2013-03-01

Shqiptarët, banorët më të hershëm të Adriatikut


Prof. dr. Dhimitër Pilika


Sipas autorëve të lashtë, Adriatiku në fillim quhej “Deti i Kronosit dhe i Reas”, më pas “Gjiri Jonian”, me një emërtim të trefishtë, të lidhur me traditat parahelenike, pellazgjike.
Jo fort larg nga brigjet e Adriatikut, më 1875 u zbulua Dodona, kryeqendra shpirtërore, politike dhe kulturore e pellazgëve, orakulli paragrek i së cilës ka qenë më i lashti dhe më i njohuri në Ballkan e në Europë. Disa qindra dijetarë, klasikë e modernë, shpesh me emër ndërkombëtar, janë marrë me këtë popull. Disa prej tyre kanë përdorur në rrafsh të gjërë, në shërbim të së vërtetës, përparësinë e faktorëve vendimtarë të brendshëm, vendorë. Rrjedhimisht, ata kanë nxjerrë argumente autentikë të pashtershme sidomos pas sjelljes në Luvër të gjetjeve arkeologjike të Dodonës dhe daljes më 1878 në Paris të dy vëllimeve të Konstantinit Karapanos “Dodona dhe rrënojat e saj”. Këto zbulime sensacionale kishin bërë për vete paraprakisht bashkëpunimin aktiv të anëtarëve të Institutit të Francës E. Egger dhe J. De Witte, që mbahen si pasuesit e pellazgistëve francezë J. B. Jourdan (1746), Ch. Dupuis (1798), L. Petit-Radel (1810-1852), J. Michelet (1831), L. Benloew (1877).

1

Në shkallë ndërkombëtare prej gjithë përfundimeve të tyre të verifikuara mirë, del se pellazgët, që mbizotëronin në Adriatik, i kanë sjellë Europës, ndër të tjera, alfabetin e parë, qytetërimin më të lashtë: mjeshtërinë, teknikat e dobishme, themelet e shkencës, mitologjinë etj., e në veçanti emrin e vetë Europës, kulturën e grurit, shpikjen e bukës, ndërtimin e qyteteve e bërjen e regjistrimeve, të ligjeve, të monedhave, të Lojërave Olimpike… Pindari gjenial i ka quajtur “paraselenitë”, domethënë që janë shfaqur para daljes së hënës në kupën qiellore… Si rrjedhim, me vërtetimin mbi baza rreptësisht shkencore të autoktonisë me prestigj të pellazgëve kundrejt ardhësve të rinj, helenëve, cili ka qenë zhvillimi i tyre i mëtejshëm në brigjet e Adriatikut? Kjo kumtesë bën një përpjekje për t’iu përgjigjur shkurt kësaj pyetjeje, të parë nga këndvështrimi i popullit shqiptar, pjesëtar i familjes adriatike.
Sipas humanistëve Enea Silvio Pikolomini, para i ardhshëm Piu II, Antonio Sabelikos Rafaelo Volaterranos, e po ashtu më vonë të Pjer Ronsarit, Alfons Lamartinit, Zhyl Mishlesë, Elize Reklysë, Feliks Zhyljenit dhe shumë të tjerëve, vazhdimësia e shqiptarëve shkon në vijë të drejtë te Aleksandri dhe Pirroja, mbretër të Epirit, trashëgimtarë të Dodonës “ab antiquo”. Ky pohim mbështetet gjërësisht nga humanistët tanë Marin Barleti, Frank Bardhi, Pjetër Bogdani, si dhe nga mijëra dëshmi “in loco”, të shkruara dhe gojore. Më 1882 u gjet në Arkivin e Napolit dhe u botua një letër e dijetarit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1405-1468), poliglotit që dinte pesë gjuhë të huaja bashkë me letërsitë e tyre përkatëse: heroi ynë kombëtar, më 31 tetor 1406 ia dërgonte princit të Tarenit Xhovani-Antonio Orsinit, duke thënë se po t’u besojmë kronikave tona kombëtare, ata na tregojnë se sovranët epirotë e molosë, Aleksandri dhe Pirroja, kanë qenë stërgjyshët e shqiptarëve; këta dy dinastë u shquan me ekspeditat e njohura që ndërmorën përtej Adriatikut. Tërësia e rrethanave domethënëse na tregon se vula zyrtare dhe e fshehtë e Skënderbeut, që u bë e njohur më 1962, ka emblema tërësisht dodonase; përkrenarja e tij, që ruhet në Vjenë, është e njëjtë me helmetën e Pirros, të përshkruar prej Plutarkut; për më tepër, në drurin gjenealogjik të pasardhësve të tij, jo rastësisht janë shquar Pirroja I, Kastrioti-Skënderbe, si dhe Pirroja II Kastrioti-Skënderbe. Si përfundim, duhet të saktësojmë se vija: Aleksandri dhe Pirroja i Epirit – shqiptarët e sotëm, deri më sot, nuk është kundërshtuar nga asnjë dokument historik i vlefshëm.
Një repertor mjaft i pasur greko-romak, që asnjëherë nuk është hedhur poshtë, vërteton se Aleksandri dhe Pirroja, si molosë, ishin aecidë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Eakut, gjyshit të Akilit, i cili që nga Homeri është vlerësuar si mishërimi i vetë prototipit të pellazgut. Veç kësaj, diçka që është plotësisht e provueshme, ka vazhduar ngritja në shkallën e princit, pa asnjë qëllim të paravendosur, e tre nipërve të Skëndërbeut, që sanksionuan onomastikën pellazgjike, mjaft domethënëse, të paraardhësve të tyre parahistorikë: Akili I Kastrioti-Skënderbeu, Akili II Kastrioti-Skënderbeu dhe Akili III Kastrioti-Skënderbeu. Si pasojë logjike e këtij realiteti objektiv, lidhja gjenetike ndërmjet shqiptarëve dhe pellazgëve ka vijuar të imponohet që në zanafillën e epokës moderne, një e vërtetë tashmë e pranuar nga një ushtri specialistësh shqiptarë e të huaj.
Përfundimisht, origjina pellazgjike e kombit shqiptar, të pandarë prej Adriatikut, është provuar në mënyrë të padyshimtë, pa asnjë hije etnocentrizmi, nëpërmjet përputhjeve, ndihmesave, konvergjensave të pakundërshtueshme të mijëra të dhënave ndërdisiplinore, zakonisht të pabotuara, vendore, që u përkasin fushave të mëposhtme: historigrafisë, nunizmatikës, epigrafisë, fizikës radiometrike, kimisë (së metaleve, tokave etj.), etnologjisë, folkloristikës, gjuhësisë, onomastikës, etimologjisë, antropologjisë, hematologjisë, ballkanologjisë, etruskologjisë, jurisprudencës, paleografisë, statistikës, demografisë, klimatologjisë etj. Afër rivierës sonë, në jug të Buthrotit të lashtë, të cilin e donte aq shumë “Andromaka” e Rasinit të pavdekshëm, gjendet shpella paleolike e Kreshmoit, në të cilën janë gjetur më 1933 “ankorat e argjirit”, një “specialitet” gjithëmesdhetar eskluziv i pellazgëve, të quajtur prej kohësh zotër të deteve.
Një legjendë provinciale, e transmetuar brez pas brezi dhe e shtypur më 1875, e sjell lindjen e Zeusit pellazgjik të Dodonës, që është himnizuar nga “Iliada”, pikërisht te stanet e atit të tij, Kronosit, në rrethinat e qytetit të Anhiazmit ose të Onhezmit, që është emri i babait të Eneut, Ankizit, i cili me sa duket është varrosur këtu (sot Saranda, kryeqendra detare e jona në jug). Gjurmët e kultit të monarkut të gjithëfuqishëm të zotërve të Dodonës, me shpurën e tyre, e mbulojnë gjithë hapësirën adriatike. Tërësia e këtyre atributeve të posaçme, domethënë shqiponja, dushku, rrufeja, demi, shumë më tepër se kudo gjetkë, gjenden me bollëk në bregdetin tonë adriatik, si dhe në brendatokën, deri përtej kufinjve të Dalmacisë, të Peonisë dhe Dardanisë, Kosova e sotme. Në këtë krahinën e fundit kohët e fundit janë vënë re pesëdhjetë mbishkrime “zeusiane”, tashmë të botuara, në shfaqje të tjera të panumërta të trashëgimisë kulturore dhe të teogonisë pellazgjike. Duke mbajtur parasysh lashtësinë dhe vazhdimësinë kaq të qartë e të pandërprerë, studiuesi i shquar i Mesjetës, Alen Dyselje, ka thënë më 1981: “Historia na mëson se lidhur me Kosovën, serbët janë pushtues të ardhur mjaft vonë”…
Do t’i kapërcejmë hollësitë e bollshme për adhurimin e veçantë të secilës prej dymbëdhjetë hyjnive të Dodonës-Olimpit në mjedisin tonë, dhe do të ndalemi vetëm te hyjnesha e dytë e panteonit paragrek: Demetra, e njohur pa përjashtim nga të gjithë si hyjnesha e mirëfilltë pellazgjike, etimologjia e emrit të së cilës shpjegohet vetëm ndërmjet gjuhës shqipe. Shenjat e adhurimit të saj vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në vitin 1994. Çdo vit në një datë që nuk ndryshon, duke respektuar ritet pagane të paracaktuara “ab immemorabili”, fshatarët shqiptarë, në pjesën më të madhe gra, të besimeve të ndryshme, shkojnë të lahen veshur me rroba në plazhet tona të Adriatikut me qëllim që të kenë shëndet e pjellshmëri të vazhdueshme. Deri më sot gërmimet kanë zbuluar faltore, flijimore, skulptura, medalione etj. kushtuar këtij mishërimi karakteristik të matriarkatit dhe bujqësisë pellazgjike. Po të vështrohet sipërfaqja e territorit tonë, denduria e tyre është e habitshme, unikale në botën europiane…
Në një largësi jo të madhe nga porti “dardan” i Orikumit në bregdetin adriatik shqiptar, që në agimin e kohëve ndodh një dukuri tepër e rrallë, në rrethinat e fshatit Tragjas, (fshati i sotëm ka po atë emër Tragjas): prodhohet kripë edhe sot e kësaj dite në sasi të mëdha vetvetiu, pa asnjë përpjekje njerëzore, duke përfituar nga veprimi periodik i rrymave detare në gropat e vogla gjeologjike. Sipas fjalëve të Helanikosit dhe Stefan Bizantinit, përfytyrohej se atje ishte djepi i vërtetë i kripës së gjellës, ku Poseidoni, hyjnia tipike pellazgjike i detrave kishte krijuar për herë mbi tokë këtë lëndë të pazëvendësueshme gjatë jetës së njerëzve të vdekshëm…
Shumë kohë përpara luftës së Trojës lëvizjet migruese të pellazgëve e kishin përshkruar Adriatikun në drejtim të Apulisë, në grykëderdhjen e lumit Po… Virgjili dhe Aulu-Geli i vështronin këta lundërtarë si banorët e parë të Italisë; sipas Plinit, Solinit, Varronit, Tit Livit, Denisit të Halikarnasit, Ovisit, Tacitit, Higinit, Ceces… këta pellazgë çuan atje për herë të parë shkrimin dhe kulturën e artet. Sipas Denisit të Halikarnasit, Plini e Plutarku, ata madje kanë qenë themeluesit e vërtetë të Romës. Muret e famshme ‘pellazgjike’, ‘ciklopike’, ‘poligonase’, ‘megalitike’, ‘moenia aeacia’, që në një farë mënyre kanë mbetur të pashkatërrueshme deri në ditët tona, dalin zakonisht në gjithë rrethimin e Adriatikut, duke nxjerrë në dukje njësinë e tij. Po shënojmë kalimthi, se Athina vetë themelimin e murit të Akropolit të saj e lidhte me dy arkitektë ndërtues, pellazgët Agronalasi dhe Hiperbiosi, që janë përjetësuar nga Pausania. Më pas, rreth viteve 80-81 para erës sonë vëmë re një zhvendosje masive, me egërsi të padëgjuar në drejtim e përkundërt; 150.000 pellazgë etruskë, të dëbuar nga Gadishulli italik me urdhrin e diktatorit Sula, gjetën strehë të përhershme te bashkëatdhetarët e tyre në Molosi (Shqipëria jugore), e cila më parë ishte përgjakur dhe rrafshuar me tokën tërësisht nga xhelati romak Paul Emili. Kjo zhvendosje e tmerrshme me dhunë na është kumtuar e dëshmuar prej dijetarit frëng të shekujve të iluminizmit, Nikola Feretit, në veprën e tij “Observations”…
Aventurat e heroit legjendar Kadmit, Herkulit, argonautëve, të cilët janë cilësuar si pellazgë nga Lucien i Samosates, Diodori, Pausania, Liciforo e të tjerë, e lidhin ngushtë Adriatikun me stërgjyshët e popullit shqiptar nëpërmjet dyzinash të dëshmive domethënëse, të cilat për shkak të mungesës së kohës, nuk është e mundur të jepen më gjërësisht…
Diodori na mëson se ishulli kaonas i Korkyrës, i cili vetvetiu na sjell ndër mend binjakun dalmat, mban emrin e motrës së Pellazgut, stërgjyshen e përbashkët të gjithë pellazgëve. Më lejoni të citoj një shembull të shkallës së habitshme të arritur nga qytetërimi i tyre paragrek, katër mijë vjet më parë. Në këngën e shtatë të “Odisesë”, poeti, me akribinë e tij proverbiale, përshkruan pallatin e mbretit të pellazgëve feacinë, Alkinoosit në Korfuz:
“Herë shndriti nga një shkëlqim i beftë i diellit ose i hënës, herë shkëlqen banesa e lartë e shqitmadhit Alkinoos. Nga të dy anët e pragut shtriheshin muret e veshura me bronz deri në fund të pallatit; përsipër kanë një brez të kaltër; dyert janë prej ari; pragu është prej bronzi me ndërfutje argjendi; harku është prej ari; nga të dyja anët varen vargonj ari e argjendi, të cilët Hefesi i ka punuar me një art të mrekullueshëm… Brenda përgjatë gjithë mureve janë vënë frone të mbuluara me vela të holla e të lehta, punë dore grash. Aty ulen krerët e feacinëve… Në piedestal të ngritur mirë lartohen shtatore prej ari, që paraqesin djelmosha, të cilët mbajnë në duar pishtarët e ndezur dhe që natën ndriçojnë kthinat e Alkioosit…”
Përpara këtij shkëlqimi pothuaj prej dyzet shekujsh lind pyetja me të drejtë: a është kapërcyer ndonjëherë një madhështi e tillë përrallore?…
Përveç se historian, po edhe njohës i hollë i kësaj kulture ‘adriatike’ të paraardhësve tanë pellazgjikë e ilirë, Lamartini i paharrueshëm do t’i shkruante nga Iskia më 8 shtator 1844 atdhetarit e poetit tonë, Jeronim de Radës, luftëtarit të betuar kundër zgjedhës osmane të asaj kohe: “Jam i lumtur prej kësaj shenje të vëllazërisë poetike e politike midis meje e teje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe atje duhet të kthehet. Unë nuk kam meritë tjetër, veçse ta parandjej dhe të bëj urimet e para për lirinë e për ringjalljen e Shqipërisë…”
Nga pikëpamja gjuhësore, një numër i madh toponimesh rreth Adriatikut me mbaresën -one (-ona), që ndeshet te Dodone-Dodona, si Aenona, Avlona, Ancona, Aona, Arasona, Aulona, Bausiona, Blanona, Cartona, Cremona, Crotona, Chrysondyona, Flanona, Herona, Narona, Promona, Salona, Sationa, Scardona, Sulmona, Tariona, Triuncona, Verona etj… (për të mos u shtrirë më tej gjeografikisht), duket qartë se këtë po këtë mbaresë të emrit të kryeqytetit të pellazgëve, mëmës së qyteteve europiane. Vetëm analiza e toponimeve dhe etnonimeve primitive, të regjistruara prej kohësh në brigjet rethadriatike, do të na sillte në një përfundim mësimdhënës; një shumicë e emrave të tyre jo rastësisht shpjegohen etimologjikisht nëpërmjet shqipes, ose më mirë, përbëjnë një përkthim fjalë për fjalë nga gjuha jonë. (Dihet sesi Platoni në “Kratilin” e tij dënon rreptë maninë greke për kalkime, që shkaktohej kryesisht prej hegjemonizmit pa cak e kufi).
Tabloja e mëposhtme onomastike, ndonëse nuk është e plotë, përsëri është mjaft domethënëse.
Agrianes, Antibaris, Auendeates, Autariatae, Avendone, Barbanna, Bari, Bigeste, Bora, Bounima, Bretension, Brina, Brundisium, Busento, Busento, Bylazora, kepi Glotta, Dagnum, Dalmatae, Dalmatia, Delmion, Delminion, Daranti, Daranto, Dardani, Dardania, Dardapara, Dardi, Dassaretae, Dassaretia, Derriopes, Deuriopes, Dimallum, Durrachium, Emathia, Enchelana, Enchelanes, Eordea (Eordia), Gurasson, Gurbicon, Halsion, Helidones, Helidonion, Hellopia, Kerauniabore, Kroia (Kruja), Lamatis, Lim, Lopsi, Lopsoca, Malatis, Maledi, Maljena, Malontina (Maltein), Malontum, Maluentum, Maluntum, deti Croni dhe Rheae, deti Ionium, Mathis, Matoas, Metubarris, Molossia, Ombla, Omphalion, Opitergium, Pelagones, Pelagonia, Petra, Pirustae, Pistum, Ragusium, Rhizon, Sason, Scheria, Stena, Tara, Taras, Tarentum, Taria, Tarin, Tariona, Tariotae, Tarneum, Tarsatica, Tarus, Taulantii, Tergeste, Tergolape, tharandt, tirol, (tyrol), Tragurium (trogir), Trimallum, Ulcaea palus, Ulcianum, Ulcirus mons, Ulcisia castra, Ulco amne, Ulkinion, Vendenis, Vendum, Vindenis, Vindinid etj… (Ndonëse janë larg nga trevat adriatike, e meritojnë të përmenden në këtë rast, për shkak të rëndësisë së tyre të posaçme, vargmalet madhështore Beskidet dhe Karpatet, deti Baltik, Bizanti, Dardanelet, ishulli anatolik Karpathos…)
Nga ana tjetër, një shkencë eksperimentale, antropologjia, nëpërmjet korifejve të saj. J. Deniker, E. Pittard, na jep sigurinë se shqiptarët e sotëm e kanë prejardhjen e tyre drejtpërdrejtë nga pellazgët. Në Adriatik dalin metropolet tona antike: Durrësi, Apolonia dhe më në jug Buthroti, që të tria të lulëzuara shumë shekuj përpara themelimit të Romës, nëse i besojmë Apianit, Antologi Palatinit, Barletit, si dhe Apolodorit, Plutarkut, Pausanias dhe Teukerit të Cizikës, Virgjilit, Stefan Bizantinit…Deri në fillim të erës së re ato kanë përdorur pa ndonjë ndërprerje kalendarin e rëndësishëm pellazgjik të Bunimës, sipas mbishkrimeve tashmë të njohura. Teatrot e tyre, krahas atyre të Nikesë, Bylisit, Orikumit, Hadrionopolit, Foinikës, Dodonës etj. kanë shkëlqyer gjatë antikitetit me emrin e dëgjuar dhe dendësinë gjeografike… Ajka e aristokracisë romake i bënte të kapërcenin Adriatikun pinjollët e saj që ta përsosnin arsimimin e tyre dhe të specializoheshin te ne në fushën e filozofisë, letërsisë, arteve, pa përjashtuar artin ushtarak. Për këtë qëllim Jul Cezari pati zgjedhur Durrahiumin, një qendër e rëndësishme kulturore dhe ekonomike, me rreth njëqind mijë banorë, e cila ekspononte materiale të çmueshme (argjend etj.), esenca mjekësore dhe kozmetike shumë të kërkuara. Lidhur me Oktavian Augustin, Mark Vipsanius, Agripën, Mecenën, ata parapëlqenin Apologjinë tonë kundrejt Romës dhe Athinës, ndërsa Ciceroni, që e kishte parë në vend Apoloninë, e ka quajtur “mafnam urbem et gravem”.
Nga fillimi i shekullit XIII para erës së re, bashkëvëllai i pellazgut Akil, Diomedi – paraardhësi i Aleksandrit Molos, që shpëtoi nga lufta e Trojës, u end pa pushim nëpër pellgun adriatik. Ai i dha emrin e vet ishullit të Diomedit dhe një faltoreje “të adhurueshme e të shenjtë”, sipas Aristotelit të Scimnosit, duke e përfunduar atje poshtë harkun e jetës.
Pothuaj njëkohësisht Pirro Neotolemi, djali i arkipellazgut Akil, erdhi te plazhet adriatike të afërta me Buthrotin dhe mbretëroi në “viset e molosëve” (Prejardhjen e tij pellazgjike e kanë sanksionuar edhe Eniusi, Ovidi, Prisciani…) Në brigjet e Adriatikut, sipas Stefan Bizantinit, ai themeloi qytetin e Bylisit, që e përkujtonte në monedhat e veta. Thuhet se, nëpërmjet përzgjedhjes së përsëritur, ka përsosur një racë të lartë gjedhësh, që e kanë lëvduar me të drejtë Aristoteli, Teopompi, Varroni, Plini, Arriani, Eliani, Ateneu : ky lloj ka ardhur deri te rritësit e sotëm të racave rekorde. Akileidi, veç të tjerash, mbahet si krijuesi i një valleje tërheqëse, pirrikes, që ende vazhdon dhe lulëzon në Shqipëri…
Ndër studiuesit tanë mësimet e urta të një historie të tillë të gjatë ushqejnë dhe ndriçojnë të kaluarën e të ardhmen, kurdoherë në shërbim të paqes, të lirisë, të vëllazërisë mes popujve të Adriatikut dhe të mbarë botës… Plejada të tëra përfaqësuesish të shkencës franceze kanë dhënë ndihmesë të frytshme për ndriçimin e problemeve themelore të pellazgologjisë në kuadrin e kulturave mesdhetare. E ndiej veten të nderuar që këtu të bëj një homazh të përzemërt e të fuqishëm për ta, në veçanti për kujtimin e pashuar të Robert d’Anzhelisë dhe Dominik Briquel-it. Ata pajtohen të gjithë sesa e sigurtë është mirënjohja e popullit tonë, e “besës”, fjalës së dhënë të shqiptarëve, i cili kurrë nuk do ta harrojë bujarinë e popullit vëlla francez.
(Kumtesë e paraqitur në Kolokuimin ndërkombëtar “E kaluara dhe e ardhmja e Hapësirës Adriatike”, organizuar në Paris më 29 e 30 nëntor 1994 nga institucioni shkencor kulturor ndërkontinental “Horizont 2000”, nën kujdesin e lartë të ministrit francez të punëve të jashtme, Alen Zhupe.)
Përkthyer nga frëngjishtja nga prof.dr. Xhevat Lloshi



