Komesari evropian për Zgjerimin, Stefan Fule ka deklaruar se nuk kërkohet nga Serbia që ta njohë Kosovën, por kërkohet “arritje graduale e shkallës së mjaftueshme të normalizimit të raporteve të saj me Kosovën, në mënyrë që secila palë të vazhdojë rrugës së vet drejt BE-së, pa bllokadë të ndërsjellë”.
Këto komente Fule i bëri duke folur për gazetën “Veçernje novosti”, i cili në raportin e progresit kishte kërkuar nga autoritetet serbe të respektojnë integritetin territorial të Kosovës.
I pyetur nëse në një fazë tjetër do të hapet edhe dialogu politik, Fule tha se fjala është për perspektivën afatgjate që të dyja palët të realizojnë detyrimet dhe të drejtat në kuadër të BE-së. Bëhet fjalë për përmirësimin e situatës në terren për komunitetin serb i cili duhet të gëzojë standard më të lartë në siguri dhe të vazhdojë të marrë në mënyrë trasparente mbështetjen e Beogradit.
“Për këtë arsye kam propozuar që kjo të jetë kornizë negociuese për Serbinë”, tha Fule.
Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë për të qenë shumë të qartë për opsionet të cilat janë mbi tryezë. “Ndarja qartë duhet të përjashtohet. Dialogu ka për qëllim të ndihmojë të dyja palët që të zgjidhin problemet praktike dhe t’i përafrohen BE-së.
Se çfarë duhet të bëjë Serbia deri në mars për të marrë udhëzimin zyrtar për hapjen e negociatave, Fule tha se konkluzionet e Këshillit Evropian nga dhjetori i vitit të kaluar kanë të bëjnë me përmirësimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të raporteve me Kosovën, bashkëpunimin inkluziv dhe zbatimin me vullnetin e mirë të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash – për mexhanimin e integruar të kufirit, lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave, librat amëz dhe bashkëpunimin aktiv me EULEX-in për të ushtruar funksionin e vet në të gjitha trevat e Kosovës.