anton Çuni, komandant dhe Feriz Drazhnjeva nënkolonel i ardhur në ndihmë nga Shqipëria. Anton Çuni ka thënë se përkrahja e Shqipërisë në Luftën Çlirimtare të Kosovës, nuk ka munguar kurrë. “Ne nuk ishim të vetmuar, por kishim përkrahjen nga Shqipëria dhe nga vendet tjera, sepse e dinin se bënim një luftë të drejtë. Ato vite kanë qenë të vështira, sepse ishim duke bërë luftë me një shtet kriminel. E kishim moralin dhe vullneti ishte gjithmonë në anën tonë…”.
Ai pastaj e ka ftuar nënkolonelin Drazhnjeva, për t’i shprehur dëshmitë e tija nga Beteja Historike e Koshares, me ç’rast ishin shkulur gurtë e kufinjëve të përgjakur përmes tokave tona. Z. Drazhnjeva, pasi ka dhënë dëshmitë e tij konkrete, ka thënë se populli shqiptar i Kosovës ka bërë shumë sakrifica, për të fituar lirinë. “Populli shqiptar ka bërë shumëçka për të fituar luftën dhe lirinë që sot e gëzojmë. Gjatë kësaj kohe të luftës, në asnjë moment, nuk ka munguar solidariteti i popullit, me forma të ndryshme. Sidomos duhet përmendur Malësia e Gjakovës (Tropoja), e cila ka ndihmuar shumë gjatë kësaj kohe…”