Dijetari i madh dhe i heshtur -

Kanë kaluar dhjetë vjet kur mediat franceze shkruanin me gërma të mëdha “Shqiptarët pushtojnë Francën”, ndërsa për të “shqiptari që korrigjon të folurën e francezëve”.

Nga z.Vasil Qesari - Francë




Prof.Dr Dhimitri Pilika,
konsiderohet si një nga dijetarët më të mëdhenj shqiptarë dhe, madje si pellazgologu më i mirë. Ishte njohës i shkëlqyer i 12 gjuhëve të huaja, mes të cilave 5 gjuhë të vdekura, si latinisht, greqishte e vjetër, hebraisht, kinezçen e vjetër, etj.

Ai lindi në Korçë më 30 prill 1923. Pasi mbaron Liceun Francez të vendlindjes fillon studimet pranë Universitetit të Sienës në Itali. Merr pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare në drejtimin e njësiteve guerile. Pas Çlirimit, në 1945 zgjidhet kryeredaktor i fletores "Zëri i rinisë", në Korçë dhe bashkëpunon ngushtë me gazetën "Përpara" të Korçës. Jep mësim në shkollat e mesme të Korçës, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës. Nderohet me dy medalje ari dhe i jepet titulli "Doktor" në histori dhe gjuhë shqipe pranë Fakultetit të Filozofisë, si dhe në romanistikë - helenistikë tek Fakulteti i Fiogjisë pranë po të njëjtit Universitet të Pragës. Themelon dhe drejton "Seminarin shqiptar", qendër e nderuar studimesh dhe kërkimesh albanologjike pranë Universitetit të Karlit në Pragë, ku ngarkohet si profesor me ligjërimin e mbarë disiplinave albanistike.

Gjatë një qëndrimi afro 15-vjeçar nxjerr në dritë, 64 botime çekosllovake me brendi arbërore, si monografi - dorëshkrim, tekste akademike, fjalorë, tekste per gramatikën, historinë e përgjithshme dhe letërsinë, antologji të këngëve tona popullore dhe partizane, kushtetuta jonë shtetërore, vepra "Shqipëria vend shqiponjash" në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, rusisht, ribotimi i "Fjalorit" të Konstandin Kristoforidhit etj. Gjurmon gjithçka që lidhet me Shqipërinë në letërsinë, artin, shkencën, kulturën çekosllovake në përgjithësi dhe sjell në Shqipëri 30 arka me dokumente të rëndësishme, apo siç i quante “albanica”. Mes tyre renditen dorëshkrimet e “Bletës” së Thimi Mitkos, vulat e Skënderbeut, dorëshkrime mbi Arbërinë, Voskopojën, Gjergj Kastriotin, etj.

Kthehet në Tiranë pas prishjes së marrëdhënieve me Çekosllovakinë dhe fillon punën pranë Universitetit të Tiranës dhe vazhdon me zell punën shkencore dhe kërkues. Vazhdon të botojë studime e monografi, si dhe zbulimet e rralla e bëra në Çekosllovaki, si 21 dokumente që vërtetojnë praninë e shqiptarëve në trojet amtare mes shekujve II dhe XI të erës sonë, dorëshkrimin e një poeme të pabotuar, prej mëse 1500 strofash tëtërrokëshe në italishten mesjetare, mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe një pafundësi materialesh të tjera.

Internohet në fshatrat e Lushnjes, ku edhe atje vazhdon të punojë. Kur ndodhi kjo, Lasgush Poradeci, miku i tij, do të shkruante : “Bretkosat e ugarit se ç’vranë drenë e malit”. Pas viteve ’90, do të vazhdojë aktivitetin e tij dhe do të jetë një nga emrat më të lakuar në sesionet shkencore.

Vdes në spital në 31 dhjetor 2003, në mjerim dhe vetmi të plotë.


-----------------------

DHIMITER PILIKA, VDEKJA PA BUJλ E DIJETARIT

Dr.MOIKOM ZEQO

Mëngjesin e 31 dhjetorit që kaloi, isha nisur për në qytetin e Shkodrës për t'i dërguar kopjet e para, doktoreshë Terezina Sumës të librit "Familja Suma" të shkruar prej saj. Ky libër është historia e një familjeje shqiptare që përmendet nga kronikat që nga periudha anzhuine, në periudhën e principatave shqiptare, të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe në shekujt e mëvonshëm. Kjo familje e famshme me histori të dokumentuar gati 800-vjeçare ka pasur personalitete të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës, klerikë, madje prelatë në Vatikan, konsuj në Venedik, në Sankt Peterburg, në Jeruzalem, tregtarë të mëdhenj, njerëz të dashuruar me artin, me librat dhe pikturat. Ky libër është një modul se si mund të shkruhet historia e një familjeje si pemë gjenealogjike, hap hulli të reja në rrafshin disiplinor shkencor për studime të ngjashme dhe të shumëfishta. Pikërisht në shtëpinë e Terezina Sumës, një grua e jashtëzakonshme dhe e ditur, tashmë e moshuar, mjekja më e njohur e zemrës në Qytetin e Veriut, më ra telefoni celular dhe një miku im, një nga studiuesit seriozë të letërsisë, Kristaq Jorgji më vuri në dijeni me pikëllim se kishte vdekur në spital Prof. Dr. Dhimitër Pilika. Duke pasur një gjendje shpirtërore midis gëzimit të një libri dhe një hidhërimi të beftë vendosa menjëherë të kthehem me shpejtësi nga Shkodra në Tiranë për të marrë pjesë në varrimin e Pilikës, për t'i bërë nderimet e fundit. Rrugës sillja ndërmend tërë vitet e gjata të njohjes sonë të përbashkët. E kam njohur Pilikën që në fund të viteve '60 të shekullit të kaluar. Shkak u bë botimi prej tij për konferencën e parë albanologjike të një numri të veçantë dokumentash që Pilika i quante "Albanica". Këto dokumenta qenë jashtëzakonisht të rëndësishme. Për herë të parë ai botonte vulën origjinale të kancelarisë kastriotase, vulën sekrete në formë geme antike po të Skënderbeut që paraqiste një skenë mitologjike, një vajzë ****, Ledën pellazge dhe pranë saj Zeusin në formë mjellme. Pilika qe një mesjetarolog i shquar dhe bëri zbulime substanciale për Mesjetën Shqiptare. Ai me një ngulm benediktian, me një durim dhe zell të paepur hulumtontearkivat e huaja për të nxjerrë në dritë relike të patjetërsueshme të historisë së Shqipërisë. Gjatë viteve kemi shkëmbyer mendime dhe kemi respektuar njëri-tjetrin seriozisht. Ai qe një njeri i veçantë me një kod mirësjellje dhe me një modesti habitëse, madje tronditëse. Ai ishte i kujdesshëm dhe gjithmonë me merrte në telefon për shkrimet apo librat që unë botoja. Unë kam mësuar shumë nga instinkti i tij i hulumtimit, nga akribia dhe dashamirësia e tij e madhe. Por veçanërisht dhjetë vitet e fundit miqësia jonë u bë më e madhe. Unë kam qenë një nga miqtë e tij më të afërt dhe kam shkuar shpesh në shtëpinë ku banonte, në një dhomë plot me libra dhe dorëshkrime. Pilika jetonte në një apartament me familjen e vëllait të tij, në një ngushticë të rëndë, pa studio dhe tepër i kujdesshëm që të mos shqetësonte në asnjë mënyrë familjarët. Zbrisnim shpesh në një klub të vogël ku bisedonim gjatë. Bisedat qenë vazhdimisht për historinë, për këtë Nënë të Kujtesës. Kultura e Pilikës qe ajo e një eruditi të madh. Ai qe një frankofon i shkëlqyer por njihte mirë edhe latinishten, disa gjuhë sllave etj. Kishte një interes të madh për arkeologjinë dhe qe i mirëinformuar për zbulimet më të fundit në këtë dije. Sa herë kam diskutuar me Pilikën sidomos për problemin e pellazgëve për të cilin ai kishte një pasion të pabesueshëm. Kam lexuar në dorëshkrim disa libra të tij ende të pabotuar. Libri më i madh afro 1000 faqe është libri pellazgjik. Një libër tjetër i kushtohet figurës së Pirros së Epirit. Libra të tjerë janë kulturologjikë por ai gërsheton fiogjinë me dokumentacionin, arkivistikën me kriticizmin burimor të të dhënave. Veprat e tij të botuara në shtypin shkencor, si dhe ato të pabotuarat mund të përfshijnë mbi dhjetë vëllime të formatit të madh.

