Hiç më pak se 830 euro i ka shkuar fatura e fundit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Hana Zylfijajt, e cila jeton në një banesë tredhomëshe në Fushë-Kosovë, shpenzim ky më i lartë se i shumë bizneseve prodhuese në vend.
Shpenzimi i muajit nëntor, sipas saj, ka rezultuar të jetë më i lartë se dhjetë muajt tjerë të vitit.
“S’ka kurrfarë logjike që një konsumator i amvisërisë për një muaj t’i shpenzojë 830 euro. Këtë sasi të energjisë nuk e shpenzojnë as fabrikat dhe kjo nuk është asgjë tjetër përpos një plaçkitje ndaj konsumatorëve”, shprehet ajo duke shtuar se që nga fillimi i vitit e deri më tani ka paguar rreth 700 euro energji elektrike në KEK.
Në fakt nuk është vetëm kjo konsumatore, e cila ankohet për mbifaturim të energjisë në muajin nëntor. Radha e atyre që presin ditëve të fundit për t’u ankuar në zyrat e KEK-ut është shumë e gjatë. Ka ndodhur madje që një konsumatori t’i kenë shkuar dy fatura për muajin e fundit, njëra me borxh zero euro e tjetra 30 euro borxh.
Nga ana tjetër, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, thotë për “Zërin” se për këta konsumatorë me banim në Fushë-Kosovë, problemi është se pronari i objekteve kishte vendosur njehsor katërtarifor me sistem turk, ndërsa KEK-u ka njehsor me sistem dytarifor.
”Ata konsumatorë nuk janë plaçkitur, sepse njehsorët katërtariforë e kanë regjistruar energjinë elektrike dhe KEK nuk kishte mundur ta faturonte një pjesë të saj për shkak të sistemit te ndryshëm”, ka theksuar Buzhala.
Sipas tij, duke parë këtë problem KEK ka vendosur orët e reja dytarifore dhe pjesa e regjistruar në faturat e fundit u ka shkuar për energjinë elektrike të shpenzuar dhe të regjistruar më herët.
“Pra, bëhet fjalë për shpenzim dhe energji të regjistruar e assesi për plaçkitje siç pretendohet”, ka pohuar Buzhala, duke shtuar se konsumatorët do të paguajnë as më shumë e as më pak, pos energjisë që e kanë shpenzuar më herët.
Përpos shumë konsumatorëve nga Fushë-Kosova, ankesa për mbifaturim nga KEK-u kanë edhe shumë konsumatorë nga Prishtina.
Shkurte Osmanaj, e cila banon në Lagjen e Spitalit në Prishtinë”, dyshon se në KEK po ndodhin keqpërdorime me faturim të energjisë ndaj konsumatorëve.
Sipas saj, për muajin nëntor i kanë shkuar dy fatura, njëra me zero euro shpenzim e tjetra 30 euro.
“Ajo që më bën të dyshoj në hajni është se këtë muaj më kanë ardhur dy fatura nga KEK-u. Njëra me zero euro borxh e tjetra me 30 euro”, sqaron Osmanaj.
Ajo dyshon se inkasantët e KEK-ut bëjnë manipulime me kilovatët e shpenzuar nga konsumatorët, në kurriz të këtyre të fundit.
“Në faturën e muajit tetor të këtij viti figuronin në total 18 mijë kilovat të shpenzuar, ndërsa në faturën e nëntorit figuronte se muajin e kaluar, pra në tetor, i kam pasur të shpenzuar 17 mijë kilovat. Unë i pyes publikisht në KEK-u se ku u avulluan 1 mijë kilovat energji elektrike. Kjo është hajni ashiqare”, potencon Osmanaj, duke shtuar për këtë gjë është ankuar dy herë në KEK, ndërsa askush nga këta të fundit nuk e ka parë të udhës ta verifikojë gjendjen e këtij njehsori.
Osmanaj sqaron se as njehsori nuk i është ndërruar nga KEK-u, duke mbetur ai i vjetri i instaluar para rreth 30 vjetëve.
Buzhala pranon se në këtë rastin e fundit ka ndodhur gabim në lexim nga ana e inkasantit dhe siç thotë ai, gabimi është përmirësuar, ndonëse për një përmirësim të tillë deri më tani nuk është njoftuar konsumatori.
“ Kjo ndodh për shkak të ndërrimit të njehsorëve, i cili është proces i rregullt. Ndërsa për rastin specifik qe i referoheni ju është bërë prerja e borxhit, sepse ka pasur gabim në lexim dhe ai është përmirësuar”, pohon Buzhala.
Borxhin para afatit
Konsumatorë të shumtë po ashtu ankohen se KEK-u ua kërkon pagesën e borxhit dhjetë ditë para afatit të përcaktuar, pasi që në të kundërtën i kërcënon me shkyçje nga rrjeti energjetik.
“Në fatura të KEK-u shkruan se afati i pagesës së borxhit është më 22, ndërsa KEK-u na kërkon më datë 12 ta paguajmë borxhin, në të kundërtën na shkyç nga rrjeti, ndërsa faturat e fundit na ka ardhur më datën 10. Pra dy ditë pasi na vjen fatura duhet ta paguajmë borxhin. Kjo nuk ndodh askund në botë”, shprehej një konsumator, derisa priste në radhë të mërkurën për ta paguar borxhin e energjisë elektrike në KEK.