2013-04-24

KASTRIOT MYFTARAJ - BLENDI FEVZIU Biografia e tij dhe lidhja nga gjyshja me Enver Hoxhën(3)

PJESA E TRETË RAFAEL COFTINA



18.
Personazhi i De Maupassant, “djali i Simonit”, në versionin e luftës së klasave

Historia e djalit të adoptuar Blendi Fevziut, filloi si një tragjedi fëminore, një nga ato histori pa rrëfimin e të cilave nuk do të ishte e plotë historia e ferrit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Shtëpia e babait adoptiv të Blendit ishte në një lagje të vjetër tiranase, e cila përbëhej, në pjesën më të madhe të saj, nga banesa private të ndërtuara para vitit 1944. Rruga “Hilë Mosi” (një nga degëzimet në të majtë të Rrugës “Qemal Stafa”), në të cilën banonte Fevziu, ishte krejtësisht me banesa të tilla. Fëmijët e rrugës ku shkoi të banonte Blendi katërmbëdhjetëvjeçar, si dhe ata të shkollës ku shkoi ai, të cilët në pjesën më të madhe qenë të njëjtët njerëz, kur ishte fjala për thashetheme argëtuese nuk ndryshonin nga bashkëmoshatarët e tyre të provincës franceze, të cilët përshkruhen në atë tregimin e Guy de Maupassant (Gi de Mopasan), me titull “Babai i Simonit”. Në këtë tregim një djalë i vogël me emrin Simon, tallet nga shokët e tij:
Fëmijët s’ e njihnin Simonin, sepse ky s’ dilte kurrë vetëm dhe as shkonte të endej me ta rrugëve a bregut të lumit, e pritën me qejf e njëherësh me çudi dhe po me këtë ndjenjë kaloi gojë më gojë fjala që tha, tek shkelte syrin me ligësi, një djalosh nja katërmbëdhjetë a pesëmbëdhjetëvjeçar, i cili dukej se diç dinte:
-Dëgjoni se ç’ do t’ ju them… E dini?... Ky Simoni s’ ka baba![i]
Në rrugën tiranase ku të gjithë i njihnin të gjithë, dhe ku nuk ndodhte kurrë asgjë interesante, ra si një asteroid lajmi se xhajë Liu, siç e quanin kalamajtë e rrugës babain adoptiv të Blendit, Ali Fevziun, befas ishte bërë me një djalë, të moshës katërmbëdhjetëvjeç. Aliu ishte një plak i urtë, i cili posa i kishte kapërcyer të gjashtëdhjetat dhe kishte pak kohë që kishte dalë në pension. Aliu ishte i pamartuar, por tash dilte që ai kishte një djalë, i cili kishte ardhur të banonte në shtëpi me të. Në rrugë u hap fjala se Aliu kishte marrë një djalë në shtëpinë e fëmijës, për të kaluar pleqërinë. Kështu, fati i një fëmije hynte në qerthullin tragjik të ndërtuar nga diktatura komuniste. Kuptohet se vështirësia e parë e Blendit katërmbëdhjetëvjecar që sapo kishte ardhur në kryeqytet ishte që të hynte në shoqërinë e bashkëmoshatarëve të lagjes ku banonte, çka nuk ishte e lehtë për të, për shkak të reputacionit me të cilin ai erdhi në lagje. Nëse doni të përfytyroni situatat në të cilat u ndodh Blendi Fevziu me shokët e lagjes, lexoni këtë fragment të tregimit të De Maupassant:
Ai donte të kthehej në shtëpi, tek e ëma, kur fëmijët siç ishin në grupe, gjithë duke pëshpëritur e duke i hedhur vështrime plot ligësi e djallëzi, si ata çapkënët që gatiten të kurdisin ndonjë rreng e rrethuan ca nga ca, derisa s’ i lanë shteg. Simoni mbeti si hu në mes tyre, i habitur dhe i merakosur pa kuptuar se ç’ donin të bënin. Djaloshi që kishte përhapur për të atë fjalë, krenar tashmë për suksesin e arritur, e pyeti:
-Si të quajnë ty?
-Simon?
-Simon kush?- e pyeti prapë ai.
-Simon,- tha përsëri, djali i turbulluar.
-S’ ka vetëm Simon… Mirë, Simon, po duhet edhe një emër tjetër,- i bërtiti tani djaloshi.
