Sipas librit të Prof.Dr. Proletar Hasanit, mbështetur ky në arkivin qendror të shtetit dhe të ushtrisë, Aranitasi ka lindur në fund të viteve 1800. Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme ai ndoqi studimet në Akademinë Ushtarake të Stambollit.
Jeta dhe karriera e trazuar e Mustafa Aranitasit
Bujar Muçaj
Televizioni shqiptar këtu e dhjetë vite më parë kur po fliste për fillimet e policisë shqiptare e xhandarmërisë, midis të tjerave përmëndi se një nga drejtuesit kryesorë të caktuar nga qeveria e Vlorës ka qënë dhe Mustafa Aranitasi*, për të cilin atëhere s’dija shumë të dhëna, për të mos thënë fare, se pluhuri i shumtë që kishte hedhur diktatura mbi të kishte qënë tepër i trashë. U interesova duke kërkuar nëpër biblioteka e librari për figurën e tij dhe diç mësova, duke thënë se jeta e tij mund të ketë shumë mistere të tjera krejt të panjohura nga ne.
Sipas librit të Prof.Dr. Proletar Hasanit, mbështetur ky në arkivin qendror të shtetit dhe të ushtrisë, Aranitasi ka lindur në fund të viteve 1800. Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme ai ndoqi studimet në Akademinë Ushtarake të Stambollit. Në vigjilje të pamvarësisë ai do të drejtonte disa çeta të krahinës, të cilat me mësymjet e tyre të njëpasnjëshme pasi kishin kohë që mbanin të lirë krahinën e tyre çliruan Beratin, Fierin. Pregatitën sulmin mbi Vlorë, por nuk e bënë realisht pasi forcat turke që mbronin qytetin ju bindën ultimatiumit të tyre, ngjarje këto të lëna qëllimisht në heshtje nga ata që shkruan historinë. Me shpalljen e pavarsisë siç thamë më lartë ai mori përsipër detyra tepër të rëndsishme në drejtimin e strukturave të ndryshme në ushtri, dhe në xhandarmërinë shqiptare e cilat u bënë sipas idesë së organizatorëve hollandezë të misionit të kryesuar nga koloneli De Veer dhe majori Tomson. Ai u caktua në detashmentin e parë, nga katër që ishin gjithsej. Në këtë kohë mbante gradën major thuhet midis te tjerave në librin “Historia e Ushtrisë Shqiptare”, vëllimi i dytë, Tiranë 2000.
Në kohë të rebelimit të Haxhi Qamilit, në Mallakastër u krijua Komiteti i Mbrojtjes së Krahinës me kryetar Bektash Cakranin dhe zëvëndës Ismail Klosin i quajtur nga rebelët me emrin “Principata e Mallakastrës”. Mustafa Aranitasi do të zgjidhej komandant i forcave të armatosura të krijuara me këtë rast që ishin xhandarmëria lokale dhe forcat vullnetare për mbrojtjen e krahinës. Më vonë do të ishte në listën e bashibozukëve, të cilët do ta arrestonin së bashku me qindra mallakastriotë të tjerë që u ndeshën me hordhitë dhe midis tyre dhe Idris Isufi nga Aranitasi. Është për tu theksuar se rrebelët kryen tre sulme kundër krahinës duke filluar nga 25 korriku 1914, vazhduar në 20 janarin e 1915, deri në gushtin e 1915. Ja se ç’shkruhet në listë-dokumentat e rebelëve të ruajtura nga arkivi i shtetit dhe të nxjera në dritë nga Hajredin Elmazi, për M.Aranitasin e I.Isufin e shumë të tjerë:
“... 5- Mustafa Aranitasi - asht nga partizanët dhe majorët e ish qeverisë. Në qeverinë e formue nga Bektash Cakrani ka qënë antar i komitetit dhe komandat i shtabit ushtarak. Arrestue më 30 kallnuer 1330.(janar 1915)
6- Idriz Isufi – nga Aranitasi. Asht nga togerët e qeverisë së Vidit dhe kapitenët e vullnetarëve të rregjistrue nga qeveria e Bektash Cakranit... Arrestue më 3 fruer 1330. (shkurt 1915)”.
Enver Hoxha në një nga fjalimet e tij në lidhje me rebelimin e Haxhi Qamilit, injoron jo pa një qëllim gjakun e derdhur të krahinave martire të Beratit, Mallakastrës, Tepelenës... që u bënë preh e egërsisë, por pa u nënshtruar: “Ajo ishte një luftë klase e fshatarsisë së varfër e të mesme kundër klasës së feudalëve, pashallarëve e bejlerëve dhe agallarëve, pronarë të tokave e privilegjesh në përgjithësi ...ishte një luftë klase, lufta e fshatarëve kundër feudalëve dhe bejlerëve, natyrisht për tokën...”
