2012-09-30

SHISH PËRGJON RRJETËT SOCIALE


Ndryshimi i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror duket se ka sjellë rezultatet e para në një prej sektorëve më të rëndësishëm të shërbimeve sekrete, siç janë përgjimet.

Kjo strukturë nuk do të quhet më sektor, por një autoritet përgjegjës për përgjimet e ligjshme elektronike, çka reflekton rolin që do të marrë tashmë zyra e përgjimeve që funksionon pranë shërbimeve sekrete.



Një fakt i tillë theksohet në vendimin e djeshëm të qeverisë për miratimin e ndryshimeve në ligjin për përgjimet, por edhe në relacionin e firmosur nga ministri i Inovacionit, Genc Pollo.

Sipas vendimit të qeverisë thuhet se, përveç emërtimit të ligjit për përgjimet, ndryshon edhe emri i strukturës përgjegjëse. “Sektori i përgjimeve në SHISH”, zëvendësohet me “Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH”, – thuhet në VKM. Ky ndryshim i emërtimit, sipas relacionit bashkangjitur propozimeve, lidhet me ndryshimet strukturore të Shërbimit Informativ Shtetëror, por pa dhënë shpjegime të detajuara. Më tej sqarohet se këto ndryshime pasojnë një proces të gjerë konsultimi, ku janë diskutuar amendimet e propozuara dhe qëndrimet ndaj kërkesave të institucioneve implementuese si SHISH dhe ato të operatorëve.

Ndryshimet e fundit ligjore, përveç përgjimeve të telefonatave përfshijnë edhe komunikimet elektronike, si e-mailet, apo komunikimet në rrjetet e ndryshme sociale si Skype apo Facebook. Për të realizuar këtë proces, institucionet përgjegjëse për kryerjen e përgjimeve të ligjshme kërkojnë ndihmën e operatorëve që ofrojnë shërbime elektronike, të tilla si kompanitë e shpërndarjes së internetit, të cilat kanë detyrimin ligjor për të bashkëpunuar.

SHISH

“Sipërmarrësit e komunikimeve elektronike realizojnë me shpenzimet e tyre infrastrukturën e nevojshme në rrjetin e tyre të komunikimeve elektronike, për të siguruar brenda 180 ditëve nga marrja e kërkesës nga institucionet që administrojnë sisteme përgjimi sipas këtij ligji, aftësinë përgjuese ndaj përdoruesve që shfrytëzojnë shërbimet e komunikimeve elektronike të ofruara prej tyre”, – thuhet në një prej pikave që i shtohet ligjit për përgjimet e ligjshme.

SHIU
Në rast se kompanitë nuk do të ofrojnë bashkëpunim dhe informacionin e kërkuar nga autoritetet përgjegjëse, atëherë Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar do të marrë masa sikundër parashikohet në ligj. Po ashtu, ndryshimet e fundit ligjore në ligjin për përgjimet e komunikimit elektronik parashikojnë shtimin e institucioneve që kanë kompetenca ligjore të kryejnë përgjime. Krahas Shërbimit të Kontrollit në Ministrinë e Brendshme, ligji i ri i jep kompetenca edhe SHKB-së së Burgjeve të kryejë përgjime.



Në relacionin e ministrit Pollo thuhet se ky ndryshim është propozuar nga Ministria e Drejtësisë, si nevojë e ndryshimeve të fundit ligjore. “Në nenin 4 të projektligjit është parashikuar që në nenin 10 të ligjit ekzistues të përfshihet dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë, përkrah seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Ky ndryshim është propozuar nga Ministria e Drejtësisë”, – thuhet në relacion.



Më tej ndryshimet e fundit ligjore i japin kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm që, për shkak të nevojave të hetimit në çështje të veçanta të urdhërojë realizimin teknik të procesit të përgjimit nga prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë dhe nga prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tashmë është ndërtuar një zyrë e posaçme përgjimi, për shkak të specifikës që ka kjo prokurori në hetimin e veprave penale, si trafiku i drogës apo grupet e organizuara kriminale.