Dhimitër Pilika qe një njeri larg bujës. Ai respektonte sentencën e Senekës për të qëndruar larg publicitetit, tepër serioz dhe tepër i sinqertë ai thurte në vetminë e tij të vështirë veprën e vet. Mik i të tërë intelektualëve me emër ai qe sidomos mik me Lasgush Poradecin. Të rinjtë e njohin pak apo aspak këtë dijetar. Unë që përfaqësoj moshën e mesme mund të bëj një ndërlidhje dhe mund të them se Dhimitër Pilika qe një nga dijetarët më punëtorë por dhe më të heshtur të shkencës shqiptare. Jam i sigurt që ai do të vlerësohet më shumë në të ardhmen. Kurrë nuk do ta harroj atë ditë kur Dimitër Pilika i dhuroi Arkivit të Muzeut Historik Kombëtar dorëshkrimin e fotokopjuar të një vepre mbi 800 faqe të shkruar në latinisht por dhe me shkrime në greqishten e vjetër, bizantine, madje dhe arabe dhe hebraike të quajtur "Lashtësitë ilire". Një kopje të këtij dorëshkrimi që i takon shekullit XVIII donim t'ia çonim Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës. Qe vendosur të bëhej një ceremoni me këtë rast në Prishtinë ku do të ishte i pranishëm dhe Dhimitër Pilika. Madje unë u mora dhe me nxjerrje e pasaportës së tij të re për të dalë jashtë shtetit. Por kjo pasaportë ka mbetur në një nga sirtarët e tavolinë time të punës në zyrën e Muzeut Historik Komëbar. Donim të shkonim në fillim të pranverës së vitit 2004 në Prishtinë por ja që ndodhi që dita e fundit e jetës së Pilikës qe pikërisht dita e fundit e vitit 2003.

Për shkak të festës së Vitit të Ri vdekja e Dimitër Pilikës nuk u kumtua nga asnjë media elektronike dhe nga asnjë organ i shtypit të shkruar. Duket sikur heshtja dhe vetmia e korracoi përfundimisht emrin e këtij njeriu. Por unë nuk besj në mitin e heshtjes dhe të mospërfilljes ndaj këtij njeriu. Ai jetoi jashtë bujës dhe vdiq absolutisht pa bujë. Por tjetër është buja mediatike dhe tjetër është vlerësimi i vërtetë dhe i pashërueshëm dot i emrit të këtij njeriu

***

Prof.Dr Dhimitër Pilika u lind në gjirin e një vatre atdhetare të Korçës, më 30 prill 1923. Gjyshin i tij, Thimi Mitko e rendit ndër rilindasit e flaktë për botimin e "Bletës shqiptare" (1878).

Pasi mbaron Liceun Francez të vendlindjes me rezultate të shkëlqyera, fillon studimet pranë Universitetit të Sienës (Itali), ku dallohet si absolvent i Fakultetit të Drejtësisë.

Merr pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare në drejtimin e njësiteve guerile duke siguruar medikamente për qindra demonstrues të plagosur, si dhe për batalionet partizane të qarkut, nëpërmjet katundit Orman- Çiflik.

Pas Çlirimit, në 1945 zgjidhet kryeredaktor i fletores "Zëri i rinisë", në Korçë. Bashkëpunon ngushtë me gazetën "Përpara" të Korçës (1944-1945), ku shkruan kryeartikuj, ese historike dhe letrare, skica, poemën "Borovës dëshmore", një studim të gjatë për komunarin Pol Verlen, të shoqëruar me shqipërimin e kryeveprës poetike të këtij vigani të përmasave botërore. Jep mësim në lëndët shoqërore të shkollave të mesme të Korçës, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës.

Nderohet me dy medalje ari dhe i jepet titulli "Doktor" në histori dhe gjuhë shqipe pranë Fakultetit të Filozofisë, si dhe në romanistikë - helenistikë tek Fakulteti i Fiogjisë pranë po të njëjtit Universitet të Pragës.

Themelon dhe drejton "Seminarin shqiptar", qendër e nderuar studimesh dhe kërkimesh albanologjike pranë Universitetit të Karlit në Pragë, ku ngarkohet si profesor me ligjërimin e mbarë disiplinave albanistike, të cilave u njihet e drejta unikale krahas vetëm bohemistikës edhe rusistikës, për doktorata me "monostudim" të vlefshme në shkallë ndërkombëtare.

Gjatë një qëndrimi afro 15-vjeçar në prehrin e një prej çerdheve universitare më të të moçme evropiane, dijetari i ri shqiptar, gjen shtegun të thithë ajkën e përvojës më të vyer për kombin tonë nga qindra biblioteka, institute, katedra, muze, arkiva, ekspozita, kongrese shkencore... Përpos shërbimit pedagogjik të shpërblyer, armik i betuar i çdo lakmie për pasurim monetar, ai i shton punë vetes dhe udhëheq me nismë vetiake, falas, ndër të tjera, përpilimin edhe nxjerrjen në dritë, me ndihmën e studentëve dhe bashkëpunëtorëve, të 64 botimeve çekosllovake me brendi arbërore. Përmenden: monografi - dorëshkrim, tekste akademike, fjalorë, tekste per gramatikën, historinë e përgjithshme dhe letërsinë, manuale konversacioni, antologji të këngëve tona popullore dhe partizane, kushtetuta jonë shtetërore, planet ekonomike (dyvjeçari dhe pesëvjeçari i parë), albume, buletine, broshura, fletëpalosje, hartë dhe atlas gjeografik, përkthime të ndryshme prej mijëra faqesh, vepra "Shqipëria vend shqiponjash" në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, rusisht, ribotimi i "Fjalorit" të Konstandin Kristoforidhit etj... etj...

Përveç lëmit didaktik dhe botues, studiuesi ynë i kushton një mund të pandërprerë gjurmimit të gjithçkaje që lidhet me Shqipërinë në letërsinë, artin, shkencën, kulturën çekosllovake në përgjithësi. Korrjet edhe në këtë drejtim dalin befasuese. Ai heton dhe përcjell në atdhe, pa pranuar kurrfarë pagese, tridhjetë arka madhore të mbushura kryesisht me "albanica" nër të cilat spikasin:

a. Trashëgimia e botuar dhe dorëshkrimore prej disa mijëra fletësh e albanologut të dëgjuar çek, Profesorit Jan Urban Jarnjik (1848 -1923), rektor i Universitetit të Pragës, zotëruesi më i mprehtë i shqipes së folur, ndoshta midis tërë albanologëve bashkëkohës. Aty përfshihet sidomos vëllimi manuskript "Mjaltë nga bleta shqiptare", simotra klasike e panjohur dhe e pabotuar e "Bletës" aleksandriane të Thimi Mitkos, një epistolar ologrif albanologësh të shquar, një letër e Bajram Currit... (Origjinalet ruhen pjesërisht në Drejtorinë e Arkivave të Shtetit, Tiranë, së bashku me një libërth të botuar në Pragë mbi këtë mirëdashës të zjarrtë çek të vendit tonë... ) etj... etj...

b. Arkivi prej mijëra dokumentash, ende të painventarizuara të rilindasit sllovak, Profesorit Pavel Jozef Shafarik (1795 -1861), i fal mundësinë të hulumtojë dhe të pikasë midis të tjerash, 300 vula ballkanase të zbuluara nga ky historiograf i mirënjohur në Evropë. Riprodhon ndërmjet tyre, vulat e Skënderbeut, shtetëroren dhe sekreten, të përdorura rreth vitit 1466, "myhyret" e Balshëve tanë (rrotull viteve 1373 - 1385, vulën e Aleksandrit, zotit të Kaninës dhe Vlorës, (1368)... Aty has 550 faqe dorëshkrim me toponime dhe shënime mbi vendbanime arbërore qysh nga Lashtësia deri në shekullin XIX, qindra punime, dorëshkrim mbi Arbërinë dhe Gjergj Kastriotin, si dhe mbi ngjarjet tona historike të viteve 1142 - 1206, mbi shtypshkronjën e Shkodrës (1630), të Voskopojës (1746).

Shafariku shprehet qartë se qe thelluar mbi librat e humanistëve tanë, Marin Barleti dhe Pjetër Bogdani. Për këtë minierë të pashtershme burimesh historike të pashfrytëzuara, kërkimtari shqiptar,Pilika e quan për detyrë të ketë vënë në dijeni, së pari, mikun e vet medievistin e famshëm francez, profesorin Alain Ducellier.

C. Dhjetëra biblioteka dhe arkiva të tjera çekosllovake i japin mundësi ekspertit tonë të zbulojë: qindra burime dhe botime të panjohura mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, posaçërisht portrete, një letër autentike e heroit, dy vepra dorëshkrime origjinale, të pabotuara, të historiografit kastriotolog , Gabriel Kolinories (1698 - 1770), nga Seneci i Sllovakisë, (i cili nuk përjashtohet të ketë pasur gjak arbëror); gura prageze vendimtare, të anashkaluara, mbi mbrujtjen artistike të aktorit tonë gjenial, Aleksandër Moisiu; të dhëna mbi poetin madhor çekosllovak Stanjislav Kostka Nojmann (1875 - 1947), autor i dy librave në prozë, "Elbasan" dhe "Beragozhd" (fshat afër Pogradecit), i qindra vargjesh të përzemërta mbi truallin tonë, i 31 miniaturave akuarelë me motive elbasanase, dëshmi, fotografi të panjohura mbi korifeun e albanologëve, Profesorin Norbert Jokl (1877 - 1942), risi mbi albanologun , Profesorin Hertrig Jarnjik (1877 - 1938), të birin e Jan Urbanit, adhurues i shqiptarëve gjithashtu si i ati. Shkurtimisht, mbarë "albanica-t " e zbuluara në Çekosllovaki, sikur të botoheshin, do të mbusheshin vargane raftesh biblioteke. Një pasqyrë sintetike e këtyre thesareve çeke, janë përmbledhur në aktet e botuara të Konferencës së Parë të Studimeve Albanologjike, (Tiranë, 1962), dhe te revista "Ylli", nëntor 1962.

Poema "Hapini rrugën paqes!..." (1951), e përkthyer në mëse dhjetë gjuhë, çmohet nga një juri interkontinentale, me në krye, Nazim Hikmetin, Nikolas Guilenin..., e cila do t'i dhurojë Dhimitër Pilikës, në Pragë, Diplomën e Artë si Laureat i Çmimit Ndërkombëtar të Paqes...

Veprimtaria e gjithanshme albanologjike e "Seminarit shqiptar" të Universitetit të Pragës, nën drejtimin e shkencëtarit tonë, vlerësohet me lavdërime prej një trajtese të botuar nga Akademia Çekosllovake e Shkencave (1954).

Pas prishjes së marrëdhënieve me Çekosllovakinë, albanologu ynë do të transferohet nga Universiteti i Pragës në Universitetin e Tiranës, ku boton vëllimet: "Dorëshkrimi i Pragës" vëllimi i dytë; "Bletës shqiptare", "Historia e Skënderbeut" e Naim Frashërit (edicion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë).

Në Shqipëri shohin dritën e shtypit gjithashtu studimet mbi: "Lidhjet miqësore ndërmjet popujve çekosllovakë e shqiptarë përgjatë shekujve"; 73 studime "albanica-sh, vulën shtetërore të Skënderbeut (1466); prejardhjen e shqiponjës së flamurit tonë; një letër të panjohur dhe të pabotuar të Gjergj Kastriotit; gjeneralisimi shqiptar Gjergj Basta; një dokument për Vlorën, i vitit 1493, saktësimi i ditëlindjes edhe ditëvdekjes së Thimi Mitkos (1820 - 1890); 21 dokumenta, që vërtetojnë katërcipërisht praninë e shqiptarëve në trojet amtare mes shekujve II dhe XI të erës sonë; vëllimet "Arbërore" të poetit çekosllovak S.K.Nojman; një portret letrar të Nojmanit; një ese për Pablo Nerudën, të shoqëruar me shqipërimin e një poezie të tij për Shqipërinë; një sprovë për Jirzhi Volker, poetin çekosllovak mik të popullit tonë; një trajtesë për poetin turk Nazim Hikmet, të përcjellë me shqipërimin e një poezie të tij, ndërsa ky dergjej i burgosur; shqipërimin e poezisë së Aragonit për Gabriel Perinë; një syth për Galileo Galilein lidhur me një poemë "Kastriotase"; kërkesën për një bibliograf shkencor të krejt degëve të albanologjisë; një sprovë të gjatë për Volterin dhe shqiptarët etj... Redakton vëllimin e dytë të romanit "Para agimit" të Shefqet Musarajt, një përmbledhje poezish të Vehbi Skënderit, monografinë e Pal Doçit mbi Mehmet Shpendin, etj.

Në orvajtje të pareshtura për të gjetur "albanica" të panjohura, zbulon:

- Një dorëshkrim të pabotuar të shekullit XIV, prej rreth 240 faqesh, me gurra historike mbi qytetet tona mesjetare.

-Emblema trevash të Arbërit, prijësish stërgjyshorë...

- Monedha të shekullit V, në këmbët e një ure të gurtë pranë Maliqit.

- Monedha të shekullit XII, rrëzë një ure druri afër Maliqit.

- Një burim historik që shpjegon imtësisht se si nën shembullin e prishjes së Bastijës 1789 muslimanë korçarë, me vullnet të përbashkët, rrënojnë nga themelet, gur më gur, kështjellën e hershme qytetare, simbol të shtypjes sulltanore (1826).

- Një anëshkrim të rilindasit Thimi Mitko, i cili hynte dhe dilte në familjen e Mehmet Aliut të Egjiptit, ku garantohet se i pari i saj nuk rridhte nga Kavalla, por nga katundi Bubuq pranë Sovjanit (Korçë).

- Një poemë, dorëshkrim e pabotuar, prej mëse 1500 strofash tëtërrokëshe në italishten mesjetare, mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

- Fotokopja e plotë e organit të Lidhjes së Prizrenit, "Zëri i Shqipërisë" me 40 numra (1879 - 1890), e botuar shqip dhe greqisht prej mëmëdhetarit Anastas Kullurioti (1820 - 1887), që i dhurohet Bibliotekës së Universitetit të Tiranës (1967).

I përgjëruar pas gjenisë së popujve, mendimtari ynë qëmton burime prej mijëra skedash mbi marrëdhëniet miqësore midis popullit shqiptar dhe popujve çekë, sllovakë, francezë, italianë, kinezë...

Përbri "albanica"-ve të mësipërme, ruan pranë Muzeut Historik Kombëtar edhe këto dorëshkrime të pabotuara:

- Nj-_nografi prej qindra faqesh mbi jetën dhe veprën e flamurtarit rilindas, Thimi Mitko.

