NGA FLORI BRUQI
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Catherine Ashton ka shprehur besimin se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje, por ka theksuar se kjo nuk është aspak e lehtë.“Besoj se marrëveshjen e kemi gati në duar, por kjo nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë Ashton, në një deklaratë për media të cilën e ka lexuar zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq.
Ajo ka theksuar se qysh në takimin e parë ndërmjet kryeministrave ka parë gatishmërinë dhe përkushtimin e palëve që të arrijnë marrëveshje.
“ Kur kemi filluar, të gjithë e kemi ditur se kjo do të jetë e vështirë dhe se do të duhet lidership i fuqishëm për të arritur një gjë të tillë” ka thënë ajo, transmeton Express.
Ashton ka lavdëruar edhe partitë opozitare në Beograd dhe Prishtinë që e kanë mbështetur dialogun.
“Besoj se delegacionet që vijnë nesër do ta bëjnë këtë në frymën e gjetjes së zgjidhjes për popujt që i përfaqësojnë dhe për të ardhmen më të mirë të tyre. Nuk guxojmë ta lëshojmë këtë rast”, ka porositur Ashton.
Kosova nuk do të pranojë asgjë që nuk është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kështu ka deklaruar për KTV-në kryeministri Hashim Thaçi në prag të nisjes për Bruksel, ku nesër pritet të arrihet marrëveshja për normalizim të raportove mes Kosovës e Serbisë.
Sipas kryeministrit arritja e marrëveshjes është shumë e rëndësishme, pasi, sipas tij, një gjë e tillë për Kosovën do të nënkuptonte integrim në Bashkimin Evropian e në NATO, e më kalimin e kohës edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, në rast të arritjes së marrëveshjes, sipas Thaçit, Qeveria menjëherë do të fillojë implementimin e saj, pra duke caktuar edhe periudha kohore. Sipas kryeministrit aktorët implementues do të jenë misioni i EULEX-it, institucionet e Kosovës dhe NATO-ja, në mënyrë që, sipas tij, të arrihet lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave si dhe shuarja e të gjitha strukturave paralele.
Kryeministri Thaçi ka mohuar faktin se mund të ketë ndryshim të qëndrimeve sa i përket kërkesës së Serbisë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe kompetencave të tyre. Sipas kryeministrit, gjithçka do të jetë përshtati me ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë.
Beogradi zyrtarë po përgatitet që me anë të një veprimi të minojë të arriturën kryesore që institucionet e Kosovës e kanë synuar në dialogun me Serbinë, e që është integrimi i të gjithë serbëve në një mekanizëm që do të kishte legjitimitetin në Kushtetutën e Kosovës.
Burime të gazetës kanë shpjeguar se në këndvështrimin e Beogradit, marrëveshja e mundshme në Bruksel duhet të procedohet përmes aprovimit të të ashtuquajturit "ligj kushtetues për autonominë e Kosovës dhe Metohisë".
Ligji do t`u mundësonte serbëve të Kosovës pjesëmarrje në Bashkësinë e Komunave Serbe që nga Prishtina quhet asociacion, por edhe në institucionet tjera të Prishtinës, pa pasur nevojë ta njohin Kushtetutën e Kosovës, pakon e Ahtisaarit apo ligjet tjera të shtetit që ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet që nesër ( 2 prill) të nënshkruajë një marrëveshje me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, e cila do të jetë përfundimtare për “fatin” e veriut.
Megjithatë, dokumenti 8-pikësh që ka ofruar Brukseli zyrtar, pritet të jetë “mollë sherri” mes palëve, për të cilin Prishtina zyrtare ka dhënë vërejtjet e saj dhe është kërkuar që të hiqen fjalët që kanë dykuptimësi.
Pika më e “nxehtë” që mund t’i përplasë palët është pika e gjashtë e dokumentit që ka ofruar Baronesha Ashton, e cila thotë se “komuna do të ushtrojë kompetencatë tjera shtesë që mund t’i delegohen në të ardhmen komunave nga autoritetet qendrore”.
Kryeministri Hashim Thaçi, qysh në takimin e tij të fundit ka kërkuar heqjen e kësaj pike, por edhe ndryshimin e pikave 1,2, 4, 5 të dokumentit.
Megjithatë, shefi i qeverisë kosovare ka deklaruar se do të niset për në Bruksel, i relaksuar dhe komod për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare për veriun, e cila siç ka thënë ai, do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kuvendit.
“Ne jemi shumë komod për atë që është sot në tavolinë, sepse çdo gjë është në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës, pakon e Ahtisarit dhe standardet evropiane.
