2012-12-13

Shqipëria - Atdheu i Elefantëve


Mbi profanizmin shkencor dhe derdimenomaninë



Agron TUFA

S’besoj se ka gjë më të trishtueshme sesa atëherë kur në vend të ëndrrës realitet bëhet jermia. Dhe mësymja e shtjellave të saj ka si zanafillë dyndjen e asaj stihie të errët e të paarsye që çlirohet nga bodrumet e një vetëdijeje të gërbulur në injorancë, ego-fallo-centrizëm primitiv dhe marri molepsëse, së pari, duke pushtuar sferën e personales e mandej rrezatohet në marrëzinë kolektive të sociumit.

Jermia, duke mos pasur arsye është e kundërta diametrale e dijes. Ajo si të thuash, është vetë shkak, vetë pasojë, gjithnjë e vetëmjaftueshme për t’u ndjerë e sigurt në verbërinë e vet, - është sendi në vetvete, monadë e mbyllur hermetikisht, absurd ku thyen kokën çdo arsyetim i shëndoshë. E megjithatë, jermia është fakt dhe si e tillë - e pakapëcyeshme. Duke qenë se ndodhet, për vetë natyrën e saj, jashtë sferave të dijes dhe arsyes së shëndoshë, jermia shtrohet si çështje e madje, urgjente, si çështje që kërkon gjithsesi njëfarë zgjidhjeje, përderisa është pjesë e pandarë e përjetimit tonë të përditshëm.

Jermia nuk pranon kontenstim: ajo të imponohet ta pranosh si teoremë pa vërtetim, ose, sikundërse bëjnë shumica e njerëzve të esëllt, - ta injorosh, të tallesh me të.

Por përderisa thamë se jermia është molepsëse, domosdo do të pranojmë se njeriu normal nuk i shmanget përjetueshmërisë së saj, aq më tepër kur efekti i saj negativ bëhet kanosje serioze me pasoja shoqërore. Askush, besoj, nuk dëshiron t’i dalë vetja duarsh. Andaj, nisur nga shqetësimi i madh i jermisë gjithnjë në rritje, është mirë të flasim hapur për sindromën e saj shqiptare, gjithëpërfshirëse. Por sot propozoj të ndalemi e të meditojmë mbi njërën nga sindromat e shumta të jermisë sonë, - sindromën e jermisë që pretendon për status shkencor.

Rrënjët e këtij jermi janë të vjetra. Unë nuk do të merrem me katalogjizimin dhe klasifikimin tipologjik të tyre, pasi kërkohet punë e durimtari e rreptë, çka nuk bën pjesë në cilësitë me të cilat mund të krenohej autori i këtij shkrimi. Prandaj, më e mira është të flasim për raste të veçanta të bashkëkohësisë e të gjithë së bashku, të nënkuptojmë të tërën.

Ja për shembull, fjala vjen, një rast i freskët, si ai i gazetës “Shekulli” dt. 08.11.2002, në rubrikën “Posta”. Letërshkruesi nga Italia (!) jep sihariqin se gjoja në majë të malit Olymp është gjetur një mbishkrim në shkëmb, shprehja e transliteruar e të cilit nuk thoshte gjë në greqishten e vjetër dhe në asnjërën prej gjuhëve të vjetra, dhe se të vetmin kuptim kjo shprehje na e paskësh në shqip. Siç na e kumton letërdërguesi, gjithë dalldi e rravgime zemre për krenarinë e të parëve, kjo frazë u lexuakësh: “Ape derën!”. Mandej letërdërguesi vazhdon të mahnitet me fjalët shqipe që janë ngjitur gjer në fronin e zotave, Zeusit vetë (Zeusi fliste shqip!), e po kështu, jehona e mahnisë nuk po i lëshonte as disa poetë në moshë të thinjur, teksa diskutonin gjithë pathos patriotik, pas një aktiviteti në ambientet e “Shtëpisë së Librit dhe Komunikimit”.