- Një bibliografi të folklorit shqiptar prej mijëra gjurmimesh.

- Analizën e një pasqyre të gjinive përfaqësuese të folklorit tonë, dorëshkrim tjetër, i panjohur, i Thimi Mitkos.

- Një bibliografi të poetit kombëtar Naim Frashëri.

- Një syth mbi shkrimtarët me prejardhje shqiptare në letërsinë turke.

- Një trajtesë mbi yllin e një monedhe të Aiakut pellazg, pararendësit të Pirro Mollosit dhe Akilit, të trashëguar brez pas brezi, përkrah shqiponjës në vulën shtetërore të Skënderbeut, provë tjetër e zanafillës pellazge-ilire të kombit arbëror.

- Parashtesën e "albanica"-ve të tjera të ndodhura në arkiva të jashtme: Çeki, Sllovaki, Francë, Itali, Greqi, Egjipt, Turqi...

Këto vepra, të trashëguara nga 30 arkat me "albanica" të vjela në Çekosllovaki, ngazëllenin pa masë dashamirësit e shkencës sonë, po aq sa pikëllonin xhelozinë e mendjeve shterpe "më të tmerrshmen e xhelozive", sipas Shekspirit. Për një dukuri të tillë ngulmon Anatol Fransi: "Armata e panumërt e të patalentuarve do të të paditë se ke përdhunuar tët ëmë, se ke masakruar tët atë... dhe do të gjejë ditën të të ngulë thikën..."

Smira vrastare e kolegëve të tij të paaftë, të nxitur dhe nga interesa racistësh të huaj, e përplas historianin premtues nëpër baltërat e Myzeqesë pa kurrfarë faji për dhjetëra vjet, me qëllim asgjësimin. Por ai, i palodhur, nuk dorëzohet kurrsesi, edhe pse i dënuar përdhunisht, pa familje, pa banesë, pa bibliotekën dhe arkivin e tij të ngjeshur me margaritarë të rrezikshëm për veglat antishqiptare mes nesh...

Ai lektis pas popullit mahnitës myzeqar dhe nga nga kjo dashuri e prushtë lindin arritje madhështore. Me ndihmën e nxënësve mbledh 22000 këngë popullore, mijëra toponime dhe gojëdhëna, ngre dhe plotëson me eksponate të zhbiruara në livdhet anë e përqark, Muzeun Historik të Divjakës, Muzeun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për krahinën e Lushnjës, projekton muzeun e Kongresit Kombëtar të Arsimit (Lushnjë 1920), çel kurse të anglishtes dhe frëngjishtes për të rriturit, zbulon 7 punishte të stërhershme qeramike në rrethinat e Divjakës me emra pronarësh pellazgë, ilirë, nekropolet parailire të Bishtçukësit edhe Gërmënjçokut, një mozaik midis këtyre, dëshminë e pakundërshtueshme anzhuine se kështjella e Bashtovës është ndërtuar nga muzgu i shekullit XIII dhe aspak më vonë, mauzoleun dhe kalanë e Muzaqëve në Moglicë, tuma dhe dhe një mur pellazg pa llaç, Nusen e Kulanit, një terrakotë me kryet e hyjneshës pellazge Dhemetra, monedha të stërmoçme dhe mesjetare, amfora,vazo parailire, bazorelievin e një menade pellazge, njohuri të shkruara arkivore për Matrangët, prijës mesjetarë etj., etj. Gjithçka kryhet në mënyrë shembullore pa përfitime financiare, jashtë çdo detyrimi për një arsimtar tetëvjeçareje.

Pas ropatjesh raskapitëse dhe traumatizuese gjatë tri motesh pa marrë as dhe një ditë leje vjetore, ai sëmuret rëndë me kërcënim për jetën. Cfilitësit nuk ngopen me kaq. Pasi e rrasin në shtrat për vdekje shkaktari ballor shpall nga maja e kolltukut, se kush rri kot, të burgoset si parazit....! Lasgushi e damkos botërisht këtë krim bishar me vargjet:

"Bretkosat e moçalit

se ç ?vranë drenë e malit...!"

Edhe pse i sëmurë rëndë ai lihet vijimisht pa mjete jetese pa pension, por nuk e lëshon veten, sado i gjymtuar keq. Në kushte mjerane nuk e ndan penën nga dora.

***

Pa shkelur ende në të dymbëdhjetat, çamarroku korçar pat lexuar dy vëllimet e juristit çam, Kostandin Karapano, bashkëshkollor i Ismail Qemalit, mbi zbulimin e Dodonës, kryeselisë së pellazgëve hyjnorë, botuar më 1875, sipas këshillave të Plakut Vlonjat. Nga rinia deri në pleqëri të thyer, atdhedashësi ynë nuk e gëlltiti dot gënjeshtrën e përhapur me mjeshtëri, "kinse paska kryeqytet të pellazgëve në Ballkan të rënë prej qiellit, pa banorë, të cilësuar "qenie përrallash", pa palcë historike!". Gjatë dhjetëvjeçarësh lëvruesi këmbëngulës përpihet prej kësaj të vërtete të prekshme dhe përfundon me disa ekzemplarë monografinë gati për botim, mbi prejardhjen pellazgo-ilire të popullit tonë, më të lashtën duke u mbështetur mbi mëse 5000 dokumenta rrënjëse dhe të huaja.

Merr ftesë për të mbajtur në "Palais du Luxembourg", Paris, një referat gjatë Kongresit "Hapësirë adriatike", ku ishin ftuar 600 eruditë nga 5 kontinente. Dokumenton me dëshmi specialistësh të huaj dhe shqiptarë se, populli ynë është më i vjetri në Evropë. Teza e botuar ngjalli jehonë në rrethet akademike (1994).

Në Seminarin Ndërkombëtar të Shkodrës, në 1995, Pilika paraqet punimin "A është Shkodërlokja parailire, pellazge?...", që pritet me interes të veçantë.

Me 16 intervista në Radio Tirana demonstron se flamuri shqiptar është më plaku ndër shokët evropianë (1995).

Gjatë Kuvendit të Durrësit, për Aleksandër Moisiun, në 1995, me anën e 300 kumtimeve arkivore, faktoi se: "aktori më i madh në botë" sikundër është mbiemëruar, mbërriti me djersën e tij tek teatri i Pragës, nga figurant, në kryeaktor si krijesë e vetvetes dhe aspak si e regjisorit Maks Lainhart, siç është thënë.

I jep shtypit parathënien dygjuhëshe në fjalorin shqip-frëngjisht të profesorit të vet, Vedat Kokona (1998).

Në sesionin përkujtimor, në Universitetin e Tiranës, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Balzakut, Pilika paraqiti të dhëna të hollësishme për mjeshtrin francez, i cili më 1828, kish bërë një përmbledhje këngësh popullore shqiptare prej rreth 300 faqesh të përkthyera frëngjisht (1999).

Më 14 maj 1999 boton një kushtim të rrallë në mbrojtje të vëllezërve shqiptarë të Kosovës.

Grishet zyrtarisht në Pragë nga profesorë çekosllovakë, për hulumtime akademike dhe sjell së andejmi shumë "albanica" të reja (2000).

Kumtesën "Përse ishte Lasgushi adhurues i flaktë i Kosovës" dhe një letër tetëfaqëshe të poetit ia bën të njohur seminarit ndërkombëtar të Prishtinës (2001).

Nderohet nga qeveria e Republikës Franceze me ftesë zyrtare njëmujore për kërkime shkencore në Paris. Përveç qindra dokumenteve të zbuluara për lidhjet midis popujve francezë e shqiptarë, ai sjell në Tiranë riprodhimin e një vepre unikale për historinë e Shqipërisë. Falë ndihmesës fisnike të profesorit Dominique Briquel, i cili vuri në përdorim aparaturat e sofistikuara me rreze lazer, duke i sjellë kombit shqiptar një kopje të traktatit historik, gjeografik, enciklopedik, të zbuluar në një arkiv mesjetar italian nga iluministi ynë, Dhimitë Pilika. Dorëshkrimi prej 1040 faqesh format madhor në latinisht, i është dhuruar arkivit të Muzeut Historik Kombëtar.

Dhimitë Pilika, si personalitet i shqur i kulturës shqiptare, është ftuar për të marrë pjesë dhe për të mbajtur ligjërata në disa kongrese shkencore ndërkombëtare në College de France, Paris etj.

Poligloti ynë përdorte dhe shfrytëzonte dhjetë gjuhë të huaja.

KRIJIME NGA POETJA E RE, ALBULENA GANI PLLANA




Albulena Gani Pllana u lind në Vushtrri, më 28 shkurt 1992. Në moshë shumë të re filloi të thur vargje për të dashurit që e rrethonin, për librin dhe për lodrat e veta. Takimi me mësuesen në moshën gjashtë vjeçare në klasën e parë në SHF “ILIRIA” në Prishtinë i hapi horizont të ri të vazhdojë me shkrime letrare, vjersha e tregime të shkurtra. Poezinë e parë “Mësuesja ime” e botoi në revistën “Pionieri” derisa ishte nxënëse në klasën e katërt fillore. Librin e parë me poezi për fëmijë “Dashuria për lulet” e botoi më 2004. Ky libër u mirëprit nga arsimtarët dhe nxënësit e shkollës. Poezi e tregime botoi në revistën e shkollës “Flamuri , pastaj në revistat për fëmijë “Pionieri”, “Zog mëngjesi”, si dhe në revistën “Shkëndija” . Me të përfunduar të semimaturës, i vazhdoi mësimet në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Gjimnazin e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Tani është studente, në vitin e dytë, në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filologjik, Departamenti i Gjuhës angleze në Prishtinë.
Në vitin 2011 ka botuar poezinë “Nëna Terezë” në revistën elektronike “Dielli Demokristian” në Vjenë.
Libra të botuar
“Dashuria për lulet”, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2004.
“Në pritje”, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2005.
“Njomëza arbërore për pavarësi”, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2005.
“Doli Ylberi”, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006.
“Zana dhe miku i saj dreri”, tregime për fëmijë, Prishtinë, 2007, 2010 (botim i dytë i plotësuar).


Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Kësaj radhe, po u paraqesim disa krijime të poetes së re, Albulena Gani Pllana, nga Prishtina. Ato janë të shkëputura nga vëllimi i saj me titullin, “Si e kam, atë Kosovë?, i cili doli në qarkullim këto ditë.
Ka lindur në Vushtri, më 22 shkurt 1992. Arsimin nëntëvjeçar dhe gjimnazin i ka përfunduar në kryeqytetin e Kosovës. Aktalisht, është studente e degës së gjuhës angleze, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Sigurisht, kjo gjë e ka muëndësuar atë të lexojë edhe literaturë nga autorë të huaj.
Ka nisur të shkruajë poezi që në moshë të re. Së pari, radhazi, publikoi librat për fëmijë, “Dashuria për lulet”(Prishtinë, 2004), “Në pritje”(Prishtinë, 2005), “Njomëza arbërore për pavarësi” (Prishtinë, 2005) e “Doli ylberi” (Prishtinë, 2006). Ndërsa më tej, pra një vit më vonë, publikoi librin me tregime, përsëri për moshën e të vegjëlve, “Zana dhe miku i saj, dreri” (Prishtinë, 2007). Pas një “pushimi”, por dhe duke u pjekur në fushën e krijimit poetik, tani ajo po del para lexuesve të saj me librin e gjashtë, kushtuar vendlindjes, Kosovës së dashur të saj. Siç është e kuptueshme, në vargjet e këtyre poezive është e theksuar dashuria për vendlindjen, për Kosovën e Shqipërinë dhe për të gjitha trojet arbërore.
Në mbyllje dëshiroj të përmend këtu pak radhë, që ka shkruar në recensionin e tij, Asllan Qyqalla:
“Plot ndjesi, plot art, plot figura të përdorura në vargjet e poetes i gjejmë edhe në poezitë: Në qytetin e Lidhjes së Prizrenit, Nëna Terezë, Na iku mjekja Remë, Si e kam atë Kosovë etj. Janë këto poezitë e poeteshës Pllana, e cila hapëron drejt shtigjeve të artit poetik, duke na dhënë tablo të bukura në koloritin e fjalëve plot laryshi, me figura të cilat e gjallërojnë në tërësi artin e të shkruarit të saj. Ne i dëshirojmë suksese të shumta, në botën artistike e, në veçanti, në poezi!”




Kopertinat e librit të ri, nga Albulena G.Pllana (Prishtinë, 2012)

Poezi nga Albulena Pllana

1.- MË QANTE SHPIRTI…

Isha në qytetin e minatorëve, në Mitrovicë
Vështroja kalimtarët nga këmbët deri te koka,
Fytyra të ngrysura nga skamja e mjerimi,
Ecejaket e tyre ishin pothuaj të kota!!!

Disa të vjetër mbanin nipat e mbesat,
Disa të tjerë mbaheshin mbi bastune,
Gocat e reja me çanta për parfumeri,
Aty këtu shihja ndonjë të ri!

Qyteti gumëzhinte nga makinat e vjetra,
Qëndroja pranë një rrethrrotullimi,
Aty afër një furrë buke dhe ëmbëltore,
Ndonjë vogëlush blinte kornet-akullore!

Andej, rrugës një librari që të binte në sy,
Vështroja a mos hy njeri për libër-dituri,
Qëndrova duke mbajtur kokën me duar,
Mbeta deri vonë në mbrëmje duke numëruar!

Libraria e mbushur me libra plot,
Hynte ndonjë nxënës për gomë ose laps,
I tërë qyteti i varfëruar, i ndarë në dysh!
E tërë ish-industria tani në kolaps.

Shëtita nëpër rrugën Mbretëresha Teutë,
Prapë një librari e mbushur plot libra e fletore,
Me punëtorët e vjetër para dere, ku s’hynte njeri!
Afër saj e mbushur me njerëz, prapë një ëmbëltore!

Pse nuk lexohet e mësohet si dikur këtu?
Ua! me kërciti zverku nga habia e mllefi,
Si do të jetojë kjo gjeneratë e dalldisur,
Kam frikë se do ta gëlltisë të tërin kurbeti!

Na ishte Mitrovica, dikur qytet me njerëz punëtorë,
Kishte shumë fabrika e punëtorë në miniera,
Furnizonte botën me metale të rralla,
Prodhime të shumta metalesh edhe akumulatorë!

Këtu nxirrej plumbi, zinku e bismuti,
Nxirreshin ari e argjendi,
Tani çdo gjë e vyshkur, e ndryshkur,
Duket se po i del tymi këtij vendi!

Të rinj largohen në heshtje nga vendlindja,
Kërkojnë punë e strehim në Perëndim,
Shtëpitë pothuaj janë boshatisur, lënë shkretë,
Vajtoj e qaj pa pra, për vendin tim!…

Do mbesin këtu pleq e plaka të vetmuar,
Do kërkojmë nga vende tjera mjekë për shërim,
Kjo për mua është shumë brengosëse-trishtuese,
Si nuk mendohet të gjallërohet, i bukuri vendi im?!
(Mitrovicë, më 10 maj 2012)

2.-NËNA TEREZË…


U lind fëmija i tretë në familje,
Doli në këtë botë në Shkupin shqiptar,
Nga prindër Kolë e Drane Bojaxhiu,
Shndriti kudo që shkeli e u shkri si qiriu!

