eshjet e borës, që me intensitet të shtuar kanë filluar të bien pasditen e së hënës dhe kanë vazhduar pa ndërprerje gjatë tërë ditës së martë, e kanë rënduar tej mase gjendjen në komunën e Gjakovës.
Trashësia e borës pasditen e së martës ka arritur në 80 cm, ndërsa në zonat e thella ajo e ka kaluar 1 metër.
Intensiteti i borës gjatë së martës, praktikisht e ka hedhur poshtë tërë angazhimin e mëhershëm të kompanive të kontaktuara, të cilat paraprakisht i kishin hapur të gjitha rrugët e qytetit dhe ato të zonave rurale.
Të njëjtat janë detyruar që gjatë ditës të shtojnë angazhimin e tyre, me qëllim që gjendja të mbahet nën kontroll.
E përderisa zyrtarët komunalë, garantojnë se kompanitë janë duke e bërë të pamundurën për pastrimin e borës, banorë të fshatrave të ndryshëm të Gjakovës kanë bërë të ditur për gazetën se qarkullimi nëpër këto fshatra është tejet i vështirësuar, për të mos thënë në raste të caktuara edhe i pamundur.
Nga ana tjetër, reshjet e borës tash e tre ditë me radhë e kanë përkeqësuar shumë edhe furnizimin e banorëve me energji elektrike sidomos nëpër fshatrat e Rekës së Keqe, Dushkajës dhe Hasit.
Pas reshjeve të pandërprera të borës gjendje edhe më e rëndë paraqitet në komunat e Deçanit dhe Junikut ku trashësia e borës ka arritur mbi 1 metër.
Sipas zyrtarëve komunalë qarkullimi në rrugët kryesore është dukshëm i vështirësuar ndërkaq, gjendjen edhe më alarmante në këto dy komuna, po e bën mungesa e energjisë elektrike, e cila po mungon që nga e shtuna.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, ka bërë të ditur se ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor dhe njësiteve tjera policore në të gjitha akset rrugore duke përfshirë edhe aksin rrugor Pejë-Rugovë dhe Pejë – Kullë.
Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme.