Diellza Bajrami u lind me 27.11.1993 në fshatin Qëndresë (ish Randobravë) Komuna e Prizrenit. Vijon mësimet në vitin e fundit në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit. Merret me krijimtari letrare. Shkruan poezi, ese, tregime dhe pjesë teatrale. Poezitë i ka botuar në revistën “Zogu i Qëndresës”, “Fidani” , dhe në librat antologjik të krijuesve prizrenas botuar nga Biblioteka Ndërkomunale e Prizrenit si: “Rrugëtimi i fjalës”, “Ndize dritën e mendimit”, “Takim brezash”, “Vargu Jubilar”, “Magjia e vargut” etj…
Vëllimi me poezi ‘’OAZE E NDJENJAVE RINORE’’ është libri i parë i saj botuar më 2009 në Prizren.Në dorëshkrim ka edhe librin e dytë me poezi.
Diellza Bajrami është një nxënëse e shkëlqyer dhe aktive jo vetëm në Gjimnazin ku meson, por dhe në komunitetin e qytetit të Prizrenit.
Diellza me krijimet e saja po ecën shkallë-shkallë drejt dëshirave ku ajo ëndërron.
Poezia e Diellzës premton një të ardhme dinjitoze dhe vet libri i dyt që ajo ka në prag botimi premton më shumë arritje.
Buqetë me poezi nga DIELLZA BAJRAMI
SHITBLERJE
Mëngjesi pllakosi
në mjerimin shpirtëror,
ënderr platonike,shtegun e luftes
kapërceu,u venit si meteor.
Gumëzhima e jetës nis te thur
një polifoni te re,nga hiçi.
Ditë tregu...
Tezgat mbushur cilësi,dështime
sinqeritet,besnikeri pa vlerë,
dhembje dashurish...
Shpresë këmbëzbathur...
Vetëm në arkivin e trurit
mendja neutrale,imune ndaj abuzimit.
Ulërijnë këto qenie gjysmake
gjymtojnë karakterin,
me çmime sa një thua.
Në pritje të ndonjë grykesi
vrasin kohën pamëshirshëm.
Presin si çiliminj,
paranë rrënimtare në duar me çdo kusht,
fat i perbuzur ne ankand,
vapë financiare,përvëluese në gusht.
Akullnajë brishtësie
Një litar heshtje,nyjelidhur
këmbadoras peng më mban.Detyrimisht zgjohem vrëngër
pranë brigjeve australiane
ku zë i laureshës,një simfonie pinguinësh
të gjymtuar i ngjan.
Ca palma lakuriqe,në ishuj shkretuar
një grusht shpresash,mbyllur ne kasafortë
Humbën shifrën e kërkuar.
Kripteks i pazbuluar
sfidues kryelartë.
Sërisht lugina amorfe
Strehë e sapo ''lumit''
që shkrirjes i praraprin
në udhëkryqe binarësh
pa ndalesë.
Këngë e lashtë anonime
shqeu timpanin e shqisës së gjashtë.
ç'kotësi të presësh në prag të jetës pranverën
e cila ka harruar adresën tënde.
Në anën tjetër të globit
Mbreti Diell se heq për asnjë çast
pelerinën e artë kalorsiake.
shfaqet relievi i një pellgu të ri
topografi frymëmarrje ky refren i jetës...
Ndryshe
Bota jote aq e vogël,
sa edhe katër metrat në katror të dhomës
ku frymon shpirti yt i vrarë.
Mendja jote aq shkurtëpamëse
sa bluan vetëm dëshirat tua të rreckosura.
Syri yt,liqen i tharë nga pagjumësia
shikimi indiferent,plagosës miliona herë.
Univers i veçantë
i pazakontë
enigmatik.
Përse duhej të ishe ndryshe nga të tjerët TI ?
Tinguj dëbore
Në dritare ca fjalë të ngrira
“Koha ndërroi fizionominë”-më thanë
Strukem në mendime si kur isha fëmijë
Sodis fjongot e borës por pa ngrohtësi!
Dhe vërtetë është e pazakontë
Si ndjenjat u deformuakan në rrugëtim
Agoi një ditë e re,pa diell,pa krahnezë
Por me acar në krahërorin tim.
Enis drejt teje zemra ime
Të rrëshqasë pa urdhëresë,
Bora bie si mëndafsh I bardhë
Dëgjoj tingëllimën e saj mbi qelq.
Përtej ëndrrës,vërej nga largësia
Një anije e shkretë lundron me zymtësi
E braktisur,e vetme ne oqeane akullnajash
Mezi mbajti frymen në këtë mot ogurzi.
Të shoh ty në ballë të saj
Si një vegim që zhduket shpejtë
Pastaj mbyll sytë të të kem më pranë
Vetëm trikoja e dimrit nuk ikën si kometë.
Imazhi yt u shua ngadalë
Vezulloi si qiri e mbetën ca pika dyll
Aq furishëm u rrënua mbretëria jonë
Më as zë bilbili nuk jehon në pyll.
Tani acari u rrënjos në zemër pamëshirë
Por dashuria jonë sesi ngeci diku
Mikpritjes së jetës nuk mundëm t’I bëjmë ballë
Do të harrohemi nëpër botë,të ikim kuturu.
Ndalova në udhëkryq,e ngacmuar nga ky kujtim
Mora në dorë penën të deshifroj këtë mister
U binda më në fund,e dehur në frymëzim
Nuk ishin tinguj dëbore por vilet e shpirtit tim.
Rrugëtim maratone
U nisën shkronjat…
Përtej oqeanit,barrierat ndër këmbë,
Të mospërfilluara,griseshin.
Në port,zbarkuan atëbotë,
Buqeta lulevjollcash për hirësinë tënde.
Një vatër diturie,
Një nismë dritëkërkuese
Një diell i ri,për rrezatimin tënd,
Jetëgjatësinë përtrinë.
Mes urisë shkëmbinjtë dekorohen
me ujëvara.
Në kopshtin e ndërtesës,
Krijesat engjëllore për prezencën tuaj,
Hedhin vallen e lumturisë.
Qielli blu zgjoi në sytë e tu kthjelltësinë.
Marshim fitimtari…
Drejt cakut pa cak,
Në fushëbeteja sypatrembur
Guximi yt sfidon çdo peripeci.
Në çdo kënd I pranishëm portreti idhullor,
i shkëlqesisë sate.
Në ballë te konakut,
Penë e artë luarase,shpoi si shigjetë
Armikun në zemër.
Mbiu këngë trëndafili,
Toka e brumosur mes dhembjesh,
Melodinë shqipe përçon në çerdhet majë lisave.
Çdo hap,një synim.
Çdo dëshirë,një lutje.
Çdo fjalë,një margaritar
Nga gjuha juaj mjaltë.
Shtigje diturish,hapen horizontit.
Rrudhat në ballin tënd,hijerëndit Negovan I përngjasin.
Rrugëtimi ende vazhdon,
Si maratonë pafund,I shëmbëllen historisë,
Qëndisur nga duar të ngrohëta mundimesh,
Përkundur në djepe dashurish,
Larë me vesë ëndërrash,
Me misionin më fisnik në botë.
-Mësues,në udhën tënde
Dallëndyshet drejt hapësirave të reja,
Bijtë e kësaj toke I nxisin të shuajnë etjen…
Nën qerpikë
Të vështrova gjatë,
e përhumbur në mendime kaotike.
Verbërisht ëndërrova
Çiltërsinë e takimeve te paqena
Brenda kornizës së galerive mistike.
Shikimi u vërtit,
Më shkau padashje nën qerpikë.
Aty,nën oqeanin e thellë,
Pafundësisht misterioz
Të dy syqkave tua.
Të shfletova,
Si në një katalog detajesh,
Që promovon vlerën me aksione.
Ngroha copëzat vetmitare
Të shpresave në amulli,
Nën qerpikë,u rrokullis një mall I vjetër
Aty ku të humba,e të gjeta përsëri!
Cirqeve të së panjohurës
Mbrëmjeve në muzg
Liqeni avullohet nga zjarri
i mendimeve te prushta.
Erozioni akullthyes vazhdimisht
Ndërron fytyrat e reales.
Vetëm ndjjenjat mbetën relike
Të papluhërosura!
Çuditërisht përsëri hëna u gjysmua
Në vilet opozitare të zhgënjimit,
Një “pse” u var si medaljon enigmatik
Në gejzere të mbytyra,
Shpresat spërkaten me shiun e rrëmbyer
në periferi.
Ecjaket e qytetit deformohen
Hermetikisht nga kënga memece
E iluzioneve varfanjake.
Cirqeve të së panjohurës
Përjetësisht frymoj,e përhumbur
Në mijëra komponime.
Ndryshe
Bota jote aq e vogël,
Sa edhe katër metrat në katrorë të dhomës
Ku frymon shpirti yt I vrarë.
Mendja jote aq shkurtëpamëse,
Sa bluan vetëm dëshirat tua të rreckosura.
Syri yt,liqen i tharë nga pagjumësia
Shikimi indiferent-plagosës miliona herë.
Univers i veçantë,
i pazakontë,
enigmatik.
Përse duhej të ishe ndryshe nga të tjerët TI?!
Lutje perëndeshës
Hijendezur, tejhorizontit
Errësira ankthin përpin.
Shpaloset parasysh një kodrinë
Përpjekjesh,aleate e fjalës.
Fillesa mileniumesh në përgjërime
Paskajshmërisht të fundme.
Qielli grandioz hyjneshën Hënë
Mirëpriti në dyert pa doreza te dukshme.
Strukur në petkun magjiplotë të mbrëmjes,
Përflas e humbur në humbje pa zë,
Të thëna nga shtigjet e zemrës në labirinth.
Përpëlitemi në rrjetë merimange,
Ne,njerëzit udhëtar të kësaj epoke,
Qëllimisht egon ushqejmë me vitamina e kalori.
Perëndesha Hënë,
Na udhëzo në hapat tanë pa orientim,
Ndërro kahjen e jetës heretike
Dritëso në skëterrën e shpirtit mëkatar,
Në gejzere dashurish flake tutje dështimin,
Ne kopsht luleshqerrash mbjell
Aromën e mistershme të ekzistences…
Të përgjërohem, perëndesha ime…
Na fal kthjelltësinë e shkëlqimit tënd,
Që njerëzia të mos vetëmbytet
Në oqeanin e thellë të vrazhdësisë së jëtës.
Toka ime
Djep antik i dardanisë
Shqipe krahëshkruar
Në qiellin e zymtuar nga baroti…
Rrjetë ambicioze për lakmitarë shekullorë
Që frymën ta ngulfatën
E pranverat t’I vonuan
Kur dielli në sukat tua
Lindte I përgjysmuar në zinxhirë robërie.
Toka ime,Kosovë…
E syrgjynosur nga plagët që kurrë s’ti
numëruam.
Në vijën e frontiti,zemërndezur
Ndihet kushtrimi I djalërisë,
Buzëqeshjen e vrarë ta kthyen si shpërblim.
Në vendin ku ata ranë
Mbinë lulekuqe aromëdehese
Të ndritura në shkëlqim.
Toka ime,Kosovë…
E mbuluar nga dhembjet që
Kurrë nuk I shfaqëm,
Derisa nënëloket u bënë më të forta se
gurët e strallit.
Për kurorën e nusërisë
Në sofrën tënde ilire
Toka ime,Kosovë!
Antinjerëzore
Kufinjtë e ëndrrës,
Kapërcej shpresëvyshkur…
Tejbotës rreth e qark
unë,turiste planetesh.
Mbushur kërshëri,
Shuaj etjen në liqenin hyjnor aligerian…
Hapësirë e pafund pamjesh…
Kozmos i mbingarkuar
Me shpirtëra të suspenduar nga jeta.
Vështroj…
Sodis këtë ekzistencë jashtëtokësore
Të ngrirë me zymtesinë e fantazive reale.
Rrokaqiej të deformuar në gjatësi infinite…
E ndjej spiralizimin e ndjenjave
Pa fillin e dëshirës.
Sa melankoli e habitëshme…
Stina e ngopur me brenga të falura
pa shpërblim.
Antinjerëzore?!
Kjo epokë apo ufot e ndërgjegjies në zhdukje e sipër?
Në pranga
Netët e ngurta
Me hënën pishtare
Me ngjajnë si smeralde vitrinash
Këtu,nga dritarja e vogël me grila,
Në të cilën më prangose TI.
Deti dallgëzohet furishëm,
Bymehen mendimet
Shpirti gjen ngrohtësi
Në flakët e trishtimit.
PËR TY,që pa asnjë faj
Më vure prangat,
E më burgose përjetësisht
Për tënden Dashuri.
Apasionatë rinie
Qielli blu me grumbuj resh qëndisur,
Dielli rrezeartë natyrën përtrin,
Mbi çati një zog krahë-stolisur
Me këngë në sqep pranverës i thur himn.
Më tutje një lumë rrëzë malit gjarpëron
Ca lisa shtatëlartë përkulen si të thyer,
Fshehur nën umbrellën e degëve frymon
Hapi i të rinjve,reliev i përthyer.
Panoramë lisash,shkrirë në ngrohtësi
Vështron plot zili dashuriçkat rinore,
Dirigjente e zonja në çdo simfoni
Strukur si pallat në ëndrrat vashërore.
Skuqen zemrat nga afshi i ndjesive
Era përkëdhel flokët e mëndafshtë të fushës
Të rinjtë e ngazëllyer në melodinë e dashurive,
Këndojnë apasionatën për hir të zonjushës.