Përgjimet, tashmë edhe nga SHKB e Burgjeve

Në nenin 4 të projektligjit është parashikuar që të përfshihet dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë, përkrah seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme.



Ky ndryshim është propozuar nga Ministria e Drejtësisë, si nevojë plotësimi pas ndryshimeve të bëra në ligjin 9157 dt. 4.12.2003, me ligjin 10172 dt. 22.10.2009. Nga ana tjetër, projektligji ridimensionon sektorin e përgjimeve në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe i jep më shumë akses prokurorisë të kryejë përgjime në raste të hetimit të krimit të organizuar apo veprave penale që lidhen me korrupsionin.

Projektligji i përgjimeve

1- Sipërmarrësit e komunikimeve elektronike realizojnë, me shpenzimet e tyre, infrastrukturën e nevojshme në rrjetin e tyre të komunikimeve elektronike, për të siguruar, brenda 180 ditëve nga marrja e kërkesës nga institucionet që administrojnë sisteme përgjimi sipas këtij ligji, aftësinë përgjuese ndaj përdoruesve që shfrytëzojnë shërbimet e komunikimeve elektronike të ofruara prej tyre.”.

2- Kur sipërmarrësit e komunikimeve elektronike bëjnë çdolloj ndryshimi teknologjik ose zgjerim kapaciteti, detyrohen të mbulojnë me shpenzimet e veta vazhdueshmërinë e funksionimit të procesit të përgjimit.”.

3- Prokurori i Përgjithshëm, për çështje të veçanta, për nevoja të hetimeve paraprake, sipas procedurave të përcaktuara në nenet 221 deri 226, të Kodit të Procedurës Penale, urdhëron realizimin teknik të procesit të përgjimit nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe nga prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda.”.





Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Fatos Klosi, deklaroi , se ish lideri i Serbisë, Sllobodan Millosheviç ka rekrutuar me dhjetëra agjentë në Shqipëri të niveleve të ndryshme, deri tek zyrtarët e lartë. 

Duke mos preferuar të lakojë emra, ish-kryeagjenti i Shqipërisë, Fatos Klosi, pohoi gjithashtu se ish-Jugosllavia ka pasur një forcë dhe ndikim të padiskutueshëm në Ballkan, e cila i ka krijuar mundësitë për të rekrutuar një numrë të madh agjentësh.
Ai këto komente i bëri pas lajmit të publikuar nga një e përditshme bullgare, se ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviç, ka pasur rreth 2100 agjentë në të gjithë vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

"Ish-Jugosllavia ka patur një ndikim të padiskutueshëm në Ballkan. Sigurisht që regjimi i diktatorit të Serbisë, ka pasur agjentë edhe në Shqipëri. Madje, mund të them se ishin me dhjetëra. Duke pasur një pushtet të madh ekonomik dhe politik, Millosheviçi ka rekrutuar agjentë në të gjitha vendet e Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë. Sigurisht që agjentët e Stij në Shqipëri kanë qenë të niveleve të ndryshe, pa përjashtuar as zyrtarë të niveleve të larta. Shërbimi Informativ Kombëtar, sot Shërbimi Informativ i Shtetëror, ka vëzhguar një pjesë të këtyre personave", dekalroi ish Shefi i Shrëbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. 
Në atë që u publikua dje nga e përditshmja bullgare, thuhej se agjentët e ish-Jugosllavisë në Ballkan kishin qënë të shumtë, ku Kosova përbënte numrin më të madh me 700 të tillë.