Nuk desha t’ua prish harenë e asaj krenarie fiktive dhe dola, duke ndërmendur një bisedë të disa viteve më parë me etnografin dhe antropologun e ditur e urtak, Mark Tirtja. Asokohe kisha marrë një temë për mitologjinë shqiptare dhe m’u desh patjetër të kosultohesha me të. Kisha në dorë një libër mbi mitologjinë ilire shkruar nga një poet dhe po e pyesja se sa të besueshme ishin të dhënat. Buzëqeshi dhe, duke iu shmangur përgjigjes së drejtpërdrejtë, më tha: “Punë e çuditshmë me këta poetët... Ne kemi një jetë të tërë që rrekemi të vërtetojmë prejardhjen e shqiptarëve nga ilirët dhe nuk gjejmë dot prova bindëse, gjuhësore, për shembull, a ndonjë gjë të tillë... pra jemi ende në nivelin e hipotezave, e hipotezat janë për t’i bërë vetes qejfin, por gjithsesi, nuk përfillen për shkencë... Ndërsa poetët, atë që nuk vërtetojmë ne për dhjetëravjeçarë të tërë, ulen dhe e shkruajnë të mirëqenë brenda një dite”.

Unë do ta quaj cektësi mistrece e jo naive, atë gatishmëri grabitqare në zgrip, me të cilën e presin shqiptarët çdo pallavër, dhe mistrece e quaj se, përkundër ngrefosjes profane, jermi të çfarëdolloji gëlltiten dhe përcillen të mirëqena tejpërtej opinionit, pa vërtetim, pa dyshimin as më të vogël, duke përhapur gjithkund një ndjeshmëri derdimene. Në jo pak raste na ka bërë qesharakë, kur kjo krenari tyryfyle, ky fiktivitet dhe pathos marrëzie del në selamet jashtë kufijve amëtarë dhe del në selamet në botën shkencore europiane, procedurat e së cilës edhe vetë dyshimin dhe pandehmën e ndajnë në disa momente principiale nëndyshimesh dhe nënpandehmash. Nëse të tilla gjërave bëhet zakon t’u japim zgjidhje të tilla, atëherë do të vijë një ditë, kur kokëngjeshur e krenarë të dëshmojmë para gjithë botës se Shqipëria, është, sidomos Atdheu i Elefantëve.

Ka kaluar mëse një muaj nga dita kur fraza e Olympit e transliteruar në shqip “Ape derën” ka kryer itinerarin e gënjeshtarit proverbial të asaj anekdotës, kur njëri gënjeu në fillim të pazarit dhe kur e dëgjoi gënjeshtrën e vet në të dalë - e besoi. Nuk e dija që fraza e gjetur “në fronin e perëndive” do të shumohej kaq shpejt dhe do të “apte” dyert e budallallëkut shqiptar. Dam, thashë me vete, se sikur t’u kisha thënë atë mbrëmje dy poetëve të moshuar që antikiteti i fjalës “derë” nuk është dhe aq antik, e sidomos, nuk është shqiptar, se këtë fjalë e kemi peshqesh nga sllavishtja dver (rusisht: dvjer), atëherë mbase dyert e marrëzisë nuk do të ishin çapëlyer kanatësh dhe se Zeusi në këtë rast, së paku, nuk ka folur shqip, sikundërse nuk ka folur as sllavisht.

Në mos vetvetiu, po e shtroj thjesht e naivisht pyetjen: pse kjo dyndje e madhe librash që kërkojnë në mënyrë aq profane të vërtetojnë tabanin dhe themelet e botës medoemos përmjet shqipes? Dhe akoma më keq, pse merren me këtë punë idiotët shqeto dhe pse ngjit me kaq saktësi idiotizmi i tyre? Rëndom autorët që marrin përsipër misione të tilla, vijnë nga fusha komplet incognito, veterinerë a mjekë, njerëz që nuk kanë kaluar të paktën fakultet a institut gjuhësie. Efekti që japin këto libra (gjithkush besoj i ka parë), është më shumë se negativ, diskreditues, sikundërse po kaq të pagëlltitshme vijnë përpjekjet e autorëve që nënshkruajnë me tituj të lartë shkencorë monologjet e tyre në jermi. Në rastin e fundit, profanizmi akademik bëhet edhe më i neveritshëm, edhe më beterr, pasi monologjet e tyre në gjendje kome janë të pajisur mirë edhe me shenja diakritike. Atëherë, një Zot e di se në ç’asosacione bredh mendja e parehatshme e kakademikut: përroska e ligjërimit të pavetëdijshëm nxjerr xhevahire që të shkulesh gazit apo të tilla turpëri sa të vjen ta strukësh kokën ngutazi diku, me keq se struci. Marrim, për shembull, artikullin e gjatë të studiuesit Dr. Nezir Myrta me titull “Etimologjia e emrit - Makedonia”, revista “Vlera”, nr. 66-67, 2002, Tetovë.