Pamje e bukur nga Akti i Madh, kur po intonohej Hymni Kombëtar

Pamje madhështore – intonohet Hymni Ynë Kombëtar

Komandanti i Brigadës 138 Agim Ramadani – Anton Çuni, në foltore

Dy komandantë të nderuar të Brigadës 138 Anton Çuni dhe Feriz Drazhnjeva
Mandej në foltore është ftuar Mehmet Bardhi, njëri nga kryesorët prej liderëve shqiptarë në Mal Të Zi. Ai ka theksuar se pozita e popullit shqiptar në këtë vend, nuk është e kënaqshme dhe se shqiptarët atje anashkalohen nga pushteti i këtij shteti sllav. Z. Bardhi gjithë këtë e ka ilustruar me shembuj konkretë dhe ka kërkuar një Shqipëri të fortë, që do të kujdeset për të gjithë shqiptarët, kudo që janë ata.
Në këtë festë të madhe, organizatorët kanë menduar shumë mirë, që t’i kenë të pranishëm të gjithë, pa dallime politike, fetare a ideologjike.
Në këtë akt të madh të nënshkrimit të Deklaratës për Bashkimin Kombëtar na kanë nderuar familjet: Jashari, Ramadani dhe Rugova, përfaqësues të institucioneve shtetërore, por edhe ata të partive opozitare. Një prej tyre edhe ka folur në këtë ditë të madhe. Është Ai lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili nuk ka folur shumë, por gjithçka e ka pasur me vend, pa ngjyra politike, ashtu si i ka hije nje feste të madhe. Po e japim të plotë fjalën e Z. Kurti: “Kombi para së gjithash është gjuhë. Gjuha mësohet e lexohet, shkruhet e kultivohet nëpër shkolla.
Edhe shkolla, porsi kombi, para së gjithash është gjuhë. Gjuha e mundëson kombin dhe gjuha e mundëson shkollën. Mirëpo, gjuha e mundëson edhe lidhjen e këtyre dyjave. Gjuha ia jep shkollës kombin. Gjuha e bën shkollën kombëtare dhe kombin të shkolluar. Gjuha është mjeti që na bashkon përmes komunikimit, porse gjuha është edhe shtëpia ku banojmë të bashkuar. Rilindja kombëtare shqiptare i ka rrënjët te gjuha jonë. Dëshmorët e parë të shqipes janë dëshmorë të gjuhës. Ata janë dëshmi e kombit, dëshmi e historisë sonë kombëtare, dëshmitarë të ecjes sonë të përbashkët. Ata vepruan për të jetuar kombi dhe ranë për t’u ngritur kombi. Sa të jetojë kombi do të jetojnë edhe dëshmorët e tij.
Dhe, duke iu falënderuar dëshmorëve të kombit, jetojmë ne si shqiptarë. Ashtu qysh Dom Mikeli i mblidhte nxënësit e tij para një shekulli, ai sërish na ka mbledhur edhe neve sot, me një dëshirë dhe me një qëllim: bashkimin rreth flamurit tonë kombëtar. Edhe pavarësia e Republikës së Shqipërisë, edhe pavarësia e Republikës së Kosovës, janë bërë në emër të kombit dhe për kombin. Të gjitha hovet në ecjen tonë kanë qenë kombëtare. Kur ecim bashkë, arrijmë bashkë. Kur ecim ndaras, nuk arrijmë as ndaras.
Ne duhet të theksojmë të përbashktën tonë, e jo dallimet midis nesh. Kur fitojmë së bashku, kur e përbashkta jonë fiton, atëherë fitorja jonë është e qëndrueshme. Ne duhet t’i rrisim ambicjet kombëtare e kolektive dhe jo ato individuale e personale. Duhet të jemi së pari krenarë si shqiptarë, e mandej krenarë si emra të përveçëm. Vetëm kështu do të jemi të sigurtë se krenaria jonë nuk është mendjemadhësi.
Në të gjithë botën, sot toleranca ndërfetare konsiderohet sukses. Mirëpo, në këtë aspekt, shqiptarët janë para gjithë botës. Sepse, ne jemi përtej tolerancës ndërfetare dhe kemi më shumë se tolerancë ndërfetare. Te kombi shqiptar kemi bashkëpunim dhe bashkëveprim ndërfetar, si në paqe ashtu edhe në luftë. Kombi shqiptar ka heronj dhe dëshmorë të të gjitha feve, në të gjitha epokat. Kur heronjtë dhe dëshmorët e kombit nuk i ndau as vdekja, të gjithë neve le të mos na ndajë kurrë jeta.
Më lejoni të përfundoj me një thënie te monumenti i Shkollës së Parë Shqipe të Dom Mikelit, në Stubëll të Vitisë, tash të shndërruar në muze, të cilën e lexova para se të vij në këtë tubim të sotëm: «Vetëm kush e do Hyjin, Atdheun, Lirinë deri në vetëflijim mund ta kuptojë e dojë Shqipërinë, vend ky besnik i heronjve dhe martirëve…»”.
Pastaj kanë dalë në skenë përfaqësues të fesë: Ipeshkëvi i Ipeshkëvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji dhe udhëheqësi i Bashkësisë Islame të Vitisë, kryeimami Feim Abazi. Me këtë rast ipeshkëvi ka marrë fjalën. Imzot Dodë Gjergji ka thënë se hapja e shkollës së parë shqipe në Stubëll, ishte ngjarje e madhe për kombin. Shkëlqesia e Tij – Imzot Gjergji ka theksuar se kisha, në të gjitha epokat dhe stinët historike të historisë sonë kombëtare, ka qenë vatër strehimi dhe përkrahjeje e luftëtarëve dhe patriotëve shqiptarë, duke mos kursyer asgjë për lirinë dhe prosperitetin e kombit.
Ai, edhe me këtë rast, theksoi ndihmën e madhe që Dom Mikeli i kishte dhënë Idriz Seferit, në përgatitjen e Luftës së Kaçanikut, si dhe rolin e Dom Nikollë Kaçorrit, në aktin e ngritjes së flamurit në Vlorë, si dhe kontributin e tij në pozitën e nënkryeministrit të parë të Shqipërisë, në Qeverinë e Isamail Qemalit.
Po citoj thekse nga fjala e Imzot Dodë Gjergjit: “Shkolla Shqipe funksionoi në Stubëll që në vitin 1584, në formë kolegji. Pastaj kishte shkollë edhe në vitet ’40 të shekullit XIX, që pasoi me martirizimin e 207 personave, nga Stublla, Terzijajt, nga Dunavi, nga Vërnakolla, nga Binça dhe nga fshatërat perrreth. Kemi dokumente dhe argumente që flasin edhe për shkollën këtu, në vitin 1872, 1888 dhe më 1891. Më 1896 u bë ndërtimi i kishës famullitare, që shërbeu edhe si shkollë, për fëmijët nga Stublla dhe nga fshatërat perrreth dhe që më 1905, me pavarësimin e famullisë, u legalizua dhe u njoh edhe nga pushteti i xhonturqëve”.