Kush e bën tregtinë me serbë? Imami dhe Damir Fazlliç vjet gjatë një takimi miqësor

Kush e bën tregtinë me serbë? Imami dhe Damir Fazlliç vjet gjatë një takimi miqësor
Ministri i Mbrojtjes tha se nuk ka mundësi trafiku në një vend të NATO-s. Ai madje e akuzoi opozitën se është amatore që bën të tilla akuza
Duket si një lojë fjalësh, por nuk është tamam kështu. Tanimë për këtë qeveri nuk ka asnjë përgjigje tjetër për aferat përveçse duke fajësuar opozitën se janë njësoj. “Jam i korruptuar? Edhe ti”, “jam kriminel, po pse ti jo?”.
Në këtë mënyrë ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami kur u akuzua për tregti armësh me serbë. Tha se opozita vetë ka interesa tek biznesi serb i tregtisë së armëve.
Kurse sot doli në piskun e vapës përpara medias, dhe kur u pyet se a ka përgjuar opozitën, tha se është kjo e fundit që po i përgjon, duke marrë informacione për Ministrinë e Mbrojtjes në mënyrë të paligjshme.…

Qeveria nis dhe një kontroll fiskal.…

Gjithçka si më parë. Qeveria e 2012 vazhdon të sillet ndaj shtypit të lirë si ajo e 20 viteve më parë. Ose më mirë, për të qenë më të saktë, mund të themi se tani është më keq. Pas vetëm shtatë muajsh nga lindja gazeta jonë, Shqiptarja. com po përballet me sulmin e drejtpërdrejtë të Shtetit. Nuk mjafton bojkotimi i reklamave shtetërore, që institucionet e kontrolluara nga Qeveria Berisha vendosin të publikojnë vetëm në gazetat proqeveritare, pra jo në tonën. Nuk mjaftojnë as favoret me konçensione liçencash, tendera publikë, që shteti… u jep pa asnjë skuqje faqeje botuesve që i shërbejnë Qeverisë. Pas tentativave për të mbytur ekonomikisht shtypin e lirë duke hequr çdo lloj financimi, Qeveria nis dhe një kontroll fiskal. Vetëm 7 muaj nga lindja, sot inspektorët tatimorë po kontrollojnë bilancet e Shqiptarja.com.
Mbërritën dje paradite, të dërguar nga Lulzim Basha (në muajt e parë të saj gazeta ishte biznes i vogël dhe bën pjesë në kompetencat fiskale të Bashkisë). Basha është një kryebashkiak mik me disa botues, mik i veçantë deri në atë pikë sa këta botues pas zgjedhjes së Lulit, janë vetëshpallur “padronët e vërtetë të Bashkisë”. Aq miq, saqë, kur Shqiptarja.com i kërkoi një intervistë, u përgjigj me buzëqeshjen e zakonshme të ngrirë se “nuk mund të pranonte, pasi botuesi tjetër mund të inatosej”. Pra, ky urdhër i Bashës nuk është vetëm një kontroll politik: Eshtë një veprim konkurrence të pandershme. Shteti ndërhyn në tregun e lirë duke tentuar të penalizojë një biznes, për të favorizuar një tjetër.
Inspektorët e Bashës mbërritën në zyrat tona me kërkesën për të paraqitur një listë të gjatë dokumentash: dokumenti i blerjes, dokumenti i shitjes, libri i blerjeve, libri i shitjeve, libri i inventarit, libri i shpenzimeve dhe të ardhurave, libri i aktiviteteve, faturat, kuponat, dëftesat tatimore etj. etj. Deri dhe kërkesa qesharake për të verifikuar nëse kemi vendosur tavolina në tokë publike dhe sa tavolina kemi vendosur. Sikur gazeta të ishte një kafene.
Nuk është gjë e çuditshme që një biznes t’i nënshtrohet kontrollit fiskal; zakonisht kontrollet bëhen për 5 vitet e fundit të aktivitetit. Çudia qëndron në faktin se kontrolli tatimor bëhet në një biznes të sapolindur, pa i dhënë as kohën të mbushë vitin e parë të jetës. Basha vë në lëvizje dy inspektorë për të kontrolluar 7 muajt e parë të aktivitetit tonë. Nëse një investitor është i pavarur, i japin mirëseardhjen me një kontroll fiskal: Një armë e pandershme për të goditur mediat e lira dhe bizneset konkurruese.
Këto javë ekspertët e Bashkimit Europian po shkruajnë raportin mbi Shqipërinë dhe mbi hapat që ka bërë drejt integrimit. Një nga kapitujt më të nxehtë, i nënvizuar nga Brukseli, është pikërisht respektimi i lirisë së shtypit. Edhe OSBE po ndjek me interes të madh gjendjen e mediave shqiptare dhe veçanërisht sjelljen e Qeverisë dhe të institucioneve publike ndaj mediave të pavarura. Shtetet e Bashkuara dhe ambasada e saj në Tiranë, janë gjithashtu gjithmonë të vëmendshëm ndaj këtij problemi.
Nuk janë të shumta mediat e pavarura në Shqipëri dhe me krenari e themi se ne jemi mes pak mediave të pavarura që kanë mbetur. Do t’i mbajmë të informuar mbi mbarëvajtjen e peripecive tona, jo sepse kemi frikë (i paguajmë taksat deri në qindarkën e fundit dhe respektojmë ligjin), por sepse kërkojmë që principi universal i lirisë së shtypit të vlejë konkretisht edhe në Shqipëri si një e drejtë elementare për të qëndruar një shtyp i lirë. I lirë nga presionet, nga kërcënimet e shantazhet.