Mësimet e para i bëri në shkollë shqipe të Shkupit
Edhe gjimnazin e mbaroi me sukses,
Dëshira për mësuese i ishte ngulitur në kokë,
Mbi të gjitha ndihmoi shumë shoqe e shokë…

Vendosi në rini të bëhej murgeshë,
Mori rrugën pa kthim për Kalkutë,
Nga mësuesja u bë Misionare e Dashurisë,
Më e dashura për të varfrit e Indisë!

Sa keq, që ne e njohëm shumë vonë,
Këtu çdo gjë ishte e censuruar,
Për ne u bë në botë Nëna më e Madhe,
Mësoi e gjithë bota se ishte shqiptare.

Kur e shikuan të vegjëlit për herë të parë,
Thanë na erdhi një hyjneshë plot shpresë,
Nderove emrin, familjen e Kombin me punë,
Nuk flije kurrë pa vënë të varfrit në gjumë!

Nuk harrove kurrë Atdheun Arbëror,
Ku e le shtëpinë, vendlindjen e farefisin,
U ktheve e dekoruar, me fytyrë ngjyrë pëllumbi,
Kur zemërngushtët thanë, se Gonxhja na humbi!

3.-NË QYTETIN E LIDHJES SË PRIZRENIT


Shtëpitë e ndërtuara me arkitekturë të veçantë,
Bukuri e rrallë me klimë e ujë të bekuar,
Njerëz të bukur me fytyra të buzëqeshura,
Nga gjestet, fjalët e lëvizjet, duken të edukuar.

Shëtis me një mik buzë Lumëbardhit,
Uji i pastër gurgullon mbi gurë,
Kalimtarët e rastit shëtisin të harlisur,
Disa ndalen e kuvendojnë mbi urë.

Ka ura të vjetra, që të kapin mendimet,
Kishte dikur mjeshtër guri në këtë anë,
Këtu janë mbajtur takime të rëndësishme,
Kaluan këtejpari shumë kapedanë…

Ndalemi para Shtëpisë-muze, Lidhjes së Prizrenit,
Kisha mësuar shumë gjëra për këtë dikur,
E tani e harlisur futem brenda me nxitim,
Shumë gjëra janë të skalitura në mur.

Muzeu u shkatërrua shpesh nga barbarët,
Por dëshira jone e plotë ishte përherë,
Gjërat e ruajtura nga të parët tanë me kujdes
Viheshin përsëri në vendin e duhur me nderë!
(Prizren, më 20 mars 2012)

4.-FESTË E TËRË SHQIPTARISË
(Abetarja gjithëkombëtare)


Sot në Prizrenin e bukur historik
Janë mbledhur krerët e popullit tim,
E pritëm plotë 100 vjet ketë festë
Abetaren e përbashkët me gëzim.

Dikur Abetarja fshihej nëpër djepa,
Sillej fshehurazi nga Shqipëria-nënë,
E sot ka festë e tërë shqiptaria,
Janë mbledhur këtu, prijësit nga të katër anë.

Gumëzhijnë rrugët, lulishtet e qytetit plot,
Vijnë makinat me flamuj nga Shqipëria,
I pret Kosova duarhapur si përherë,
Këtu janë prijësit edhe nga Çamëria.

Në ballë të festës qëndrojnë prijësit nga Ulqini,
Nga Ilirida në sallë veç më janë vendosur,
Nga Lugina e Preshevës me mijëra veta,
Gëzimi e hareja nuk kanë të sosur!

Abetare me shkronja shqipe të Rilindasëve,
Tridhjetë e gjashtë rreze ndriçojnë përherë,
Sot e gjithë shqiptaria feston me këngë e flamur,
Të bashkuar si vëllezër ngrihemi përnjëherë!

Urime, urime, Abetarja jonë gjithëkombëtare
Të rrojë populli ynë me gëzime e hare!
Përballë çdo sfide, të bashkuar në fitore,
Lotët nga gëzimi, turmës i shkojnë rrëke!
(Prizren, më 17 maj 2012)


5.-SI E KAM, ATË KOSOVË?



Daja im jeton me decenie në Gjermani,
Tani edhe flokët i janë thinjur e rënë,
I kujtohet kur iku në errësirë pa paralajmërim,
La në vendlindje farefisin, duke qarë babë e nënë!

I ndalohej të kthehej në vendlindje,
Ishte shpallur armik i këtij vendi,
Vetëm se e donte Flamurin e Lirinë,
I kaloi jeta në kurbet, ku la djalërinë!

Vendosa t’i bëj një vizitë me nënën,
Na priti te dera, me kujtohet edhe sot,
Buzët i dridheshin, këmbët mezi e mbanin,
Lotët i mbulonin faqet me rrudha plot.

Na priti me gëzim e na pyeti shumë:
Si e kam, atë Kosove, që e lashë dikur?
Ah! Më ka marrë malli të shtrihem në baltën e saj,
Ne përnjëherë u mbushëm me vaj!

E ledhatuam dajën, i treguam shumë gjëra:
Kosova ka ecur, or dajë, mos u bëj merak,
Ka shpallur Pavarësinë, e njohur nga bota,
Përpjekjet e armikut ishin përherë të kota!

Kosova rriti shumë trima e trimëresha,
Dhanë betimin para Flamurit në gjuhën shqipe,
Trimat dhanë kushtrimin për Atdhe e Liri,
U përzu armiku i Karpateve, deri në kufi.

Tani valon Flamuri me Shqiponjë dykrenare,
E tëre Kosova është ndërtuar përsëri,
Bëjmë vizita e pushime, ku të duam,
Mes Kosovës e Shqipërisë s‘ka kufi.
(Kaiserslautern, më 10 janar 2009)

6.-KOMANDANTI LEGJENDAR, ADEM JASHARI



Adem Jashari lindi në Prekaz të Drenicës,
Në ato çaste kur erdhi në këtë botë,
Djepi iu mbulua me Flamurin e Skënderbeut,
Të gjithë të afërmeve nga gëzimi u rrodhën lotë!

U lind në Ditën e Flamurit-28 Nëntor,
Me krisma të pushkës e këngë kreshnike,
Kështu po rritej Ademi me vëllezërit e tij,
Jetoi dhe luftoi për Shqipërinë Etnike.

Adem Jashari për histori kishte interesim,
Ishte bërthama themeltare e UÇK-së.
Në histori ndodhin ngjarje të rastësishme,
Bashkimi i trojeve shqiptare ishte e rëndësishme.

Ishte nisur për çlirimin e Kosovës,
Për trimëri dallohej nga i gjithë brezi i tij,
Populli ynë liridashës e i vuajtur, thoshte,
E meriton të vlershmen, të shtrenjtën LIRI.

Vetëm të guximshmit kanë ndërruar historinë,
I pari nisi aksionet ushtare mbi policinë,
Fillimisht në Drenicë e për t’u përhapur më vonë
Në tërë Kosovën, në Llap, në Shalë, në Dukagjin…

Adem Jashari ishte kudo sypatrembur,
Ku sulmohej armiku, në çdo cep të Kosovës,
Vetëm frikacakët nuk mund t’i besonin,
Dashamirët e Kombit përherë e admironin.

Lufta për Prekazin qe e ashpër,
Qendresa ishte e madhe, mbinjerëzore,
UÇK-ja humbi prijatarin e saj,
Por Kosova fitoi trimin luftëtar.

Vepra dhe lavdia e komandantit legjendar,
Lufta e drejtë kundër armikut të Karpateve,
I dha përmasa të reja Kosovës, Ballkanit,
28 Nëntorit – Festës tonë Kombëtare.
(Prekaz, më 2 korrik 2012)

7.-PER TY, QAN E TËRË SHQIPTARIA
(Poetit Ali Podrimja)



Më 21 korrik 2012, lajm i hidhur:
Poeti Ali Podrimja u gjet i vdekur,
Larg vendlindjes, në një qytet të Francës,
Sot e tërë shqiptaria është stepur.

Jo, jo nuk e besoj dot,
Se ka ikur nga kjo jetë,
Ishte për shumë gjenerata
Njeri dhe poet i vërtetë.

Poetët vetëm hyjnohen në qiell,
Ata lindin e vdesin për çdo varg,
Këtë e kam lexuar në rini,
Mburremi që të patëm, poeti ynë Ali.

Ti nuk vdiqe, o mjeshtër i poezisë
Ti shkove të Esadi, Azemi e Dini,
Sot është ditë zie në tërë shqiptarinë,
Krenare është Gjakova që të lindi.

Na mësove të mos iu frikësohemi,
As deteve e oqeaneve, asnjëherë,
Jemi krenarë për veprat Tuaja,
Ike në heshtje, i buzëqeshur si përherë!

Poezitë, të cilat i shkrove me laps e penë,
Do t’i lexojmë e këndojmë përherë,
E shkrove biografinë tënde në çdo poezi,
Nuk të trembi furtunë as erë.

Na mungon, o Ali Podrimja,
Për njëqindvjetorin e Shqipërisë,
Ku ta gjejmë rimën për kremtet tona,
Në tërë hapësirën e Ilirisë-Arbërisë.

Kontributi i Austrisë në themelimin e shtetit Shqiptar




Nga Ramiz Selimi
-Mag. Günther Rosenitz, Ambasadori i R. Kosoves Dr.Sabri Kiqmari, Zonja Minarolli, Princi Dr. Eduard Karl Habsburg, Ambasadori i R. Shqiperise Dr. Vili Minarolli, Keshilltari Z. Egin Ceka
Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në ambientet e Akademisë  Diplomatike të Vjenës u mbajt simpozium me temën, „100 vjet shteti Shqiptar”. Synimi ishte që të prezantohej Shqipëria dhe shqiptarët, përfshi këtu edhe komunitetin tonë në Austri.
Simpoziumi kushtuar Shqipërisë përpos historisë tonë dhe sakrificave, përfshinte edhe histori shqiptaro-austriake të njohur, si ajo për Habsburgët, Ministrin e jashtëm Berthold e deri të ndihma ushtarake e oficerit z. Hermann von Kirchner, që në ushtrinë e mbretit Zog në mënyrë aktive nga viti 1928-1939 ndihmoi ushtrinë në organizim,
 
-Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Dr. Vili Minarolli dhe Mag. Günther Rosenitz
Kryetari i kësaj organizate Ing. MMag. Günther Rosenitz, përshëndeti mysafirët dhe bëri hapjen e këtij simpoziumi duke i dhënë fjalën Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Vjenë Dr. Vili Minarollit.
Ai në fjalën e tij tha se, është një nder i madh për të që ishte prezent , në ketë vit të veçantë, 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar.”Zonja dhe zotërinj  e përgëzojë dhe urojë organizatorin për organizimin dhe ju uroj me një kënaqësi të madhe mirëseardhje të gjithë juve.  Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që pati vuajtje, sakrifica e robëri të pandërprerë, prandaj të arriturat janë të larta dhe duhet respektuar shumë. Jemi krenar për sakrificat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë që e bënë Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Falënderojmë  edhe miqtë Austriak që na ndihmuan në themelimin dhe ndërtimin e shtetit tonë”.
 
-Princi Dr. Eduard Karl Habsburg dhe Mag Günther Rosenitz
Mbretëria Austro-Hungareze, e dëshironte Shqipërinë natyrale që në themelim
Referatin kushtuar historisë 100 vjeçare e kishte përgatitur këshilltari i Ambasadorit në Vjenë zoti Egin Ceka, i cili ndër tjera tha se:”  Në Vlorë me  28 Nëntor 1912, delegatë nga të gjitha pjesët e banuara të shqiptarëve në Ballkan u mblodhën së  bashku në një Kongres Kombëtar. Këta  Delegat  pas humbjes së Perandorisë Osmane në luftën e parë ballkanike kundër Serbëve, Bullgarëve, Grekëve dhe Malazezëve e shpallën pavarësinë e vendit nga një Perandori që ishte në rënie , për të cilën ishte dëgjuar për më shumë se 400 vjet, dhe në të njëjtën kohë formoi një qeveri provizore. Fuqitë e mëdha evropiane ranë dakord për pavarësinë e Shqipërisë si një principatë”.
 
-Ambasadori i Republikes së Kosoves Dr. Sabri Kiqmari, Princi Dr, Eduard Karl Habsburg, Ramiz Selimi
Pastaj tha ai se, Monarkia Austro-Hungareze ishte kategorikisht që në shtetin e ri të përfshihen të gjitha pjesët e banuara me shqiptarë, por kundër kësaj ishte Franca dhe Rusia që dominuan në ketë tryezë. Shqiptarët mbetën të copëtuar, me shumë se gjysma të robëruar, të cilët i vranë, i masakruan, i larguan për Turqi, ata që mbetën edhe i asimiluan. Rreziku i pandërprerë në shuarjen e këtij shteti vinte vazhdimisht nga fqinjët , si ata verior, jugor apo lindor, ata dëshironin në të gjitha format dhe mënyrat copëtimin e vendit dhe zhdukjen e tij. Referati ishte përpiluar mirë dhe saktë, duke përfshirë të gjitha ngjarjet e rëndësishme të këtij 100 vjetori.
 
-Miftar Kastrati me Dr. Eduard Karl Habsburg
Shqipëria e tërë do të integrohet në BE
Për kontributin e Austrisë në themelimin e shtetit Shqiptarë dhe zhvillimet e mëvonshme të vendit një prezantim “Power Point” e kishte përgatitur zoti Mag. Günther Rosenitz. Ai në prezantimin e tij ofroi numra të popullit shqiptarë nga statistikat, për shtrirjen e tyre në të gjitha pjesët e botës, ofroi harta dhe fotografi të kohës duke u koncentruar kryesisht në fakte të mbledhura nga miqtë austriak. Tregoi për miqësinë e vazhdueshme mes dy popujve, duke treguar se dikur kufiri i ndante këto dy vende, tani kufiri është larguar, por miqësia ka mbetur dhe Austria luan një rrol të rëndësishëm në zhvillimet integruese Evropiane. Shqipëria e tërë ashtu siç e kishte kërkuar Austria me 1912 do të behët me integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe për ketë keni mbështetjen nga të gjithë ne, kurse ndryshim kufijsh në formën e viteve 1912 nuk do të ketë tha Kryetari Mag. Rosenitz.
 
Ndërsa përfaqësuesi i familjes mbretërore Princi  Dr. Eduard Karl von Habsburg-Lotheringen, tha se këto lloji simpoziume janë tepër të mirëseardhura, për të përkujtuar dashurit e dikurshme mes popujve tonë, që ekzistojnë nga lidhja e Prizrenit e ndoshta edhe më herët. Të ju them të drejtën  tha ai, nuk e kisha shfletuar këtë histori aq shumë dhe nuk e dija që familja ime kishte dhënë një kontribut kaq të madh në themelimin dhe ngritjen e shtetit tuaj. Por tani, ndihem shumë krenar edhe me familjen time që dha kontributin e saj në themelimin e shtetit shqiptar, duke penguar zhdukjen  e këtij populli të vyeshëm dhe bujar.
Interesimi ishte i madh edhe nga miqtë Austriak, që bënin pyetje për integrime evropiane e deri të gjendja e luftës me Greqinë. Në fund organizatori shtroi një koktej rasti për mysafirët.
Kush është kjo organizatë? Akademia për Paqe është një projekt i Ambasadorëve të Austrisë së Epërme të cilët themeluan ketë organizatë mbipartiake. Ajo bënë promovimin e paqes, sidomos promovimin e bashkëjetesës paqësore të njerëzve të kulturave të ndryshme dhe feve të ndryshme. Në kryesinë e organizatës bënë pjesë shqiptari Miftar Kastrati.