Pas shkatërrimit të rebelëve nga ai që i nxiti fillimisht, Esat Pasha, në ato vite që ziente dhe lufta e parë botërore, kur s‘bëhej fjalë më për ushtri shqiptare Mustafa Aranitasi mori pjesë dhe shërbeu si ushtarak i mirfilltë në forcat e ushtrisë austro-hungareze në zonat veriore të vendit, ku ndoshta qysh atëhere u lidh më së miri me Ahmet Zogun udhëheqësin, apo mbretin e mëpasëm të shqiptarëve. Qënia e tij ushtarak i prerë, kryerja e detyrave të ngarkuara me përpikmëri e rregull bëri që Perandoria sipas dokumentit Nr.2544, viti 1917 ta dekoronte me kurorën e artë të meritave. Nuk ishte një rastësi përfshirja e tij me ushtrinë austro-hungareze dhe refuzimi në atë italianen sido që e para ishte një nga shtetet shkatare të luftës së parë botërore që sëfundi rezultoi e mundur. Italia fshihte e pregatiste për shqiptarët shumë prapaskena, të cilat do t’i vertetonte koha një nga një, si traktati Titoni-Venizello i firmosur më 26 qershor 1919, i cili shihte dhe lëshime të reja tokash në dëm të Shqipërisë e në dobi ë fqinjëve apo pushtimi i mëpasëm i Shqipërisë më 1939.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore Mustafai shihet në krye të 8500 mallakastriotëve ku dhe ka firmosur i pari më 22 mars 1919 në mitingun e Ballshit kundër pazareve të dyshimta e matrapazllëqeve të Esat Pashës, ku kërkohet me këmbëngulje mosnjohja e këtij renegati si përfaqësonjës i Shqipërisë. Menjëhere mbas Kongresit të Lushnjës, kongres i cili denoncoi traktatin Titoni-Venizello dhe largimin e trupave italiane nga Vlora, i jepet detyra e Komandantit të Përgjithshëm. Më pas merr për pak kohë dhe drejtimin e xhandarmërisë dhe në qershor 1921 shihet të komandoj një nga njësitë e ushtrisë shqiptare, regjimentin e dytë në Tiranë, nderkohë që mbante gradën ë nënkolonelit. Mustafa Aranitasi, kulmin e karrierës së tij në ushtri e arriti në përbërjen e qeverisë së Ahmet Zogut, në të cilën më 30 mars 1923 u caktua në drejtimin e Ministrisë së Luftës. Këtë detyrë e kreu edhe në qeverinë e përkohëshme të Shefqet Vërlacit dhe në atë të Iliaz Vrionit në prag të triumfit të ashtuquajturit Revolucion Demokratik i Qershorit. Në këtë kohë ndaj tij u muar masa e internimit në Bari të Italisë më korrik 1924, e pasqyruar edhe në “Soggiorno degli stranieri in Italia”, Nr.732, Bari më 11korrik 1924. Internimi i tij në Itali na tregon se ai duhet të ketë qënë i kërkuar apo dhe i dënuar edhe nga autoritet italiane për pjesëmarrje në radhët e ushtrisë austro-hungareze, kur zona jonë herë kalonte në ndikim të njërës e herë të tjetrës palë, dhe si kufi ndarës fillimisht ishte lumi Vjosë. Në këtë kohë u thirrën për rekrutim shumë mallakastriotë si në të gjitha zonat e tjera të vendit nga të dyja palët ndërluftuese dhe ushtarakët ishin të parët që thirreshin nën armë. Kthyerja e armës ndaj italianëve detyrimisht skish si tu pëqente ndaj dhe mundësuan dhe internimin e tij, ndryshe ska si shpjegohet lidhjet e qeverisë jetëshkurtër të Nolit me Italinë e atyre viteve ku po triumfonte përditë fashizmi (kishte ndodhur marshimi i këmishëzinjëve mbi Romë). Një dënim të tillë po në Bari të Italisë, por vite më parë 1916-1918 kishte pësuar edhe bashkëpatrioti tjetër i quajturi “luani gjysëm i zbutur” i Mallakastrës, Hysni Toska, si pro austro-hungarez. Rasti i internimit të Aranitasit tregon o guximin e tepruar të fqinjëve për të futur turinjtë ku deshën ata, o servilizmin e pazotësinë tejskajshme të nolistëve kundrejt tyre ose siç thamë më lart, thjesht pazar.
Eqerem bej Vlora në librin “Kujtime 1885-1925” ndërmjet të tjerave në faqen 511 shkruan për zgjedhjen e Mustafa Aranitasit në detyrën e lart të Ministrit të Mbrojtjes:
“Ministri i mbrojtjes në qeverinë paraardhëse të Ahmet Zogut pati qënë Kolonel Ismail Tatzati. Meqënëse ai nuk u zgjodh më në zonën e tij elektorale, Delvinë, u lut Shefqet Vërlaci që të jepte dorheqjen nga posti; në vend të tij u emërua togeri Mustafa Aranitasi, një ushtarak i ndershëm dhe i zoti, me aftësi të mira teknike, por të dobëta politike.”
Këtu kemi një lajthitje të vogël të beut të Vlorës përsa i përket gradës së M.Aranitasit, pasi nuk mund të bëhej një kapter ministër. Mustafa Aranitasi në atë kohë ishte me gradën nënkolonel dhe drejtonte një nga foramcionet më të mëdha të ushtrisë shqiptare, siç ishte regjimenti i dytë i Tiranës. Megjithatë na intereson më tepër ajo që Aranitasi gëzonte respekt në gjirin e elitës së ushtarakëve e të inteligjencës së asaj kohe.
Edhe në kujtimet e Sejfi Vllamasit, Mustafa Aranitasi del si një njeri që rri larg intrigave e lojrave të dyshimta politike të kohës, duke i mëshuar ashtu siç duhej vetëm detyrës së ngarkuar të ministrit.
“Një natë ora 22 më vjen në shtëpi Avni Rustemi i shoqëruar nga ministri i luftës Mustafa Aranitasi... Ishim vetëm të tre. Avniu ia filloi një bisedimi me një parathënie të gjatë rreth personit të Zogut dhe rrezikshmërisë së tij dhe pas shumë fjalëve përfundoi duke thënë se: eleminimi i tij ishte një detyrë patriotike dhe nëse do të pëlqehej nga ana ime vënia e tij në zbatim do të ishte një punë e thjeshtë. Mustafa Aranitasi nuk foli asnjë fjalë dhe unë nuk e pyeta për mendimin e tij.”
Dhe më poshtë Vllamasi citon:
“Avniu nuk mbeti i kënaqur nga përgjigja ime... Mustafa Aranitasi nuk foli sërish asnjë fjalë...”.
Fakti është se Vllamasi ishte i përfshirë në një nga atentatet e shumta të kurdisura kundër Zogut, në atë të Vjenës, ku kurban i Zogut do të bëhej roja besnike e tij, Llesh Topallaj.
Rikthimi i zhurmshëm triumfal i Ahmet Zogollit në Shqipëri do të bënte dhe rikthimin e tij në jetën politike e shtetërore të kohës, duke e emëruar si Kryetar i Gjyqit të Përkohshëm Ushtarak me një dekret të Kryetarit të Republikës më 22 prill 1925. Prej kësaj detyrë largohet me kërkesën e tij dhe nxirret në lirim përsëri me urdhër të Kryetarit të Republikës më 31 mars 1927, kur ishte vetëm 45 vjeç. Këtë dorëheqje Mustafa Aranitasi e bëri sepse nuk ishte dakort për shumë dënime të padrejta në kurris të kundërshtarëve. Mustafa Aranitasi njihet edhe si një nga vendosësit e qetësisë në zonën kryengritëse të Mirditës e nxitur kjo nga qarqet shoviniste serbe. Në kohën që u largua nga detyra ishte me gradën kolonel. Vdiq i harruar më 26 prill 1966 në moshën tetëdhjetë e ca vjeçare në Çermë të Lushnjës, ku e kishin internuar që nga fillimi i vitit 1945, e thënë më saktë që nga çlirimi i vendit. Kishte qënë dënuar e burgosur nga Haxhiqamilistët, nga italianët e fanolistët, por dënimi nga klika e Enver Hoxhës do qëllonte më i egri e më fatali. Kalvarin e vuajtjeve të tij do tua linte “stafetë” krejt familjes dhe në veçanti djemëve të tij, Mit’hatit, publicistit dhe satiristit të njohur të viteve tridhjetë dhe Qemalit, të cilët slanë pa provuar të gjitha burgjet politike deri në agim të demokracisë. M.Aranitasi do të ngryste jetën “vilave” kasolle së bashku me gruan e tij turken nga Izmiri Naxhie Gjevgjeli, me të cilën kishin lindur e rritur katër fëmijë. Ndoshta, ndoshta i vetmi mëkat i rëndë që bëri Mustafa Aranitasi mund të ishte se i shërbeu pa hile e me përkushtim Armës së Xhandarmërisë dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe se (ai ndofta në heshtje) bashkë me fëmijtë e të tij s’u pajtuan asnjëherë me komunizmin e egër të stepës.
*Është e vërtetë se emrin e Aranitasit për mbiemër e kanë provuar shumë për ta mbajtur, por u mbeti vetëm atyre që e vulosën me gjakun e derdhur, Zenel Xhafo Aranitasi kapedan i 1847-tës rënë në marrjen e kalasë së Beratit, Ramiz Aranitasi Hero i Popullit rënë në Skrapar më 23 qershor 1943, Hysen Ali Aranitasi dëshmor rënë në Urën e Erzenit, Bërzhitë në tetor1943, dhe atyre që u dha vulë pushteti të cilit i shërbyen ose ata që bënin vetë pushtetin si dikur Arianitët, etj.