Për të tretën herë Simoni tha përsëri gati t’ ia shkrepte të qarit:
-Po, Simon më quajnë!
Çapkënët ia dhanë të qeshurit ndërsa djaloshi foli fitimtar:
-Eh, a e shihni edhe vetë tani që ky s’ ka baba.
Ra një heshtje e rëndë. Të vegjlit mbetën shtang nga habia. Kjo s’ ishte dëgjuar kurrë, u dukej diçka e pamundur, bile e tmerrshme, që të ketë një fëmijë pa baba, dhe ata po e sodisnin çunakun si një send të rrallë, si një qenie të panatyrshme… Ndërkaq, Simoni, i dërrmuar, si i goditur nga një e keqe pa shërim, ishte mbështetur pas një peme, që të mos binte. Sa dëshirë kishte të jepte ndonjë sqarim, po ç’ të thoshte e si ta përgënjeshtronte që ishte pa baba.[ii]
Sipas rrëfimit që më kanë bërë disa banorë të rrugës, një bashkëmoshatar i cili ishte fqinj me Blendin pranoi “me e futë në shoqni”, pasiqë Blendi e “korruptoi” me disa çamçakiza, që ia dërgonte gjyshja nga Amerika, dhe që në atë kohë nuk gjendeshin në treg. Blendi hyri në grupin e çunave të rrugës dhe u shpërndau edhe atyre çamçakiza, kështu që u mirëprit fillimisht. Por, për dreq, djemtë e rrugës tjetër, e cila ishte paralel me atë ku banonte Fevziu, të cilët qenë rivalë me ata të rrugës së Fevziut në ndeshje futbolli e lojëra të tjera, u çuan fjalë djemve të rrugës së Fevziut, se ndeshja e radhës e futbollit mes tyre anulohej. Kur ata të “Hilë Mosit” kërkuan shpjegime, erdhi përgjigjia therëse:
-E dini vetë ma, ju shoqnia e Hilit (Rrugës “Hilë Mosi”), jeni bo shoqnia e kopilit, kena ndigju!
Kjo u bë shkak për thirrjen e Blendi Fevziut para një gjyqi të rreptë të bashkëmoshatarëve të rrugës ku banonte.
-Si e ke emrin ti?- e pyeti njëri nga bashkëmoshatarët.
-Blendi.
-Blendi kush, si e ke mbiemrin?
-Blendi… Fevziu.
-Si e ka emrin baba?
-Hektor.
-Hektor kush mër plako?
-Hektor… Bregasi.
-M’ u ka bo truni dhallë, plako!- tha një tjetër,- Filmin “Helena e Trojës” je tuj na tregu? Baba yt osht Hektori, e meqënëse atë e vrau Akili ti na ke ardhë ktu në mahallën tonë si djali i xhajë Liut!
Plasi një e qeshur e madhe.
-Babai im është në Lushnjë- U përgjigj Blendi.
-Atëherë del se ti ke dy baballarë,- i tha një tjetër.- Por askush nuk ka dy baballarë, plako. Ai që thotë se ka dy, nuk ka asnjë.
Djemtë e rrugës ndoshta nuk do të qenë tallur aq shumë me Blendin, nëse nuk do të ishte mësuar që ditët e para të ardhjes së tij, se ai ishte tifoz i “Dinamos”. Tifozët e “Tironës” në Rrugën “Hilë Mosi” u qetësuan menjëherë: “Kopili” ishte dinamovit! Për ta të gjithë tifozët e “Dinamos”, skuadrës së Ministrisë së Punëve të Brendshme qenë fuksa (spiunë), kështu që Blendit i dhanë një mbiemër të ri, duke ia ndryshuar atë “Fevziu” në Fuksziu. Kështu Blendi u bë me një mbiemër të gjashtë. Por Blendi kishte qëlluar natyrë më e fortë se Simoni. Ndonëse edhe Blendi u gjend në skenën që De Maupassant e përshkruan si më poshtë, por e gjeti rrugëdaljen me një mënyrë origjinale:
Befas njëri nga fëmijët, ballë për ballë Simonit, nisi ta shante, duke i nxjerrë gjuhën me tallje e duke i thirrur:
-E, e, ti s’ ke baba, ti s’ ke baba!