Një kompani private shqiptare e cila është e specializuar në tregtimin e paisjeve të sigurisë ka ndërmjetësuar blerjen e aparaturës së përgjimit për SHIU-n në vitin 2010. Burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë se Shërbimi Informativ Ushtarak ka pajtuar këtë kompani shqiptare me një kontratë të drejtëpërdrejtë për blerjen jashtë vendit të një aparature përgjimi të tipit “CDMA Interceptor”. Kompania shqiptare mësohet se ka ofruar më pare aftësitë e saj për të siguruar në tregjet ndërkombëtare aparatura me përdorim të kufi zuar edhe për institucione të tjera shtetërore, si prokuroria apo policia.
Në rastin konkret kjo kompani e ka bërë blerjen tek një kompani partnere amerikane e cila quhet “Verint Technologies”. Kjo e fundit ka disa filiale nëpër botë dhe kompania shqiptare lidhjet e saj i ka me filialin izraelit të kompanisë “Verint”. Aparatura e përgjimit “CDMA interceptor” është blerë në Izrael, ajo madje edhe është prodhuar në Izrael nën logon e “Verint”. Aparatura bën pjesë në formatin e teknologjisë së lëvizshme të përgjimit me rreze të kufizuar. Kjo aparaturë në thelb është një kompjuter I cili ka të instaluar një sërë programesh që mundësojnë dekodimin dhe regjistrimin zanor të bisedave telefonike në një rreze prej 300 metrash.

Aparatura qëndron e mbyllur në një valixhe ndërsa pjesë e valixhes janë edhe dy antenat, hyrëse dhe dalëse të cilat bëjnë të mundur kapjen e sinjalit të telefonit të përzgjedhur si dhe më pas lëshimin e sinjalit të këtij telefoni në antenat e kompanisë celulare pasi është kryer regjistrimi. Aparatura në fjalë është e pajisur edhe me një program që mundëson dekriptimin e sms-ve të dërguar ose të marrë nga telefoni I përzgjedhur dhe nën survejim, ndërsa edhe për telefonatat por edhe për sms-të regjistrimi dhe dekriptimi bëhet në kohë reale dhe me një shpejtësi shumë të lartë dhe të dhënat ruhen në memorien e aparaturës nga ku më pas mund edhe të dëgjohen ose të lexohen. (r.d/shqiptarja.com)
Shkrimin e plotë “Përgjimi 400 mijë USD për ambasadat dhe opozitën” e gjeni sot në Shqiptarja.com (varianti i printuar)