Krimet serbe në Kosovë

Hapet ekspozita „Shkatërrimet e trashëgimisë kulturore në Kosovë 1998/99“
Shkatërrimi dhe rrënimi i monumenteve kulturore është fenomen që rregullisht i prinë, shkon krahas ose i pason tragjeditë e mëdha njerëzore. Kjo praktikë e shkatërrimit të monumenteve të arkitekturës, të artit, të kulturës, objekteve historike e fetare, është zbatuar edhe gjatë luftërave të fundit...


Nga Hazir MEHMETI, Vjenë


Në shënimin e pese vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, krahas gëzimit dhe krenarisë, ofrohen edhe episode të barbarisë serbe ndaj njeriut të pafajshëm, objektet e kultit, historike, të kulturës, sportit, më rëndësi të veçanta. E tillë është dhe ekspozita “„Shkatërrimet e trashëgimisë kulturore në Kosovë 1998/99“. Dhe kjo vetëm një copëz, e shënuar në dy vjet nga shekujt shkatërrues të dorës së zezë serbe në Kosovë që nga ardhje e tyre në tokat shqiptare.


E organizuar nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës“ nga Prishtina në përkrahjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri. Ekspozitën e hapi Dr.Sabri Kiqmari, ambasador i Republikës së Kosovës në Austri. Ai i përshëndeti organizatoret, të pranishmit dhe mysafirët e ftuar. Mes tjerash vazhdoi: “ Ndihem i gëzuar që ta përshëndes Prof. Zejnullah Gruda i cili e udhëheq Institutin Shkencor mbi Krimet e Luftës në Kosovë. Ne në fakt nuk dëshirojmë të jetojmë me të kaluarën, por as nuk dëshirojmë që ta harrojmë se çka ka ndodhur. Është një fakt që publiku austriak do të njoftohet sa i madhe ishte shkatërrimi i vlerave të trashëgim kulturore nga regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviqit. Një pjesë nga ky shkatërrim në vendin tonë është paraqitur këtu përmes fotografive nga vendi i krimit” Përkthyese dhe leximin e tekstit në gjermanisht e bëri me saktësi studentja Kaltrina Durmishi.


Fjala e Prof. Dr. Zejnullah Gruda, ekspert në lëmin e së drejtës ndërkombëtare. ” Zonja e zotërinj kjo ekspozitë që po hapet këtu, lidhet me dy ngjarje të rëndësishme për shqiptarët, Kosovën, Shqipërinë dhe disa popujve të regjionit, siç është Turqia, Austo-hungaria, boshnjakë mysliman, Bosnja e Hercegovina. Siç dihet para njëqind vjetëve, më 8 dhjetor 1912, shtetet krishtere-ortodokse ballkanike Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria, të nxitura ose me miratimin e heshtur të Rusisë cariste, kishin nisur luftërat ballkanike, më qëllim që ta dëbonin Turqinë nga Evropa, t’i kthenin myslimanët në fenë e vjetër t’i konvertonin krishterë-ortodoks ose t’i dëbonin në lindje dhe territoret e pushtuara t’i ndanin në mes vete dhe ata që nuk do të pranonin ti vrisni. Këto luftëra përbëjnë njërën nga faqet më tragjike të historisë së turqve ballkanik, por edhe të shqiptarëve që ishin bërë pre e apetiteve imperialiste të fqinjëve të tyre të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Atëherë Shqipëria kishte shpallur pavarësinë por ma se gjysma e territoreve etnike shqiptare, me afro gjysmën e popullsisë shqiptare ishin okupuar dhe ndarë midis shteteve fqinj. Kosova atëherë ishte aneksuar dhe riemërtuar Serbia e Vjetër sikurse edhe Maqedonia që ishte riemërtuar Serbia e Jugut.


Kam kënaqësinë e veçantë që mund të përmendi, se një dëshmi të jashtëzakonshme, për atë se çka u është bërë shqiptarëve e ka lënë vjenezi Leo Frendling në librin “Golgota shqiptare”, sikurse kleriku spanjoll Bartolome Delas Casas , kishte lënë për zhdukjen e indianëve të Amerikës. Fatkeqësisht, këta skenarë gjenocidal kanë vazhduar të ri përsëriten edhe gjatë luftës së parë botërore, qeveria e Mbretërisë Serbe në krye me Nikolla Pashiqin, në prag dhe gjatë luftës së dytë botërore, Vasa Qubrilloviq, përndryshe i njohur si pjesëmarrës në atentatin ndaj princit trashëgimtar, Franz Ferdinand, në Sarajevë, më 28 qershor të vitit 1914. Pra, pikërisht kur është zhvilluar edhe Beteja e Kosovës, një muaj nga e cila fillon Lufta e Parë Botërore. Gjenerali, Drazha Mihaloviq dhe gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit të njëzetë Qosiqi, Millosheviqi, Shesheli, Kaqagjiqi, Mlladiqi, pjesa e madhe e të akuzuarve në Tribunalin e Hagës për krime të rënda dhe për akte të gjenocidit. Shkatërrimi dhe rrënimi i monumenteve kulturore është fenomen që rregullisht i prinë, shkon krahas ose i pason tragjeditë e mëdha njerëzore. Kjo praktikë e shkatërrimit të monumenteve të arkitekturës, të artit, kulturës, objekteve historike e fetare, është zbatuar edhe gjatë luftërave të fundit në territorin e ish Jugosllavisë. Ajo ka filluar me shkatërrimin e Vukovarit dhe Dubrovnikut që është një ndër perlat më të çmueshme jo vetëm të bregdetit Adriatik, por edhe tërë Mesdheut dhe ka vazhduar me Mostarin, Sarajevën dhe rregullisht llogaritet si Jerusalimi i Europës dhe është përmbyllur me plaçkitjen, djegëjen, rrënimin e shumë fshatrave dhe qyteteve anë e mbanë Kosovës që bëheshin krahas përzënies së qindra e mijëra njerëzve dhe vrasjeve në masë të shqiptarëve të Kosovës. Madje, kjo ndodhte derisa po zhvilloheshin bisedimet në Rambujet të Francës.
Midis objekteve të shkatërruara gjatë luftës në Kosovë vend të veçantë zënë objektet historike të lidhura me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e cila është njëra nder ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, qoftë për rolin që ka luajtur për kundërvënien e tendencave për gllabërimin e tokave shqiptare nga fqinj që u manifestua kah mesi i shekullit nëntëmbëdhjetë me lidhjen e traktatit preliminar të paqes midis Rusisë e Turqisë në Shenstefan, dhe në prag dhe pas Kongresit të Berlinit, për inicimin e përpjekjeve për bashkim e formim të shtetit kombëtar shqiptar, ashtu siç kishin bërë jo shumë më parë italianet dhe gjermanet, përafërsisht të njëjtën kohë me serbet, malazezët dhe rumunët.
Kjo ka bërë që objektet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të përfaqësojnë një pjesë shumë të rëndësishme të historisë, kujtesës kolektive dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Disa nga këto objekte pas Luftës së Dytë Botërore janë vënë nën mbrojtjen e shtetit, siç është rasti me ndërtesën që ishte rezidenca qeveritare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila ishte shndërrua në Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizreni, Kulla e Haxhi Zekës, në Pejë, Hamam Xhamia, në Pejë e shumë objekte tjera.
...objektet për kinse instalimin e islamit ortodoks në Kosovë dhe si grup që rrezikon Evropën e krishterë dhe që ka për qëllim zhdukjen dhe dëmtimin e të gjitha vlerave kulturore dhe fetare krishtere e ortodokse. Këto akuza të orkestruara kështu janë bërë në biseda me burra të shteteve, në tubimet ndërkombëtare të karakterit politik ose shkencor, në institucione



të specializuara, si UNESCO, në tribuna publike speciale, mjete të informimit. Në këtë fushatë janë përfshirë edhe personalitet më të larta shtetërore, kishtare, shkencore të Serbisë. Me gjithë këto fakte, gjatë fushatës së NATO-s, organet shtetërore e krishtere serbe
vazhdonin të akuzojnë NATO-n për gjëja zhdukjen ose dëmtimin e monumenteve të rëndësishme historike dhe fetare etj, në Kosovë midis së cilave përmendet Graqanica, Manastiri i Deçanit, Patriarkana e Pejës, Kisha e Zonjës së Levishkës, Xhamia e Sinan Pashës në Prizren dhe shumë objekte të trashëgimisë historike kulturore dhe fetare të shqiptarëve, si Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Xhamia e Hadumit, Çarshia e Vjetër e Gjakovës dhe Pejës, kisha katolike e Shën Antonit në Gjakovë, Ura e Tërzive dhe Ura e Tabakëve, por dy hulumtues të pavarur nga Kembrixh Masaçustes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Andrew Herscher dhe Andras Riedlmayer menjëherë pas përfundimit të luftës (13.10 deri 31.10. 1999), kishin konstatuar se asnjë nga lokacionet e përmendura nga propaganda serbe nuk kishte qenë e dëmtuar që do mund t’i atribuoheshin sulmeve ajrore dhe se kishat dhe manastiret e përmendura kanë qenë plotësisht të pa dëmtuara Graqanica, Manastiri i Deçanit, Patriarkana e Pejës, kurse objektet arkitekturore me rëndësi dhe trashëgimisë islame xhami, teqe, biblioteka, hamame qe nga shekulli i pesëmbëdhjetë janë sulmuar dhe janë shkatërruar apo dëmtuar me eksploziv që është venë nga brenda dhe që janë prodhim i policisë, forcave paramilitare e civilëve serb. Kisha ortodokse serbe, pa marr parasysh këto fakte vazhdonte të akuzonte me trashëgiminë fetare serbe në të gjitha format, edhe me faqen e internetit ku publikonte fotografi të montuara që ishin vërtetuar të rreme, me të cilat mbillte urrejtje jo vetëm ndaj shqiptarëve por edhe ndaj boshnjakëve, kroatëve, amerikanëve, gjermanëve, Vatikanit, ndaj NATO-s etj.


Zonja e zotërinj, këto fotografi janë një pjesë e historisë sonë të dhimbshme. Këto janë vërejtje, janë apel që askund më të mos përsëriten”- tha në fund Profesor Gruda. Ekspozita do të qëndron e hapur deri më 21 shkurt. Pas Dr. Nusret Pllanës në prezantimin e krimeve serbe në Kosovë, kjo ekspozitë ishte edhe një dëshmi para opinionit austriak mbi krimet serbe dhe propagandën e tyre skajshëm armiqësore ndaj shqiptarëve, dhe jo vetëm ndaj tyre.

PARAKRIJUESIT E ATDHEUT




Ese nga Ahmet Selmani

Në qoftë se për një çast vëmendjen tonë e përqëndrojmë te nocioni atdhe, si një fjalë e përfolur dhe e shqiptuar aq shumë në jetën e përditshme, sigurisht për të shënuar lidhjen tonë me vendin që na përket në kuptimin gjeografik e biologjik, mbase secilën herë do të mund ta identifikojmë në mënyrë formale dhe thelbësore njëkohësisht. E krijuar sipas fjalës latinepatria, edhe te shqiptarët kjo shfaqet në formën e saj variacionale ose të dyzuar, pra herë e gjejmë si atdhe e herë si mëmëdhe. Megjithëse në këtë rast mund të shëmbëllejë si një rivalitet në mes formulimit me topos patriarkal dhe atij me topos matriarkal, prapëseprapë, del se thelbi i këtyre të dyjave përherë mbetet i njëjtë, domethënë vetvetiu kemi të bëjmë me tokën e atit ose të mëmës, pronën që e kemi trashëguar prej tyre, vendin ku ne kemi lindur, qoftë kjo si një atribut metaforik i njërit prind (atit) apo edhe i tjetrit (nënës).


