Komuniteti Musliman i Shqipërisë, për herë të parë, ka hartuar një enciklopedi të përbërë prej 100 personaliteteve të shquara shqiptare të kulturës islame.
Ky libër vjen në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën bashkësitë islame shqiptarë do të organizojnë një konferencë ndërkombëtarë me temë “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”
Në parathënien e këtij libri prej 307 faqesh Drejtori i Kulturës në KMSH Genti Kruja, shkruan: “Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta kanë hyrë në vitin jubilar të 100 vjetorit të ngritjes së flamurit, shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar. Me këtë rast edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka marrë iniciativën e organizimit të shumë aktiviteteve, konferencave, botimeve e të ngjashme me këto, për të ndriçuar sadopak historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimim dhe aspirata në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale islame dhe trashëgimisë së madhe kulturore të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët.”
Kjo enciklopedi përfshin 100 personalitete të kulturës islame që i kanë shërbyer kobit dhe atdheut po me aq zell sa ç’i kanë shërbyer edhe fesë. Enciklopedia do t’i shërbente çdo personi për t’u njohur me këta patriotë, atdhetarë e fetarë të lartë, por vlen gjithashtu edhe për studiuesit e shumtë të figurave dhe personaliteteve shqiptare të kulturës islame.