2012-12-13

Marrëveshja shekullore Turko-Serbe për shfarosjen e Shqiptarëve!


Nga Fahri Xharra

Shqiptarët ishin gjithmonë halë në sy për pushtuesit sllav dhe osman dhe më vonë gjatë shekujve i të dyve. Në fillim ndarës e më vonë në bashkëpunim i kushtëzonin shqiptarët që të kalojnë në serb-ortodoks ose në musliman-turk. Metodat ishin nga më të ndryshmet, nga ato të dhunës e të vrasjeve e deri në ato të joshjeve të posteve dhe të pasurisë.
Historia jonë është e gjatë. Historikisht i kemi mbushur fronet mbretërore që nga romakët me perandorë, te sllavët me Cara dhe turqit me vezirë, pashallarë e sadri azema. Cilët nga ata i jepnin nder atdheut? Nuk guxonin apo nuk donin të mendonin shqip? Një pyetje e cila ndoshta kurrë s’do të ketë përgjigje as pohuese e as mohuese.


Fanatizmi serb dhe racizmi i tij anti-shqiptar së bashku me anti-shqiptarizmin turk, herë veçmas e herë së bashku; bile edhe sot është aktiv…“ Këmbëngulja për t’mos u shkëputur nga thelbi i së keqes, do të çonte herët a vonë te e vërteta e hidhur se gjithmonë është e njëjta Serbi “(Ismail Kadare – Mbi krimin në Ballkan). Serbët nuk janë aq kokëkrisur heroikë siç e reklamonin vetën. “Nuk është fort e besueshme sidomos, po të vihej re flirti i këtyre me vendet arabe dhe veçanërisht me Turqinë. Njoftohej se në kohët e fundit Ankaraja i bën lavdërime presidentit serb Boris Tadiçit, si një paqeruajtës rajonal… Pra, serbët kur kishin interes dhe në këtë rast interesi kryesor ishte mosnjohja prej vendeve myslimane e Kosovës dinin fare mire të hiqnin dorë edhe nga krenaria krishteromadhe dhe të vinin deri te gjysmëmuslimanizmi i tyre” (Ismail Kadare, Mbi krimin në Ballkan).
Por, le të kthehemi në të kaluarën e largët kur këndej pari nuk kishte as serb e as turk.”Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë dhe si të këtillë janë autoktonë që nga kohët e lashta, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite në trojet e tyre në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, në Serbi dhe Greqi e gjetiu (Dr. Skënder Riza). Në asnjë dokument nuk ka shënime për ekzistimin e Serbëve në këto troje, në ato kohë. Duke bërë fjalë për banorët e pronave të Manastirit të Deçanit, Manastirit të Graçanicës, Patrikanën e Pejës etj, prona këto që shtriheshin në një territor shumë të gjerë, siç e tregon “bulla e artë” e mbretit Stefan Deçan (1330) Dr. Rizaj do t`na konstatojë se aty kishte vetëm shqiptarë. Kështu kuptojmë se popullata e Kosovës së sotme dhe qeveritarët e saj Nemanasit-Nimanasit-Nemaniqët, të gjithë ishin ilirë tribullë (tribalë, fis pellazgë-ilir), njëherë katolikë e pastaj nga Milutini e këndej Shkizmatik (shqiptarë të sllavizuar) dhe se do të jetë plotësisht e natyrshme që edhe kishat dhe manastiret e këtij ambienti gjeografik si institucionet e shenjta fetare të kësaj popullate shqiptare dhe të sundimtarëve të saj të jenë ndërtuar dhe ato atyre u takojnë.

Ç’ishte shkizmi?

Në vitin 395 pas e.k. Imperatoria Romane u nda në dysh, në atë të lindjes dhe atë të perëndimit. Rreth vitit 1054 u bë ndarja e madhe shkizmike e Kishës së Lindjes si rezultat i mospajtimit në mes lindjes e perëndimit. Shqiptarët që iu bashkëngjitën shkizmit (shki,shka,shkja,shkije) më lehtë e patën të përvetësohen nga serbët dhe kisha e tyre ortodokse. Pra në atë kohë kishte shka-shqiptar i sllavizuar dhe serb-kurrkushi i ardhur. Stefan Nemana, Nimani, Nemaniqi, kishte lindur afër Podgoricës, ku nuk kishte priftë ortodoks dhe u pagëzua me ritët perëndimore. Në kohën e Heinricht Luanit, Saksoni, 1172 serbët ishin vetëm rreth rrugëve të Çuprisë së sotit dhe ata shkruanin se: serbët, popull i paarsimuar i pa disiplinuar, popull i maleve dhe pyjeve, që nuk e njohin bujqësinë, janë ata që gjithmonë e prishin qetësinë rreth vetes (Matica Srpska, Novi Sad).
Dëshmitë origjinale për shki-të mund të gjenden në Hilendar dhe sidomos në punimet e Dr. Milutin Gjuriçiçit. Sipas F.Mikloshiçit emri Zeta që shënonte Doclean e vjetër (një pjesë e Malit të Zi të sotëm është shqiptare; M.E. Durhan (1863-1944) e cila udhëtonte nëpër Shqipëri dhe Mal të Zi duke i studiuar fiset malazeze dhe ato shqiptare vinte në përfundim që malaziasit ishin më pak sllav e më shumë trashëgimtar të sllavizuar të banorëve të vjetër të këtyre anëve.(Origjina Fisnore dhe zakonet e Ballkanit, Londër, 1928); dhe që malazezët ishin me origjinë fisnore shqiptare ishte e cekur edhe nga K.Jireçek (Albanienin der Vergangenheit, Leipzig, 1916)
Se si sllavizimet dhe turqizimet e shqiptarëve ishin të vazhdueshme dhe në bashkëpunim në mes të serbëve dhe osmanëve, tregon letra e të dërguarit Francez në Shkodër Louis Heckart e shkruar shtetit të tij me 24.07.1880: “Zoti Corti besonte se do të ishte më e kuptueshme që Katolikët shqiptarë të pranonin dominimin malazias se sa ata mysliman, por se doli e kundërta” (letër në Arkiva e luftës Seria Nr. 1872-1919, Francë.) Këtu ishte ndikimi turk te shqiptarët mysliman. Qëllimi i bashkëpunimit serbo-turk për ndërrim të shqiptarëve ishte fokusuar te shqiptarët katolik sepse të tjerët veç ishin myslimanizuar.
“Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u gurëzova kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët (E.Durham, Londër 1920). ”Urrejtja serbo-ortodokse ndaj katolikëve u pa me 1913 në Luftën Ballkanike kur Malaziasit në emër të çlirimit të krishterëve e sulmuan kishën shqiptare të Mazrekut duke shkatërruar çdo gjë bile edhe freskat e të shenjtërve në muret e kishës (E. Durham). “Me 1913 një numër jo i vogël ushtarësh të prirë nga një Pop Ortodoks e rrjepën për së gjalli deri në vdekje Luigj Palin, prift françeskan shqiptarë nga Gjakova, sepse nuk kishte pranuar të kryqëzohej në ortodoks (E.C. Helmreich, The Diplomacy of Balkan Wars, 1983 Harward)
Me 20 Mars 1913, gazeta “Reichpost” shkruante: Ne rrethin e Janjeves mbi 400 vjet nga sot, rreth 8000 Shqiptar Katolik, të ashtuquajtur Laraman apo Katolik te Fshehur, jetonin aty. Kur mbërritën Serbet, me qindra nga këta Laraman deshtën që haptazi të deklarohen që janë Katolik. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë, tha: “Ose mysliman ose Ortodoks. Jo katolik!”. Numër i panumëruar i Katolikëve ishin vrarë ne Ponoshec, nga dora e sllavit (rrethi i Gjakovës). Afër Zhurit (rrethi i Prizrenit), kryetari i fisit ishe vrarë e thërrmuar nga shteti, mu pse ishte Katolik. E njëjta gjë ndodhi edhe në Gjakovë në famullinë e Nikajve, kur mbi 70 Katolik u vranë nga malazezet”.
Gazeta e kohës, “Neue Freie Press” me 20 Mars shkruan: “Me 7 Mars, soldateska e prirë nga një pop Ortodoks,në dhe rreth Gjakovës deshtë me forcë të konvertoj Popullatën katolike në besim Ortodoks. Mbi 300 vetë, gra, burra dhe fëmijë nën kërcënimin me vdekje duheshin të konvertoheshin. Popi Ortodoks iu tha: “Ose nënshkruani deklaratën se e keni pranuar fenë e vërtetë ose këta ushtarë të Zotit, do i dërgon shpirtrat e juaj në ferr”.
Te gjithë e nënshkruan përveç Patër Angjelit. rezultati ishte skena më trishtuese e paparë në atë shekull”( www.albanianhistory.net)
Me 1919 qeveria jugosllave “nënshkruante” çdo akt ndërkombëtar kundër diskriminimit. Por persekutimet ndaj katolikëve kosovarë vazhdonin. Në Shkup patriotin shqiptarë, të atin e nënës Terezë e helmuan serbët.
Serbët e shihnin rrezikun në shqiptarët katolik se për ata mysliman ishin planet tjera. Me 1929 u vra At Shtjefen Gjeçovi një françeskan shumë i respektuar nga shqiptarët. Edhe pse K. Jereqek i përshkruante shqiptarët “popull i vjetër me kulturë qytetare; edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për Ilirët; sllavët medoemos e bënin sllavizimin, e turqit turqizimin e shqiptarëve, herë ndaras e herë në bashkëpunim.
Akademik Mark Krasniqi në “Gjurmë e gjurmime” (Rilindja,1979) shkruan për këtë: “Milan Rakiçi (1876-1938) zë një vend të spikatur në historinë e letërsisë serbe. Rakiçi ka qenë me profesion diplomat, kështu që për një kohë të gjatë ai ishte Konsull i Serbisë edhe në Prishtinë, ku “udhëhiqte punët e aksionit nacional, kujdesej për serbët që pësonin zullumin e turqve e të shqiptarëve”. Rakiçi ishte në shërbimin diplomatik në Prishtinë mu në kohën kur lëvizja kombëtare shqiptare kishte marrë përmasa të mëdha të luftës politike e të armatosur kundër pushtetit turk, për liri e pavarësi. Milan Rakiçi shquhej jo vetëm në fushën diplomatike, letrare por edhe me angazhimin e popullsisë serbe të këtyre anëve që të bashkëpunojnë me ushtrinë turke kundër kryengritësve shqiptarë. Rakiçi “kujdesej” shumë për manastirin e Graçanicës. Sipas studiuesit Pero Sliepçeviç është vërtetuar se nga numri shumë i madh i kishave të vjetra serbe vetëm një pjesë fare e vogël e tyre i kanë ndërtuar serbët, emri i të cilëve është shkruar në to. Serbët nuk kanë pasur fare traditë të vetën as në ndërtimtari e as në art e kulturë (Stare Srpske Zaduzhbine, Beograd 1934). Manastiri i Graçanicës ekzistonte dhe kryente shërbimet fetare edhe para ardhjes së sllavëve në këto anë (V. Petkoviç, Pregled Crkvenih Spomenika, Beograd 1950).
Në vitet para pavarësisë në parlamentin e Turqisë thuhej: “Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë, të mos mëkëmbët, të mos marrë diturinë në gjuhën e vet sepse atëherë e morri lumi Turqinë." (Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane). Kurse, ditën që ushtritë serbe do të sulmonin Kosovën gjenerali famëkeq Jankoviç do të drejtonte një proklamatë shqiptarëve me titullin simbolik “T’on fiseve n’ Shqipni – or vllazni”, në të cilët thuhej se “Vijmë në emër të Allahut që t’i jepet fund zullumit të turkut që për 500 vjet bashkërisht ka rëndu dy popujt … për të çliruar vendin tonë të përbashkët dhe se shqiptarët do të munden me e rujtë fenë dhe zakonet si i kanë pasun.

Poeti dhe gruaja brune, fytyrë zbehtë



Poemth nga Kristaq Turtulli

Shpesh të ndesh në shkallë,
Në godinën e vjetër pa ullukë, në formë zemre.
Ku është gjysmë natë dhe gjysmë ditë.
Gjysmë ftohtë dhe gjysmë vapë.
Gjysmë borë dhe gjysmë erë.

Sa herë mbështetem në parmakë,
Më bëhet sikur ngjitem dhe zbres në shkallina të qerpikëve.
Ku ka shumë lagështirë
Vështrime të harlisura nëpër mure,
Ëndrra të thyera dhe përshtypje.
Dhe shkëndijime që treten shumë shpejt ujërave.