Po Simoni, atëherë iu sul, e kapi me të dyja duart për flokësh e iu fut me shkelma këmbëve, ndërsa tjetri iu kthye e i kafshoi faqen me egërsi. Veç t’ i shihje se si shtyheshin me njëri-tjetrin këta dy ndërluftues! Po shokët ndërhynë e i ndanë dhe Simoni u gjend i rrëzuar përtokë, i rrahur, i grisur, i handakosur e i coptuar në mes të atij rrethi çamarrokësh. Kur po ngrihej, duke fshirë bluzën e vet të vogël, që i ishte ndotur e pluhurosur si mos më keq, dikush i thirri:
-Hë, shko tani po deshe e thuaji tyt eti!
Simonit sikur iu shemb diçka përbrenda nga këto fjalë. Ata kishin dalë më të fortë, e kishin rrahur dhe ai s’ kishte mundur as t’ u përgjigjej të paktën siç duhej, se e ndjente dhe e kuptonte edhe vetë, që vërtet ishte pa baba. Krenar siç ishte nga natyra, s’ donte të qante dhe një hop u mundua me vete të mposhtte lëmshin që i ishte mbledhur në fyt, por pastaj s’ u përmbajt dot më, i erdhi një gulçim dhe zuri të qante heshturazi, me dënesa të forta, që ia shkundnin gjithë trupin. Atëherë një gëzim i egër shpërtheu në palën kundërshtare, që zuri të thërriste e të përsëriste pa pushim, sikur recitonte një refren:
-E, e, ti s’ ke baba, s’ ke baba!
Befas Simoni pushoi së qari. Një inat i tërbuar e pushtoi. Rruga ishte plot gurë dhe ai u përkul, mbushi duart e zuri t’ ua vërviste me sa forcë që kishte atyre xhelatëve. Dy a tre e hëngrën nga një gur dhe ua mbathën këmbëve me klithma dhe vetë Simoni dukej aq i egër në të parë, saqë i kapi paniku edhe të tjerët. Si mbeti vetëm, djali i vogël pa baba zuri të rendte drejt fushave, sepse diç iu kujtua që e shtyu të merrte një vendim të rëndësishëm me atë mendjen e vet. Lumi! Do të mbytej në lumë.[iii]
Dinamovitëve nuk u erdhi mirë që grupi i tyre të shtohej me “kopilin”, dhe nuk deshën ta pranojnë në fillim, por, pasiqë u folën prindërit në shtëpi, vendosën të gjithë njëzëri që ta pranojnë, “për inat të tironsave”. Kjo u bë shkak që në Rrugën “Hilë Mosi”, ku banonte Blendi, tifozët e “Tironës” të nxjerrin një këngë:
Gjithë me “Tironën” janë “Hilsat”,
Përjashtim bojnë veç kopilsat!
Kur Blendi e dëgjoi për herë të parë këtë këngë ai u soll si Simoni, pra u sul ta rrihte djalin që po e këndonte. Por ai që kishte marrë guximin ta këndonte këngën në sy të “kopilit” qe çuni më i fortë i rrugës, kështu që Blendi u rrah keq dhe qau atje në mes të rrugës. Pas kësaj, Blendi iku me vrap dhe u zhduk nga rruga. Siç u tha më pas e kishte gjetur policia në breg të liqenit, në mbrëmje vonë, pasiqë kishte njoftuar Aliu. Më pas Blendi arriti që të merret vesh me çunat e rrugës ku banonte, duke e qëlluar çunin më të fortë të rrugë, jo me gurë, por me këpucë atletike amerikane dhe me pantallona bluxhins, të cilat qenë shumë të lakmuara në atë kohë, dhe nuk gjendeshin në treg. Kështu që ai ua bëri të qartë çunave të tjerë të rrugës se ai që do ta ngacmonte “kopilin” do të kishte të bënte me ta. Historia e tij, tha ai, nuk ishte ashtu siç e dinim, por pa e shpjeguar se si ishte. Por Blendi nuk do të kishte gjetur qetësi në rrugën ku banonte, as pas dhuratave që bëri, nëse çunat nuk do të nisnin të trembeshin prej tij, pasiqë njohën tek ai fuksin e rrezikshëm. Vetë prindërit, të trembur i porositnin ata që të kishin kujdes me atë djalin e Aliut, se ai mund të bënte gjëra nga të cilat ta pësonte krejt