Nuk ka asnjë lloj presioni nga askush, sidomos nga partnerët ndërkombëtarë, por presioni është te Beogradi, dhe se më 2 prill shkojmë në Bruksel për marrëveshje dhe për hapjen e një kapitulli të ri evropian për Kosovën”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Madje, Thaçi i cili vetëm brenda pak muajsh po takohet për të tetën herë më radhë me homologun e tij serb, Daçiq ka ofruar garancitë e tij se marrëveshja që pritet të arrihet në kryeqytetin evropian mes kryeministrave do të marrë edhe “vulën” e Kuvendit të Kosovës.
Mirëpo, nga ana e tij, ish-zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, takimin e 2 prillit mes dy kryeministrave, e sheh si fillim të fundit të procesit. “2 prilli është fillimi i fundit të procesit, i cili do të duhej me të formatizohej, apo të arrihet pjesa e përmbylljes së kornizës për çka është biseduar deri më tash.
Pritjet personale janë se do të marrë edhe pak kohë, edhe pak javë deri në realizimin e saj për shkak të zhvillimeve dhe kërkesave që janë paraqitur nga palët “, ka thënë deputeti nga LDK-ja, i cili ka kërkuar qartësim të dokumentit të prezantuar nga Brukseli.
“Teksti duhet të jetë eksplicit, i cili ka nevojë për sqarime, pasi që shumica e tij është ndërtuar mbi parimin e ambiguitetit.
Gjithashtu, duhet të eliminohet dykuptimësia që mënyrë që Prishtina dhe Beogradi të mos lexojnë sipas dëshirave”, ka thënë Haziri, i cili ka tërhequr vërejtjen se në asnjë variant nuk duhet lejuar krijimi i pushtetit të tretë.
“Duhet të qartësohen mirë përgjegjësit dhe kompetencat e asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse ekziston rreziku që të ndërtohet gradualisht pushteti i tretë”, ka ish-zv. kryeministri i Kosovës, i cili dikur ka udhëhequr procesin e Vjenës.
Haziri vlerëson se kryeministri Thaçi duhet të arrijë marrëveshje me homologun e tij para 16 prillit, sepse në të kundërtën i gjithë procesi mund të hyjë në një krizë, e cila s’mund të parashikohet se si do të dilet.
Ndërkaq, në partinë e Ramush Haradinajt, AAK-në thonë se pala kosovare duhet të këmbëngul në ndryshimin e tekstit që ka ofruar bashkimi Evropian, dhe në këtë drejtim të mbrohet Kushtetuta dhe ligjshmëria e Kosovës. Sipas nënkryetarit të AAK-së, Ahmet Isufit në bazë të sjelljeve të deritashme të delegacionit serb, vështirë se mund të arrihet marrëveshja e paralajmëruar, por ai tha se presioni ndërkombëtar mund ta “dorëzoj” Serbinë.
“Serbia do të vazhdojë më obstruksionet e veta , por presioni i faktorit ndërkombëtar mund ta bëjë të vetën”, ka thënë deputeti nga Isufi.
Por, deputeti tjetër nga Lëvizja për Bashkim, Agim Kuleta thotë se me këto bisedime po cenohet pakoja e Ahtisarit, e cila sipas tij edhe ashtu është e dëmshme për Kosovën. “Me këtë veprim të pakos së Ahtsiarit po legjitimohet ndarja e Mitrovicës”, ka thënë ai.
Mirëpo, analisti politik, Nexhmedin Spahiu, i cili vjen nga veriu i “rebeluar” beson në arritjen e një marrëveshje me 2 prill mes dy kryeministrave. “Lëshimet që i ka bërë pala kosovare janë tepër të mëdha, kështu që nuk ma merr mendja që Serbia do të huqë këtë shans.
Në këtë bazë, Serbia do të përpiqet që të arrijë maksimumin, nëse jo, atëherë do ta nënshkruajë këtë dokument. Dua të theksoj se marrëveshjet në favor të Kosovës moti kanë përfunduar, pasi që deri më tani janë bërë lëshime mjaft të mëdha dhe në këtë drejtim s’ka arsyeje që Beogradi të mos pranojë dokumentin”, ka thënë ai.
Në Beograd, udhëheqësit më të lartë shtetëror do të mbajnë sot edhe një takim, para raundit të ardhshëm të bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Të martën, më 2 prill, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, takohen me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton.
Pas konsultimeve të sotme në Beograd, pritet që nënkryetari i qeverisë serbe, Aleksanda Vuçiq, të marrë vendim nëse do t’i bashkohet kryeministrit Daçiq në Bruksel.
Kreu shtetëror serb ka mbajtur një takim të ngjashëm të premten që shkoi, pas të cilit Marko Djuriq, këshilltar i presidentit serb, pati thënë se situate “është dramatike sikurse që ka qenë para konferencave në Dayton dhe Rambouillet”.
Dështimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të çojë në përkeqësimin e kushteve në veri të Kosovës, shkruan gazeta amerikane Wall Street Journal, duke cituar paralajmërimet e diplomatëve.
Në artikullin që paralajmëron rrethin e nesërm të bisedimeve ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, gazeta shkruan se “udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë takohen për t’u marrë vesh rreth kushteve të marrëveshjes, e cila, me kohë, mund të ndryshojë raportet midis dy fqinjëve ballkanikë dhe të shërojë plagët që datojnë që nga rënia e Jugosllavisë”.
Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Thaçi-Daçiq, janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë.
Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton fuqishëm.
Mediet serbe raportojnë se serbët kanë bllokuar sot, në orën 13 rrugën për në pikëkalimin kufitar, Jarinë. Një kolonë e gjatë automjetesh disa kilometrash me serbë nga veriu i Kosovës është ndalur në këtë pikëkalim, duke e bllokuar fizikisht.
Në këtë mënyrë, ata duan ta tërheqin vëmendjen e Brukselit dhe të negociatorëve se nuk do të pranojnë marrëveshjet, siç citohen ata, kundërkushtetuese.
Pikëkalimi kufitar ku ata janë grumbulluar po vëzhgohet nga helikopterë të NATO-së, që po fluturojnë mbi ta.
Njoftohet po ashtu se me protestuesit janë edhe krerët ilegjitimë të komunave nga veriu i Kosovës si dhe zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisës së Serbisë, Kërstitmir Pantiq.
Maqedonia, veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës konsiderohen akoma si vatra të krizës, sipas barometrit gjerman “Conflict Heidelberg”.
Sipas këtij hulumtimi të kryer nga Instituti për Kërkime të Konflikteve në Heidelberg (“(Institut für Politische Wissenschaft der Universität Heidelberg)”), vëmendja përqendrohet edhe në Ballkan por edhe në vendet e tjera të globit.
Kur është fjala për konfliktin “Kosovë-Serbi”, analistët kanë vlerësuar se kjo çështje është ‘e ngrirë’, ndryshe nga kriza në Maqedoni, ku mosmarrëveshjet e pushtetit me shqiptarët kanë tendencë të rritjes.
Gjithashtu kriza Serbi-Kosovë tregohet në raport si një konflikt midis “autoriteteve të Kosovës me autoritetet serbe dhe të pakicës serbe në Kosovë, i cili mbetet “i dhunshëm.”
Sipas këtij barometrit gjerman për konflikte në kapitullin për Evropën konfliktet janë me intensitet të shtuar, sipas në Ballkan ku pas krizave mes Kosovës-Serbisë dhe Maqedonisë vatër e krizës parashihet edhe ajo në Serbinë Jugore, në rajonin e banuar kryesisht me shqiptarë, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Mosmarrëveshja për monumentin shqiptar (UÇPMB) në qytetin jugor serb të Preshevës të banuar me shumicë shqiptare, mund të shkaktojë një konflikt të armatosur në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Rreth 80 000 shqiptarët etnik në jug të Serbisë janë shumicë lokale, transmeton “Presheva Jonë”.
Monumenti i larguar në Preshevë që përkujton luftëtarët e rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) ka ngritur edhe më tensionet në rajon. Me këtë rast, shqiptarët duan të thyejnë të gjitha kontaktet me Beogradin, ka pohuar kryetari Preshevës Ragmi Mustafa.
Krizë tjetër në Serbi përmendet ajo ndërmjet autoriteteve në Beograd dhe atyre të Vojvodinës, e cila mund të thellohet nga debati i vazhdueshëm rreth autonomisë. Vlerësime të njëjta jepen dhe për kriza para shpërthimit edhe mes Serbisë dhe Sanxhakut edhe atë për dy shkaqe, një me vehabistët, dhe së dyti në lidhje me sanxhkalinjtë lokal, të cilët kërkojnë autonomi më të madhe.
Pas krizës në Kaukaz, instituti gjerman parasheh si krizën “më të vështirë” në Evropë, mundësinë e konfliktit të pushtetit me opozitën në Rusi, pastaj krizën në mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe po ashtu në Rumani ndërmjet pozitës dhe opozitës.
Po ashtu ky institut parash se mund të ketë konflikte të dhunshme, të cilat janë të shtytura kryesisht nga konfliktet e pazgjidhura, si kërkesat për autonomi dhe shkëputje.
Sipas këtij instituti, numri i konflikteve dhe krizave në botë vitin që lamë pas është ngritur për nëntë.
Prishtinë,1.4.2013