Kopsitem në hutimin e lëvizjeve prej të tuat imazhe.
Lëvrin nepërka e gjoksit në tatuazhe.
Dritë hijet u përvidhen mureve.
Unë nuk mund të përzë,
Grua brune, fytyrë zbehtë,
Me sy të trishtuar, si engjëll në brymë,
Sepse as dielli dhe as hëna nuk të përzë...

Sa herë të shoh në rrugicat e mjegullta,
Të pista,
Si labirinte të lashta.
Ku dielli hyn me përtesë.
Hëna gdhend me inat inicialet e vjetra.
Ku ka qen pleq me tre këmbë,
mace grifsha dhe shpendë.
Përse vjedhurazi nënqesh
Dhe syrin e vëngër dredh?
Në grushte mundohesh të mbledhësh yje...
Ndoshta e di që unë nuk të përzë.

Si djallushe shtyn hijet me sup, përdridhesh,
dhe si engjëll më afrosh.
Blerës të përkohshëm kërkon të më bësh.
Hiqu mënjanë grua brune.
Poetët janë ndryshe,
Një botë më vete.
Të çiltër, të pasur në shpirt, harraqë, zhurmëtarë si fëmijë.
Nuk e njohin djallëzinë, hipokrizinë.
Sepse e dimë, që dielli dhe hëna nuk të përzë...
Grua me tatuazh, fytyrë zbehtë.

Ti thua. Ç’thua more.
Unë kam kutinë Pandorës,
ja tek e ke, mere,
I varfër je, deri në dhembje.
Eja më pranë, ngrohmë me firomë.
Sa shpejt harron Poet, që jemi ardhës,
Ku dielli dhe hëna pa mëri, bashkë flenë,
Nuk mundet të na përzënë,
Mbështjellë janë me pelenat e shurdhërisë.

Pastaj ti e kolmja,
e mrekullueshmja,
Grua brune, bukuri të zbehë.
Trishtueshëm qesh dhe trupin përdredh.
Pelerinën e muzgut mbi supe hedh.
Më pëshpërit, vite më parë një dikush,
Rastësisht mbi komodinë la një monedhë
Dhe nxitimthi shkroi në bulëzën vesës,
(Nuk mund ta gjesh më lotin e brishtë fëmijës.)
Është tjetër kohë...
Ata që mbeten do paguajnë më mirë
dhe do ikin si më parë.
Poetët, të humburit dhe të treturit në se duan
mund të vijnë më pas...
Sepse më mirë e kushdo e dinë
Dielli dhe hëna askënd nuk përzë.

Sa herë të shoh në dyert e ngushta,
Mbërthyer patkonjtë e ndryshkura të kuajve.
Mbi to retë rrjedhin rrëke të gjata.
Largohu grua brune, fytyrë zbehtë,
Atje po thyhen qelqe,
Drita është e pakët, më dhembin sytë.
Ti më pëshpërit, janë shkëndijime të arta.
Si prekjet, puthjet e mia dhe fjalët e athëta.
Kutinë e Pandorës ta solla...

Po trotuaret mbështjellë janë në një fletë.
Grua brune, fytyrë zbehtë,
Të shkruar si sot e mijëra vjet më parë.
Harruar në kamaren e kalbur të pangopësisë.
Dredhon epshi, në ajkën e shtegut të ngushtë.
Ti shkrihesh dhe pëshpërit,
Çka më shumë se unë një princeshë,
Gjykatëse, deputete, baroneshë.
Dielli dhe hëna asnjë nuk përzë,
Përderisa jemi gjallë.
Harrove? Politika dhe kurvëria në një kazan ziejnë.
Supë ka për të gjithë.
Dhe tre shtrigat e përziejnë, e të ardhmen parathonë.

Të lutem mjaft, prit një minutë.
Grua brune, fytyrë zbehtë,
Harron që çapi të është i lidhur në shkopinj të drunjtë.
Prej lules bien çdo ditë fletë.
Shikimet e lagështa treten në mugëtirë.
Mëngjesi i shkalafitur ka një fytyrë.
Prej stomakut më vjen gromësirë.
Kalamendesh në monopat të pistë.
Xhelozitë dhe orgjitë mbetën pas,
janë bërë çarçafë të ngrirë.
Monedha të flakura mbi lavapjatë.
Përsëri ti thua, përse u harrua të shkruhej
në dridhjen e zbehtë të hënës
dhe skërmitjen e mekur të dritës.
Të tjerët s’mund të mbeten pas,
Edhe sikur të harrojnë
Nuk kanë ku shkojnë do vijnë një ditë...

Grua brune, fytyrë zbehtë,
Sa herë të gjej mbështetur në cep ëndrrës
Me tualet të rëndë,
Këmbë mbi këmbë.
Të linjtat qëndisur me gjilpërën e kometës,
Dhe perin e ngatërruar të merimangës,
Sytë mbyllur i ke
e di, ti nuk fle,
është e vjetër lojë ndjellëse.
Është faqja e parë e librit të Pandorës.
Dhe si tendë mbi krye
Mban kapotën vjetër të vjeshtës.

Ti pëshpërite, the,
Sigurisht që do të ikje.
Pa tjetër nuk do më prisje.
Ti ishe krejt ndryshe.

Grua brune, fytyrë zbehtë.
Poetët nuk dinë të tradhtojnë.

Përse kërkon të ikësh prej meje
shaluar mbi kuajt e bardhë.
Pikërisht kur më ranë potkonjtë!
Mos harroni ta shkruani me lapsin e vetëtimës,
Kur dielli dhe hëna nuk më përzë.
Paçka, askush nuk të përzë...

Përsëri sa herë të ndesh në shkallë,
Në godinën e vjetër pa ullukë, në formë zemre.
Ku është gjysmë natë dhe gjysmë ditë.
Gjysmë ftohtë dhe gjysmë vapë.
Gjysmë borë dhe gjysmë erë.

Sa herë mbështetem në parmakë,
Më bëhet sikur ngjitem dhe zbres në shkallina të qerpikëve.
Ku ka shumë lagështirë
Vështrime të harlisura nëpër mure,
Ëndrra të thyera dhe përshtypje.
Dhe shkëndijime që treten shumë shpejt ujërave.
Paçka, askush nuk na përzë...

Dhjetor 2012

Dashuria është mbiemri i çdo letërsie


Petraq Risto.jpg

Petraq Risto është lindur në Durrës më 9 qershor 1952. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari, si dhe një vit pasuniversitar për kritik teatri. Me krijimtari letrare është marre që në moshe të re. Ka botuar mbi njëzetë libra: poezi, romane, tregime etj. Kritika letrare dhe personalitete të specializuara të letërsisë shqipe kanë veçuar cilësinë artistike, sidomos në vëllimet e viteve të fundit "Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë", (2001), "Lojë shahu në shekullin XXI", (2005) "Engjëlli me virus H5N1"(2006) dhe "Mënd+afsh"(2007). Ka marrë disa herë çmime kombëtare është botuar edhe në spanjisht, anglisht, etj(Flori Bruqi)




                                                     



Nga Raimonda Moisiu 





Intervistë me poetin Petraq Risto



Një autor i mirë nuk mund “ta lëshojë veten” në duart e mediokritetit dhe të shkruaj “me porosi nga poshtë” vepra të natyrës rozë, të lehta, pa gravitacion, të cilat në njëfarë mënyre mund të përtypen lehtë, madje dhe mund të shiten, por që nuk kanë vlera gjithëpërfshirëse, konkurruese, elitare...”

- Përshëndetje z.Risto. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë vëllimet tuaja me poezi “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë ”, “Lojë shahu në shekullin e XXI”, “Ëngjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Apo-ka-lypsi”, “Mënd+afsh”(100 poezi dashurie dhe epicëllimi),“Lexuesi i buzëve: Ar+sy+eja”, “Miq të dyshimit”, etj. Sinqerisht, ngazëllehesh nga mjeshtëria e kulturës profesionale dhe thelbi artistik e filozofik i penës suaj poetike. Cila ka qënë eksperienca juaj e parë në gjininë e poezisë?


                     Petraq Risto


- Kam shkruar që në moshë të njomë, mbase 9 vjeç. Disa krijime naive të asaj moshe ende i ruaj. Po natyrisht hapat e parë seriozë duken në adoleshencë, në shkollën e mesme, në vitet studentore.
Në fëmijëri mbaj mend se u futa në kurse fizarmonike, në grupe shahistike, madje dhe në skuadra futbolli, por përfundova në grupime letrare dhe në bibliotekën e qytetit tim të lindjes, Durrësit. Mbaj mend profesorin e parë të letërsisë në shtëpinë e pionierit, Mark Dema, i cili kishte përkthyer “Eneidën” e Virgjilit dhe, herë pas here, megjithëse ende të vegjël, na lexonte fragmente nga përkthimi i tij. Pastaj mësuesit e letërsisë luajnë një rol të rëndësishëm për formimin e një talenti të ri. Diktere Mustafaraj, Dhurata Agaraj në tetëvjeçare e më vonë Shezai Ballhysa, Matish Gjeluci, Lazam Koldashi, Ana Kovaçi, Dhimitër Nina e të tjerë në shkollën e mesme “Naim Frashëri”, na e bënin më të dashur letërsinë. Gazeta “Adriatiku” ishte një nga dritaret e para ku ne publikonim krijimet tona dhe Shaban Hidri, Thoma Qendro, Haxhi Shima, Hasan Ulqini, Isidor Dhimitriadhi dhe, veçanërisht, gazetarja Kozeta Mamaqi, na prisnin me dashuri dhe më kanë ndihmuar shumë, mua, por edhe shokët e mi Ilia Deden, Bashkim Hoxhën e të tjerë të talentuar durrsakë. Shpesh në pushimin e orarit zyrtar më mbyllnin në redaksi dhe më linin të shtypja në makinë shkrimi poezitë e reja…

- Çfarë mendoni se ju ka bërë poet: geni, shkolla apo rastësia?
- Mendoj se talenti lind, nuk fabrikohet e natyrisht as nuk klonohet. Teoria se duhet të kesh 1 përqind talent dhe 99 përqind punë, nuk më duket e saktë. Natyrisht për një talent kanë rëndësi të gjitha komponentët dhe kultura, vullenti etj. Por ato gjithnjë janë sekondare. Në këtë shekull të informacionit me të vërteta të reja, secili nga ne mund të ketë më shumë kulturë se bie fjala Shekspiri, por është e pamundur të krijosh “Makbeth”, “Hamlet” apo “Mbreti Lir”… Ndaj dhe kritika botërore thuajse është në një mendje se talenti më i madh, i pakapërcyer, i pavjetëruar, gjithnjë i freskët dhe pikë referimi, mbetet gjeniu Shekspir.

- A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur shkruani një poezi të bukur?
- Natyrisht, kur shkruan një poezi origjinale, me vlera, gëzimi është i veçantë…Poezitë e bukura nuk janë shumë, flas për poezitë me vlera antologjike dhe konkurruese.

- Kur shkruani, cili është vendi më i preferuar, në studio, në natyrë, apo krejt rastësisht, edhe duke pirë kafe diku?
- Krijoj kudo, madje duke ecur me lindin motive dhe vargje. Por jam mësuar të ulem dhe të shkruaj në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në shtëpi, në libraritë dhe parqet e Nju Jorkut… Flas për poezinë… Kurse proza kërkon të ngulmohesh në tryezë, do vullnet të hekurt. Unë shkruaj kryesisht drejt e në lap-top, jam mësuar që në rininë e hershme, apo kur isha gazetar që të punoja drejt e në makinën e shkrimit. Dhe kjo më ka ndihmuar shumë.

- Ç’është dashuria për ju” Kur e ndjen një burrë se është i dashuruar dhe cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në poezinë tuaj? Si ia arrini ta reflektoni dashurinë në poezi?
- Dashuria është mbiemri i çdo letërsie. Një poet shkruan për dashurinë e tij, shkruan dhe për dashuritë e realizuara, por edhe ato që kanë mbetur thjesht si bisqe zhgënjimi, shkruan dhe për dashuritë e të tjerëve, për fatet njerëzore. Pra, në njëfarë mënyre, poeti është një Fluger në Çatinë e kuqe të Dashurisë: u përgjigjet të gjitha erërave.

