40 vrasës anonimë


Dyzet vrasësit

Të vrasin pa vrarë. Të vrasin me të vërtetë. Të vrasin për 40 aspra, ose për 40 milionë. Janë anonimë ose kanë emër, me kollare ose me tuta sporti. E mbi të gjitha, po lënë pas pasardhës që nuk dinë gjë tjetër, veç vrasjes
Nga Koloreto Cukali11 Korrik 2012
Vrasja e parkut nga ana e Rrugës së Elbasanit, më detyron edhe një herë t’i kthehem Ali Babës me 40 hajdutë, që në të vërtetë ishin po aq hajna sa dhe vrasës.
Nuk më intereson Ali Baba, se ai nuk ka asgjë për të fshehur. E kam me të 40-tët anonimë, që në fakt janë më të rrezikshëm se vetë Aliu. Sepse, Ali Babën dhe mund ta vrasin, burgosin, mallkojnë ose më e pakta ta tregojnë me gisht, por, të 40-tët, ata që e bëjnë Ali Babën të ndjehet e të jetë Ali, janë ata që kalojnë gjithmonë pa lagur. Ata janë 40 kalorësit e zinj të Apokalipsit. Do thoni që, kalorësit e zinj janë katër. Eh… sa janë shtuar.
40 të pandëshkueshmit
Disa muaj më parë gjeta sinjalet e motorit të thyera. Sipas një roje parkingu aty pranë, mi kishte thyer një gjyqtar me fuoristradë, i cili banonte në pallatin luksoz aty pranë. Gjyqtari na qenkësh bezdisur që unë kisha parkuar pranë hyrjes së tij, dhe pasi kishte nxjerrë makinën në rrugë ishte kthyer që të më thyente sinjalet me shkelm.
Tentova të marr vesh kush është, por rezultonte anonim, pa emër në hyrje të pallatit, nuk i fliste askujt, mbante syze të errëta. Dihej vetëm që është gjyqtar dhe i vetmi informacion që mblodha ishte për makinën e tij luksoze. Është e vështirë të gjesh kush mund të ketë qenë, përderisa pjesa më e madhe e gjyqtarëve mbajnë makina të tilla. Njerëzit e varfër të gjyqësorit shqiptar.
Gjëja që më bëri përshtypje është që nga ky njeri e sëra e tij, ne presim që të vërë në funksionim peshoren e drejtësisë, që të dëgjojë të tëra palët, të jetë i duruar e mbi të gjitha, të krijojë besim te ligji e të pengojë vetëgjyqësinë, duke na krijuar besimin se sistemi është i drejtë e i barabartë për të gjithë.
Ky gjyqtar bëri atë për të cilën paguhet të mos e lejojë, një vetëgjyqësi, madje theu pronën e tjetër kujt, e gjitha kjo, sepse vetë ndjehet mbi ligjin. Dhe nuk është një, janë shumë.
Problemi im nuk është pse gjyqtarët janë të korruptuar. Problemi im, është që ata ndjehen të pandëshkueshëm në korrupsionin e tyre sepse janë anonimë. Nuk e kanë provuar të dalin me emër e mbiemër e foto në media e të tregohen me gisht.
Gjyqtarët që kanë dhënë vendime të përlyera mbi çështjet më të bujshme në vend, kanë një emër e një fytyrë, por që ne nuk e dimë. Ata mbajnë syze të errëta, të qetë në anonimitet. Emrat e tyre lakohen pak e harrohen shpejt. Përsa kohë kushdo që ka ankesë në këtë vend ngre gishtin ndaj Kryeministrit, ata janë të qetë. Vetë Kryeministri është mësuar me gishtat që e akuzojnë dhe di t’i përballojë. Të tërë merren me disa kokrra të politikës, ndërsa ata, të pandëshkueshmit e gjyqësorit do të vazhdojnë të jetojnë të qetë në moçalin e drejtësisë kushdo që të vijë kryeministër.
Në fakt, ata janë vrasës.
Ata janë 40 vrasësit e Ali Babës. Ata kanë vrarë e vazhdojnë të vrasin përditë shpirtin tonë njerëzor, duke dënuar njerëz me nga 20 vjet për një celular të vjedhur e duke falur kriminelët, hajnat e vrasësit e mëdhenj.
Ata që të vrasin për 40 aspra
Kjo është armata e të egjërve. Tek ‘Njeriu i Egër i Qendrës së Tiranës’, botuar disa muaj më parë po te kjo revistë, kam folur pikërisht për këta. Të huaj deri në palcë e të abuzuar deri në dhimbje. ‘Anës Lanës të palarë’, këta janë kategoria e atyre që Tiranën nuk e ndjejnë, e as e duan. Tirana për ta është tokë e pushtuar. Njësoj si azapët, ata nuk shohin përpara kur Sulltani i thërret për sulm.
Edhe këta janë vrasës. Këta të vrasin vërtet. Me plumb. Ose të vrasin me ‘vetëvrasje’. Me uniforma garde ose jo, ata zbatojnë urdhrin.
Ata që vrasin për 40 milionë aspra
Kjo është një tjetër kategori me kollare, nga ata që kanë kapur shtetin. Ajo çfarë ata kanë bërë është që kanë ndërtuar përmes duarve të pista të politikës një sistem ku vetë ata bëhen përherë e më të pasur, ndërsa të varfrit përherë e më të varfër. Ligjet, organizmat e mekanizmat e sistemit janë sjellë të tilla që të përfitojnë vetëm një grup i vogël. Por nuk dua t’i quaj vrasës thjesht sepse kanë krijuar një bombë sociale.
Ata janë vrasës, sepse, koncepti i tyre i ndërtimit të një biznesi, thuajse gjithmonë ngrihet mbi vrasjen e diçkaje. Ata nuk mësuan kurrë të ndërtojnë e të bëjnë biznes pa vrarë diçka.
