Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka konfirmuar pjesëmarrjen e ish - sekretares amerikane, Madeleine Albright, në Samitin Ndërkombëtar të Gruas, me temën: “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”, që organizohet në Prishtinë nga data 4 deri më 6 tetor. Konferenca organizohet nga presidentja Jahjaga, me mbështetjen e USAID-it dhe NDI-së.
“Përmes këtij samiti synohet avancimi i çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës, përtej kufijve, dallimeve etnike, racore apo fetare”, tha me këtë rast, Jahjaga.
Ajo gjithashtu tha se në këtë samit do të jenë të pranishëm rreth 200 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni, Evropa, Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika, përkatësisht 100 pjesëmarrës vendorë dhe 100 nga rajoni dhe bota.
Gjatë samitit do të adresohen të gjithë ata faktorë që ndikojnë në avancimin dhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, fuqizimin ekonomik të grave, me përfaqësimin politik dhe rolin e gruas në vendimmarrje, si dhe të drejtën e pronës dhe qasja e gruas në burime.