- Poezia është dhe inteligjencë?
- Natyrisht që është dhe inteligjencë. Bota ka me miliona poetë, ka mijëra poetë shumë të mirë dhe qindra apo dhjetra poetë të mëdhenj… Dallimin mes tyre e bën dhe këndvështrimi original, dhe ndjeshmëria e hollë, dhe thellësia e mendimit, pra, edhe shkalla e shkëlqimit të inteligjiencës vetiake…Dhe kjo është pjesë përbërëse e talentit.

- Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi-protestë me ton qytetar e intelektual?
- Poeti është një qytetar i botës, është një sy në ballin e botës dhe një zemër në gjoksin e botës. Poeti nuk mund të shoh luftërat, mjerimin, padrejtësitë duke qenë i qetë në studion e tij… Poeti është natyrë rebele, poeti i përjeton tragjeditë e të tjerëve si të tijat… Poeti gjithnjë është protestues, natyrisht me gjuhën poetike…

- Ju përveçse poet, jeni edhe tregimtar e romancier. A i shihni këto zhanre si sfidë? Cila është sfida për të shkruar një tregim apo roman? Zhanrin e tregimit dhe romanit e “bëtë të vinte te ju”, apo është preferencë e përhershme, e natyrshme?
- Prozën e kam shkruar që në moshë të re… Ngaqë studiova për Gazetari dhe punova dhjetë vjet si gazetar, natyrisht që krahas poezisë u zhdërvjelltësova dhe në prozë me përshkrimet, skicat, reportazhet. Lëvizja në të gjithë krahinat e vendit, njohja e realiteteve dhe fateve njerëzore të nxit që të shkruash edhe prozë. Kështu, në fund ë viteve ’80, botova librin me tregime “Vdekja e palaços”dhe më vonë librin po me tregime “Ndalohet vrasja e ujqërve”.

- Kur ju shkruat romanet “Avioni ‘Madam Baterflaj’ , “Bukuroshja fantazmë dhe unë Zoti Prek Vdek”, dhe tani sëfundmi “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, të vlerësuar nga kritika e kohës, i keni quajtur këto sfida vetjake krahas poezisë? Çfarë i dallon subjektet tuaja nga ato të autorëve të tjerë?
- Përvoja me romanet është e një natyre specifike. Gjetjet e romaneve unë i qëmtoj në një truall poeti, ngaqë vazhdimisht kam parapëlqyer subjektet surealiste, apo shkollën e realizmit magjik. Jam shprehur dhe herë tjetër se trevat e Ballkanit me historitë e tyre i shpallin thuajse të gatshme subjektet e jashtëzakonshme, të çuditshme dhe magjike, natyrisht, subjekte që brenda tyre kanë edhe klithmën e realizmit njerëzor.

- Si shkoni në lidhje me akumulimin dhe informacionin e nevojshëm, që ‘ju udhëzon’ për ta nxjerrë sa më mirë një roman apo tregim? Teksa iu hedh sytë, të japin përshtypjen e “ngjarjeve” reale, apo duhet t’i vlerësojmë për kuptimin e tyre simbolik, importin moral dhe substanca humaniste në përputhje me interpretimin tradicional historik, të jetës, midis modernes, artit dhe filozofisë?
- Gjinia e romanit dihet që është shumë e vështirë, kërkon kohë, mundim, vullnet, informacion. Romanet i shkruaj me vrull poezie, madje, ndonjëherë, edhe me frymëzim poeti. Këtu duhet patur kujdes që poezia të mos jetë zonjë shtëpie, por mysafire... Mbledhja e informacionit ka shumë rëndësi për romanin, por nuk hyj tek ata shkrimtarë që qëmtojnë për një kohë të gjatë, i jap më shumë rëndësi lojës me fantazi. Kur shkruaj një roman i jap rëndësi nisjes dhe di vendin ku do shkoj, por rrugët e zgjedhura për të arritur atje, nuk i përcaktoj hollësisht, madje nisem pa porositur hotel, apo taksi, dhe pa përcaktuar stacionet ku do ndalem; dinamika dhe shpirti i aventurës më pëlqen të shkrihen në një roman.

- A mendoni se OLD TIMES rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërinë, krahasuar me audiencën e viteve ’70-‘80?
- Natyrisht që çdo kohë ka dhe specifikën e vet, modën e vet... por autori serioz më shumë sesa kapriçiove të kohës, duhet t’i bindet shijeve të veta... Një autor i mirë nuk mund “ta lëshojë veten” në duart e mediokritetit dhe të shkruajë “me porosi nga poshtë” vepra të natyrës rozë, të lehta, pa gravitacion, të cilat në njëfarë mënyre mund të përtypen lehtë, madje edhe mund të shiten, por që nuk kanë vlera gjithëpërfshirëse, konkurruese, elitare...

-Të gjithë krijimtarinë tuaj të deritanishme, me rreth tridhjetë libra të botuar brenda dhe jashtë vendit, të cilën e keni përfshirë në kolanën “Enciklopedia e zhgënjimit”, a mendoni se ky zhgënjim kozmik është realist në vitet e para të këtij fillimshekulli?
- Përgjithësisht raca njerëzore në historinë e saj është zhgënjyer; të vdekurit dhe të zhgënjyerit gjithnjë kanë qenë shumica. Edhe në ditët e sotme ndodh kështu. Rënia e një sistemi, përpjekjet e një sistemi të mbetur për të mos rënë, patericat ekonomike, politike, diplomatike, nuk arrijnë të futen nën sqetullat e shumicës, apo 99 përqindshit njerëzor. Imagjinoni një rrugë gjigante ku shtatë miliard njerëz ecin jo me këmbë, po me paterica!... Natyrisht, që është e vështirë të krijosh një Enciklopedi të tillë, por letërsia, shpesh dhe natyrisht me dashje, konceptohet si utopi, apo si ëndërr...

- Ka kohë që ju shkoni dhe vini në ShBA, madje një pjesë të kohës vjetore e kaloni në Nju Jork. Si po ju duket Kontineti i Ri, a mund ta gjeni të plotësuar veten si shkrimtar?
- Natyrisht ka shumë probleme. Kur hyri Demokracia në fillim të viteve ’90 dhe me miqtë e mi shkonim të protestonim në Qytetin Studenti, mbaj mend që i thosha vetes: “Je 39 vjeç... e ardhmja është përpara”. Dhe, ç’është e vërteta, gjatë këtyre 20 vjetëve kam shkruar shumë, sepse fitova atë Liri që më mungonte. Kam botuar shumë libra, jam botuar në Francë më 2009, në Meksikë (2008), në Rumani (2008) dhe në ShBA (2011) me një libër elektronik të sistemit Kindle, shpërndarë nga amazon.com. Jam botuar në revista e gazeta letrare europiane dhe amerikane, apo në antologji të ndryshme... Këto janë arritje që dikur nuk mund t’i mendoje, vetëm që janë arritje individuale, me përpjekje individuale. Ime bijë, Sidorela, më ka kthyer në anglisht romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut” dhe nga viti i ardhshëm do synoj botimin e kësaj vepre në ShBA.

- Shpresoni? ...Po vëllim poetik do synoni të botoni në ShBA?
- Natyrisht, shpresoj. Kuptohet, që edhe në letërsi ka rëndësi Fati, sepse jo vetëm që vijmë nga një vend i vogël dhe nga një gjuhë e vogël, por vijmë dhe pa rekomandime të rëndësishme. Po kuptoj që në Amerikë është vështirë të çash me poezinë metaforike, atje poezinë aktualisht po e kërkojnë më shumë të natyrës anekdodike, të zhveshur nga metaforat. Mungojnë poetë të formatit të Whitman-it, Auden-it, Eliot-it, Pound-it, Stivens-it, Dylan Thomas-it etj.
Para disa kohësh revista prestigjioze letrare amerikane “Lips:” ( Buzët”), ku përfshihen poetët më të mirë profesionistë, botoi poezi të miat dhe të sime bije, Sidorelës; revista elektronike ‘Muse pre pres’, gjithashtu më publikoi një cikël me rreth 20 poezi; apo revista “Cuthord” më veçoi në një konkurs të shtetit të Kolorados…, por këto janë ende pak për një autor që kërkon shumë nga vetja, por edhe nga institucionet letrare në ShBA. Mbase pas 4-5vjetësh, kur të bëhem edhe qytetar amerikan, mund të më hapen më shumë drita jeshile… Rëndësi ka që të kem shëndet dhe të vazhdoj të jem aktiv… Nëse arrij të përfundoj disa nga subjektet e mia në romane, mbase mundësitë do të jenë më të mëdha. Shpresa vdes e parafundit, sepse i fundit vdes njeriu që shpreson. Dhe autorët janë ata që shpresojnë edhe në pikën e fundit të dritës.

- Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar? E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
- Pyetja “pse shkruani?”, është e ngjashme me pyetjen “pse dashuroni?”. Unë punoj çdo ditë për letërsinë, punoj në çdo kohë, mbase edhe kur fle. Punoj shumë kur eci, madje, edhe kur diskutoj. Ndizem nga diskutimet, kam dëshirë të kundërshtoj, madje, shpesh ‘rryma kundër’ më sjell në qejf si salmonin... Ende s’e kam menduar si mund të shuhet zjarri brenda meje, mbase duke u rrëzuar mbi të...

- Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”?
- Unë kam një natyrë tepër shoqërore, më pëlqen humori, nuk jam cinik, por ‘di të luaj’, i dua të talentuarit, por nuk i urrej të patalentuarit kur ata nuk janë të rrezikshëm, por, natyrisht, kur kthehen në të rrezikshëm, kur kujtojnë se duhet të blejnë ca spaleta kolonelësh dhe gjeneralësh në uniformat që shiten anës udhëve me pluhur, atëherë revoltohem, bërtas, por jo aq sa të më marrin për të marrë. Mediokriteti letrar duke qenë gjithnjë shumicë, në çdo kohë dhe në çdo vend ka bërë ligjin... Reformatorët, të talentuarit e kanë patur të vështirë të përmbysin këtë hierarki të rreme. “Dallgët janë anonime, vetëm anijet që i çajnë kanë emër”, është një varg i poezisë sime.

-Si ju janë dukur autorët që kanë marrë Çmimin Nobel në vitet e fundit? Jeni zhgënjyer prej tyre?...
- Kritiku amerikan Harold Bloom para disa vitesh është shprehur se Çmimin Nobel shpesh e marrin autorët idiotë... Mendoj se në të kaluarën, por edhe sot janë bërë edhe gabime dhe përmenden me të drejtë rastet e Tolstoit, Borhesit etj. që “shpëtuan” pa e marrë këtë çmim... Por kam mendimin personal se, përgjithësisht, Nobeli ka shkuar tek autorët që e meritojnë për shembull poetët Nobel në vitet e fundit kanë qenë Brodsky, Paz, Heaney, Transtromer, etj., të gjithë e meritojnë; kam lexuar poezi të tyre dhe, natyrisht, që janë poetë të shkëlqyer. Por edhe Kadare, Murakami, Adonis, Umberto Eko, e të tjerë autorë të mëdhenj mund ta merrnin këtë çmim të madh. Mendoj se çmime të formatit të tillë, bota e 7 miliardë njerëzve duhet të ketë më shumë.

- A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot? Ç’mund t’u thoni kritikëve të sotëm?
- Kritikë letrare ka, shpeshherë disa prej tyre janë ndalur edhe në krijimtarinë time. Por, sidoqoftë, në këtë drejtim kërkohet më shumë nga katedrat universitare, institucionet e specializuara, autorët me përvojë. Për krijimtarinë time kanë shkruar Razi Brahimi, Alfred Uçi, Anton Papleka, Natasha Lushaj, Moikom Zeqo, Virgjil Muçi, Vaid Hyzoti, Roland Gjoza, Agim Vinca, Agim Shehu, Dalan Shapllo, Adriatik Kallulli, Fatmir Terziu, Mihal Gjergji, Sokrat Paskali, Nuri Plaku, Demir Gjergji, Qazim Shehu, Granit Zela, Shpendi Topollaj, Qazim Shemaj, Rezarta Dhoga, Albert Zholi, Sejdo Harka, ju dhe disa të tjerë. Por fakti që një kritik nuk përfiton asgjë nga shkrimet e tij, i bëjnë ata më të tërhequr e më pak aktiv.