Ndërtuan media, duke vrarë të vërtetën, ndërtuan pallate duke vrarë urbanistikën, ndërtuan argëtim duke vrarë kulturën, ndërtojnë shkolla duke vrarë arsimin, ndërtojnë katedrale duke vrarë lulishte, po ndërtojnë një rrugë duke vrarë parqe. Ky është biznesi shqiptar i post-diktaturës: një diktaturë e re, vdis ti, që të fitoj unë, vdisni të tërë ju, që të ndjehem i pushtetshëm unë.
40 vrasësit me kollare
Po lexoja te ‘Përpjekja’ shkrimin e Lubonjës “Masakra mbi Tiranën vazhdon”, si letër e hapur intelektualëve të “Nisma për Tiranën”, çka më kujtoi pjesën e intelektualëve të Ali Babës. E kisha harruar (a nuk ndodh kështu me anonimët?) grupin për Tiranën, që nuk po i shoh më… sidomos për Tiranën!
Sigurisht, fjala intelektual tek ne është ca e ekzagjeruar. Ne jemi të prirur të quajmë intelektualë (për forcë zakoni, apo sepse jemi bujarë me titujt) ata që janë thjesht tipa të shkathët me shkollë të lartë. Ata nuk mund të jenë intelektualë vetëm ngaqë mbajnë poste intelektualësh. Ata nuk luajnë asnjë rol intelektual në këtë vend.
Ndërsa rri e mendohem më vijnë një sërë fytyrash, tashmë të konsoliduara në ekrane, përfaqësues të lloj-lloj bordesh, fondacionesh, forumesh e ombrellash me emra joshës, organizma që janë ngritur për mbrojtje të lirisë së fjalës, shtypit, konsumatorit, votës, e çdo gjëje që realisht është në rrezik zhdukjeje në këtë vend e që praktikisht mund të nxjerrë fonde pa fund.
Rikujtoj emrat e tyre dhe pyes veten çfarë kanë bërë për median, lirinë, mbrojtjen e konsumatorit, votës, e tërë atyre kauzave të tjera në këto 20 vjet? Kanë bërë ca vila, ca para, ca rrugë jashtë shtetit, dhe kanë varrosur me ceremoni shoqërinë civile.
Sepse, dhe këta, janë vrasës. Vrasës me projekte. Këta kanë vrarë shoqërinë civile (që në djep) por mbi të gjitha, kanë vrarë intelektualin, atë që duhej të ngrihej i pari ndaj padrejtësive e të ishte i fundit në konformim. Këta janë pudra e sistemit tonë të kalbur. Pudra e Ledi Makbethit është po aq fajtore në krim.
40 fëmijët e krimit
Kategoritë e vrasësve nuk mbarojnë: ata që dizenjuan monstrat ku ne jetojmë, ata që vranë ajrin e ujin, ata që votojnë vendimet kriminale, që vranë publiken për të ushqyer privaten, që vrasin me të tëra format shëndetin tonë, që vrasin librin e shqipen, historinë e artin, pronën e të drejtën. 40-shet e vrasësve janë pa fund, dhe top 40-tat mund t’i bëni dhe vetë.
Por, ajo që më intereson më shumë, është kategoria më e re, fëmijët.
Më ka rënë rasti të njoh që fundmi të birin adoleshent të një gjyqtareje e një biznesmeni province, i cili kishte sjellje gangsteri. I rritur në një mjedis ku arroganca e drejtësisë ishte martuar me atë të parasë, ai kishte qëndrimin, mentalitetin dhe shprehjet e atij që të ka në dorë, e atij që mund të të zhdukte. Nuk e kishte për gjë të të kërcënonte me nënën ose të të përbuzte me babanë. Ishte një pinjoll i denjë i 2 kategorive vrasësish. Ky adoleshent më pikëlloi pa masë.
Ai është trashëgimia e 40 vrasësve. Është e kotë të shpresojmë që Ali Baba do vdesë nga pleqëria e 40 vrasësit do përfundojnë në azil. Pas tyre, po vijnë ca më të pashpirt. Një specie e re, që ndryshe nga etërit e tyre që i detyroi të bëhen vrasës shkolla e jetës, ata po bëhen vrasës se nuk njohin gjë tjetër. Ashtu po i rrisin.
40 vrasës anonimë
Ali Baba kishte 40 hajdutë, por në të vërtetë ishin dhe vrasës. Eleganca e Sheherazades i veshi të 40-tët me sharmin e hajnit që përralla të mos e shqetësonte shahun.
Problemi me 40 vrasësit anonimë të Ali Babës, qofshin këta intelektualë, njerëz të egjër të qendrës së Tiranës apo biznesmenë, nuk është nëse janë 40 a 400, nëse janë shumë apo pak. Problemi është që ata janë anonimë. 40 vrasësit, do të vazhdojnë ta dominojnë sistemin me ose pa Ali Babën. Për sa kohë që janë anonimë, për sa kohë askush nuk del t’i përmendë me emër e me vepra, dhe jo një herë, por njëqind herë, vazhdimisht, sa emrat e tyre të bëhen sinonimet e së ligës, ata do të jenë të qetë.
Njësoj si të 40-tët e Ali Babës do të vazhdojnë duke vrarë në mënyrat e tyre, për të mbushur një shpellë me pasuri aq të madhe që ndoshta nuk do arrijnë ta shpenzojnë kurrë, por që si tërë vrasësve tashmë u pëlqen më shumë procesi i të vrarit, sesa shijimi i presë.
Marksi pat pas thënë diçka për këtë, por meqë jemi kohë vere, mund ta shtyjmë rrëfimin për në numrin tjetër.
*Revista KLAN

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit