2012-12-11

Permes gjemimeve te viteve...


Vasil TABAKU (10.9.1953). Lindi në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi. Pas disa muajsh familja e tij do të transferohet në zonën e Mallakastrës në qytetin e Ballshit, ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Arsimin tetëvjeçar e kreu në Ballsh, sikurse edhe atë të mesëm në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Derivsh Hekali”.

Poeti, shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku, krijimtarinë letrare–artistike e ka filluar që në bankat e shkollës tetëvjeçare, kurse botimet e para poetike i ka publikuar në vitet e shkollës së mesme, në organet e shtypit letrar të kohës.

Në vitin 1977 ka përfunduar Studimet e Larta, Fakulteti Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera, një vit më vonë ka dhënë provimet plotësuese dhe ka kryer edhe Fakultetin e Gazetarisë.

Në vitin 1987 ka ndjekur për dy vjet Studimet e Larta pas Universitare në specializimin për skenarist i filmit artistik dhe ekranit televiziv, ku është diplomuar po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1995 ka kryer trajnim dymujor për gazetari televizive pranë TRT - Ankara, Turqi.

Edhe pse që student botoi librin e parë dhe dhjetëra cikle poetike në gazetat letrare të kohës si dhe shumë artikuj studimor dhe publicistikë, pushtetarët komunist të asaj kohe, nuk i dhanë mundësinë të punonte në ndonjë qendër të zhvilluar apo shkollë qyteti, por “e detyruan?!”në shtator të vitit 1977 të filloj punën si mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës gjer në qershor të vitit 1978.
Vasil Tabaku - HYRJA E PRANVERËS
Më pas Vasil Tabakun do ta gjejmë në këto detyra dhe funksione profesionale:

- l978 – 1986, drejtues në Pallatin e Kulturës Ballsh.
- 1986 – 1987, gazetar në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
- 1987 – 1993, skenarist i filmit artistik në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Tiranë.
-1992 – 1993, kryeredaktor i Revistës “Film” organ i Kinostudios dhe Film – Distribucion.
- 1993 – 1998, gazetar në Radio Televizionin Shtetëror (RTSH), Tiranë.
- 1998, hiqet nga TVSH për shkak të bindjeve të tija politike të djathta, mishëruar edhe në emisionet e tij televizive si dhe në shumë shkrime dhe analiza të botuara në shtypin e ditës si ”RD“, ”Tribuna Demokratike“, “Republika“, ”Drita“, “Albania“ etj.
- 1998 – 1999, gazetar në gazetën “Liria“, organ i shoqatës së ish të dënuarve politikë të Shqipërisë.
- 1999 - 2000, gazetar në Radio Kontakt, Tiranë.
- 2000 – 2001, gazetar në TV- ATN – 1, Tiranë.
- 2001 – 2002, kryeredaktor i gazetës „Tirana demokratike“ organ i PD Tiranë.
- 2002 – 2003, kryeredaktor i gazetës “Lajmëtari i Lirisë“ organ i shoqatës për integrim të ish të përndjekurve politikë.
- 2003 – 2004, kryeredaktor i TV – ATN - 1 dhe Reporter i Radios Ndërkombëtare „IRIB“, komentator politikë në “Radio Nacional”, bashkëpunëtor i gazetës “Bota Sot”në Zvicër etj.
- 2004 –2005, Vasil Tabaku mbetet i papunë.
- Që nga viti 2007, Vasil Tabaku punon gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH.

SHKRIME, TRAJTESA E PUBLIKIME NË FUSHËN E PUBLICISTIKËS:

Vasil Tabaku, ka botuar rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime te veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj.

Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “Nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”, “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.

- Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1.

Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.

VEPRAT LETRARE:

1. “Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976.
2. “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981.
3. “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987.
4. “Ndërrimi i epokave“, studime, 1988.
5. “Bota në sytë e mi”, ese, 1990.
6. „Klithmë drite“, poezi, 1998.
7. “Vit i mbrapsht“, ese politike, l998.
8. “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999.
9. “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000.
10. “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001.
11. “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005.
12. “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006.
13. ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007.
14. “SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën persishte, Teheran, 2004.

ËSHTË PREZANTUAR:

15. Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003.
16. Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”, Holzminde/Germany, 2003.

Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm që përmendëm më lart Vasil Tabaku ka në proces të finalizimit edhe dy libra, një roman dhe një libër poetik, kurse një pjese e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njehë mirë italishten dhe rusishten.



PRISHTINA

Miqeve te mi poet te Kosoves

Nje toke
E bere prej shpirtit tim
Prej dhimbjes dhe krenarise
Prej drites dhe zjarrit te zemres sone…
Prishtine.
Emri I identitetit tim shqiptar
Fjala e dashurise sime te madhe
Dhe puthja prej qielli
Ku perqafohen horizontet…
Kam rene ne gjunje para teje
Qytet I lirise.
Neper guret e rruges
Lemoj hapat e heronjeve
Jeta e tyre
Eshte shendruar ne buzeqeshen tende
Na mallin tend,
Ne perqafimputhjen
Dhe lotedritezimin tend Prishtine…
Jam dashuria jote
Jam zeri yt prej pike loti
Dhe grimca lumturie pakufij
Jam zambaku I celur ne kraharorin tend
Prishtine,
Frymemarrja jote
Mbush qiejt
I jepe jete gjithe bijeve te KOSOVES
Neper krahet e plagosur te rruzullit
Ata si zogjte
Presin tu forcohen krahet
Per te rendur ne nje fluturim pakthim
Drejt teje Prishtine…
Epokat
Shfletojne horizontet
Si flete te histories
Permes gjemimeve te viteve
Gishtat e mi te drojtur
Shkruajne kryeemrin e paqes
Prishtine…

Tirane 21 shtetor 2012

HYRJA E PRANVERËS

Nga gëmusha e bleruar
U ngrit zogu
Dhe nga krahët
Shkundi dimrin.
Marsi
Me mijëra manushaqe
Puthi tonën…
Me një lirikë
Pranverën putha edhe unë…

Gëzuash pranverë
Afshi yt
Është në çeljen e luleshqerrës
Në biqet e grurit
Dhe bisqet e pemës
Në frymëmarrjen e blerimit
Në receptorin ku telefonon kjo vajzë
Adresën time të largët veriore…
Është në kopshtin e këtyre fëmijëve
Që emrin tënd
Cicërojnë brenda një vjershe.
Frymëmarrja jote pranverë
Është në dashurinë e ushtarit
Që në jakën e kapotës
Mban të çelur një burbuqe
Afshi yt është kudo stinë ripërtëritëse…

POEZIA E NËNËS

Retë dridhen lehtë përmbi hënë
Si shamia jote përmbi thinja
Paske dalë t’më presësh
Paske dalë mok e mira nënë,
Me njërën dorë nga gëzimi
Harruar tek zemra…

Paske dalë,
Buza ç’tu dridhka prej mallit…
Ç’mendon ashtu moj e mirë
Ç’mendon?…
Mos valle dhimbjet e ditëve te largëta…

Si rrezja
Fijen e njomë të barit
Më rrite
Ngrohtësia jote
U bë dashuria ime…
Puthjet e tua
Ëndrrat e mia
Dhe qumështi yt
Janë vet jeta
Vet dashuria…

FËMIJËRIA

Macja
Që loz
Me lëmshin e kaltër të mbesës
Nuk shthur thjeshtë një lëmsh
Kujtimet e mia zgjidh,
Fijet e jetës
Shpleks lehtë-lehtë,
Ditët e para të fëmijërisë…

Ditët e para të rritjes,
Këmbët e vrara nga gurët,
Këmishën e zbardhur
Varur në gardh…
Festa e abetares
Rrepa dhe gjyshi i bardhë
Një këngë e sapo mësuar
Tek fluturonte mbi gjithë kopshtin
Një pushkë druri sipër tavolinës
Me inicialet e gdhendura të emrit tim
Dhe një flamur i vogël
Në duart e mia…
U rritëm kaq shpejt…
Po fëmijëria
Më duket sikur
Zgjuar,
Gjithë zëra, prapa derës është…

Loz macja
Loz edhe mbesa ime Shpresa
Ngadalë lëmshin e kaltër mbledhin
Ngadalë sikur druhen
Mos fëmijërinë time trembin…

URA E QABESË
(Baladë)

Urë e largët në Lindje
Urë me gurë të mëdhenj
Nxirë si muzgje
Me shpinën shekullore
Kërrusur nga pasha e qindra ushtrive…
Ushtri që dynden drejt Orientit
Mbytur në zheg e pluhur.
Duke mbartur mbi vite
Peshën qiklopike të tragjedive…

Bir i Shqipërisë
Kaloi mbi ty
Mbi ty treti rininë
Nën flamuj e klithma të huaja
Poshtë qiellit zhuritës
Të saharasë së vdekjes

Urë e Qabesë
Si hyre kështu në këngët tona
Në pikën e lotit të nënave
Në ëndrrat e brishta të vajzave
Në dridhjen e buzëve që thaheshin,
Ndërsa në krahët e grave
Mbetej emri i nizamit pa varr?…

Urë e Qabesë
Kënga jote e zezë
Këndohej si himn i dhimbjes
Nën çati prej kashte
Rrënuar nga pritja…
Oh, mallkuar qofshin
Gjithë luftërat e pafund!
Ushtari i varrosur atje larg
Thërriste i trishtuar…
mbeç more shokë mbeç…

Eh moj urë e zezë
E zeza urë
Mbi shpinën tënde
Gjithë gunga ngrënë nga ikja
Si deve e gjymtuar në shkretëtirë
Nuk ngrihen më re pluhuri
Nga këmbët dhe arabatë
Ti mbete e varrosur brenda këngëve
Monument dhimbjeje
Por arkitektura jote e shëmtuar
Rishfaqet nga shekulli në shekull
Në imagjinatën e kombeve…

VLORA
(Baladë)

Ecnin, ecnin ata trima
Në luftë drejt Jugut shkonin
Edhe këngën “Vlora… Vlora”
Ndezur epope këndonin.

Ndezur epope këndonte
Edhe trimi gunëbardhë
Si ortek zemërimi zbriste
Të rreptët male radhë radhë.

Zbriste malet radhë radhë
Në ballë puthja seç i digjte
Puthje vashës atje larg
Si e dashurisë lulëkuqe

“Vlora…Vlora…Vlor’ e rrallë”
Ç’janë gjithë këta dasmorë
Me flamur ç’po ndodh vallë,
Deti ç’ka që nxinë moj Vlorë?

Oh nxin deti me dushmanë
Mbushur plotë me gjëmime,
lulet janë trazuar me plagë
seç u skuq pranvera ime…

tufa lulesh mbi të rënët
një zambak plag’ e Selamit
gunën lart çonin erërat
rënë mbi telat e dushmanit.

Rënë mbi telat e dushmanit
Heshtëte zemër e djaloshit
Pushk’ e nxehtë poshtë shkëmbit
Me vështrim përtej detit

Me vështrimin lart mbi det
U përkul një çast dielli
“Vlora… Vlora…” çeli buzët
Dhe pastaj përgjithmon’ fjeti

Fjeti trimi përgjithmonë
Atje larg e priste vajza
Me një grusht të bukur ëndrrash
Me një grusht ëndrrash të bardha…

Po veç shiu me ngadalë
Vinte tej nga perëndimi
E pikonte shkëmb e mal
Lot ’ paprerë hidhërimi

Bashkë me emrin e trimit
Stuhi erdhi vetë kënga
U ngrit mbi shiun e pikëllimit
Zjarr gjëmoi : “Vlora… Vlora…”

VALLJA E TRIMËRISË

(Kur i thanë Hamkos nënës së njërit prej trimave të Rrapo Hekalit se djali i saj ka rënë në male, ajo hoqi shaminë nga koka dhe nisi një valle që sot në Mallakastër e quajnë “Vallja e trimërisë”)

Hankua ish e lehtë si gjethi n’valle
Vajzat pas këngës vinin radhë radhë
Belin e hajthëm këputnin ngadalë
Herë ndezur flakë herë shtruar, shtruar…

Çelnin këngët nga gjoks’ i saj
Çelnin zemrat e vajzave për trimat
Plot dashurit’ ua jepnin pastaj
Djemve të fshatit si vetëtimat.

Një dit’ hanko stuhi doli në valle
Degët e çelura rrept tundnin pemët
Gonxhet pikonin lot ngjyrë alle
Ndërsa zi të dridhshme mbanin këngët

Larg në male kish rënë komiti
Pas istikamit kish heshtur një pushkë
Një rrëkezë gjaku nga shkëmbi zbriti
Dhe Flamuri ishte bërë i kuq prush…

Hankua e hoqi të bardhën shami
Mbi supe iu derdhën flokët e bardhë
Mbi dhimbjen u ngrit stuhi
Në vallen e trimit, gruaja e rrallë…

VJOLLCA
(Motrës)

Vjollca, Vjollca
Thirra tek dritarja e hapur
Dhe prita
Si atëherë të nderje gërshetat jashtë
Të rendnim nëpër kopsht
Në flok
Të të hidhja një grusht me xixëllonja
E gjer në lodhje
Të rendnim me zogjtë…

Ti kishe ikur
Rrugëve të jetës
Duke marrë me vete
Mallin tim
Gërshetat e bukur
Dhe dashurinë…
Në krahët e lumturisë
Qeshje me zë prej gruaje….

Është e vërtetë,
Ti një ditë
Do të ikje
Por nuk duhet të harrosh
Dritaren tonë Vjollca
Dritaren nga shikonim botën…
As kopshtin e vogël
Dhe rrugën tonë prej trëndafilash…
Zërat tanë
Rendin
Me mbresa drite mbi supe
Nëpër hapësirat e qytetit
Që ne të dy
Ndërtonim dikur
Në arkitekturën naive
të imagjinatës sonë…

GJITHMONË MBETET DIÇKA

Gjithmonë
Mbetet diçka mes nesh
Gjurmët e lodhjes
Dhe fytyra e lumturisë

Nga një grumbull zhavorri
E gurësh
Mbin një qytet…

Mbi egërsinë prej uji
Të një lumi
Ngrihet dritë

Mbi ashpërsinë e gjelbër
Të një mali
Mxherrim bukë

E mbi vitet që ikin dhe ikin
Lëmë zërin tonë…

DITA E NJË SHTATORIT
(Enkelejdës 6 vjeçare)

Është i pafund numri i luleve
Emrat e tyre, të panumërt janë
Ashtu si emrat e gjithë fëmijëve
Që sot ulen në bagën e parë…

Ngjyrat e luleve janë të shumta
Si ëndrrat tuaja o gjashtëvjeçarë
Aty ku fillon të hedh hapin A-ja
Krahët tuaj, fluturim kanë marrë.

Është ngritja juaj e dytë në këmbë
Rrugë e germave që të çon në jetë
Këtej janë nisur të gjithë nga kjo bangë
Të gjithë – heronj dhe njerëz të thjeshtë…

PASQYRIM

Saranda
Vajzë gazmore
E porsa zgjuar
Para pasqyrës së dridhshme të Jonit
Ri e drojtur
Me agrumet e shpleksura
Tek ia krehin erërat
Me kaktuset e gjelbërt si qerpik
Dhe diellin
Ndalur ngrohtësisht si buzëqeshje
Mbi buzët ku fle puthja…

Kështu e pash këtë mëngjes Sarandën
Në pasqyrën e kthjelltë të detit
Portin e vogël
Me anijet ngarkuar me grurë dhe agrume
Dhe pallatet
Tek shtohen
Si çerdhet e pranverës
Rrugët e saj
Si një maratonë ëndrrash
Dhe shkallaret e blerta me gjelbërim
Ndërtuar
Nga dashuria e të rinjve…

TROPOJA

-Ia kushtoj miqve të mi poetë tropojanë

Valltare elegante
Me një fashë të kaltër resh
Rreth belit delikat
Ndërsa buzëqeshjen magjike
Tund në ajër
si një shami prej lule bjeshkësh
dhe boten mbush me dashuri
Me dritë vallesh mahnitëse…
Tropoja,
Vajza alpine
Me të cilën
jemi dashuruar të gjithë…
Kënga që fluturon
Mbi majekrahun e brishtë
Hënën mitike
ka shndërruar në lahutë
Tupanat gjëmuese
I ka bërë prej diellit…
Tropoja
Me emrin e ndërtuar prej puthjesh
Nga puthja rilind…
Tropoja
Shtojzavalle ujvarash
Skllavëron ëmbël vështrimin tim
Duke më shndërruar
pak e nga pak
Në djaloshin Muji…
Tropoja
Ëndërra ime prej bore
Ortek I fuqishëm pasionesh
Mbi pasqyrat shëndritëse
të liqeneve malorë
Unë shoh zërin tim
Shqiponjën madhështore
Mbi horizontet e thinjur
Me copra legjendash….
Zëri im
Me puthjefjalën Tropojë…


Lexoni:

http://floripress.blogspot.com/2012/10/mos-harro-te-me-dergosh-nje-puthje.html

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...