- Ka nga këta personalitete si Razi Brahimi, Vaid Hyzoti, Roland Gjoza, etj., që ju kanë vënë në avangardën e poezisë moderne e postmoderne shqipe, siç ju cilëson për shembull Razi Brahimi “poet novator”. A mendoni se realisht jeni vendosur aty ku ju takon?
- Nuk di si të shprehem në këtë rast, por krijuesi serioz e kupton vendin që i takon. Por në këtë periudhë, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit kur unë botova shumë libra cilësorë poetikë, disa romane dhe vëllime me tregime, si dhe katër libra me poezi në Francë, Meksikë, Rumani dhe ShBA…, nuk m’u dhanë çmime letrare, madje, nuk u përfshiva edhe në ndonjë antologji… Eshtë kjo arsyeja që më shumë se një herë jam shprehur se në kontekstin shqiptar, kur mungon “syri” i vëmendshëm, kur instucionet janë gati të ngrira dhe katedrat universitare-ripërtypëse, pra, në këto kushte ,“kalaja letrare” duhet të merret nga jashtë, jo se autori ka nevojë të pushtojë ‘kala’, por ai duhet të imponohet në betejat globale, gjë që natyrisht është rruga më e vështirë, por besoj se është edhe rruga më bindëse.

- Pra, vazhdojnë përpjekjet për të marrë kalanë nga jashtë? Fakti që tani një pjesë të kohës e kaloni në Nju Jork, mendoni se do t’ju ndihmojë në këtë drejtim?
- Eshtë tepër e vështirë për ta marrë atë kala, sepse janë përpjekje tërësisht individuale, me libra që i përkthen vetëm ime bijë Sidorela, tani nënë me dy fëmijë. Por, nëse boton dhe ke sukses edhe jashtë vendit, besoj se si autor ia ke arritur qëllimit. “Lavdia ka logjikën e ujit dhe pa e kërkuar e gjen vetë nivelin”, është një vargu im. Kam gati të përkthyer romanin në anglisht “Një grua me Urdhrin e Ujkut” si dhe një vëllim me poezi, po në anglisht.

- Ku shkruani më shumë, ku keni më tepër frymëzim në Tiranë apo në Nju Jork?
- Kam një zakon që në fund të çdo poezie dhe të çdo krijimi tjetër vendos datën... Dhe në Nju Jork kam shumë datime. Më pëlqen Nju Jorku, atje e shfrytëzoj kohën krijuese më mirë. Në Tiranë ndizem më shumë nga çasti dhe për një poet kjo, gjithashtu, ka rëndësi. Duke qenë natyrë tepër shoqëror më nxisin bisedat, replikat, debatet me miqtë krijues, por në këtë kohë interneti këtë mikroklimë me miqtë mund ta krijosh dhe në Nju Jork...

- Projektet tuaja për të ardhmen? Çfarë ju ka mbetur peng?
- Po shkruaj. Kjo ka rëndësi. Kam gati një vëllim të ri poetik dhe po punoj për përfundimin e romanit “Salla me hijet prej letre”. Një autor ka shumë pengje, por duke qenë se jam ende në kulmin e energjive krijuese, besoj se disa nga këto pengje do t’i shkarkoj në tryezën e punës. Kam shumë subjekte romanesh të shkurtër, që i kam nisur t’i shkruaj kohë më parë, 15, 10 apo 5 vite më parë, të cilat do luftoj t’i përfundoj...

- Edhe ato bëjnë pjesë në kolanën tuaj “Enciklopedia e zhgënjimit”?
- Po... Një autor gjithnjë është në anën e të zhgënjyerve.

- Mesazhi juaj për shkrimtarët e poetët e rinj...
- Nëse kanë talent të plotë, duhet t’i përkushtohen letërsisë me një punë të madhe. Mirë do të ishte të qëndronin në anën e të zhgënjyerve të përjetshëm për t’i shërbyer shoqërisë në zhvillimin dhe përsosjen e saj.

- Ju faleminderit!
- Dhe unë ju falënderoj për intervistën.

Nëntor, 2012

Postoi Raimonda Moisiu

Shqipëria - Atdheu i Elefantëve


Mbi profanizmin shkencor dhe derdimenomaninë



Agron TUFA

S’besoj se ka gjë më të trishtueshme sesa atëherë kur në vend të ëndrrës realitet bëhet jermia. Dhe mësymja e shtjellave të saj ka si zanafillë dyndjen e asaj stihie të errët e të paarsye që çlirohet nga bodrumet e një vetëdijeje të gërbulur në injorancë, ego-fallo-centrizëm primitiv dhe marri molepsëse, së pari, duke pushtuar sferën e personales e mandej rrezatohet në marrëzinë kolektive të sociumit.

Jermia, duke mos pasur arsye është e kundërta diametrale e dijes. Ajo si të thuash, është vetë shkak, vetë pasojë, gjithnjë e vetëmjaftueshme për t’u ndjerë e sigurt në verbërinë e vet, - është sendi në vetvete, monadë e mbyllur hermetikisht, absurd ku thyen kokën çdo arsyetim i shëndoshë. E megjithatë, jermia është fakt dhe si e tillë - e pakapëcyeshme. Duke qenë se ndodhet, për vetë natyrën e saj, jashtë sferave të dijes dhe arsyes së shëndoshë, jermia shtrohet si çështje e madje, urgjente, si çështje që kërkon gjithsesi njëfarë zgjidhjeje, përderisa është pjesë e pandarë e përjetimit tonë të përditshëm.

Jermia nuk pranon kontenstim: ajo të imponohet ta pranosh si teoremë pa vërtetim, ose, sikundërse bëjnë shumica e njerëzve të esëllt, - ta injorosh, të tallesh me të.

Por përderisa thamë se jermia është molepsëse, domosdo do të pranojmë se njeriu normal nuk i shmanget përjetueshmërisë së saj, aq më tepër kur efekti i saj negativ bëhet kanosje serioze me pasoja shoqërore. Askush, besoj, nuk dëshiron t’i dalë vetja duarsh. Andaj, nisur nga shqetësimi i madh i jermisë gjithnjë në rritje, është mirë të flasim hapur për sindromën e saj shqiptare, gjithëpërfshirëse. Por sot propozoj të ndalemi e të meditojmë mbi njërën nga sindromat e shumta të jermisë sonë, - sindromën e jermisë që pretendon për status shkencor.

Rrënjët e këtij jermi janë të vjetra. Unë nuk do të merrem me katalogjizimin dhe klasifikimin tipologjik të tyre, pasi kërkohet punë e durimtari e rreptë, çka nuk bën pjesë në cilësitë me të cilat mund të krenohej autori i këtij shkrimi. Prandaj, më e mira është të flasim për raste të veçanta të bashkëkohësisë e të gjithë së bashku, të nënkuptojmë të tërën.

Ja për shembull, fjala vjen, një rast i freskët, si ai i gazetës “Shekulli” dt. 08.11.2002, në rubrikën “Posta”. Letërshkruesi nga Italia (!) jep sihariqin se gjoja në majë të malit Olymp është gjetur një mbishkrim në shkëmb, shprehja e transliteruar e të cilit nuk thoshte gjë në greqishten e vjetër dhe në asnjërën prej gjuhëve të vjetra, dhe se të vetmin kuptim kjo shprehje na e paskësh në shqip. Siç na e kumton letërdërguesi, gjithë dalldi e rravgime zemre për krenarinë e të parëve, kjo frazë u lexuakësh: “Ape derën!”. Mandej letërdërguesi vazhdon të mahnitet me fjalët shqipe që janë ngjitur gjer në fronin e zotave, Zeusit vetë (Zeusi fliste shqip!), e po kështu, jehona e mahnisë nuk po i lëshonte as disa poetë në moshë të thinjur, teksa diskutonin gjithë pathos patriotik, pas një aktiviteti në ambientet e “Shtëpisë së Librit dhe Komunikimit”.

Nuk desha t’ua prish harenë e asaj krenarie fiktive dhe dola, duke ndërmendur një bisedë të disa viteve më parë me etnografin dhe antropologun e ditur e urtak, Mark Tirtja. Asokohe kisha marrë një temë për mitologjinë shqiptare dhe m’u desh patjetër të kosultohesha me të. Kisha në dorë një libër mbi mitologjinë ilire shkruar nga një poet dhe po e pyesja se sa të besueshme ishin të dhënat. Buzëqeshi dhe, duke iu shmangur përgjigjes së drejtpërdrejtë, më tha: “Punë e çuditshmë me këta poetët... Ne kemi një jetë të tërë që rrekemi të vërtetojmë prejardhjen e shqiptarëve nga ilirët dhe nuk gjejmë dot prova bindëse, gjuhësore, për shembull, a ndonjë gjë të tillë... pra jemi ende në nivelin e hipotezave, e hipotezat janë për t’i bërë vetes qejfin, por gjithsesi, nuk përfillen për shkencë... Ndërsa poetët, atë që nuk vërtetojmë ne për dhjetëravjeçarë të tërë, ulen dhe e shkruajnë të mirëqenë brenda një dite”.

Unë do ta quaj cektësi mistrece e jo naive, atë gatishmëri grabitqare në zgrip, me të cilën e presin shqiptarët çdo pallavër, dhe mistrece e quaj se, përkundër ngrefosjes profane, jermi të çfarëdolloji gëlltiten dhe përcillen të mirëqena tejpërtej opinionit, pa vërtetim, pa dyshimin as më të vogël, duke përhapur gjithkund një ndjeshmëri derdimene. Në jo pak raste na ka bërë qesharakë, kur kjo krenari tyryfyle, ky fiktivitet dhe pathos marrëzie del në selamet jashtë kufijve amëtarë dhe del në selamet në botën shkencore europiane, procedurat e së cilës edhe vetë dyshimin dhe pandehmën e ndajnë në disa momente principiale nëndyshimesh dhe nënpandehmash. Nëse të tilla gjërave bëhet zakon t’u japim zgjidhje të tilla, atëherë do të vijë një ditë, kur kokëngjeshur e krenarë të dëshmojmë para gjithë botës se Shqipëria, është, sidomos Atdheu i Elefantëve.

Ka kaluar mëse një muaj nga dita kur fraza e Olympit e transliteruar në shqip “Ape derën” ka kryer itinerarin e gënjeshtarit proverbial të asaj anekdotës, kur njëri gënjeu në fillim të pazarit dhe kur e dëgjoi gënjeshtrën e vet në të dalë - e besoi. Nuk e dija që fraza e gjetur “në fronin e perëndive” do të shumohej kaq shpejt dhe do të “apte” dyert e budallallëkut shqiptar. Dam, thashë me vete, se sikur t’u kisha thënë atë mbrëmje dy poetëve të moshuar që antikiteti i fjalës “derë” nuk është dhe aq antik, e sidomos, nuk është shqiptar, se këtë fjalë e kemi peshqesh nga sllavishtja dver (rusisht: dvjer), atëherë mbase dyert e marrëzisë nuk do të ishin çapëlyer kanatësh dhe se Zeusi në këtë rast, së paku, nuk ka folur shqip, sikundërse nuk ka folur as sllavisht.

Në mos vetvetiu, po e shtroj thjesht e naivisht pyetjen: pse kjo dyndje e madhe librash që kërkojnë në mënyrë aq profane të vërtetojnë tabanin dhe themelet e botës medoemos përmjet shqipes? Dhe akoma më keq, pse merren me këtë punë idiotët shqeto dhe pse ngjit me kaq saktësi idiotizmi i tyre? Rëndom autorët që marrin përsipër misione të tilla, vijnë nga fusha komplet incognito, veterinerë a mjekë, njerëz që nuk kanë kaluar të paktën fakultet a institut gjuhësie. Efekti që japin këto libra (gjithkush besoj i ka parë), është më shumë se negativ, diskreditues, sikundërse po kaq të pagëlltitshme vijnë përpjekjet e autorëve që nënshkruajnë me tituj të lartë shkencorë monologjet e tyre në jermi. Në rastin e fundit, profanizmi akademik bëhet edhe më i neveritshëm, edhe më beterr, pasi monologjet e tyre në gjendje kome janë të pajisur mirë edhe me shenja diakritike. Atëherë, një Zot e di se në ç’asosacione bredh mendja e parehatshme e kakademikut: përroska e ligjërimit të pavetëdijshëm nxjerr xhevahire që të shkulesh gazit apo të tilla turpëri sa të vjen ta strukësh kokën ngutazi diku, me keq se struci. Marrim, për shembull, artikullin e gjatë të studiuesit Dr. Nezir Myrta me titull “Etimologjia e emrit - Makedonia”, revista “Vlera”, nr. 66-67, 2002, Tetovë.