Ahmet Selmani

Nuk ka asnjë dyshim se identifikimi i tij historik mund të bëhet në shumë raste, bie fjala që nga Mbretëria Ilire nën sundimin e Bardhylit, Agronit, Teutës etj., Despotati i Epirit nën sundimin e Mihal Komnenit,Regnum Albaniae nën sundimin e Karlit I Anzhu, Mbretëria e Arbërisë nën sundimin e Gjergj Kastriotit etj.
Pa dashur të ndalemi veças në këto epoka të veçanta historike, për ne është e rëndësishme vetëm periudha e ashtuquajtur moderne, pra kryesisht ajo kohë kur u formuan shtetet në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe është krejt afër mendsh se këtu nuk bëjnë përjashtim as shqiptarët, aq më tepër në 100 vjetorin e shtetit të tyre, me ç’rast fjala atdhe ose mëmëdhe përmendet gjithnjë e më shpesh, madje në shumë raste edhe me një konotacion mjaft glorifikues e mitizues.
Porse, në gjithë këtë kontekst me përmasa solemne, teksa e vrojtojmë në çdo situatë të shfaqur, pak a shumë ndodh edhe një paradoks; zakonisht dëgjojmë tek zihen ngoje vetëm bartësit fizik të krijimit të atdheut (shtetit), por thuajse harrohen ose anashkalohen etërit shpirtërorë të tij.
Duke u nisur nga kjo premisë e qartë, ashtu sikundër që themi për çdo gjë tjetër, pa dyshim, edhe për sa i përket çështjes së madhe që ka të bëjë me atdheun, duhet thënë troç se vlen i njëjti parim dialektik; ai, para se të jetë një realitet faktik e konkret, një dëshmi objektive, një formë e kryer, pa asnjë dyshim është një ide konceptuale, një nocion teorik, një nismë shpirtërore, një frymë kolektive.
Prandaj, si rrjedhojë të kësaj qasjeje përkufizuese, lypset të pranojmë faktin se, në çfarëdo aspekti që ta zbërthejmë kontekstin në fjalë, medoemos do të kuptojmë se atdheu gjithmonë i ka edhe parakrijuesit e tij, ata të cilët fillimisht e mbollën atë në shpirtin, vetëdijen dhe qenien e tyre. Pra, nevojitet të përkujtojmë se, edhe përkundër vetëflijimit të pakundshok, përpjekjeve të pareshtura, populli shqiptar thuajse qe nisur drejt zhbërjes së tij përfundimtare nga faqja e dheut, thjesht të kishte fatin e njëjtë me kazarët. Megjithatë, në momentet e fundit të këtij rreziku fatal, dikush u kujtua për ta ringjallur ndjenjën e tyre në pikëpamje të etnosit. S’do mend, ishin pikërisht rilindësit shqiptarë ata që u zotuan dhe ia dolën ta ringjallin frymën e duhur për një projekt të tillë kaq madhor. Duke e derdhur gjithë fuqinë dhe mundin e tyre, përkushtimin e jashtëzakonshëm vetanak, ata ia dolën që ta ndërtonin mitin pozitiv të atdheut, sepse mu atëherë u këndellën për fatin e vërtetë që i priste, mbi të gjitha, e kuptuan se fillimisht nevojitej një vetëdije paraprake për atë që do ta bënin më vonë, si një ecuri për jetësimin e plotë kolektiv.
Kështu, pasi e ngjallën historinë e lavdishme, prejardhjen pellazgjike e ilire, gjuhën e stërlashtë, epokën e Gjergj Kastriotit, krijimtarinë e pasur gojore, shkronjat dhe alfabetin, abetaren dhe librat etj., më pastaj sikur e kuptuan qartë se themelet e vërteta të atdheut i kishin hedhur me sukses, për të vazhduar më tej në fazën tjetër të ngritjes së tij. Me sa duket, gjatë aktit paraprijës të ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv, u shfaq kryerilindësi Jeronim de Rada i cili, në veprën e tij të famshme “Këngët e Milosaos”, të botuar më 1836, shpalli vizionin e tij të shtrenjtë me anë të vargut:
Erth ditë e Arbrit
Në të vërtëtë, me këtë kumt ngazëllyes e poetik ai e mbolli farën e njëmendtë për lindjen e atdheut, e cila ndërkohë u bë frymë e plotfuqishme besimi e shprese për atë që mbaskëtej do të bëhej realitet i gjallë.
E gjithë kjo u pa qartë edhe te shumë autorë të tjerë, të cilët, po ashtu, e shprehën qëndrimin e tyre vizionar lidhur me këtë. Pa dyshim, i tillë ishte edhe Naim Frashëri i cili këndoi me një shpresë të fuqishme:
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira
Lum kush të ronjë
T’a shoh zonjë!
Edhe i vëllai i tij Sami Frashëri, më 1899, në Bukuresht e botoi veprën programatike me titull “Shqipëria, çka qenë, ç’është e çdo të bëhetë”, e cila do të shndërrohej në një udhëzues konkret për bërjen e Shqipërisë së vërtetë.
Si rezultat i angazhimit dhe mobilizimit të vazhdueshëm, zërat e këtillë u bënë edhe më të theksuar, duke e forcuar besimin dhe optimizmin e tyre. Poeti i mirënjohur Asdreni, më 1904, me anë të disa vargjeve të poezisë “Ardhi dita”, u drejtohej bashkëkombasve me një qëndrim kushtrimtar:
Në jini ju atdhetarë
Dhe thjeshtë shqipëtarë,
Bënie ju sot atdhenë
Siç qe nën Skënderbenë.
Ose, më vonë, pra në prag të themelimit të shtetit shqiptar, më 1912, kur nëpërmjet fjalës poetike atë e shohim sërisht teksa këndonte:
Shqipëri, o mëma ime,
Pas një jete me durime,
Dita e mirë po afëron,
Dita e bardhë, dita e bukur
Kur dhe ti je për t’u dukur
Nd’atë dritë që mburon
Mund të vërehet qartë se ky ishte një besim i patundur dhe një ndjenjë vendimtare për ta realizuar projektin madhor dhe jetik të atdheut. Gjithçka që thoshte ai, ishte tepër bindëse, e kthjellët, joshëse. Ndaj, në përputhje të plotë me këtë frymë ngadhënjyese, më tej ai shtonte:
Një diell i ri, na thonë, se po lindi
Një dit’e re u çfaq për Shqipërinë.
E njëjta ndjesi mund të hetohet edhe te shumë rilindës të tjerë të cilët, po ashtu, nuk përmbahen asnjë grimë me anë të vargjeve të tyre, duke e përhapur gjithandej frymën e parakrijimit. Kështu, edhe Hil Mosi, në veprën e tij “Zani i atdheut”, të botuar më 1906, me anë të disa vargjeve poetike këndonte me shpresë:
Zemra po m’vlon mu t’ngratit,
Dit’t’mira jam kah shpresoj,
Se sot atdhes me pshtumun
Dita tek i afroj
Siç shihet, në këtë fazë të ringjalljes së vetëdijes kolektive te shqiptarët, rolin kryesor e luajtën pikërisht poetët, duke e rrënjosur frymën e një besimi të thellë, me të cilën do të udhëhiqeshin të gjitha nismat dhe veprimet e mëtejme në bërjen e atdheut si shtet.
Gjithsesi, ndjesia dhe bindja e këtillë ishte absolute. Edhe Mihal Grameno, në poezinë e tij me titull “Ardhi dita”, thoshte fare preras:
Ardhi dita e shënuar, për të mjerën Shqipëri
Në këtë mënyrë kuptohet se vizioni i tyre gjithnjë e më tepër po shpiente drejt një realiteti të ri që do të lindte së shpejti, drejt një ngulmimi në hapjen e rrugës së mëtejme për krijimin e vërtetë të atdheut, thjesht të kalohej nga pozita virtuale në atë konkrete. Me këto përpjekje poetike e misionare, rilindësit tanë faktikisht u shndërruan në parakrijuesit e mirëfilltë të atdheut, në ngjizëzit e njëmendtë të tij. Studiuesi Aurel Plasari, në një punim të tij, Naim Frashërin e quan shqipëribërës. Dhe në një aspekt kjo është tejet e kuptueshme, ngaqë secili nga rilindësit ishte pjesë e këtij projekti, ose një shqipëribërës më vete, për arsye se realisht ata bënë çmos që ta realizonin këtë ëndërr kaq të madhe historike, për t’u bërë një ditë kurorëzim i pamohueshëm. Pikërisht këtu qëndron thelbi i këtij vizioni i cili njëherazi ishte individual dhe kolektiv. Bërja e Shqipërisë si atdhe dhe si shtet filloi në radhë të parë në shpirtin e atyre që i prinë lëvizjes së madhe të quajtur Rilindja Kombëtare. Dhe, kur e arritën ndërgjegjësimin e nevojshëm fillestar e themelor, atëherë ishte shumë e qartë se do të arrihej edhe krijimi praktik i atdheut aq të pëshpëritur.
Kur Naim Frashëri e shihte të udhës të bënte identifikimin e qartë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ai nuk ngurronte të thoshte me mburrje dhe krenari të pashoqe:
Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
Kjo duket se ishte e mjaftueshme për të besuar thellësisht se një gjë të tillë mund ta bënin vetëm ata që e quanin veten shqiptarë, për faktin se kryekëput atyre u takonte një detyrë kaq e rëndësishme historike, që, më në fund, të dilnin nga gërmadhat e sundimeve të gjata, nga vorbulla e errët ku ishte katandisur pothuajse çdo gjë që u takonte si trashëgimi.
Kështu, të gjithë ata që ia behën më vonë, ose thënë më saktësisht, ata që u përfshinë në rrjedhën e krijimit të atdheut, në përgjithësi e patën të qartë se nga duhej të orientoheshin, cili ishte vizioni përcaktues që duhej ta ndiqnin, si duhej ta realizonin atë etj. Idenë themelore e kishin marrë nga pararendësit e tyre, pra duke u ndikuar drejtpërdrejt nga jehona e fuqishme që e përhapën rilindësit me aq zell, nga shpallja e famshme deradiane dhe nga optimizmi i pashoq naimian. Thjesht, ata e pritën vetëm momentin e duhur për ta formalizuar këtë ëndërr të shtrenjtë. Me gjithë rrethanat shumë të pavolitshme, në njërën anë të synimeve pushtuese të fqinjëve si Greqia dhe Serbia, dhe në anë tjetër, të pafuqisë së vetë popullit shqiptar, Ismail Qemali, bashkë me shumë të tjerë, arriti ta shpallë pavarësinë e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912 në Vlorë. S’duhet harruar se ishte një kohë shumë e rëndë, sepse u desh që më 1913 fatin e shqiptarëve ta vulosnin njëanshëm Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës. Por, sido që të ketë qenë, mund të thuhet se kësaj radhe shqiptarët mezi e bënë një copë atdhe, ndonëse tmerrësisht i paplotë e i cunguar.
Duke e shikuar në këtë mënyrë, vlen të theksohet në veçanti se parakrijuesit e atdheut edhe sot ende janë aktualë, fryma e tyre vazhdon të mbetet vizion i gjallë për të gjitha breznitë shqiptare. Ata e patën vizatuar qartë dukjen reale të atdheut, e dinin shumë mirë se deri ku shtrihej tokësia e tij, cilat vise i përkisnin etj. Njëri nga krijuesit e mëvonshëm, Sejfulla Malëshova, në një poezi të tij thoshte:
Unë e dua Shqipërinë,
me Kosovë e Çamërinë
Koha dëshmoi se kjo dëshirë ishte një ëndërr e natyrshme, një thirrje historike për t’u bërë realitet. Ndaj mund të pohohet se edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte një plotësim i saj. Pra, edhe kjo i kishte parakrijuesit e vet, të cilët e kishin mbjellë farën e besimit dhe të realizimit të saj.
Prandaj, kjo çështje ende mbetet e hapur; parakrijuesit e atdheut thërrasin me zërin e tyre për ta bërë mishërim të plotë nga krijuesit fizik. Mjafton t’i dëgjojnë vetëm këshillat e tyre historike. Pavarësisht nga kushtet e vështira që kanë mbretëruar deri tani, atdheu nuk harrohet edhe në mërgim. Kështu, Thoma Kacorri, njëri nga rilindësit e fundit, siç e kanë quajtur herë pas herë, sado që i mërguar gjithë jetën në Sofje, kurrë nuk e hoqi nga mendja ëndrrën e atdheut, andaj jo rastësisht botoi romanin në dy vëllime “Për mëmëdhenë”. Ky ishte vetëm një kushtrim i natyrshëm për ta kujtuar ëndrrën e pararendësve të tij. Nga ana tjetër, Mitrush Kuteli, edhe kur ndodhej keq, nuk mallkonte fare, por thoshte burrnisht: Atdheu duhet edhe atëherë kur të vret. Pra, i tillë është atdheu, herë i bukur e herë paradoksal, herë komik e herë tragjik, por gjithmonë mbetet atdhe në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të kësaj fjale. Atdheu ose mëmëdheu s’është projekt i mbyllur në një kohë të caktuar; ai është gjithëkohor, u përket të gjithë shqiptarëve, atyre që s’jetojnë më fizikisht, atyre që jetojnë sot, dhe atyre që do të lindin në të ardhmen.

„Qingji i butë i thithë dy nëna, servili gjithë kopenë” - Shqiptare

PADRONËT DHE SERVILËT


„Qingji i butë i thithë dy nëna, servili gjithë kopenë” - Shqiptare



Nga Dibran Demaku





Servilët janë kategoria më e urryer e çdo shoqërie dhe në çdo system shoqëror.Ata janë si rodhet që të ngjiten dhe nuk të shqiten dot.Ata janë të gatshëm që të qeshin kur qesh padroni,janë të gatshëm të qajnë kur është i pikëlluar padroni, janë të gatshëm të buzëqeshin kur i shanë padroni. Me një fjalë janë të gatshëm në çdo lloj situate,mjafton që me veprimet e tyre t`i arrijnë synimet që kanë në jetë.
Në sistemin e kaluar komunist Padroni që ishte Një fliste gjithmonë në emër të popullit dhe të partisë, edhepse ai kurrë nuk e pyeste as popullin e as partinë,ndërkaq për të bëmat e tij nuk i jepte llogari as popullit e as partisë!
U besua dhe u shpresua se me rënien e komunizmit iku edhe koha e sistemit njëpartiak, ku lideri i partisë ishte i pari dhe vendoste për gjithçka.U besua se me ardhjen e demokracisë dhe sistemit shumë partiak liderët e partive do të ishin vetëm udhëheqës partiak e kurrësesi lider absolut. Por, ja që në trojet ku jetojnë shqiptarët, praktika e liderit absolute komunist vazhdon edhe më tutje, ku lideri tashmë është shndërruar në pardon, ndërkaq anëtarët e partisë, qofshin ata edhe të veshur me petkun e ministrit apo të deputetit, nuk janë asgjë tjetër vetëm servile të liderit, të cilët flasin me gjuhën e liderit, qeshin kur qesh lideri, qajnë kur pikëllohet lideri…, bëjnë gjithçka çfarë dëshiron lideri apo padroni i tyre.Dhe ky fenomen është present dhe i shprehur tek të gjitha partite politike shqiptare në të gjitha trojet etnike të tyre.
Në demokracinë e sotme(demokraci i thënçin!) kemi shumë padronë sepse tash kemi shumë parti.Dhe secili pardon ka servilët e vet që nëse përkthehen në gjuhën e sotme shqipe, padronët janë kryetarët e partive politike, ndërkaq servilët janë anëtarët e partisë!
Kryetari(padroni) i partisë vendos për gjithçka!Ai është Njëshi dhe do të vendosë për gjithçka, si në kohën e Titos në Jugosllavi dhe në kohën e Enverit në Shqipëri.Vetëm se tash kemi shimë Tito dhe shumë Envera! Ndërkaq anëtarët e partisë janë ata servilët që ulin kokën dhe miraojnë me duartrokitje çdo vendim të liderit apo padronit të tyre,sepse sipas tyre ai gjithmonë ka të drejtë, ai ësht Njëshi dhe i gjithëdijshmi?!
Dhe ky fenomen, siç e cekëm edhe më lart ësht i shprehur tek të gjitha partite politike shqiptare dhe në të gjitha trojet shqiptare.Por, mbase më i theksuari ësht tek dy parti politike në Shqipëri(tek Partia demokratike dhe tek partia socialiste) dhe tek dy parti politike në Kosovë( tek Partia demokratike e Kosovës dhe tek Aleanca për ardhmërinë e Kosovës).
Nëse një analistë paanshëm do të analizonte punën e partive të lartëcekura do të vërente se ato vetëm emrat i kanë të dizajnuara me demokraci ndërkaq veprimet i kanë edhe më tutje të sistemit komunist!Mjafton që një qytetar i zakonshëm ta përcjell një kongres të punës së tyre, apo kongres zgjedhor,si të doni, dhe të vërej ato ngjashmëritë me kongreset e partisë komuniste si në Jugosllavinë e Titos ashtu edhe në Shqipërinë e Enverit!
Kur kryetari i partisë (padroni), ciladoqoftë ajo, do të hyjë në sallë të gjithë anëtarët (servilët) e partisë do të ngriten në këmbë dhe do ta përshëndesin me duartrokitje të zjarrta! A nuk ishte kështu edhe në kongreset e partisë komuniste të Titos dhe të Enverit?!
Ndërkaq për zgjedhjen e kryetarit(padronit) të partisë as mos të flasim.Ai gjithmonë do të jetë pa kundër kandidat( si Tito dhe Enveri në kohën e tyre) dhe do të zgjedhet me shumicën absolute të votive!(Ta kujtojmë me këtë rast vetëm zgjedhjen e kryetarit(padronit) të PDK-së në Kosovë.Ai do të mirrte njëqind e tetëmbëdhjetë vota nga njëqind e nëntëmbëdhjetë të mundshme?!). Vallë kësaj mund t`i thuhet zgjedhje demokratike?!
Fenomen(tragjik-komik) në vete është edhe vizita e liderit (padronit) partiak në ndonjë qytet apo fshat të vendit! Atëherë anëtarët(servilët) e partisë do të kujdesën që pjesëmarrja e populates të jetë sa më e madhe e mundshme(duke sjellur në ato takime edhe nxënësit e shkollave fillore) dhe përveq kësaj duke angazhuar edhe trupa të ndryshme artistike me mjete të zhurmëshme muzikore(si tupanët dhe surlat) me të vetmin qëllim që tek lideri(padroni) i partisë të krijohet përshtypja se ai dhe vetëm ai është i zgjedhuri dhe më i dashuri popullatës së atij qyteti apo fshati?! Ndërkaq lideri do të përshëndetet me thuajse shumicën e pjesëmmarrësve të atyre takimeve duke ua shtrënguar duart dhe duke u buzëqeshur! A nuk vepronte kështu edhe Tito në Jugosllavi dhe Enveri në Shqipëri?!
Si për ilustrim të kësaj që u tha le t`i kujtojmë për një çast të shkurtër vizitat e Titos në Kosovë apo vizitat e Enverit nëpër katunde të ndryshme të shqipërisë! Kur do të vinte Tito në Kosovë i madh e i vogël do të ishte i detyruar(me dëshirë apo pa të) të dilte në skaj rruga nga do të kalonin makinat e tij dhe me lule në dorë ta përshëndesnin duke buzëqeshur e duke kënduar?! Ndërkaq po e njëjta gjë do të ndodhte në Shqipëri kur Enveri do të vizitonte ndonjë qytet a fshat të Shqipërisë, për të “ndejtur gju më gju me popullin”?!
Padronët dhe servilët e trojeve etnike shqiptare duhet ta kuptojnë se këtyre bëmave të tyre u ka kaluar koha dhe duhet të ndërrojnë pllakën nëse synojnë Europën.Sepse Europa nuk i pranon në gjirin e tyre ata që gojën e kanë plotë demokraci, ndërkaq dekorin e punëve të tyre edhe sot e gjithë ditën e kanë të dizajnuar dhe të mbështjellur me komunizëm!...