familja. Në tregimin e De Maupassant, Simonin e vogël e nxorri nga halli një burrë i fortë, një kovaç me emrin Filip, i cili u bë babai i tij. Në rastin e Blendit, atë e nxorrën nga halli “Organet” që përfaqësonte “Dinamo” e tij e dashur. Por historia e “persekutimit” të Fevziut vazhdoi në fillim të shkollës së mesme, si historia e Simonit. Edhe në vitin e parë të gjimnazit u përsërit e njëjta histori si në rrugën ku banonte, deri kur nxënësit u bindën se ishte e rrezikshme ta kishte armik këtë djalë “dinamovit”. Në të njëjtën mënyrë si në lagje, Blendi Fevziu e vendosi autoritetin e tij edhe tek bordurat e bulevardit, ku dilte pasditeve, dhe ku shtirej sikur tragjedia më e madhe e jetës së tij ishte që ai, një dinamovit, ishte i detyruar që të shkonte në një shkollë me emrin “Partizani”, pra të skuadrës tjetër rivale të “Dinamos”. Shkolla e mesme e përgjithshme ku mësonte Blendi, gjimnazi siç quhej, e kishte emrin “Partizani”. Blendit ndoshta i vinte shumë keq që ai nuk imitonte dot Simonin, për të cilin në fund të tregimit Maupassant thotë:
Të nesërmen, kur të gjithë nxënësit ishin në klasë dhe pas pak do të fillonte mësimi, Simoni u ngrit i zbehtë e me buzë të dridhur dhe tha shkoqur:
-Doni të dini se cili është im atë? Është Filip Remi, ai farkëtari, dhe dijeni se ai ka thënë fjalët që do t’ ja shkulë veshët kujtdo që do të më bjerë mua në qafë.
Kësaj radhe askush s’ qeshi e s’ u tall se atë Filip Remin, farkëtarin, e njihnin mirë të gjithë.[iv]
Blendi Fevziu do të kishte dashur që të çohej dhe t’ u thoshte shokëve të rrugës, shkollës, dhe bordurave:
-Doni të dini për tim atë? Unë kam edhe një “baba” tjetër, që është oficeri operativ i Sigurimit të Shtetit, dhe që mund t’ ju dërgojë me gjithë familje, andej nga kam ardhur unë në Tiranë.
Por Blendi nuk kishte nevojë t’ i thoshte këto fjalë, se ato qenë si të shkruara në ballin e tij. Kur Blendit iu duk se fitoi respektin e djemve të rrugës ku banonte, të shkollës, dhe të bordurave, ai në fakt kishte fituar vetëm përçmimin e tyre. Derisa pas vitit 1997, kur ai nisi emisionin e tij televiziv, shqiptarët e njohën si Blendi Fevziu, për ata që e patën njohur para vitit 1990, ai mbeti Blendi Fuksziu. Kur kalonte në mbrëmje në rrugën e shtëpisë, duke u kthyer nga bordurat, në thellësi dëgjoheshin britma djemsh, të cilët mundoheshin ta ndryshonin zërin për të mos i njohur ai:
-Blendi Fuksziu!
Dhe Blendi Fevziu që bërtiste:
-Ta njoha zërin!
Edhe në gjimnaz Fevziu u gjend në situata qesharake. Mbiemri i tij i bëri përshtypje mësuesit të historisë, për shkak se ishte i njëjtë me atë të Bajram Fevziut. Ky mësues e kishte zakon që kur ndeshte në klasë nxënës me mbiemra që përmendeshin në librat historikë, t’ i pyeste, pa të keq, për të zbuluar lidhjen e tyre me ta. Edhe në rastin e Blendit, mësuesi, duke mos dashur të pyeste drejtpërdrejt se çfarë lidhje kishte ai me Bajram Fevziun, por duke dashur ta zbulonte vetë nëse kishte ndonjë lidhje, i tha:
-Mbiemër shumë i rrallë ky Fevziu. Hera e parë që ndesh një nxënës me këtë mbiemër. Nga është me origjinë familja juaj?
-Nga Pogradeci, - u përgjigj Blendi.
-Ashtu, me sa di unë, në Pogradec nuk ka familje me mbiemrin “Fevziu”,- tha mësuesi.
Blendi ngriti supet.
-Si quhej gjyshi nga babai?- E pyeti mësuesi.
-Neki
-Nga ishte Neki Fevziu?