Autori, pasi bën një sërë zbulimesh “etimologjike” me anë përsiatjesh të tipit Kirill & Medod (shpikësit e alfabetit cirilik), del në përfundimin se gjoja emrat e dy vëllezërve janë shqip. Dhe ja se si e shpjegon shkencëtari ynë: emri i parë, Kirill-i, është dypjesësh, ku pjesa e parë do të thotë Kir-i (cir-i, çir-i, qiri), pra qiri - dhe pjesa e dytë - ill-i (ylli); demek kemi të bëjmë me qiri-yllin, qiririn që lëshon dritën si yll: Kirill! Po me këtë procedurë shkencëtari shpjegon emrin tjetër dypjesësh, Metod-it, ku pjesa e parë është përemri pavetor më (mua më), ndërsa pjesa e dytë - Thot, çka do të thotë: Mua më thot, ngase, siç na siguron shkencëtari, sllavishtja nuk e shqipton dot bashkëtingëlloren dh, andaj ka mbetur trajta Metod. Mandej shkencëtari lëshohet në origjinën historiko-mitologjike (përanash filozofisë së emrit) dhe e lidh atë me emrin e perëndisë egjiptiane Toti/Thoti (ama nuk na e thotë në e përdornin egjiptianët e vjetër fonemën dh), që gjithashtu ka qenë shqiptaro-iliro-pellazg (Thoti).

Inkursionin më të rëndësishëm autori e ndërmerr me shpjegimin etimologjik të toponimit Makedonia. Pasi na ka sqaruar më parë për pamundësinë e sllavëve në artikulimin e fonemës dh, shkencëtari i turret fjalës me hanxharë për ta prerë në copa e për ta ngjitur siç di vetë, se nuk i thonë kot demonstrim metode (metode: - më thotë de!?). Dhe punët (ptu-ptu-ptu!) i shkojnë mbroth. E kështu, pjesa e parë - MA (mua më = ma), pjesa e dytë - KE (mua ma ke), pjesa e tretë - DO/DHO (mua ma ke, dho) ndërsa mbaresa i - është trajtë e shquar, ose mbaresë substancivi. Pra, MAKEDONIA do të thotë: mua ma ke dhonë ti. Shih ku i ka shkue mendja burrit të botës! Aferim bre Dr!

Dhe i vë kapak floriri shkencëtari ynë me shpjegimin e emrit të filozofit të lashtë grek, Aristoteli. Ai shkruan se Aleksandrin e Madh e çuan të mësojë tek AristoTeli. Dhe shkencëtari i jep goditje asgjësuese edhe këtij misteri të fundit kur shpjegon, duke e copëtuar fjalën me hanxhar, si të ishte ndonjë copë mishi në kasphanë. Aristo - thotë shkencëtari - do të thotë zotëri (veçse heziton të na thotë ase të na shpjegojë nëse kjo fjalë vjen nga shqipja: këtu shkencëtari është fjalëkursyer). Dhe meqenëse Aristo do të thotë zotëri, gjysma e dytë e fjalës, do të thotë Tel, që në të folurën shqiptare është idiomë e njeriut të mençur, pra: i mençur - tel; ZotëriTeli/ zotëria mendjetel.

Pas zbavitjes nga kjo piramidë mendjeleshtësie, të pushton trishtimi kur mendon se këto dokrra merren seriozisht dhe i serviren si argumente palës nacionale maqedonase. Një perceptim të tillë metafiziko-infantil e kam ndeshur më parë kur im nip tetëvjeçar këmbëngulte në mendimin e tij se marka e makinës “Opel”, do të thoshtë “Osht pelë (në vend të pelës) dhe se susta e magnetofoni ku shkruhet eighet, në fakt do të thotë “e çet/ e qet, e nxjerr”. Veçse në rastin e shkencëtarit-etimolog, fëmija ishte tetëdhjetëvjeçar.

Rasti më i sprasëm ndodhi me përgjigjen çapraze që një tjetër fëmijë tetëdhjetëvjeçar i dërgoi shtojcës sonë “FjalA”, si reagim ndaj një shkrimi të A. Qazimit, për simbolet e flamurit të Rugovës. Shkrimi i tij i gjatë, përpos replikës, përmbante hulumtime të hollësishmë heraldike me rrënjë në hava, mbi yllin e Davidit. Autori shtron me imtësi (pa asnjë referim) se si njëri nga djemtë e Davidit paskej migruar në Kosovë dhe ka themeluar Dardhaninë, vendin e dardhave, e se si mandej gjithë popullsia e këtij Davidi që thirrej Davut ose Daut, paska përcjellë ç’prej moti simbolin hebre. Për vërtetim, autori rrëfen për strehimin që iu bënë shqiptarët hebrejve në kohën e përndjekjes naziste (anipse jo në Kosovën e Davit-Davut-Dautit), gjë që qeveria izraelite nuk e harroi dhe i strehoi kosovarët në kohën e luftës së Kosovës 1999. Por gjithçka, këmbëngul ky autor, fillon me bijtë e Davidit, Davutit ose Dautit. Zaten, dihet, ka dhe asi njerëzish që e nisin dhe e sosin jetën pa ardhur njëherë në vete.

E po ecëm, them, me logjikën shkencore të Davidit, Davutit ase Dautit, - kjo është mënyra më e sigurt me ia hy rrugës së m...t!


Agron Tufa u lind në Dibrër në vitin 1967. Ai ka studiuar për letërsi në Universitetin e Tiranës. Më vonë vazhdoi studimet në Moskë, ku u diplomua në teorinë e përkthimit, me përqendrim të veçantë në krijimtarinë e poetit Joseph Brodsky.

Veprat Letrare

"Aty te portat Skee" (Elbasan, 1996)
"Rrethinat e Atlantidës" (Tirana, 2002)
"Dueli (Tiranë 2002)
"Fabula Rosa" (Tiranë 2004).

ETJ.

Përkthimet

Tufa ka përkthyer disa autorë rusë, mes të cilëve Joseph Brodsky, Anna Akhmatova, Osip Mandelshtam, Boris Pasternak, Andrei Platonov, Mikhail Bulgakov, Vladimir Nabokov, dhe Vladimir Sorokin.

ETJ.



Agron Tufa, shkrimtari qe vjen nga poezia


Agron Tufa eshte nga ata njerez qe e ndan diten e tij mes mesimdhenies ne Fakultetin e Gjuhe-Letersise ne Tirane dhe familjes, pa lene pas dore publicistiken dhe krijimtarine.

Me pasionin per te percjell tek brezi i ri erudicionin qe e karakterizon, here pas here lexuesi ka privilegjin te shfletoje edhe librat e tij, te cilesuar prej kritikes nga me te miret e kohes.

I lindur ne Diber, duket sikur ajo pjese e verilindjes se Shqiperise ka lene gjurme ne vizionet e tij artistike dhe formimin si njeri.

Tufa ka zgjedhur si stil jetese “ritualin e njeriut te heshtur”, por qe zhgenjehesh sa here diskuton me te ceshtje sociale apo ato qe kane te bejne me letersine.

Nje prej njerezve qe e verteton kete pershtypje eshte Persida Asllani qe e njeh Tufen qe ne vitet studentore.

“Nje njeri shume inteligjent shume i sjellshem e shoqeruar kjo me nje droje. Nuk e ndaj dot Agronin si njeri dhe Agronin si poet”, thote Persida.

Vitin qe kaloi Agron Tufa erdhi me dy romane per lexuesin e tij te rregullt, “Merkuna e zeze” dhe “Tenxherja”, i pari nje trill fantazor, ndersa i dyti nje gershetim mes kujtimeve te se shkuares dhe krijimit.

Zija Cela per te vleresuar stilin e Tufes zgjedh nje tjeter veper, ate me titull “Dueli”.

“Agroni ka nje profil te poetit-filozof. Poezia e tij eshte ndritshme. ‘Dueli’ eshte nje roman i shkruar ne lindje dhe flet per lindjen. Megjithate eshte nje nga romanet me perendimore qe Agroni ka shkruar”, shprehet Zijai.

Edhe pse ne krijimtarine e tij perfshihen shume poezi, Tufa eshte cilesuar si “stacion i ri i prozes shqiptare”.

Ne kete kontekst koleget e tij thone se “ai eksperimenton guximshem, duke krijuar ne kete menyre nje letersi te re, ne te cilen gjenden tendenca te letersise bashkekohore.

FAIK BLLANCA - "Mbama pak pallton, çun!"


Ç erçiz LOLOÇ I

Janë dy Faikër në prozën shqiptare. Faik Konica plaku, mohues dhe hokatar dhe Faik Ballanca i riu, pohues dhe tragjik. I pari jetoi dhe vdiq patriark në vend të huaj, i dyti jetoi e vdiq djalë në vend të vet.


Largimi tragjik i prozatorit brilant

Këto ditë, Shtëpia Botuese "Toena" nxori nga shtypi, në serinë "Tregime të zgjedhura shqiptare", librin "Mbama pak pallton, çun!" të shkrimtarit Faik Ballanca. Për lexuesit e rregullt e dashamirësit e letërsisë së viteve '70, F. Ballanca do të kujtohet me nderim, sepse ka lënë gjurmë të një proze sa jashtë skemave e politizimeve, aq të bukur e origjinale.

Që në tregimet e librat e parë, Ballanca u dallua si më prodhimtari e më cilësori mes shkrimtarëve të brezit të tij. Duke pasur një sërë dhuntish, me talent të vërtetë, me kulturë të gjerë e me intuitë artistike, ai shkroi në një kohë relativisht të vogël tregimet, novelat dhe romanin e tij të vetëm.

Kjo përmbledhje antologjike është një pasqyrë brilante e tregimeve të Ballancës, ku drama e dashurisë së vërtetë, ndjenja e pashuar për liri, lufta për të ruajtur të pacënuar dinjitetin njerëzor, mirësia si virtyt e vlerë e natyrshme shpirtërore, shpalosen lirshëm përmes rrëfimesh të thjeshta e të kristalta. Ja si shprehet për Faik Ballancën shkrimtari Vath Koreshi: "Gjithë artin e tij ky njeri me zemër vezullimtare e vuri në funksion të fisnikërimit të njeriut; të tregojë se ç'rrezatim të fuqishëm ka një shpirt që do, që dhemb dhe që nuk pranon meskinitetin".

Faik Ballanca pati një jetë të shkurtër që u mbyll tragjikisht, por la pas veprën e tij që do të jetojë gjatë, sepse krijimtaria me vlera të vërteta estetike e jetësore gjithmonë do të pëlqehet e shijohet nga njerëzit e qytetëruar. Libri mbyllet me mendime e vlerësime të kritikës letrare dhe të shkrimtarëve të njohur shqiptarë.


KADARE:
Romani "Nomeja e largët" i Faik Ballancës më pëlqeu. Asnjë nga akuzat që i bën redaksia nuk qëndrojnë. Ky është romani i tij i parë dhe çuditem se si ka mundur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq edhe moderne.

AGOLLI:
Faik Ballanca e pati të shkurtër kohën e krijimtarisë, ashtu siç e patën Lermontovi, Migjeni, Veli Stafa apo Drago Siliqi. Nga kjo anë, e fundit të dhimbshëm të jetës së shkurtër, megjithëse në rethana të ndryshme shoqërore, ai u shëmbëllen në fatin tragjik këtyre shkrimtarëve, që nuk i dhanë dot të gjitha ato që mund të jepnin. Megjithatë Faik Ballanca, ky i dashuruar i marrë i librave, la një trashëgimi të vyer letrare, që përcjell te njerëzit një kënaqësi të vërtetë estetike edhe sot e kësaj dite. I pajisur me një kulturë të pasur letrare dhe me një shije të hollë artistike, shumë bashkëkohore, me tregimet dhe novelat e tij të një drejtimi të ri dhe modern, ai la gjurmë në novelistikën shqiptare, megjithëse vdiq i ri. Tregimet e novelat e tij shquhen për frymën e re përparimtare, për konfliktet e natyrshme e të pastisura, për dinamikën e rrëfimit dhe për lëvizjen e elementeve të frazës. Por mbi të gjitha, në prozën letrare dhe publicistike të Faik Ballancës ngrihet fryma humane e një krijuesi me stofin bashkëkohor. Duke lexuar prozën e Faik Ballancës, ndjehet serioziteti dhe respekti që ka pasur ai për punën e mundimshme të shkrimtarit; prandaj, që me vështrimin e parë në fytyrën e tij do të dalloje lehtë-lehtë një hije melankolie, ku fekste një shkëndijë gjysmë pesimiste e gjysmë ironike - shenjë kjo që vihet re në përgjithësi te njerëzit e talentuar.

