Amik Kasoruho :“Një ankth gjysmëshekullor, Shqipëria e Enver Hoxhës”



Amik Kasoruho (lindur më 1932) në Tiranë. Është autor i disa librave: "Një ankth gjysmëshekullor" (1997), "Çmimi i një ëndrre" botuar në Itali (2000), "Midis qiellit dhe burgut" dhe romanin autobiografik "Ikje nga trilli i perëndive". Amik Kasoruho ka përkthyer në shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O'Brian, John Selby etj. Është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999. Në 2000 ka marrë çmimin "Civitas - Arberia 2000 Calabria" për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve "Katundi Ynë". Jeton ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.




I botuar për herë të parë në vitin 1993 dhe ribotuar për herë të katërt, këtë vit në Itali libri “Një ankth gjysmëshekullor, Shqipëria e Enver Hoxhës” i Amik Kasoruhos, ndiqet ende me kërshëri dhe vëmendje, si të botohej për herë të parë.



Dhe kjo bëhet e veçantë kur njerëzit që e lexojnë dhe shprehen për rëndësinë dhe vlerat e tij, janë të huaj. Herën e fundit vëmendja e studiuesve dhe kritikës nuk e ka lënë në heshtje këtë libër, i cili për fat të keq (por edhe për fat të mirë, sepse do vijë në treg së shpejti) në Shqipëri u botua vetëm në vitin 1996, botim i cili sot nuk gjendet më nëpër libraritë tona. Ishte koha kur në Shqipëri botohej shumë pak, ishte koha kur ende dëshirës për botime të librave antikomunistë i mungonte guximi dhe thellësia e mendimit të qetë, të pjekur dhe të besueshëm. Recensioni i mëposhtëm është i shkruar nga profesori i filozofisë dhe shkencave politike, Maurizio Schoepflin, që njëkohësisht bashkëpunon me një numër gazetash dhe revistash. Po ashtu është autor i një numri të konsiderueshëm librash. Shkrimi në fjalë është botuar në gazetën “Libero”, në gusht të 2012-ës me rastin e ribotimit të librit të Kasoruhos në Itali.

“Fjalët janë gjithmonë më fisnike kundrejt egërsisë së ngjarjeve”, ky pohim i shkruar nga Gaetano Dammaço, profesor i Universitetit të Barit të Italisë, në parathënie është çelësi më i mirë për të lexuar librin e Amik Kasoruhos, “Un Incubo di mezzo secolo”. L’albania di Enver Hoxha (Besa Editrice). Po, sepse për shembull, ne jemi mësuar të themi “Shqipëria e Enver Hoxhës” , sikurse themi “Gjermania e Hitlerit”, apo “Rusia e Stalinit”, pa u kujtuar që pas këtyre përcaktimeve, që ndoshta mezi mund të durohen në një manual aseptik historie, fshihen makthe në plot kuptimin e fjalës.





Ai i Shqipërisë së Enver Hoxhës zgjati pothuajse gjysmë shekulli, siç na kujton Kasoruho, studiues i lindur në Tiranë, sot pothuaj tetëdhjetëvjeçar, të cilit regjimi komunist i pati pushkatuar të atin, vuajti shtatë vjet burg e njëzetenjë vjet i dëbuar në një fshat të vogël me rreth një mijë banorë. Ja përse – dhe për fat të mirë – libri i Kasoruhos nuk është ashtu sikurse na thotë përsëri Dammaço, një tekst historie, por “rrëfimi i një përvoje të projektuar në ngjarjet historike që kanë karakterizuar një epokë dhune, shumë pak të njohur, sidomos në thelbin e mesazhit që na është transmetuar; një epokë në të cilën u konsumua përpjekja më e egër e zvetënimit të identitetit të njeriut”. Por nuk duhet harruar se është rrëfimi i përvojës së një makthi, që fillon qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe zgjatet disa vjet pas vdekjes, në prill të vitit 1985 të Hoxhës, liderit komunist që kishte shkretuar shoqërinë shqiptare.


 Një pesëdhjetëvjeçar, pothuajse i papërshkrueshëm, sepse, siç kemi thënë, fjalët nuk janë në gjendje të rrëfejnë çmendurinë e tmerrshme që e karakterizojnë. Në qendër të gjithçkaje është mashtrimi, guri i qoshes së sistemit komunist shqiptar. Në lidhje me këtë, Kasoruho kujton një ngjarje plot kuptim: ndërtesa ku u mblodh Asambleja Kushtetuese, pas pak kohe u bë seli e Teatrit të Operës dhe Baletit, si për të simbolizuar përzierjen tragjike midis komedisë së regjimit dhe komedisë së skenës që karakterizoi pesëdhjetë vjet histori të vendit të shqiponjave, cilado qofshin lajmet e vendit të shqipeve. Çdo lajm i shpallur nga autoritetet ishte i rremë. Krahas gënjeshtrës, kontrolli mbytës i gjithçkaje dhe i të gjithëve, i zbatuar në një komb të vogël, ku i vetmi burim që mund të konsultohej, ishin veprat e diktatorit të kuq.



 Kini kujdes: edhe fjala “kontroll” duhet kuptuar mirë, sepse gjatë makthit shqiptar, nënkuptonte tortura, internime, pushkatime. Ja sesi Kasoruho e përkufizon këtë përzierje mashtrimi dhe shtypjeje: “Në pesëdhjetë vjetët e jetës së vet, Partia bëri gjithçka: nuk i njohu meritat e pionierëve të vet, mohoi aleatët e kohës, i mohoi parimet e shpallura si të paprekshme, paraqiti si demokraci totalitarizmin më të pakualifikueshëm, shtypi me një egërsi të paparë çdo lëvizje demokratike (…) E detyroi popullin e vet të njohë urinë shpirtërore dhe fizike, pretendoi të interpretonte interesat e kombit, pa marrë mendimin dhe pa respektuar popullin. Nuk qe një parti, qe një makth në pushtet”. Më në fund gjithçka përfundoi, por zgjimi nuk ishte i lehtë: “Duhet rivendosur një ekuilibër shoqëror, moral dhe shpirtëror”, thotë Kasoruho. Dhe përfundon zemërlënduar: “Ka ardhur ora”.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)