Imzot Dodë Gjergji dhe Imam Feim Abazi në çastet para bekimit të flamurit
Kryehoxha i Vitisë, në shenjë respekti për ipeshkëvin, nuk deshti të flasë, sepse siç tha – ipeshkëvi dhe folësit tjerë paraprakë i kishin thënë të gjitha. Ai vetëm asistoi në bekimin e flamurit kombëtar, që e bëri Ipeshkëvi Gjergji, i cili flamurin e nderoi edhe duke e puthur. Pas duartrokitjeve frenetike, pasoi nënshkrimi i Deklaratës së mëposhtme, të thjeshtë por që del nga çdo shpirt shqiptari, të përpiluar nga Këshilli Organizativ:
D E K L A R A T Ë
Me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ne, më poshtë të nënshkruar, pjesëmarrës të manifestimit “Takimet e Dom Mikelit 2012”, deklarojmë publikisht se mbështesim idenë për bashkimin e trojeve etnike shqiptare dhe në kuadër të Evropës së Bashkuar.
Zotohemi se do veprojmë me shumë përkushtim në realizimin e kësaj ideje.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe gjithë trojet e tjera ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët!
Në Stubëll të Epërme, më 22.09.2012
Pasojnë nënshkrimet:

Kryetari i Komunës së Vitisë Mr Nexhmedin Arifi dhe famullitari i Stubllës Don Albert Jakaj,
të parët e nënshkruan deklaratën historike

I Zoti i shtëpisë Don Albeert Jakaj, duke e nënshkruar Deklaratën

Dom Alberti dukenënshkruar Paktin e Bashkimit Kombëtar

Albin Kurti duke e nënshkruar Deklaratën

Nënshkruan Zonja Shukrije Ramadani

Patjetër që nënshkruan edhe i deleguari i Familjes Jashari

Nënshkruan Naser Rugova
Nënshkrimi i Deklaratës, respektivisht i Paktit të Bashkimit Kombëtar, ishte kulminacioni i festës së sivjeme. Derisa të ftuarit nënshkruanin, të pranishmit duartrokitnin pandalur – frenetikisht. Sidomos emocionues ishin çastet kur po nënshkruanin përfaqësuesit e deleguar nga familjet: Jashari, Ramadani dhe Rugova. Veç të ftuarve specialë, Deklaratën e kanë nënshkruar edhe liderët fetarë, intelektualë, të zotët e shtëpisë – Kryetari Nexhmedin Arifi dhe Famullitari Don Albert Jakaj, shkrimtarët tanë të mirënjohur Isak Ahmeti e Sarë Gjergji, por edhe autori i këtij reportazhi – ambasadori i paqes Engjëll Koliqi. Gëzimi vërehej në çdo fytyrë të të pranishmëve e dukej se qeshte edhe kisha e Stubllës dhe Stubllavaqa, për të cilën doli propozimi që të quhet Kodra e Famurit Shqiptar.
Pas këtij akti solemn, organizatorët e dhanë Çmimin e Pavarësisë, për Presidentin Historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugova, pas vdekjes, të cilin e pranoi familjari i tij Naser Rugova. Edhe me këtë rast shpërthyen duartrokitje të gjata dhe frenetike.

Don Albert Jakaj ia dorëzon Z. Naser Rugovës Çmimin e Pavarësisë,Për Presidentin Historik 
Dr Ibrahim Rugova, pas vdekjes
Duhet theksuar se përveç shqiptarëve nga të gjitha trojet tona etnike, në këtë festë të madhe ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Diasporës: nga Greqia, Italia, Gjermania, Austria, Zvicra, SHBA-të dhe nga Kanadaja. Me pamundësinë e ardhjes së kryetarit, Këshilli Organizativ ka përcjellur urimet dhe ka falënderuar publikisht Forumin Imazh dhe Media dhe kryetarin Sci Dr Astrit Memia, për angazhimin e vazhdueshëm në dobi të kombit e sidomos për kontributin e jashtëzakonshëm të këtij Forumi dhe të kryetarit Memia, në edicionin e kaluar të Takimeve të Dom Mikelit.
Mbasi mbaroi Akti i Madh brenda në kishë, të pranishmit shkuan në sallën sportive të Qendrës Rinore, që është në oborr të kishës, ku u vazdua kremtja me orën letrare dhe me programin artistik. Duke respektuar natyrën specifike të edicionit të sivjem të Takimeve të Dom Mikelit, organizatorët kanë vendosur që në këtë orë letrare të mund të paraqiten sa më shumë poetë. Vërtetë poezitë e tyre i kanë deklamuar mbi dyzet poetë, nga të gjitha trojet tona etnike dhe nga diaspora.
Ndërmjet poezive janë kënduar këngë speciale, kushtuar këtij jubileu të madh. Sidomos kanë ngazëllyer dhe kënaqur mijëra të pranishëm – Nazim Gagica, me një potpuri këngësh patriotike dhe Luz Koliqi, i ardhur special nga Italia, me këngën Marshi i UÇK-së. Të pranishmit, me zërin e ëmbël i ka kënaqë edhe këngëtarja Fazile Ramadani. Ansambli burimor “Albafolk” nga Gjilani dhe grupi i valleve i Shkollës “Dom Mikel Tarabulluzi” në Stubëll, kanë vallëzuar shkëlqyeshëm valle të bukura shqiptare dhe arbëreshe.

