Orges Zoto
Mbas shumë lajthitjeve të mëparshme si psh, “Shqipëria është e dyta në Evropë mbas Gjermanisë për nivel ekonomik, apo “ gjuha e dytë e shqiptarëve duhet të jetë kinezçja, tani kemi një krahasim akoma edhe më të lajthitur. Kësaj qeverie, vetëm që transparente nuk mund ti thuash. Po si mund ti thuash transparente një qeverie që nuk jep numrin e saktë të papunësuarve, që nuk jep numrin e saktë të krimeve të ndodhura në Shqipëri, e si mund ti thuash transparente një qeverie që fshin filmimet nga serveri i odës së liderit tonë (tani ajo nuk është më kryeministria e shqiptareve). Si mund ti thuash transparente, një qeverie që merr borxhe me kredi të larta në emër të shqiptarëve, ne emër të fëmijëve tanë. Si mund të jetë transparente një qeveri që nuk merr dot as një informacion të saktë nga efektivat e ministrisë së mbrojtjes për gjendjen e ushtarakëve të vet në Afganistan, dhe pa pikën e seriozitetit i “vdes” një familje birin e saj dhe pastaj ja “ngjall” brenda dy orëve? Të gjitha këto e shumë të tjera jo vetëm që nuk i afrohen qeverisë Amerikane por as që nuk mund të futen në të njëjtën kategori të të quajturit shtet. Nuk mund të quhet shtet një qeveri që tallet me popullin e saj duke ju dërguar atyre disa kutiçka të
shqyera me oriz, një qeveri që ka më shumë preokupim makinën e Zhosefinës se sa borë pastrueset e rrugës së kombit. Nuk mund të quhet shtet ku qeveria e shikon shtetin si një mjet për tu pasuruar, për të rregulluar fëmijët e tyre, dhëndrin, kunatin, dajën, tezen, hallën, nipin, mbesën, e gjithë sorollopin
e tyre duke e kthyer shtetin e tre milion e gjysmë shqiptarëve në një biznes familjeje. Nuk mund të quhet shtet ku administrata e saj është atje për tu pasuruar dhe jo për të qenë shërbëtore e popullit. Nuk mund të jetë shtet ku nëpunësit civil nuk janë të punësuar në bazë të meritokracisë, por në bazë të ngjyrës së teserës që ata mbajnë, dhe sa më i ashpër e i motivuar ky militantizëm aq më i lartë posti. Mjafton të thuash çfarë do lloj ndyrësire kundrejt opozitës dhe e ke të garantuar vendin në administratë. Mjafton të vjellësh vrer ndaj liderit të opozitës dhe patjetër do të bëhesh ministër a zëvendësministër. Shembulli më i pastër është Ylli Manjani, që pasi shau opozitën (edhe pse një vit më parë ishte në atë opozitë) pasi quajti Edi Ramën kriminel e terrorist në një debat me Skënder Gjinushin në Klan, një javë më vonë u emërua zëvendësministër i punëve publike. Këto janë shumë larg asaj që Kryeministri e quan qeveri
transparente. E kuptoj që Kryeministri e kishte fjalën për dixhitalizim e qeverisë dhe mënyrën se si qytetarët do të informoheshin për arritjet e korrupsionit. Që të luftosh korrupsionin duhet të kuptosh së çfarë është korrupsioni. Korrupsioni nuk mund të luftohet nga një parti e vetme apo qeveri e vetme. Korrupsioni luftohet me një vullnet të përbashkët politik, ku të gjitha palët janë të vendosura për ta luftuar edhe për ta ekspozuar atë në çdo aspekt të jetës të përditshme. Korrupsionit si faktor do një vëmendje të
caktuar te qytetarët, populli duhet të informohet që të gjithë të solidarizohen kundër këtij kanceri. Duhet të kemi një transparencë të plotë të financave të shtetit qoftë lokal qoftë qendror. Duhet të kemi një
definicion më të madh të “Check and Balance” çdo vendim që qeveria merr për koncesione të mëdha duhet të jetë një institucion monitorues me ekspertë dhe jo kunati apo djali ndonjë ministri. Duhet ti japim Korrupsionit një “human face” një fytyrë njerëzore, pra të heqim atë vellon sekrete që ka korrupsioni, ta ekzopozjmë atë dhe të nxjerrim përpara drejtësisë njerëzit përgjegjës. Unë mendoj se Zoti Berisha e ka një të drejtë për sa i përket transparencës që ai përmend. Po ne kemi një transparencë madje edhe shumë më të madhe se qeveria e Obamës, po sepse ne edhe kur vjedhim e bëjmë në zyrën e ministrit me mikrofon dhe me figurë, por gjithashtu edhe kur të vrasim të vrasim live ditën me diell në televizion. Kjo është transparenca e vërtetë qeverisë tonë, për këtë vetëm Berisha mund të jetë krenar.