KORESHI:
Jo rrallë më ndodh që, duke lexuar tregime të Faik Ballancës, më vjen në vesh zëri i tij gjithmonë i shtruar dhe i mbushur me magjinë e zemrës dhe mendjes së tij aq të mprehtë. Faiku ngjallet sa herë, sepse gjithmonë ne kemi nevojë të na plotësojë me diçka që na mungon. Kur jemi të padrejtë, ai na ofron ndershmërinë e tij, kur na tut jeta, ai na bën më të guximshëm. Ai di të na shtyjë gjithmonë që të bëhemi më shumë njerëz, më shumë shokë dhe më shumë të mençur. Gjithë artin e tij ky njeri me zemër vezullimtare e vuri në funksion të fisnikërimit të njeriut; të tregojë se ç'rrezatim të fuqishëm ka një shpirt që do, që dhemb dhe që nuk e pranon meskinitetin. Ai ishte kundër cinizmit dhe prepotencës së më të fortit ndaj më të dobtit; ai ishte një i afërt i jashtëzakonshëm i njeriut me halle. Kur kam lexuar tregimin e tij "Njerka", kam pasur një bashkëshoqërim aq të afërt të fytyrës së tij me atë të Migjenit. Kjo vinte jo thjesht nga një ngjashmëri edhe jo shumë e largët e tipareve të tyre me një si lëngim të përhershëm, por sidomos me një dhimbje fine që nuk e fyen dhe nuk nënçmon njeriun, por e bën atë dhe më njerëzor tek shfaqet në hallet e përditshme. Të mbetet një dhimbje kur vë re se Faiku nuk e ka kapur penën që të mallkojë një njerkë, por që t'i qajë hallin asaj për sakatllëkun që i ka dhënë natyra. Janë shumë e shumë tregime të Faikut që përshkruajnë njerka të tilla, nëna, motra, burra të heshtur e si të mënjanuar, në përgjithësi njerëz që mezi bien në sy në kopshtet dhe në shtëpitë e tyre përdhese, në rrugicat e ngushta dhe në një jetë pa zhurmë e pa bujë. Në këtë peizazh bojë hiri për një sy të zakonshëm, Faiku zbulon një botë që të trondit me njerëzillëkun e saj, vajza që përmes një dashurie të turbullt e të paqartë krehin flokët para pasqyrave dhe gatiten për të dalë në jetë dramatikisht të zakonshme, por aq të zbukuruara në përfytyrimin e tyre. Sepse Faiku ishte një shkrimtar që ishte aq hollë, një zemër që dridhej aq lehtë, një dashuri njerëzore që donte aq shumë. Ai donte ta mbillte trevën letrare me "Njerka" dhe "Kaleidoskopi", me "Mbama pak pallton çun" dhe "Mbasdite të lagura" në vend të skemave dhe steriotipeve të mërzitshme. Ai ishte një shkrimtar që nuk u tundua asnjëherë nga apelet propagandistike të ditës, nga manierat dhe modat, aq të parapëlqyera nga mesatarët. Sigurisht një shkrimtar i përmasave të tilla të shtyn të flasësh për shumë e shumë gjëra. Unë kisha për të bërë këtu një zbërthim të disa vlerave artistike të tregimeve të Faikut, po më rrëmben ideja se këto cilësi të shkrimtarit si talent, rrjedhin nga shumë cilësi të shkrimtarit si njeri. Unë e kam dashur gjithmonë Faikun njeri, i cili e ka lënë veten në qindra faqe të shkruara me një talent të rrallë. Ai është në të gjitha rastet djaloshi shtatpakët që ecën me një çap të shpejt dhe lëkundje të rregullt të shpatullave, bashkëbiseduesi me një zë pak si nëpër grykë dhe pak si nëpër hundë, i vëmendshëm dhe i durueshëm deri në vetëmohim, vështrimçiltëri me sy të gjelbër dhe me dritë të butë, i paepuri dhe vullnet-hekuri, karakteri i fortë dhe udhëpalëshuari para çdo padrejtësie. Edhe letërsia e tij është e tillë. E thjeshtë dhe e çiltër. E mençur dhe fjalëkursyer. E mbushur me dashuri. E mbushur me dhimbje. Duke luajtur në fushën më të rrezikshme për suksesin, siç është jeta e përditshme pa maja, aq komode për të rënë në sy, Faiku tregon se është shkrimtar i kualiteteve të larta. Ai është një shembull nga më domethënësit se nuk mund të zëvendësohet magjia e artit nga manipuluesit e fjalës.

LAÇO:
… Faik Ballanca nuk arriti dot tek ai cak që të fliste për vete, cak që, pse të mos e themi, është gjithashtu një nga atë ambicjet e mira të njeriut të cilat kthehen në forca lëvizëse. Mbështetja më e mirë për këtë pohim është romani i tij "Nomeja e largët". Çfarë e bëri këtë vepër që t'i shpëtojë "vjetërimit" prej së cilës e kanë pësuar shumë vepra të tjera? Është e vërtetë, romani i përket një pene të zgjuar që jo vetëm nuk vuan për fjalën, por që zotëron edhe atë cilësi stili që e bëjnë atë të këndshme e tërheqëse. Është e vërtetë, gjithashtu, se dramat që përjetojnë personazhet e tij, jepen në mënyrë bindëse e nuk janë vetëm disa halle të përkohshme e për dukuri kalimtare që shfaqen, zgjidhen e zhduken për një periudhë të caktuar, gjë që mund t'iu japë veprave disa vlera njohëse, por jo një shtrirje të gjatë kohore. Megjithatë, edhe kjo nuk do të mjaftonte për ta shmangur vjetërimin, i cili shfaqet si një rrezik potencial ku e ku më i madh në atë vepra që rreken të flasin drejtpërdrejt për atë çka ndodh njëkohësisht me procesin letrar...Romani "Nomeja e largët" e sjell jetën e një fshati të jugut me gëzimet e shqetësimet, përpjekjet e hallet, me ëndrrat e shpresat për një të nesërme më të bukur, nëpërmjet një sërë figurash, që janë mjaft të veçanta, ndonëse përfaqësojnë të njëjtën psikologji. Ata i bashkon ndjenja dhe qëndrimi i njëjtë ndaj historisë dhe së sotmes, por i dallojnë fatet personale e veçoritë psikofizike. Të vrullshëm e me temperament, të ndershëm e të vetëdijshëm, për punën që bëjnë, janë dhënë barinjtë: Peçoja, Liloja, Myrtoja, e Hiqmeti. Pak më i zbehtë Ndrekoja. Plot freski dy skajet e moshës, xha Golja dhe Ndoni me romantikën e adoleshentit. Me nënvizime të holla, që e mënjanojnë paraqitjen bardh e zi është Bardha. S'ka si të mos bjerë në sy se proza e Ballancës, me fjalën e saj intensive e të shkathët, të pasur në gjuhë e në frazeologji dhe me një sintaksë që ballafaqohet denjësisht me prozën moderne, në kuptimin më të mirë të fjalës, qëndron me dinjitet të plotë krahas prozës sonë më të mirë.

LERA:
...Faik Ballanca nuk është nga ata shkrimtarë që luajnë me vdekjen për të tronditur lexuesin. Për të kjo ishte sa e pandershme, aq edhe e padenjë. Njeriu, edhe kur nuk ka respekt për jetën e të tjerëve, është i detyruar të përulet me nderim përpara vdekjes së tyre. Dhe Faiku, si askush tjetër, dinte të përulej me dhimbje para vdekjes së personazheve të tij, duke respektuar tek ata aktin e fundit të burrërisë së tyre... ...Faik Ballanca kapi në moshë të re atë që shumë shkrimtarë e arrijnë në moshë të madhe, sepse të tilla ishin parimet e tij letrare, parime që u shfaqën që në tregimin e parë dhe erdhën duke u thelluar në romanin e tij të vetëm dhe të fundit. Ai i qëndroi besnik vetes, sepse e dinte se shkrimtari nuk ka një vdekje, se shkrimtari ka edhe një vdekje të dytë, më të tmerrshme se e para, vdekjen e pasvdekjes. Ndershmëria e tij mund ta përballonte vdekjen e parë siç e përballon çdo njeri, por si shkrimtar nuk do ta përballonte vdekjen e dytë, atë të pasvdekjes. Ky ndërgjegjësim e shoqëroi në çdo hap krijimtarinë e tij, si cenzori i vetëm i tij. Dhe nëse Faiku si njeri prej mishi dhe gjaku nuk është më, cenzori i tij është ende gjallë. Duke qëndruar pranë nesh, për të na thënë se jeta ndryshon formë, por nuk zhduket. Ajo përcillet në mijra ngjyra. Faiku e përcjell me prozën e tij, e cila filloi atë mëngjes, me një tregim të shkurtër, me një titull më se të raskapitur nga përdorimi, po që nën penën e shkrimtarit fitoi një peshë të papritur, si të ishte titulli i parë...

ASHTA:
Që të mbesësh shkrimtar i njohur dhe të zësh një vend në letërsinë e vendit tënd, mosha në kuptimin e jetëgjatësisë është një tregues relativ, kryesor është talenti. Edhe prozatori Faik Ballanca, ndonëse vdiq i ri në moshën 31 vjeçare, zë një vend të nderuar në prozën tonë. Prandaj botimi dhe ribotmi i krijimtarisë së tij letrare do të shërbejë për ta bërë këtë prozator të talentuar, të njohur e të çmuar edhe për lexuesin e sotëm.

ÇAUSHI:
Vlera më e madhe artistiko-profesionale e veprës (e romanit "Nomeja e largët" - shën. i red.) është ndoshta fakti që pothuajse në më shumë se gjysmën e saj nuk bëhet fjalë fare për Bendon, por tregohen rrëfenja nga pleqtë e fshatit për të kaluarën dhe posaçërisht për luftimet, për pushtuesit e huaj, për masakrat e tyre që nga 191… e deri në Luftën e Dytë Botërore. Krerët e romanit, ku bëhet fjalë për Bendon, këmbehen me krerët që emërtohen "Gjithsecili tregon një histori", ku parakalojnë biseda, ndodhi e kujtime të pleqve për ngjarje, në të cilat kanë qenë vetë pjesëmarrës. Këta dy lloj krerësh janë si dy paralele që shtrihen bashkërisht nëpër faqet e romanit. Por, ndërsa teoria thotë se edhe vijat paralele takohen në infinit (çka do të thotë se nuk takohen kurrë), paralelet e Ballancës takohen diku, në një qafë dhe krijojnë një aliazh të paçbëshëm. Kjo s'është thjesht risi (fjalë, kjo fort e shfrytëzuar), është një zbulim
në artin e të shkruarit, që mund ta bëjnë vetëm talentet.

DILAVERI:
Pas vëllimeve të para me tregime, në këtë lloj të prozës sonë, debutoi edhe prozatori Faik Ballanca në përmbledhjen me tri novela ("Katër orë larg shtëpisë", "I fundit", "Shtigje me helm"), ku mund të vërehen disa tipare të krijimit të tij si edhe ndonjë problem i novelistikës sonë, i gërshetuar ngushtësisht me pasurinë jetësore që ka mundur të derdhë ai si nëpërmjet rrëfimit realist, ashtu edhe nëpërmjet forcës artistike të fjalës së tij. Të tri novelat janë të ngritura mbi subjekte të pasura me ngjarje dhe episode, shumica e të cilave dëshmojnë se autori e njeh mirë realitetin për të cilin flet; kjo bie në sy sidomos kur është fjala për novelat me temë aktuale. Autori jo vetëm e njeh jetën, por ai edhe ka ditur ta japë nëpërmjet një rikrijimi të shkathët artistik duke ngjallur te ne emocione e ndjenja të cilat na ndihmojnë ta shijojmë më lehtësisht veprën, duke na komunikuar njëherazi ide e mendime për njerëzit dhe ngjarjet.

JAKLLARI:
Urtësia e vjetër e latinëve "Jeta është e shkurtër, arti jeton gjatë" na kujtohet teksa lexojmë librin "Nomeja e largët". Megjithëse autori i tij ka kohë që nuk është më midis nesh, ai vazhdon të komunikojë me lexuesin. Dhe komunikon bukur. Kritika dhe opinioni ynë ka parë me kohë te shkrimtari Faik Ballanca prozatorin e talentuar. Përmes romanit dëshmohet jo vetëm rrëfimtari i zhdërvjellët, por edhe shkrimtari me një vizion të gjerë e vëzhgime të holla mbi botën shoqërore e vetjake të njerëzve.