Autori, pasi bën një sërë zbulimesh “etimologjike” me anë përsiatjesh të tipit Kirill & Medod (shpikësit e alfabetit cirilik), del në përfundimin se gjoja emrat e dy vëllezërve janë shqip. Dhe ja se si e shpjegon shkencëtari ynë: emri i parë, Kirill-i, është dypjesësh, ku pjesa e parë do të thotë Kir-i (cir-i, çir-i, qiri), pra qiri - dhe pjesa e dytë - ill-i (ylli); demek kemi të bëjmë me qiri-yllin, qiririn që lëshon dritën si yll: Kirill! Po me këtë procedurë shkencëtari shpjegon emrin tjetër dypjesësh, Metod-it, ku pjesa e parë është përemri pavetor më (mua më), ndërsa pjesa e dytë - Thot, çka do të thotë: Mua më thot, ngase, siç na siguron shkencëtari, sllavishtja nuk e shqipton dot bashkëtingëlloren dh, andaj ka mbetur trajta Metod. Mandej shkencëtari lëshohet në origjinën historiko-mitologjike (përanash filozofisë së emrit) dhe e lidh atë me emrin e perëndisë egjiptiane Toti/Thoti (ama nuk na e thotë në e përdornin egjiptianët e vjetër fonemën dh), që gjithashtu ka qenë shqiptaro-iliro-pellazg (Thoti).

Inkursionin më të rëndësishëm autori e ndërmerr me shpjegimin etimologjik të toponimit Makedonia. Pasi na ka sqaruar më parë për pamundësinë e sllavëve në artikulimin e fonemës dh, shkencëtari i turret fjalës me hanxharë për ta prerë në copa e për ta ngjitur siç di vetë, se nuk i thonë kot demonstrim metode (metode: - më thotë de!?). Dhe punët (ptu-ptu-ptu!) i shkojnë mbroth. E kështu, pjesa e parë - MA (mua më = ma), pjesa e dytë - KE (mua ma ke), pjesa e tretë - DO/DHO (mua ma ke, dho) ndërsa mbaresa i - është trajtë e shquar, ose mbaresë substancivi. Pra, MAKEDONIA do të thotë: mua ma ke dhonë ti. Shih ku i ka shkue mendja burrit të botës! Aferim bre Dr!

Dhe i vë kapak floriri shkencëtari ynë me shpjegimin e emrit të filozofit të lashtë grek, Aristoteli. Ai shkruan se Aleksandrin e Madh e çuan të mësojë tek AristoTeli. Dhe shkencëtari i jep goditje asgjësuese edhe këtij misteri të fundit kur shpjegon, duke e copëtuar fjalën me hanxhar, si të ishte ndonjë copë mishi në kasphanë. Aristo - thotë shkencëtari - do të thotë zotëri (veçse heziton të na thotë ase të na shpjegojë nëse kjo fjalë vjen nga shqipja: këtu shkencëtari është fjalëkursyer). Dhe meqenëse Aristo do të thotë zotëri, gjysma e dytë e fjalës, do të thotë Tel, që në të folurën shqiptare është idiomë e njeriut të mençur, pra: i mençur - tel; ZotëriTeli/ zotëria mendjetel.

Pas zbavitjes nga kjo piramidë mendjeleshtësie, të pushton trishtimi kur mendon se këto dokrra merren seriozisht dhe i serviren si argumente palës nacionale maqedonase. Një perceptim të tillë metafiziko-infantil e kam ndeshur më parë kur im nip tetëvjeçar këmbëngulte në mendimin e tij se marka e makinës “Opel”, do të thoshtë “Osht pelë (në vend të pelës) dhe se susta e magnetofoni ku shkruhet eighet, në fakt do të thotë “e çet/ e qet, e nxjerr”. Veçse në rastin e shkencëtarit-etimolog, fëmija ishte tetëdhjetëvjeçar.

