2012-12-11

image
Xhelal NEZIRI

Ajo që në prag të festimit të 100-vjetorit të flamurit dhe shtetësisë shqiptare u propagandua si fillim të bashkimit kombëtar, tani fillon të interpretohet në forma të ndryshme. Një javë pas festimit të nëntorit jubilar kryeministri Sali Berisha i tuboi ministrat e tij në Vlorë, në sallën ku ishte mbledhur kabineti i Ismail Qemalit, për të lajmëruar vendimin që do të sjellë bashkimin kombëtar: dhënien pa kusht të shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar, kudo që ai ndodhet. Dhe, për këtë akt u tha se është bashkimi kombëtar i përfolur para festës.

Gjithsesi se është një vendim që duhet përkrahur dhe përshëndetur, mbase edhe i vonuar. Nëse shteti shqiptar në vitin 1912 u shpall në kufijtë e tërë gjeografisë shqiptare në Ballkan, që më pastaj në Londër të përcaktohen kufijtë e tanishëm, atëherë mundësia për marrjen e shtetësisë shqiptare për ata që jetojnë jashtë Shqipërisë 'londineze" është dashur të jetë e hapur tash e një shekull më parë. Duke poseduar shtetësinë shqiptare, një pjesëtar i këtij kombi jashtë kufijve të shtetit e ka të garantuar mbrojtjen shtetërore të Tiranës, pa marrë parasysh se ku ndodhet. Me dhënien e shtetësisë, Tirana zyrtare obligohet për përkujdeset për çdo shtetas të saj që jeton në Maqedoni, Serbi apo Mal të Zi dhe t'i mbrojë ato nga çdo lloj diskriminimi, përndjekje apo cenimi të të drejtave individuale apo edhe kombëtare, të garantuara me kushtetutat e vendeve përkatëse.

Shtetësia i bën të barabartë shqiptarët që jetojnë brenda dhe jashtë kufijve shtetëror, si në aspektin e shkollimit, punësimit, bërjes së biznesit e deri te e drejta e votës.

Mirëpo, çdo projekt ka edhe anën negative. Shtetësia shqiptare do të thotë edhe një derë e hapur për ikje nga persekutimi etnik, politik apo ekonomik për shqiptarët që jetojnë në shtetet fqinje, të cilëve u cenohet liria, mirëqenia dhe jeta. Që nga liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian (BE) në viti 2009, nga Lugina e Preshevës vlerësohet të jenë larguar afër 30 për qind e shqiptarëve që jetojnë atje. Të gjithë ata kanë vendosur të braktisin vendin bashkë me familjet e tyre kryesisht për shkak të persekutimit ekonomik, që nënkupton mundësi jo të barabarta në punësim, në bërjen e biznesit dhe në atë që do të thotë standard më të mirë të jetesës.

Edhe në Maqedoni gjendja me shqiptarët në aspektin ekonomik është gati e njëjtë. Fluks i madh azilantësh vërshuan vendet evropiane, duke u shprehur se ikin nga gjendja e rëndë ekonomike edhe pse BE-ja nuk njeh kategorinë "të persekutuar ekonomik" dhe për rrjedhojë nuk ua miratoi kërkesën për strehim në këtë vend. Nëse analizohen buxhetet shtetërore të Maqedonisë, me ç'rast një e treta e arkës mbushet nga tatimet dhe remintencat e shqiptarëve, atëherë shumë lehtë mund të hetohet persekutimi dhe diskriminimi ekonomik i shqiptarëve. Në buxhetin e fundit, në arsimin sipëror (vetëm për universitetet) shqiptarëve u ndahen vetëm 13 për qind derisa për zonat e lira ekonomike zero për qind. Asnjë qindarkë për zonën e lirë ekonomike të Tetovës, ndërsa paralajmërohen investime në zonat ekzistuese dhe ndërtim të zonave të reja ekonomike në pjesën lindore të vendit.

Ky varfërim i shqiptarëve në Luginë dhe Maqedoni mund të sjellë në dyndjen e heshtur të shqiptarëve në shtetin amë, ku do të kenë shtetësinë, dhe planifikimin e jetës së tyre në një vend ku do të ndjehen të barabartë në aspektin kombëtar, ekonomik e social. Dikush do të thotë se Shqipëria nuk është vend me standard të njëjtë si vendet evropiane. është e vërtetë kjo, por rritja e vazhdueshme ekonomike e shtetit shqiptar edhe në kohën kur shumë vende të zhvilluara ballafaqohen me recesion, resurset ekonomike dhe njerëzore janë indikacione se ky vend shumë shpejtë do të shndërrohet në një destinacion emigrimi për shqiptarët jashtë kufijve të saj.

Që nga hyrja në fuqi e vendimit për shtetësi në qershor të vitit të ardhshëm, një pjesë e mirë e biznesmenëve dhe intelektualëve shqiptarë jashtë kufijve shtetëror, do të kërkojnë mundësi për t'u shpërngulur diku në Shqipëri që biznesin dhe karrierën e tyre ta vazhdojnë në një vend ku nuk do të kenë barriera etnikisht të motivuara dhe ku nuk do të jenë viktima të argatëve politik shqiptarë në qeveritë e shteteve ku jetojnë.

Këto janë anët pozitive dhe negative të projektit "shtetësi për çdo shqiptar". Kur jemi te bashkimi kombëtar, atëherë ai nuk nënkuptohet vetëm me dhënien e një shtetësie. Duhet të kemi parasysh se, në rajonet e zhvilluara, sovraniteti i shtetit nuk perceptohet si më parë me kufij me gjemba dhe me kufitarë në gjendje lufte. Po të lëvizësh nëpër shtetet e BE-së nuk mund ta kuptosh se në cilin vend gjendesh apo nëse ke kaluar kufirin. Sovraniteti modern i shteteve është fiskal, që do të thotë se kufijtë e një shteti shtrihen deri aty ku arkëtohen tatimet për arkën e po atij shteti.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...