Nga Rudina Xhunga
Pak jave më parë vdiq një nga baballarët shpirtërorë të Europës së Bashkuar. Ai ishte Stefan Hesel. Në moshën 95 vjeçare mbylli sytë në Paris. Lindi në Berlin nga një baba hebre dhe nënë gjermane, por Parisi e adoptoi qyshkur e ëma u arratis nga Gjermania së bashku me një shkrimtar francez. Ai udhëtim ishte i pari i një jete, e gjitha në udhëtim midis hapësirës së mendjes dhe tokës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore u arratis në Angli, ku iu bashkua organizatës “Franca e Lirë” të gjeneralit De Gol. U hodh me parashutë në Francën e pushtuar. U kap nga gjermanët dhe internua në kampin e përqëndrimit të Bukenvaldit. Fati e la gjallë.
“Fati është ëngjëlli im mbrojtës” – do të përsëriste si refren gjithë jetën e tij. Më pas, në kostumin e diplomatit, do të ishte në krah të Rene Kasinit, kur nga tribuna e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u lexua “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut”.
Karriera e tij vazhdoi si diplomat derisa doli në pension. Atëherë, kur për çdo njeri pasioni dhe shpirti duhet të qetësohet, filloi për Hesel një jetë të dytë, jetë kushtuar kundërshtimit dhe rezistencës.
Hesel nuk ishte revolucionar. Kishte pasur sy të shikonte se purgat staliniane të viteve ’35 ishin e kundërta e utopisë së komunizmit. Ishte i ftohtë sa të mos binte në kurthin tjetër të fashizmit. Kurth ku ra borgjezia franceze, që solli rregjimin koloboracionist të Vishisë. Hesel preferonte ta quante veten “qytetar që reziston”. Ishte një idealist që e mendonte botën të bërë për njerëzit dhe çështja më e lartë për të përkrahur ishte ajo e njerëzve. Sidomos atyre që i kishte tradhëtuar fati ose historia.
Kur filloi kriza greke, Mario Soares, ish- kryeministër i Portugalisë, tërhiqte vërejtjen se nuk ishte kjo Europa që kishin ëndërruar etërit themelues. Vlera në themel të Europës, nuk duhej të ishte babëzia e financierëve dhe e bankierëve të ftohtë, por solidariteti. Një Europë bashkëpunuese midis kombeve, po aq sa midis njerëzve. Një kontinent i bashkuar, para së gjithash nga ndjenja e përbashkët e ndihmës ndaj më të dobëtit. Soares ishte mik dhe bashkëpunëtor i Miteranit dhe Kohlit, që dëshpërohej sesi një ëndërr e madhe, më e madhe edhe se Roma e lashtë apo Perandoria e Shenjtë e Karlit të Madh, mund të shembej nga spekulantët e financave, nga pandjeshmëria ndaj punëtorëve të thjeshtë, emigrantëve, shtresave që nuk kishin asistencën mjekësore, apo mundësinë për të studiuar. Në vend të një Europe si shtëpi e përbashkët e të barabartëve, po rrezikonte të kthehej në një piramidë ku kombet e mëdha skllavëronin të vegjlit.E ndërsa Soares dëshpërohej, në krahun tjetër, në kulmin e kësaj krize në vitin 2010, një baba shpirtëror i Europës, Heseli tashmë 93 vjeçar, shkruante manifestin i tij prej vetëm shtatë faqesh A4, që mbante për titull moton e tij: “Indinjohuni”.
Luani i vjetër, kundërshtari i luftës së Vietnamit, hebreu, mik i Palestinës që kishte quajtur sulmin izraelit mbi Gaza si “krim kundër njerëzimit”, duke marrë mbi shpinë përçmimin e inteligjencës izraelite, u bënte thirrje të rinjve të indinjoheshin.
“Të indinjuarit”, ishte emri që do mernin protestuesit nga Spanja deri në Uoll Strit, me rrënjë pikërisht në pamfletin e tij ku bënte thirje me patosin e një rioshi që masa e njerëzve të indinjoheshin ndaj kulturës së konsumit, ndaj mospërfilljes së vuajtjes së më të dobëtit, të kulturës së individualizmit të shfrenuar të luftës të të gjithëve kundër të gjithëve, të përbuzjes ndaj kulturës.
Në manifestin e tij Hesel bënte bilancin e shekullit që sapo shkoi, ku bota e lirë mposhti fashizmin, shumë kombe fituan pavarësinë dhe shumica e globit u dekolonializua, u shemb perandoria e sovjetëve dhe ra muri i Berlinit. Por njeriu ai që i bëri të gjitha këto, ai që i dha hop progresit teknologjik, u bë njëkohësisht edhe shkaktari kryesor i degradimit të natyrës. Njeriu i shekullit që shkoi u lëshua verbërazi në lojrat e financave, duke mos u merakosur për etikën dhe botën që e rrethonte. Kjo shoqëri që nuk do t’ia dijë për tjetrin, rrezikon të bëhet gjithmonë më materialiste dhe e pandijshme, thoshte Hesel, dhe këtë nuk duhet ta lejojmë. Rruga për mos lejuar këtë degradim të sistemit të vlerave, sipas Hesel, nuk ishte ajo e dhunës dhe e revolucionit. Kishte parë shumë në jetën e tij për të kuptuar se dhuna dhe revolucionet, vetëm sa i përkeqësojnë gjërat dhe kostot e zgjidhjeve që japin janë gjithmonë më të mëdha se problemet që zgjidhin. Indinjohuni, ishte këshilla e tij. Rezistoni, zbulojini plagët e mahisura, në vend se t’i fshihni ato dhe rezistoni, ishte besimi i tij.
“Atyre që do jetojnë në shekullin e ri, ju them me dashuri: Të rezistosh do të thotë të krijosh. Të krijosh do të thotë të rezistosh”. Ishin fjalët e një shpirti djaloshar në trupin e një 95 vjeçari.
Marrë nga IPMagazine