-Nga Pogradeci.
Mësuesi e kuptoi se këtu kishte diçka që nuk shkonte, por nuk e zgjati, duke thënë:
-Tani nuk e zgjidhim dot këtë enigmë, vazhdojmë mësimin.
Por kjo ngjarje krijoi një problem tjetër për Blendin. Në klasë ishte një nxënës, i cili më pas do të bëhej shkrimtari Ardian Kyçyku, djali i përkthyesit dhe studiuesit pogradecar Kopi Kyçyku. Ardiani, në pushimin mes orëve të mësimit iu afrua Blendit dhe pa të keq i tha se edhe ai ishte nga Pogradeci. Blendi, çuditërisht, u duk shumë i shqetësuar dhe nuk e zgjati bisedën. Ardiani, kur shkoi në shtëpi ia tregoi këtë ngjarje të atit, Kopit, i cili ishte një njohës shumë i mirë i historisë së Pogradecit.
-Neki Fevziu…-tha Kopi duke u menduar dhe shtoi: me sa di unë familje me këtë mbiemër nuk ka pasur, jo vetëm në Pogradec, por as në fshatra.
Kopi u telefonoi disa pogradecarëve të tjerë dhe e konfirmoi pa pikë dyshimi se ishte pikërisht kështu. Në takimin më të afërt me prindërit, që u mbajt në shkollë, Kopi takoi Ali Fevziun, i cili vinte në mbledhjet me prindërit për Blendin. Kopi pa të keq e pyeti Aliun se kishte dëgjuar që ai ishte pogradecar, dhe pasiqë i tha se edhe ai ishte pogradecar, e pyeti më hollësisht. Ali Fevziu u duk shumë i shqetësuar dhe i tha se ai nuk ishte me origjinë nga Pogradeci, por nga Kolonja. Pas kësaj bisede Blendi Fevziu i mbante inat djalit të Kopit. Më vonë, kur në orën e historisë u përmend emri i Bajram Fevziut, të gjithë nxënësit vështruan nga Blendi, i cili ishte zbehur në fytyrë.
-Gjyshi jot ky, plako?- i tha një nga nxënësit me shaka.
Blendi buzëqeshi si me zor, dhe nuk foli.
Familja e Blendi Fevziut do të bashkohej në Tiranë në vitin 1987, kur babait dhe nënës së tij iu hoq masa e dëbimit në Dushk të Lushnjës dhe u lejua të kthehej me banim në Tiranë. Viti 1987 ishte annus mirabilis për familjen e Blendi Fevziut. Në këtë vit Blendit iu dha e drejta e studimit për gjuhë-letërsi shqipe. Është e vërtetë se në vitin 1987, ishte zbutur lufta e klasave, por jo aq sa njerëzve me biografinë e Blendi Fevziut, t’ u jepej e drejta e studimit në Universitetin e Tiranës, si studentë të rregullt të ditës. Edhe njerëz me biografi më pak të keqe politikisht se Blendi Fevziu, shkonin e shumta në shkollat e larta jashtë Tiranës, në Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Shkodër. Tashmë e kam shpejguar se përse Blendit iu bënë këto privilegje. Në të njëjtin vit që Blendi Fevziut iu dha e drejta e studimit për gjuhë-letërsi shqipe, të atit të tij iu dha përsëri e drejta për të punuar si mësues. Ai u emërua në fshatin Nikël të Krujës. Nëna e Blendi Fevziut punoi si edukatore në çerdhe. Më pas, në vitin 1989, i ati i Blendi Fevziut arriti të sigurojë një punë në Tiranë, si kujdestar në konviktin e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja. Pas kthimit nga Lushnja, familja e Blendi Fevziut banonte në shtëpinë e dajës së nënës të Blendit, i cili siç kam thënë ishte i pamartuar. Kështu do ta gjente familjen e Blendi Fevziut pluralizmi politik.