Edhe ora letrare me programin artistik special,Rrodhën ëmbël dhe u ndoqën me interesim të madh

Luz Koliqi, i veshur në uniformë ushtarake,me zemër këndon Marshin e UÇK-së

Ambasadori i Paqes Engjëll Koliqi duke deklamuar poezinë “S’është më ëndërr”

Ëmbël ka kënduar këngëtarja e re Fazile Ramadani

Si gjithëherë valltarët e Andamblit Albafolk nga Gjilanikanë kënaqur të pranishmit me valle,
 kësaj radhe arbëreshe
Juria profesionale e përbërë nga Agim Desku, Nehas Sopaj dhe Bilall Maliqi, poetëve më të mirë ua ka dhënë gjashtë çmime, tre me emrin e Agim Ramadanit dhe tre të tjerë me emrin e Shën Jeronimit Ilir. Çmimi i parë “Agim Ramadani i ka takuar poetit shqiptaro-amerikan Mëhill Velaj, i dyti Sabit Rrustemit, kurse i treti – Fatos Rushitit. Ndërkaq të parin çmim “Shën Jeronimi Ilir e ka marrë Hyqmet Hasko, të dytin Sarë Gjergji dhe të tretin Dibran Fylli.
Çmimi tashmë tradiucional “Akil Koci” iu dha Shkollës së Muzikës “Lorenc Antoni” nga Prizreni, kurse Çmimi Qeshk Shan Ukaj, për punëtorin më të mirë asrsimor në komunën e Vitisë, sivjet për të parën herë iu dha drejtorit të arsimit të komunës – Prof Fehri Qerimi. Pasi mbaroi ceremonia solemne e dhënies së çmimeve, të pranishmit u dërguan në sallën speciale të banketeve, të kësaj qendreje rinore, ku ishte shtruar dreka e përbashkët, e pasur edhe me ushqime tradicionale – flia, pite etj. Këto ushqime i kishin përgatitur gratë e Stubllës, special për këtë ditë të madhe.
Nuk duhet harruar ndihmat financiare për këtë edicion të Takimeve të Dom Mikelit që na kanë ardhë nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Rinisë, e Republikës së Kosovës, si dhe nga Komuna e Vitisë, thonë në Këshillin Organizativ dhe në Shoqatën Kulturoe Shencore “Dom Mikel Tarabulluzi. Nuk kanë munguar edhe ndihmat e Shoqatës Integruese Kulturore Humanitare me emrin “Stublla”. Nga Italia, Zvicra, Gjermania dhe Austria. Qëllimi kryesor është arritur, sepse në këtë edicion gjithçka frymonte dhe gumëzhinte shqip.
Do të ishte mëkat po të mos i falënderonim mediat e komunikimit masiv, për interesimin e jashtëzakonshëm dhe rëndësinë e hapsirën që i kushtuan kësaj kremteje të madhe kombëtare në Stubëll. Këshilli Organizativ falënderon nga zemra Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), Radiotelevizionin Shqiptar – RTSH, Radiotelevizionin e Maqedonisë – redaksinë shqipe, Radiotelevizionin 21, Radiotelevizionin Koha, Radiotelevizionin Klan Kosova, Radiotelevizionin lokal të Vitisë Iliria, gazetat tona të përditshme “Bota Sot”, “Zëri”, “Kosova Sot”, “Ekspressi” e të tjerat.
Duhet falënderuar edhe redaksitë tjera të lajmeve dhe dritaret e internetit, si Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, dritaren “Kosova Info”, “Telegraf”, redaksinë e revistës “Nacional”, dritaret e internetit të Komunës së Vitisë, të Fshatit Smirë dhe shumë të tjera. Një falënderim special i takon Produkcionit “Rino Art” në Viti dhe prodeucentit Selajdin Osmani, për inçizimin komplet të kësaj kremteje, me qëllim të bërjen së një filmi të bukur dokumentar.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit