Alban TARTARI
Kur nisa këtë shkrim, në titull shkrova “pasaportë shqiptare”. Pastaj e ndryshova pasi mendoj që edhe pasaporta e Kosovës është pasaportë shqiptare. Ajo që po u ofrohet të gjithë shqiptarëve në rajon dhe diasporë është pasaporta e Shqipërisë. Ofruesi është Kryeministri Sali Berisha, i cili e bëri këtë nga karrigia e Ismail Qemalit, në ndërtesën muze të qeverisë së parë shqiptare në Vlorë.
Aleanca Kuq e Zi, reagoi menjëherë duke thënë se kjo ishte një kopje e projektit të tyre “një komb, një pasaportë”. Por një ndër emrat e PD një ditë më vonë, Fatbardh Kadilli tha se kjo është në fakt që nismë që z.Berisha e ka artikuluar që në fillim të viteve ’90, kur ai mbante detyrën e Presidentit të Republikës. Gjithsesi debatet për këtë çështje ende vijojnë në Tiranë.
Në gjykimin tim personal nuk ka asgjë të keqe në këtë ofertë që u bëhet shqiptarëve. Madje, do të hiqen barriera e burokraci që sot gjenden në këtë proces. Sigurisht, titullari qendror i vendit, Presidenti, ka të drejtën e tij sot t’ia akordojë kujt të dojë nënshtetësinë. Por, një liberalizim për shqiptarët është një element pozitiv parë në planin kombëtar.
Z.Berisha si për të rrëzuar edhe frikërat e opozitës tha se kjo do nisë pas zgjedhjeve parlamentare, pra që ai nuk synon të fitojë elektorat nga ky proces. E në fakt, nuk ka asnjë dyshim se edhe pas asaj date z.Berisha mund të jetë i fituari i shtetasve të rinj të Shqipërisë, pasi të paktën pretendon se ka një mbështetje më të madhe të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.
Një ndër të përditshmet e Tiranës, e kritikonte z.Berisha pasi sipas tij ai do të boshatiste të gjitha zonat shqiptare në këtë mënyrë duke i mbledhur në 28 mijë kilometra katrorë që është sot Shqipëria. Nuk di sa qëndron kjo, pasi nuk besoj se shqiptarët do turren të jetojnë në Shqipëri; por ata me marrjen e pasaportës do të gëzojnë benefitet edhe të shtetit shqiptar, kjo në rast se ata vuajnë në vendet ku jetojnë aktualisht. Sigurisht, kjo nuk është një zgjidhje për problemet e preshevarëve e as të shqiptarëve të Maqedonisë që kohët e fundit thonë se situata po polarizohet kundër tyre.
Shteti shqiptar duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e të drejtave të tyre, pasi për këtë nuk ka nevojë për ligj të ri; kushtetuta e vendit e thotë qartë e saktë që ky shtet është përgjegjës për gjithë shqiptarët në botë.
Një problem në këtë proces mund të jetë se si do të pritet kjo nga BE. Unioni, mund të vendosë veton duke mos e lejuar Shqipërinë të hedhë hap në këtë drejtim. Çështja është se aktualisht një pasaportë shqiptare do të thotë shumë për shqiptarët e Kosovës. Ata kanë mbetur të rrethuar në një geto, ku ndonëse menaxhohen nga BE, përdorin Euron, janë në Evropë, nuk gëzojnë asnjë të drejtë lëvizjeje të lirë si qytetarët e vendeve të tjera fqinje.
Ky është një shqetësim shumë i madh për të gjithë banorët e Kosovës, që duhet të vuajnë kalvarët e tmerrshëm të vizave ashtu si shqiptarët e Shqipërisë pak kohë më parë. Ata po lihen të izoluar dhe pa mundësi punësimi, shkollimi apo edhe argëtimi e pushimi. Në këtë drejtim, pasaporta shqiptare do të ishte një lehtësim për ta.
Nga ana tjetër nuk dihet se si do të reagojë faktori shqiptar në rajon. Me interes në Tiranë pritet reagimi i Kosovës, por edhe reagimi i liderëve shqiptarë në Maqedoni. A janë ata dakord për këtë zhvillim? A është konsultuar z.Berisha me ta?
Gjithsesi, kryeministri i Shqipërisë, e cilësoi këtë si një dhuratë të shtetit shqiptar për 100 vjetorin për cilindo individ në botë që mendon se i përket këtij kombi. Një politikë të tillë e kanë ndërmarrë edhe shtete të tjera në rajon, sidomos Bullgaria dhe Serbia, që kanë lëshuar pasaporta në masë për të gjithë ata që i përkisnin kombësisë së tyre dhe që jetonin në vende të ndryshme të rajonit.
Kjo mund të jetë edhe një shtysë për shumë shqiptarë të Shqipërisë që ndonëse nuk janë të detyruar nga vendet ku bujtin, të heqin dorë nga pasaporta shqiptare. Sigurisht, nuk e shoh këtë si një proces përfitimi material të Shqipërisë nga të ardhurat e pasaportave, por si një proces simbolik ku çdokush që e ka këtë dëshirë, mund të vijë dhe të pajiset me pasaportën që mbart përsipër shkabën dykrenare.