“Nënshtetësia për të gjithë shqiptarët, nxit spastrimin etnik”. Kështu ka deklaruar në një intervistë për GSH-në akademiku Rexhep Qosja.
Sipas tij, retorika patriotike e Sali Berishës do të vazhdojë deri sa: “Në çastin kur ndonjëri nga përfaqësuesit politikë e diplomatikë evropianë e amerikanë ta kapë për veshi dhe t’i thotë ule pak atë ulërimë “patriotike”! Pasi të kapet për veshi a për hunde do ta kyçë gojën e tij patriotike për kohë më të gjatë. Mësimet që i vijnë prej sovranëve të jashtëm të Shqipërisë, Sali Berisha i dëgjon kujdesshëm dhe i mëson shumë mirë sado që kohë pas kohe i harron shumë pendueshëm!”.
Sipas Qoses, në retorikën nacionaliste të Berishës nuk ka asgjë për tu çuditur pasi jetëshkrimi politik i Sali Berishës karakterizohet nga akrobacitë theqafëse patriotike e kundërpatriotike, demokratike e staliniste, zogiste e anti-zogiste.
Ai shpjegon se pse e mbron figurën e diktatorit Hoxha.
“Nuk e thotë pa shumë arsye filozofi i njohur spanjoll, Ortega Y Gaset: ‘Nuk qëndron problemi te Çezari që sundon, po te të tjerët që sundojnë me emrin e Çezarit në gojë’. Shumë çka po hidhet sot në shpinën e Enver Hoxhës, që është një prej figurave me përkushtimin më të madh atdhetar në historinë shqiptare, në të vërtetë është bërë prej atyre diktatorëve të mesëm e të vegjël rreth e qark tij. Këta ish- diktatorë të vegjël që po na terrorizojnë me shpifjet e tyre edhe sot, tani po hedhin gurë e drunj mbi Enver Hoxhën për të shfajësuar veten”, thekson Qosja.
Përsa i përket FRD-së dhe AK-së, Qose mendon se ata do të marrin elektorat demokrat dhe për AK-në do të votojnë të rinjtë me veprimtari të ndryshme të lira, të papunësuar, ndërsa për FRD-në më së shumti do të votojnë pjesëtarët e shtresës qytetare.