2012-12-11

MBISHKRIME PERSIANE NË FALTORET E SHQIPËRISË

Dr. Sulejman Dashi
Dr. Sulejman DASHI



Në librin e tij, Evlija Çelebiu përveç pohimeve mbi veprat e arkitekturës civile social-kulturore e fetare, që ka parë e përshkruar gjatë udhëtimit të tij të dytë nëpër Shqipëri, na bën të ditur se në mjaft qytete kishte takuar njerëz me shumë kulturë që kishin kryer studime të plota, siç i cilëson ai.

Në Berat kish njohur oratorë, shkrimtarë e poetë, në Elbasan ku përgjithësisht flitej arabishtja ka prej tyre që flasin një persishte të hollë, por edhe frëngjisht, greqisht e turqisht. Në Gjirokastër ka mjaft vjershëtorë, ndërsa vlonjaku, shkruan ai, është mik i Ehli Bejtit të Resulit e flet e këndon persisht.

Megjithatë persishtja rezulton të njihej në Shqipëri qysh para shekullit XVII. Ndoshta ajo kish ardhur si gjuhë kulture me misionarët bektashinj të cilët kanë ardhur në Shqipëri nga fundi i shekullit XIV në Krujë, Berat e Gjirokastër, ku dhe ngritën faltoret e para islame duke tërhequr pranë tyre mjaft besimtarë. Së bashku me teqetë bektashiane, sidomos në shek. XVII gjenden të ndërtuara në Shqipëri edhe faltore të tarikateve të tjera Halveti, Saadi, Kadri, Rufai, shpesh të organizuara në sistemin e komplekseve ndërtimore të tipit Kullije, që përvec teqesë përmbanin xhaminë, medresenë, bujtinën, hamamin, imaretin etj.

Këto ndërtesa ishin mjaft bukur të dekoruara dhe të pasura me mbishkrime, prej të cilave kronogramat datuese kanë një rëndësi të veçantë për të njohur historinë e ndërtimit ose të restaurimeve, si dhe themeluesit e këtyre veprave si akte të dobishme e bamirësie për bashkëqytetarët e tyre.

Një statistikë mjaft të saktë, ndoshta e para dhe më e plota që kemi edhe sot, është ajo e autorit Teki Selenica, e hartuar në vitin 1926.

Duke analizuar situatën fetare në kuadrin e shtetit të parë të pavarur shqiptar, ai ka regjistruar 1065 xhami, 17 medrese, 239 teqe, 800 kisha, 52 manastire, të shpërndara në dhjetë prefekturat. Studimi i tij është kryer në një periudhë me rëndësi për historinë e besimeve fetare të shqiptarëve ku janë theksuar tri ngjarje të rëndësishme:

Deklarimi i autoqefalisë të Kishës Orthodokse Shqiptare (13 shtator 1922).

Kongresi Muhamedan që zgjodhi Këshillin e Lartë të Sheriatit dhe shkëputi marrëdhëniet e varësisë nga Shehul Islami i Stambollit (nëntor 1925).

Më pas kur Asambleja Kombëtare Turke shpalli mbylljen e teqeve. Mbyllja e tyre bëri që selia e përgjithshme e bektashizmit të vendosej në Shqipëri. Në teqenë e Turanit në Korçë në shtator të vitit 1929, u zhvillua kuvendi i bektashive të Shqipërisë.

Sa i përket ndërtimeve fetare islame në Shqipëri, ndonëse kanë mbetur shumë pak, kemi mundur të mbledhim shumë mbishkrime, kryesisht kronogramat në gjuhën osmane, por në disa prej tyre kemi gjetur kombinime gjuhësore në arabisht dhe persisht. Mjaft mbishkrime të tjera nuk i kemi deshifruar ende, megjithatë kemi trashëgim përkthimet me vlerë të kryera me kompetencë nga orientalisti ynë i shquar Vexhi Buharaja. Me këtë rast shpreh një nderim të thellë për ndihmën e çmuar e konstruktive që ai më ka dhënë gjatë punës sime restauruese të monumenteve fetare në qytetin muze të Beratit.

Në vazhdim të këtij diskutimi do të ndalem në disa shkrime persisht që ndodhen në Teqenë bektashiane të Frashërit, në Përmet, në xhaminë Mbret të Beratit, fundi i shekullit XV dhe në teqenë Kadiri të Horasanit në Tiranë.

Kronograma e teqesë së Frashërit ndodhet në faqen e brendshme të murit rrethues, në anën e majtë të portës së hyrjes. Ajo është mjaft e dëmtuar, megjithatë lexohet mirë data e dhënë në vargun e fundit sipas llogaritjes ebxhed si dhe me shifra (1196 hixhri që i takon vitit 1781). Prej këtij mbishkrimi mësuam që ndërtesa e teqesë kishte kaluar në dy faza dhe ishte më e hershme sesa mendohej deri tani. Themelues i saj rezulton Sulejman Beu, i cili pasi kish ndërtuar teqenë ftoi për drejtimin e saj Baba Nasibiun, i cili nga ana e tij, e zmadhoi teqenë me një ndërtesë tjetër dhe me konakë banimi. Zmadhimi i këtij kompleksi social fetar u bë tepër i njohur e i respektuar në të gjithë Shqipërinë.

Një tjetër mbishkrim persisht i shkruar me elegancë, me shkronja të karakterit thuluth dhe i hartuar në formë poezie me 25 distikë dy vargjesh tetërrokësh të dyzuar, ruhet në Xhaminë Mbret të Beratit. Distiket 15-16 dhe 20-21 janë hartuar persisht. Autori i tyre është Irziu, emri i të cilit del edhe në shumë kronograma të tjera të Beratit, por Vexhi Buharaja e vlerëson në vecanti këtë poet si një vargëzues i zoti dhe i shkathët, që zotëron mirë teknikën e vargut, por edhe gjuhët me të cilat ai vargëzon.

Në këtë mbishkrim është me interes distiku i dhjetë të cilin po e citojmë:

“Po ta shihte Memiu këtë figurë mahnitëse dhe këtë stil të mrekullueshëm (është fjala për dekoracionet e xhamisë)
Kishte për të thënë me plotë gojën- Ky nuk është art njeriu.”

Memiu është mendimtari persian i shekullit të pestë e.s., të cilin tradita e lashtë iraniane e njeh edhe si një piktor shumë të talentuar, autor veprash të mrekullueshme që janë ruajtur me emrin “ersherg” dhe që përmendet shpesh në poezinë iraniane.

Mbishkrimi tjetër është një elegji e cila ndodhej në teqenë Kadri të Horasanit në Tiranë. E shkruar në letër elegjia fillon në prozë arabisht ku përmendet shehu i teqesë Abdur Selami i përshkruar me një enumeracion epitetesh hiperbolike. Poeti i quajtur Hadim lë të nënkuptojë se shehu i nderuar ishte vrarë në vitin 1186, vit që del nga përllogaritja ebxhed e vargut:

“Kujto vitin në gjusmën e vargut të parë o Hadim
O shehu ynë Abdur Selam për hir të Zotit më ndihmo.”

Pjesa tjetër e elegjisë është e shkruar në poezi prej 15 distikësh tetërrokësh të dyzuar në gjuhën persishte me rimë që përsëritet në vargun e dytë të çdo distiku.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...