Shqiptarët jashtë trojeve shqiptare nuk duhet konsideruar si pakica kombëtare por si pjesë vitale e kombit shqiptar ndërsa Kosova e Shqipëria duhet të jenë në funksion të faktorizimit të kombit ku do që ai ndodhet. Kështu porositi nga Shkupi lideri i Lëvizjes ‘Vetvedosje’ Albin Kurti.
Sipas tij Kosova e Shqipëria u kanë borxh shqiptareve jashtë trojeve të tyre e në veçanti shqiptarëve të Maqedonisë andaj për padrejtësitë që u bëhen atyre ata të ankohen edhe në Prishtinë e Tiranë.
“Ne si lëvizje “Vetëvendosje” jemi të interesuar që shqiptarët kudo që janë për të drejtat që u shkelen, për shtypjen politike që e përjetojnë, për shfrytëzimin ekonomik që po ashtu e përjetojnë t’ju ndihmojmë dhe t’i mbështesim maksimalisht por duhet të kemi parasysh se në politikë zëri autentik është i pazëvendësueshëm, nuk mund të ketë zëvendësim për zërin që vjen prej vet vendit ku shtypet ai zë”, tha Albin Kurti.
Defekti kryesor në këtë drejtim, sipas Kurtit, qëndron edhe në ndarjen e deputetëve shqiptarë në pozitë dhe opozitë. Sipas tij, shqiptarët e Maqedonisë më shumë janë të shtypur si shqiptar, se sa si qytetar.
“Këta shqiptarë që janë deputet dikush në pozitë e dikush në opozitë nuk arrijnë të merren me kritik ndaj shtetit maqedonas pasi shteren në betejën që kanë me njëri tjetrin. Fakti që deputetët shqiptarë vazhdimisht janë të ndarë në pozitë dhe opozitë bën që fuqia e tyre në përfaqësimin e shqiptarëve të jetë shumë e dobët”, u shpreh Albin Kurti.
Ndërsa nënkryetari i kësaj lëvizjeje, Shpend Ahmeti, theksoi se tani është koha për një platformë të përbashkët ekonomike shqiptare me qëllim të rritjes së potencialit ekonomik, raporton Alsat.
“Është koha përfundimisht që shqiptarët të mblidhen dhe të bëjnë një platformë të përbashkët ekonomike, platformë të përbashkët ekonomiko shqiptare e cila do ti drejtoj disa gjëra, e cila do të mundësoj koordinimin më të mirë të shqiptarëve, e cila do të mundësoj tregtinë më të mirë të shqiptarëve në mënyrë që të përfitojmë së pari ne si shqiptar nga kapaciteti jonë ekonomik”, theksoi Shpend Ahmeti.
Komentet u bënë në tryezën me intelektualët shqiptar të Maqedonisë me temë ‘Shqiptarët në rajon’ të organizuar nga lëvizja ‘Vetëvendosja’.