Rasti më i sprasëm ndodhi me përgjigjen çapraze që një tjetër fëmijë tetëdhjetëvjeçar i dërgoi shtojcës sonë “FjalA”, si reagim ndaj një shkrimi të A. Qazimit, për simbolet e flamurit të Rugovës. Shkrimi i tij i gjatë, përpos replikës, përmbante hulumtime të hollësishmë heraldike me rrënjë në hava, mbi yllin e Davidit. Autori shtron me imtësi (pa asnjë referim) se si njëri nga djemtë e Davidit paskej migruar në Kosovë dhe ka themeluar Dardhaninë, vendin e dardhave, e se si mandej gjithë popullsia e këtij Davidi që thirrej Davut ose Daut, paska përcjellë ç’prej moti simbolin hebre. Për vërtetim, autori rrëfen për strehimin që iu bënë shqiptarët hebrejve në kohën e përndjekjes naziste (anipse jo në Kosovën e Davit-Davut-Dautit), gjë që qeveria izraelite nuk e harroi dhe i strehoi kosovarët në kohën e luftës së Kosovës 1999. Por gjithçka, këmbëngul ky autor, fillon me bijtë e Davidit, Davutit ose Dautit. Zaten, dihet, ka dhe asi njerëzish që e nisin dhe e sosin jetën pa ardhur njëherë në vete.

E po ecëm, them, me logjikën shkencore të Davidit, Davutit ase Dautit, - kjo është mënyra më e sigurt me ia hy rrugës së m...t!


Agron Tufa u lind në Dibrër në vitin 1967. Ai ka studiuar për letërsi në Universitetin e Tiranës. Më vonë vazhdoi studimet në Moskë, ku u diplomua në teorinë e përkthimit, me përqendrim të veçantë në krijimtarinë e poetit Joseph Brodsky.

Veprat Letrare

"Aty te portat Skee" (Elbasan, 1996)
"Rrethinat e Atlantidës" (Tirana, 2002)
"Dueli (Tiranë 2002)
"Fabula Rosa" (Tiranë 2004).

ETJ.

Përkthimet

Tufa ka përkthyer disa autorë rusë, mes të cilëve Joseph Brodsky, Anna Akhmatova, Osip Mandelshtam, Boris Pasternak, Andrei Platonov, Mikhail Bulgakov, Vladimir Nabokov, dhe Vladimir Sorokin.

ETJ.



Agron Tufa, shkrimtari qe vjen nga poezia


Agron Tufa eshte nga ata njerez qe e ndan diten e tij mes mesimdhenies ne Fakultetin e Gjuhe-Letersise ne Tirane dhe familjes, pa lene pas dore publicistiken dhe krijimtarine.

Me pasionin per te percjell tek brezi i ri erudicionin qe e karakterizon, here pas here lexuesi ka privilegjin te shfletoje edhe librat e tij, te cilesuar prej kritikes nga me te miret e kohes.

I lindur ne Diber, duket sikur ajo pjese e verilindjes se Shqiperise ka lene gjurme ne vizionet e tij artistike dhe formimin si njeri.

Tufa ka zgjedhur si stil jetese “ritualin e njeriut te heshtur”, por qe zhgenjehesh sa here diskuton me te ceshtje sociale apo ato qe kane te bejne me letersine.

Nje prej njerezve qe e verteton kete pershtypje eshte Persida Asllani qe e njeh Tufen qe ne vitet studentore.

“Nje njeri shume inteligjent shume i sjellshem e shoqeruar kjo me nje droje. Nuk e ndaj dot Agronin si njeri dhe Agronin si poet”, thote Persida.

Vitin qe kaloi Agron Tufa erdhi me dy romane per lexuesin e tij te rregullt, “Merkuna e zeze” dhe “Tenxherja”, i pari nje trill fantazor, ndersa i dyti nje gershetim mes kujtimeve te se shkuares dhe krijimit.

Zija Cela per te vleresuar stilin e Tufes zgjedh nje tjeter veper, ate me titull “Dueli”.

“Agroni ka nje profil te poetit-filozof. Poezia e tij eshte ndritshme. ‘Dueli’ eshte nje roman i shkruar ne lindje dhe flet per lindjen. Megjithate eshte nje nga romanet me perendimore qe Agroni ka shkruar”, shprehet Zijai.

Edhe pse ne krijimtarine e tij perfshihen shume poezi, Tufa eshte cilesuar si “stacion i ri i prozes shqiptare”.

Ne kete kontekst koleget e tij thone se “ai eksperimenton guximshem, duke krijuar ne kete menyre nje letersi te re, ne te cilen gjenden tendenca te letersise bashkekohore.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...