JORGONI:
Nga pikëpamja e stilit, shkrimtari F. Ballanca tregohet i kursyer në fjalë. Gjuha e novelës Kënga e Fundit e Marko Boçarit, është sintetike, ajo ngërthen lëndë të pasur, fakte e një ngarkesë të madhe dramatike. Autori na skicon një mori tipash që na mbeten në mendje sepse jane kapur tipare përgjithësuese e individuale të karakterit të tyre. Këto personazhe jane dhënë në veprime, ata janë paraqitur të diferencuar dhe me ndjesinë e maturisë e të veshtrimit realist, duke mos rënë në skematizëm e paraqitje të përciptë të jetës e të dramës së personazhit. Gjerësia e paraqitjes së jetës dhe shtrirja e subjektit, na flasin bindshëm për aftësinë e shkrimtarit për rrokje e hulumtime të anëve të ndryshme të jetës për një vështrim në gjërësi e thellësi, vështrim që e shpëton veprën nga karakteri përshkrues e biografik.

KEKO:
Tregimi "Mbama pak pallton çun" ishe vërtet i shkëlqyer dhe më la mbresa të thella… Ai vazhdon të mbetet një nga perlat e tregimit tonë të ri.

KONDO:
Ka njerëz që jetojnë gjatë e harrohen shpejt. Ka të tjerë që jetojnë pak dhe nuk harrohen kurrë. Faiku ishte njëri nga këta. Për mua, në letërsinë shqiptare të shekullit XX, dy janë që ngjajnë si vëllezër siamezë si nga jeta e shkurtër dhe nga krijimtaria e shquar, Migjeni në poezi dhe Faik Ballanca në prozë. Ishim shumë që e kishim mik atë. Jemi pak që afrojmë me të nga kultura, nga vullneti, nga pasioni për letërsinë dhe dashuria për jetën. Ai lexonte lehtësisht në tri gjuhë të huaja, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Dhe të mendosh se me sa mundim i binte atij në dorë libri letrar në këto gjuhë. Ai donte dhe çmonte shumë Kamynë dhe Kafkën. I lexonte natyrisht në orgjinal, se edhe të donte t'i gjente në shqip, nuk kishte se ku, thjesht nuk përktheheshin. Adhuronte shumë Dostojevskin, për të cilin na kishte zili neve që këndonim në rusisht. Jam i sigurt që vetëm për të, Dostojevskin, ai do ta mësonte një ditë rusishten. Faiku ishte gati dhjetë vjet më ri ri se unë dhe kisha kënaqësinë të bisedoja me të si me një më të madh se vetja. Ai pëlqente shumë pëllumbat dhe prej tij mësova nofkat e tyre "kacalyc", "komlesh" etj. Ishim tifoz boksi dhe ndiqnim edhe natën vonë së bashku Muhamed Aliun me shokë. Ai ishte elegant, por i imët dhe me trup mesatar. Në boks ai do të ishte pesha e puplës, por në letërsi ai u mat me peshat e rënda dhe fitoi. Janë dy Faikër në prozën shqiptare. Faik Konica plaku, mohues dhe hokatar dhe Faik Ballanca i riu, pohues dhe tragjik. I pari jetoi dhe vdiq patriark në vend të huaj, i dyti jetoi e vdiq djalë në vend të vet. Fate të ndryshme, jetë krejt të ndryshme, herë groteske e herë skeptike, por i bashkon të dy përjetësia. Pa dyshim në jetë Faiku që si meteor që u dogj herët, por në letërsi ai mbetet një kometë që kthehet gjithnjë në planetin e vet.

SPAHIU:
Faiku ishte njeri i lirë. Atë e zemëronte padrejtësia. Ai ishte herë shoqëror e herë individualist. Këto tipare shfaqen edhe në krijimtarinë e tij. Veçanërisht në tregime ai është një autor me emër mjaft të veçantë dhe origjinal. Në tregimet e tij, realizmi i ruajtur me zgjuarsi dhe thellësi bashkohej me një lirizëm, me zbulimin e detajit të hollë e herë - herë me një romantikë të ndritshme. Temat jetësore, stili i drejtpërdrejtë e veçanërisht ndjenja e masës – të gjitha këto tipare të Ballancës i jepnin modernitetet e zhanrit, tregimit shqiptar, në një çast kur ai po shkëputej nga një frymë herë - herë e vjetëruar, sipërfaqësore. Unë them se ai ka mësuar shumë nga proza migjeniane. Marrë në përgjithësi vëllimi "Mbasdite të Lagura" i Faik Ballancës është një kontribu t i vlefshëm letrar.

SHAPLLO:
...Pastaj mbaj mend kur lexova tregimin "Mbama pak pallton çun", se u befasova kur gjeta shkakun që e kishte shtyrë shkrimtarin për atë tregim: një shef i moshuar e kishte krahun të plagosur në luftë dhe kërkonte ndihmë… S'ishte pra punë servilizmi, po qëndrim human, të cilin një i ri e pranon me dinjitet…Si për Faikun, e për të tjerët para tij si Dragua, rri e mendoj me pikëllim që ikën të rinj, natyrisht në rrethana të ndryshme. Po e tillë është jeta. Faiku flet edhe sot me atë pjesë të shpirtit që hodhi në krijimtarinë e tij.

Autoktonia iliro-shqiptare dhe prirja properëndimore


Kush është Myslim Islami?

Prof. Dr. Myslim Estref Islami ka lindur më 20 maj të vitit 1936 në Roshanj të Kolonjës në një familje me tradita atdhetare. Veprimtaria e tij në fushën e arsimi t, të kulturës dhe të shkencës e ka bërë të njohur në fushën e historisë, të publicistikës dhe të muzeologjisë.

Disa nga studimet e monografitë më të rëndësishme të tij janë: Historiku i Vithkuqit (1958), Naum Panajot Bredhi-Veqilharxhi (1967), Xhaferr Cenko Lubonja (1970), Vasil Shanto (1981), hulumtues e hartues i Historisë së qëndresës dhe të luftës së qyteteve të Shqipërisë kundër pushtuesve italo-gjermanë (1939-1944), bashkautor për Historikun e qarkut të Durrësit për Luftën ANÇL, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja e bashkimit kombëtar (1998), Histori i gjakosur (2000), Ali Kelmendi (2002), Nuk mund të hesht! (2003). Ka botuar me dhjetëra e qindra referate, kumtesa, artikuj në revistat shkencore e në shtyp.

Ka hartuar mbi 25 zëra për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Enciklopedinë Shqiptare. Në vitin 1964 mbrojti disertacionin në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji. Në vitin 1983 iu dha grada “Kandidat i Shkencave Historike”. Në vitin 1986 mbrojti titullin “Bashkëpunëtor i vjetër Shkencor”. Në vitin 1993 – “Doktor në fushën e historisë”. Në vitin 1995 Komisioni i Kualifikimit Shkencor të Republikës së Shqipërisë i dha titullin “Drejtues i Kërkimeve” (Prof. dr.). Mban urdhrin “Naim Frashëri” për punë cilësore në fushën e historisë e të muzeologjisë. Në vitin 1995 u formua në Tiranë Shoqata Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Lidhja e Prizrenit”, e cila e zgjodhi kryetar, detyrë të cilën vazhdon ta kryej sot e kësaj dite.

MISJONI I SHKRIMTARIT / Duke lexuar librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumbit


Eugjen MERLIKA


“ Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”

Këto fjalë profetike të meshtarit të vjetër At Marin Sirdanit, drejtuar autorit, atëhere ende djalë i ri e i pashuguruar si prift, përbëjnë lejt-motivin e veprës së At Zef Pllumbit. Ishte një porosi me vlerë, një nga ata amanete “që nuk i tret dheu”, që ve në lëvizje gjithë energjitë, përkushtimin, motivimin shpirtëror, moral e mendësor të një njeriu të letrave, që synon t’i shërbejë tërësisht një qëllimi të shenjtë, shpalosjes të së vërtetës. Në vetëdijen e autorit ai amanet bëhet besim, ideal, ëndërr, kuptim jete; e shoqëron çdo orë, çdo ditë, çdo muaj, dhjetëvjeçarë me rradhë, në një rrugë të gjatë, të vështirë, gjithmonë në të përpjetë, që është jeta e shkrimtarit. Ai amanet i jep forcë, vullnet, qëndueshmëri, për të sfiduar sfinksin, për të mbijetuar në një xhungël ku sundojnë egërsirat, ku çdo ditë rrezikohet të gjymtohet, të humbë, të asgjësohet. Ai amanet kthehet në një dritë të fuqishme që ndriçon çdo qelizë të kujtesës së pazakontë, për të hedhur në letër gjithë bagazhin jetësor të një përvoje vetiake e të përgjithëshme, që përbën shtyllën kurrizore të veprës që sendërtohet e merr formën e librit të kujtimeve, duke hyrë, mendoj un, me dinjitet në fondin e letrave shqipe.

”28 nandor 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë,ndoshta me zymta që prej shpalljes së pavarësisë” është një fjali në fillim të veprës, është penelata e parë që paralajmëron koloritin e saj. Zymtia përshkon gjithë faqet e librit, duke pasqyruar atmosferën në të cilën hynte një komb i tërë, pas një tragjedije që nuk kurseu askënd në kontinentin e vjetër. Por në vendin e autorit tragjedia do të kishte përmasa makabre, para të cilave dhe bota shekspiriane do të dukej e zbehtë. Autori është një misionar e misioni i tij është shumëplanesh. Si shkrimtar duhet të paraqesë me art epokën e trazuar së cilës i përket, si famullitar, pjestar i bashkësisë së klerit katolik duhet të marrë në mbrojtje arsyet e tij, si i përndjekur politik i regjimit duhet të dëshmojë dramën e asaj pjese të popullsisë që “koha e re” i vuri në qafë një zgjedhë. Si i tillë, por edhe si njeri, si qytetar, ai rrjeshtohet në anën e të mundurve, të viktimave, të atyre që e pësojnë historinë, por me vetëdijen e plotë se duhet të pasqyrojë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Eshtë kjo një nga meritat kryesore të kujtimeve të At Zef Pllumbit, të qëndruarit besnik ngjarjeve në pasqyrimin e tyre, ashtu siç kanë ndodhur, me dritat e me hijet.

Merr tepër rëndësi ky fakt, po të kemi parasysh se bën fjalë për pasqyrimin e një epoke në të cilën e vërteta është dhunuar katërcipërisht, në të gjitha shfaqjet e saj, për një gjysëm qindvjete, duke ju servirur për së prapthi një populli të tërë. Dita e çlirimit u hymnizua në të gjitha format, u bë motiv zotëronjës kudo, në artet, letërsinë, shkencat historike e shoqërore. U paraqit gjithmonë në simbiozë me fitoren e Evropës kundër diktaturave, u quajt prej shumicës si pika kulmore në historinë tonë të shekullit të kaluar. Në fakt ajo ditë solli në fron një regjim që u mbështet mbi mashtrimin e dhunën e që, për fat të keq, në sajë të jetëgjatësisë, mundi të futë tentakulat e saj në indet e segmenteve të ndryshme të shoqërisë duke krijuar tabu të rreme në mendësitë e vetëdijen e një pjese të dy brezave shqiptarësh.

Ndërsa për At Zefin “ Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerzit e dijtun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerzit e paditun kishin në dorë gjithshka; ate që nuk dihej” Nëpërmjet episodeve të ndryshme përshkruhen bëmat e partizanëve, në të cilat ai merr pjesë në vetë të parë. Objektiviteti në vlerësimin dhe paraqitjen e personave dhe ngjarjeve është i dukshëm: për tregues mund të përmenden bisedat me Shefqet Peçin apo me Mehmet Shehun, episodi i rojeve të burgut Dhimitër e Tomorr, gjyqi kundër klerit katolik, bisedimet për Statutin e Kishës etj. Autori i ka vënë detyrë vetes të dëshmojë gjithë përvojën e tij. Ai mbetet në qendër e rreth tij vërtiten ngjarje e persona të cilët, për mirë apo për keq, lidhen me të. Vështrimi i shkrimtarit është shumë i gjërë, kap një kënd prej 360°, gjithshka që rrezaton jeta materiale, shpirtërore, intelektuale e mjedisit në të cilin ndodhet, doket, zakonet, filozofinë, historinë, politikën, kulturën e popullit të tij.