Dënimi "aforfe" i Major Shaban Elezit




       Nga Kabil Bushati                                                                                           
 
         Aty ku sot ndodhet ndërtesa e Prefekturës Shkodër më parë ka qenë Bashkia, 15m larg saj, matane rruges, me 26 janar 1945 u pushkatuan 8 burra. Shqiperia akoma nuk kishte mbushë 2 muaj nga dita e çlirimit duheshin edhe tre ditë, kur në Shkodër nacional-çlirimtarët po bënin 8 kurbane me bij shqiptarësh. Ky ekzektutim do të ishte preludi i atyre mijra pushkatimeve që u kryen në Shqipëri pa gjyqe apo me dëshmitarë të rremë. E thënë ndryshe ky ekzekutim ishte një hapje sipari e asaj tragjedie që perjetoi populli shqiptar për afro pesë dekada radhazi. Komunizmi nuk u instalua me dhune që rëndom thojnë politikanët tanë, komunizmi në Shqiperi u instalua me terror. Përballë qindra qytetarëve shkodranë që ishin mbledhë me urdhër te forntit (sepse partia në ato vite qëndronte incognito), përballë nxënësve të gjimnazit shtetit që i kishin nxjerrë nga mesimi me urdhër të prokurorit për te pa ketë skenë makabre, qëndronin tetë burra të lidhur. Këta ishin Major Shaban Elezi, Kapiten Sheuki Haliti, Palokë Pikolini, Elez Hoti, Dedë Shabani, Abdyl Bushati, Pjetër Nikë Mihaj dhe Selim Rama. Si Rethkomandat Shaban Elezi  kishte një emer të madh në krejt veriun shqiptar, prandaj duhej ndeshkuar me denim kapital dhe duhej poshteruar para gjithë popullit dhe studentëve të gjimnazit të shtetit. Duhej ta shihte populli Shabanin duke dhënë shpirt në midis të Shkodrës, se vetëm keshtu mund të frikësohej turma që ishte prezent. Prokurori Josif Pashko kishte dhënë urdhër që të arrestuarit të pushkatoheshin pa gjyq, sepse në mendjen e tij ishte fiksuar fjala: bashkëpunëtor i fashizmit. Avokatët e asaj periudhe e cilësonin këtë palo prokuror si të tmershëm për dënimet ekstreme që jepte të cilat tentonin të mbillnin terror e frikë në popull dhe ç'ishte më e keqja, jasht çdo te drejte ndërkombëtare kish filluar te jepte denime me vdekje pa gjyqe. Se ku e kish krye atë shkollë Josif Pashko, djalli e merr vesh, se çdo denim e donte një gjyq që e deklaronte fajtor dhe kjo e drejtë njihej që nga e drejta romake.
            Josif Pashko në fillimin 1944-ës e filloi karrierën e prokurorit ne Shkodër. "Prokuror i tmerrit"- thotë në një vend avokati i vjeter dhe reputativ z.Koliqi, e kemi quajtur, ne avokatët e Shkodrës. Shkodra numëron disa mijra  të pushkatuar dhe të vdekur nder burgjet komuniste. Shoku Pashko denoi (pa faj)  Shaban Elezin me shtatë të tjerë. Ai dha urdhër që ekzekutimi i tyre të bëhet në qendër të qytetit tek Bashkia(sot Prefektura), përfundon shënimet avokat plak z.Koliqi. Dhe Komandanti i Mbrojtes se vendit, Zoi Themeli qendronte gati per te pushkatuar njerëz. Në ate kohë nuk kishte nderruar emertimin me Degë te Brendëshme. Po fillonte instalimi viteve tragjike për nacionalistët shqiptarë, sepse kështu u pelqente fqinjëve tanë shoveno-irredentistë. Komunizmi po i imponohej popullit me terror dhe genocid. Kur hetuesi Hysni Ndoja, që ishte shkodran dhe ne vitet e para të çlirimit ishte hetues, ju lut Zoi Themelit për ta liruar Shaban Elezin, se e njihte për burrë të mirë, hasi në refuzimin e tij kategorik. Zoi Themeli se bashku me Josif Pashkon vendosën "aforfe" dënimin e tij me vdekje, paçka se nuk kishin trup gjykues. Pra mungonte trupi gjykues. Ku pyeste kasapi Zoi, ai kishte ardhë ne Shkodër për të mbjellë terror, kishte ardhur me urdhër për të nënshtruar Shkodrën.
          Ishte paradreke e një dite të ftohtë janari (hamsini siç i thonin pleqtë e at'hershëm) siç i thonin shkodranët. Frynte një murla i ftohtë brisk. Dielli nuk kishte fuqi te ngrohte as njerëzit. "Fort po shndrit njaj diell e pak po xe, ç'po e rreh era rrapin e Jutbinës..."  ishte taman një ditë e ngrirë Jutbine. Komunistet edhe diellin e kishin me racion si buken. Dikush foli para te dënuarvet pa gjyq dhe i cilesoi "këmishëzinj".Pas pak, u dha komanda "zjarr" dhe pushkët e plotonit të pushkatimit krisën me batare. Tetë burrat u përkulën të gjithë dhe pastaj u rrëzuan përtokë. Ndërsa Shaban Elezi u ngrit pak dhe bërtiti "këmishëzi je ti o A.Gj, ti ke dalë nëpër Shkodër me këmishën e fashizmit...Nuk më vjen keq se po vritem, por me vjen keq se po më pushkatojnë hajdutët e maskarejt e Shkodrës...". Nuk e lanë vazhdonte më pasi një partizan tjetër nxorri revolverin dhe i ra dy herë kokës dhe Shabani tashmë u shtri i vdekur duke zgjatur dorën me gishtin tregues si akuzë në drejtim të A.Gj. Turma ndejti aty deri ne drekë, me njerëz që shkonin e vinin. Në kohën që plumbat binin mbi kokën e Shabanit dhe të tjerëve, një nga djemtë e tij, Qemali, që at'here  ishte vetëm 11 vjeç,ndodhej duke pritë tek dera e burgut për t'i çuar strajcën me ushqime të jatit.
             Po cili ishte Shaban Elez Muhaj. I lindur në vitin 1888 në Tuz të Malsisë së Madhe, në Tuzin luftarak që ngriti flamurin shqiptar në Deçiq që më 1911. Kushëri i afërt me Jakup Ferrin i cili me vone u bë një nga komandantet  trima të ushtrisë së Ali Pashë Gucisë, nje ushtarak legjendë që ka hyrë në histori. Lidhje me mbiemrin Feri, kur iku prej Tuzit, Jakupi mbajti për mbiemër emrin e babës së vet, Ferit shkurtimisht Feri.Tuzi është tokë shqiptare, e banuar nga shqiptarët, por tani pa drejtësisht i përket Malit të Zi. Në vitin 1905 vjen në Shkodër ku kryen një shkollë të mesme turke xhandarmërijet. Gjatë pushtimit austro-hungarez, Shabani së bashku me disa ushtarakë të tjerë dërgohet në Austri ku kryen një specializim për armën e xhandarmërisë. Ai fliste shumë mirë gjuhët sllavisht, turqisht dhe gjermanisht. Në grushtin e shtetit të vitit 1924 rreshtohet përkrah forcave të Kongresit të Lushnjës, e cila zgjodhi Ahmet Zogun ministër të brëndshmëm për t'u berë më vonë Kryeministër të Shqipërise. Që nga viti 1925 deri në vitin 1939 shërben në armën e xhandarmerise me gradën kapiten në disa nga rrethet e Shqipërisë si në Lushnje, Berat, Gjirokastër, Peshkopi, Dukagjin, Pukë etj. Kudo që ushtroi detyrën, kapiten Shabani, spikati devocioni dhe ndershmeria e tij si drejtues i xhandarmërisë. Me pushtimin e Shqippërisë nga Italia fashiste Shabani ndodhej me shërbim ne Pukë ku braktisi detyrën dhe arratiset në Jugosllavi ku mbahet nën vrejtje nga autoritetet e atjeshme për tre muaj rrjesht. Pas tre muajsh ai kthehet në Shkodër dhe i kërkohet që të vazhdojë shërbimin, por ai refuzon kategorikisht bashkëpunimin me fashistët. At'here detyrohet që për 21 ditë të shkojë në Pukë e dorëzon komandën e xhandarmërisë të cilën e kishte braktise.
            Kur e panë se Shabani refuzoj të punonte  me fashistët, tentojnnë t'a arrestojnë. Por ku kapej Shabani, sapo e merr vesh se ishin pregatitur hekurat për t'a prangosë , ai arratiset nëpër malësira. Qëndron në arrati derisa Italia fashiste shpalli kapitullimin. Në Qeverinë Shqiptare të Rregjencës të vitit 1944 shërben si Komandant Xhandarmerijet Rrethin e Shkodrës. Llesh Marashi ishte Qarkomandant ndersa Shaban Elez Muhaj ishte Rrethkomandant. Gjatë ketyre muajve që Shaban Elez Muhaj ishte komandant xhandarmërijet, shumë njerez e kujtojnë me respekt, bile edhe ata që ishin të lidhur me lëvizjen Nacional-Clirimtare. Kur xhandarët arrestonin ndonjë komunist, Shabani i lironte, sepse i konsideronte te genjyer nga ideollogjia komuniste.  Ai shpesh here shprehej se komunizmi nuk ka fe dhe atdhe, por keta të rij e te reja i konsideronte të mashtruar nga këlyshët e Moskovit. Në fshehtësi organizon takim  me Misionin Aleat Angles në malin e Cukalit. Anglezet kishin simpati per Shabanin se ishte burre zakonit, fjalen e kishte fjale. Se bashku me anglezet bene disa kordinime veprimesh. Keto i konfirmon me vone Rexhe Meta qe ishte ne ate kohe perkthyes prane misionit anglo-amerikan. Në ato ditë bilë ishte graduar major. Shpejt bie në sy të Gestapos gjermane, dhe Komandanti i saj Majori Hausding i kërkon takim për të bashkëpunuar por Shabani i refuzon kategorikisht. Mirpo të refuzoje në atë periudhë komandantin e gestapos gjermane, ishte të luaje tek a çift me kokën tende e të familjes. Mbas këtij refuzimi gjermanët tentojnë t'a arrestojnë por Shabani arrin të arratiset përsëri dhe familja ndërron banim fshehurazi. Qëndrojnë familjarisht me qera në shtepinë e Tepeliajve dhe më vonë në atë të Uruçëvet. Më pas vetë qëndron i fshehur në fshatin malor Lepurosh në një familje të njohur të tij. Ky fshat i humbur ishte në zonën e Gruemirës, në një skaj të thellë malor të saj. Ketu qëndroi deri sa u çlirua Shqipëria. Me çlirimin e vendit, familja ku strehohej Shabani, emrin e së cilës nuk po e bëj publik për të mos e turpëruar botërisht, e preu në besë mikun që e kishte mbajtë për disa muaj duke e denoncuar atë në brigadën e Mbrojtjes së Popullit dhe duke ua dorëzuar atyre në mënyrën më të pabesë, per te ja dhuruar pako postale Zoi Themelit, i cili e pushkatoi pa gjyq. Por te pushkatosh nje oficer pa gjyq, i cili nuk bashkepunoi me fashizim por me misioni anglez, le per te dyshuar se prishja me anglo-amerikanet ishte e planifikuar nga Enver Hoxha me kohe, qe me mbarimi e luftes.
             Vlen për t'u përmendur në ketë shkrim i vëllai i Shabanit, Smajl Elezi (Muhaj)  i cili në kohën e pushtimit fashist internohet në Itali.Qëndron i inernuar deri ne kapitullimin e Italisë, pastaj kthehet në Shkodër. Edhe ky nuk i shpeton denimit, burgoset e si rrjedhim denohet rëndë politikisht.Pas disa vitesh vdes në burg.
            Në vitin 1951 arrestohen djali i Shabanit,Qemali me gjithë djemtë e axhavet Ymeri dhe Alija. Dënohen respektivisht seicili me nga 10 vite burg politik me një grup studentash të gjimnazit të Shkodrës. Më vonë arrestohet Ruzhdia, djali tjetër e Shabanit i cili dënohet me 18 vite burg politik, të cilat i plotësoi të gjitha në Kampin e Spaçit dhe si rrjedhojë e torturave në hetuesi vuan edhe sot e kësaj dite nga depresioni psiqik. Pra nga familja e Shaban Elezit mund të shprehemi pa frike se u krijua një skuadër pune pa pagesë në minierën e Spaçit.
          Do të mbetet i paharruar për qytetin e Shkodrës djali tjetër i Shabanit, Shyqyriu ose siç e therrisnin moshatarët e tij Cyli. Ai ishte një këngetar i lindur i këngëve popullore shkodrane. Shoket, brezi i tij, e cilësuan  "Bylbyli i Qytetit". Përveç zërit të tij brilant, Cyli ishte edhe virtuoz në kitarre. Këndonte kudo neper dasma e gezime familjare por asnjehere nuk e lejuan te këndonte në skenen e teatrit "Migjeni" apo ne skenat e rretheve. Ai sot, nuk ka asnjë këngë nepër arkivat e Radio Shkodres apo televizionit. Sa keq. Sot ka teknike dhe inxhiniere,spikerë e gazetarë te Radio Shkodres nëpër botë që na japin leksione për demokracine, por nuk ishin të zotët gjatë diktaturës te incizonin e të ruanin makare një këngë të Cyl Elezit ne reprtoret e kengëve popullore shkodrane. Bile kanë mbete proverbiale fjalët e tij para vdekjes se parakohëshmë: "mos thoni që vdiq Cyl Elezi, por plasi"...nga marazi.
           Lufta e tmershme e klasave kunder ketij fisi vazhdoi e rrepte dhe i goditi si Shpatë e Damokleut pa nderprerje për 46 vite radhazi, duke përfshi këtu edhe femijtë e tyre edhe nipër e mbesa të motrave të tyre. Kudo u përballën më diferencimet në punë, me sy të keq nga drejtuesit e lagjes dhe në shkolla. Po ashtu të gjithë meshkujt e ketij fisi e bënë ushtrinë në repartet e punës. Deri me ardhjen e demokracisë nuk u lejua askush nga ky fis të vazhdonte shkollen e lartë. Me ardhjen e demokracisë u vendos në vendin që meritonte  dinjiteti i kësaj familje te vrare e të nëpërkëmbur ndër dekada.


 

                    

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...