Kujtimet e autorit rrokin një shtrirje kohore të gjatë, i ngjajnë një Sage të gjithë periudhës së komunizmit, që nga lindja deri në shëmbjen e tij. Pjesa më e madhe e tyre i përket burgjeve e kampeve të punës. Kjo, jo vetëm për faktin se jeta e autorit, për forcë madhore, kaloi më shumë në to, por dhe për një farë nënteksti filozofik të një realiteti të zotëruar nga një diktaturë, që gjente shprehjen e saj ideale pikërisht në ata kampe e burgje. Nëpërmjet personazheve të vërteta, të hasur në këto mjedise, personazhe që drejt për së drejti apo tërthorazi kanë bërë historinë e kohës së tyre, nëpërmjet historive të jetëve të tyre ravijëzohet një vend i cili është shndrruar në një burg të madh. Në të secili e sheh me dyshim lindjen e ditës, mbasi nuk e di se ç’do të ndodhë me të deri në mbrëmje, kufiri mes “tanëve” e “armiqve” pothuajse është zhdukur mbasi, sa hap e mbyll sytë, ish luftëtarët, drejtuesit e Partisë, gjeneralët, shkrimtarët përfundojnë në qeli nga ku vazhdojnë t’i besojnë përrallës së komunizmit.

Përshkrimi i atyre burgjeve, në të gjithë vërtetësinë rrënqethëse të tyre, është ndihmesa më e madhe që autori i jep shqiptarëve e historisë së tyre. Ato copëza jete të mnerëshme të ngulura në vepër dëshmojnë se deri ku arriti krimi i organizuar në formën e Shtetit e do të vlejnë për të ardhmen, kur Shqipëria të jetë bërë një vend normal e kur Historia do të shkruhet në termat e saj të vërteta. Ato dëshmi do të hedhin dritë mbi një realitet për të cilin, fatkeqësisht, në Shqipëri e më shumë në Evropë, shfaqet prirja për t’a zvogëluar, për t’a harruar, për t’a fshirë nga kujtesa. Autori është i vetëdijshëm për këtë, duke patur parasysh se kjo mundësi bie ndesh me amanetin që ka marrë në të rit e vet: me tregue. Ai nuk ndalet, vazhdon të kujtojë e të tregojë, i bindur se jo gjithmonë tregimi i tij do të bjerë në vesh të shurdhër.

Por një qëllim ka për zemër autori e që lidhet me misjonin e tij si shërbyes i Krishtit. Ai don të paraqesë në dritën e së vërtetës Kishën e tij, këtë institucion që ishte nga më të luftuarit, mbi të cilin ranë “rrufetë e Zeusit” në mënyrë të posaçme, të pandara, me ashpërsinë më të madhe, deri në paradokse. Përse komunizmi shqiptar u tregua kaqë gjaksor me fenë në përgjithësi e me atë katoliken në veçanti? Sepse, siç e thashë më sipër, ishte një sistem që themelin e kishte mbi mashtrimin e dhunën, dukuri që çdo besim, në veçanti ai i krishteri, i quajnë të papranueshme e i luftojnë me të gjitha mjetet. Që të ngrihej godina duhej pastruar themeli nga morali, duhej vënë atje imoraliteti, duhej asgjësuar kushdo që i kundërvihej këtij të fundit. Kisha katolike shqiptare nuk pranoi të bëhej krah i regjimit, nuk pranoi të ligjëronte krimin, nuk pranoi të shkëpuste lidhjet e saj shekullore me Vatikanin. Ja pra arsyeja e barbarizmit të pashembullt që u martirizua më shumë se çdo simotër e saj, që u kërcënua me shuarjen e plotë si asnjë tjetër.

Ç’përfaqësonte Kisha katolike për Shqipërinë e popullin shqiptar? Pa dyshim ka qenë një nga pjesët më cilësore të superstrukturës së këtij Vendi. Tradicionalisht një nga tempujt më të fuqishëm të kulturës sonë, dha një ndihmesë themelore në formimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, pati merita të jashzakonshme në kultivimin në popull të dashurisë për Atdheun, gjuhën e historinë e tij, pati rol përcaktues gjatë pushtimit otoman në ruajtjen e identitetit kombëtar, i dha Shqipërisë një thesar të paçmuar në fushat e ndryshme të kulturës. Përfaqësuesit më në zë të saj, në qindvjetorin që lamë pas, si Dom Nikoll Kaçorri, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, At Anton Harapi etj. ishin korifej shqiptarizmi e Baballarë Kombi.

Këto të vërteta, të mohuara për një kohë të gjatë nga regjimi e veglat e tij në të gjitha nivelet, autori i shpalos me mjeshtëri nëpërmjet portretizimit të figurave, ndërhyrjeve filozofike, bisedave politike, kujtesës historike, episodeve që trajtojnë arkivin apo bibliotekën. Në sytë e lexuesit prakalojnë, në dritën e së vërtetës, eprorët apo kolegët, martirë të fesë e të kombit, secili me personalitetin e tij. Ato hyjnë lehtë në mëndjen e tij e mbeten gjatë. Aftësia e autorit në portretizimin e personazheve më duket se është me të vërtetë spikatëse. Më duket me vënd të sjell këtu një pjesëz nga gjyqi i madh në redaksinë e Hyllit të Dritës. Flet At Mati Prendushi që, në krahasim me gjykatësit e tij, më duket si Guliveri me Liliputët:

“ Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër huj e na kanë varë në konop ata që nuk deshtën as fenë, as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë katolikë shqiptarë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë e si në paqe: në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpi. Ndërsa na nuk jena da kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë ate kulturë që ka Evropa e mos me u dallue për keq prej të tjervet. Na kemi hapë shkolla shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli shqiptar të ecin në rrugën e Zotit...”

Fjalë lapidare, të gdhendura në mermerin e ndërgjegjes së kombit, që pohojnë një të vërtetë të mohuar, të njollosur, të kthyer përmbys nga një bandë kriminelësh të institucionalizuar në krye të Shtetit, për fatin e keq të Shqipërisë. Këtë të vërtetë rivendos në mendjet e lexuesve me mjeshtri At Zef Pllumbi, duke ja arritur plotësisht qëllimit të tij. Figurat e At Anton Harapit, At Gjon Shllakut, Dom Alfons Trackit, At Pal Dodajt, At Ciril Camit, At Mati Prendushit, At Donat Kurtit e sa e sa meshtarëve të tjerë mbeten në kujtesën e lexuesit, në thjeshtësinë e njëherësh në shkëlqimin e tyre si shërbyes të kishës së Krishtit, si njerëz, si shqiptarë.

Portretizimi është i efektshëm dhe në vizatimin e figurave të tjera, të atyre që në këtë sagë kujtimesh gjysëm shekullore, bëjnë pjesë në viktimat apo në fitimtarët. Éshtë mjaft goditës portretizimi i veglave të diktaturës, të atyre “heronjve të heshtur” ose jo, që penda të tjera të fuqishme të letrave shqipe, për dhjetëvjeçarë të tërë i hymnizuan, i veshën me lavdi edhe se përfaqësonin krimin, dhunën, imoralitetin.

“ Shikjo Dul, këta janë dokumenta tepër të randsishme për historinë e Shqipnisë, prandej tregoni kujdes të veçantë për ta!
-Mos u ban marak P. Marin, se këto paçavure ne nuk na vlejnë fare: historinë e shkruejmë neve!”

Thuhet se një përgjigje të përafërt dha dhe Hitleri kur dikush pati guximin t’i kujtojë krimet e ushtrive të tij dhe historinë. Dul Rrjolli ishte një partizan i thjeshtë i paditur, por mendësia që shprehin fjalët e tij është ajo e arrogancës së pjesës më ekstremiste të komunistëve shqiptarë që arritën të mbizotëronin e të merrnin pushtetin, me të gjitha pasojat që pësoi Shqipëria.

Ka një tjetër shtysë të fuqishme në misjonin e tij shkrimtari e kjo është dashuria për popullin e vet dhe vendin e të parëve. Éshtë një ndjenjë e fuqishme, e përzjerë me krenarinë e dhimbjen, por që në ndonjë rast shpërthen në një zemëratë që na kujton shprehjen e Çernishevskit për rusët: “Komb skllevërish, fund e majë të gjithë skllevër!”

“ Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?” shfryn ai në një çast dëshpërimi, kur sheh se objektet e kultit, vendet ku populli i tij ishte falë në qindvjetorë të gjatë, që i kishin qëndrue stuhinave të kohëve, tani shëmbeshin nga turma të pandërgjegjëshme, të infektuara nga frika e padija. E sheh këtë çast si humnerën më të thellë, në të cilën janë zhytur bashkatdhetarët e tij. E din mirë se ringjallja do të jetë tepër e vështirë e duhet të kalojë nëpërmjet një prove të madhe dashurije. Ai mundohet t’a kalojë këtë provë çdo ditë të ferrit të tij të dhimshëm, në marredhëniet me bashkëvuajtësit, sidomos me ata që, deri pak kohë më parë, bënin pjesë në turmën e xhelatëve të tij. Bën pjesë dhe kjo në misjonin e shkrimtarit, veç atij të famulltarit, sepse arti në genet e tij ka predikimin e dashurisë ndërmjet njerëzvet, brezave, popujve, dashurisë që ndërton familjen, shoqërinë, kombin. Sa larg misjonit të tyre ishin ata shkrimtarë që, në gjithë veprën e tyre, hymnizuan “luftën e klasave”, “ urrejtjen klasore” mes pjestarëve të një populli, të një kombi, mes folësve të një gjuhe, që evokuan “armët e zbrazura për t’uruarin komunizëm” e bëmat e tij “heroike”...

Nga lartësia e misjonit të tij, i vetëdijshëm për peshën e rëndë që ka marrë mbi supe, me modestinë e artistit e të fetarit, autori i drejtohet lexuesit bashkëkohës të tij, por dhe atij të kohëve të mëpastajme, me një kërkesë sa të thjeshtë aqë dhe të ndërlikuar:

“Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori u kërkon të falun mbasi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsi ju këshillon qi të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato...Pse?”

Pyetja e autorit del nga përmasat e veprës së tij e godet fort ndërgjegjen e një shoqërie që bart në vetvete krimin e pandëshkuar e që është shoqëria shqiptare. Por ajo shkon dhe më tej, i kalon kufijtë e brishtë të truallit të ngjarjeve e i drejtohet botës së madhe, ku një kulturë e tërë e ashtuquajtur “progresiste” mbetet indiferente kundrejt tyre, duke vënë theksin gjithmonë vetëm mbi një lloj tjetër krimi, atë nazifashist. Teoria e dy peshave e dy masave, që kushtëzoi për gati gjysëm shekulli çdo hap të jetës së shqiptarëve, në Evropën demokratike vazhdon të paragjykojë ndërpretimin dhe analizën e historisë së tyre. Nuk është e rastit dhe heshtja e kësaj të fundit në lidhje me kundërvënien ndërmjet Shtetit shqiptar dhe të përndjekurve politikë të komunizmit që kërkojnë dëmshpërblimin për vitet e punës së papaguar në kampet e punës së detyruar.

Misjoni i autorit është tepër fisnik e i lëvdueshëm. Do t’ishte në dobi jo vetëm të së vërtetës, por dhe të ripërtëritjes shpirtërore të shqiptarëve, të përqafohej nga një numur më i madh shërbyesish të artit. Këto lloj shkrimesh do të vlenin shumë, sidomos për të rinjtë, që të kenë mundësi të krijojnë përfytyrimin e saktë se në ç’absurditet të llahtarshëm jetuan prindët e gjyshët e tyre, cila qe përgjegjësia, ku u shfaq forca apo dobësia e tyre. Çuditërisht këto tema lëvrohen vetëm nga dëshmitarët e drejt për drejtë të ngjarjeve si At Zef Pllumbi apo pak të tjerë. Orteku i shkrimtarëve të regjimit që është konvertuar në demokraci nuk gjen në ato tragjedi asnjë motiv frymëzimi, edhe se dikur bënte thirrje që “në gjak të ngjyejnë penat”. Ja dhe një motiv më tepër për t’u thelluar në pyetjen e shkrimtarit...

Meritat letrare e artistike të veprës më duket se janë të bollshme, aftësia përgjithësuese e madhe, gjuha e stili të rrjedhshëm,galeria e personazheve dhe e mjediseve e larmishme, pasqyrimi i së vërtetës jetësore i saktë. U mundova të paraqes përshtypjet mbi vlerat kryesore të mesazhit që buron nga libri “Rrno vetëm për me tregue”. Aspekte të ndryshme mund të analizoheshin shumë më gjërë e besoj se do të jenë objekt i kritikës më cilësore.

Si lexues e quaj të udhës të shpreh vlerësimin, mirënjohjen dhe respektin e thellë për personalitetin e autorit që do t’a quaja pa mëdyshje një Sollzhenicin shqiptar.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...