Blendi Fevziu do të banonte tek shtëpia e dajës së nënës deri në fillim të viteve 2000 kur u ndërtua pallati në fillim të Rrugës së Elbasanit, në truallin e Toptanëve, ku ku ai banon edhe sot në një apartament të madh në dy katet e fundit. Kur shkoi në shtëpinë e re, Fevziu nuk e mori babain adoptues, Aliun, i cili kishte bërë aq shumë për të. Ndonëse Ali Fevziu ishte në pleqërinë e thellë, Blendi e la të jetojë i vetmuar në shtëpinë në rrugën “Hilë Mosi”, ku edhe vdiq. Atyre njerëzve të paktë që e vizitonin, Ali Fevziu u ankohej se “djalin” e shikonte vetëm në televizor. Si njeri me humor që ishte, Ali Fevziu, i cili e ruajti mendjen e kthjellët deri në fund të jetës, shtonte fjalët-shabllon të Blendit në emisionet e tij, kur krijohej një moment debati:
Nejse, të mos e personalizojmë çështjen!


19.
Nga Timuri tek Russell Price

Pas Timurit sovjetik, Fevziu gjeti si hero të vetin një version amerikan të Timurit, gazetarin Russell Price, personazh i filmit “Under Fire”, që u shfaq në Shqipërinë e viteve tetëdhjetë me titullin “Nikaragua 79”. Blendi Fevziu ka shkruar në një libër të botuar në vitin 2004:
I kthyer nga një ditë e lodhshme, thuajse dërrmuese, pune, qëlloi që të gjeja, në një nga kanalet televizive, një film që më kishte pëlqyer gjithnjë. Një film i viteve 80-të, që fliste për një grup gazetarësh në Salvadorin e vitit 1978, në një moment dhune dhe rrëmuje, gjatë betejave mes guerrilasve dhe qeverisë qendrore. Mbaj mend se ku e kisha parë për herë të parë, ende gjimnazist, në një vend ku profesioni i gazetarit të vërtetë thuajse nuk ekzistonte, isha befasuar nga transparenca e tij, nga stili i jetës, nga drama që ndërthente, e pse jo edhe nga një lloj sensi tundues aventure e guximi së bashku. Pse duhet që njeriu të rrezikojë jetën në një mënyrë të tillë, kisha pyetur veten, dhe pse të preferojë më shumë jetën në një qytet të trazuar se një redaksi komode? Nuk e di sa herë e kisha përsëritur me vete këtë pyetje, ndërkohë që kohët kalonin dhe, përfytyrimi ynë mbi botën, pësonte një modifikim të ndjeshëm. Por filmi mbetej po ai.
M’ u desh kohë të arrija në psikozën e tij, derisa një ditë e zëvendësova pyetjen e mëparshme me një akoma më të thjeshtë: në ç’ raport është tek njeriu, guximi për të tentuar, me frikën nga e papritura që vjen prej tij? Besoj se i kam dhënë kësaj pyetjeje shumë shpjegim, por tani, them se kam gjetur një përgjigje më bindëse. Atë, sipas së cilës tundimi është gjithnjë më i fortë sesa ideja e rrezikut, e, mbi të gjitha, tek ata njerëz që kanë zgjedhur profesionin e gazetarit. I dyzuar mes dhjetëra copërash kujtimesh, që më vinin ndër mend për të ilustruar këtë ide, i trazuar mes tyre, vendosa që, në vend të një eseje të plotë, të sillja si ilustrimin më të mirë një copë rrëfimi direkt, një copë reportazhi nga një vizitë në Irak, detajet e së cilës, i ngjanin shumë atij filmit që më kishte mrekulluar në vitet e gjimnazit.[v]
Fevziu nuk e thotë titullin e filmit, që e ka mrekulluar atë në adoleshencë (siç shprehet vetë ai), dhe që ende e mrekullon, por filmi mund të identifikohet nga të dhënat që jep ai. Së pari, filmi për të cilin flet Fevziu, nuk është një film mbi Salvadorin. Në vitet tetëdhjetë nuk u prodhua ndonjë film që të rrëfejë për luftën civile në Salvador, ngjarjet e të cilit të kenë ndodhur në 1978. Lufta civile në Salvador nisi në 1980. Në 1986 Oliver Stone bëri filmin me titull “Salvador”, ku rrëfehet për një gazetar amerikan që shkoi në Salvador në kohën e nisjes së luftës civile, në 1980. Filmi “Salvador” nuk është ai që ka parë Fevziu në gjimnaz, se Fevziu e përfundoi gjimnazin në 1987. Por filmi “Salvador” nuk u shfaq në kinematë shqiptare, se në kohën e regjimit komunist nuk shfaqeshin filma bashkëkohorë amerikanë. Ky film nuk është shfaqur as nga Televizioni Shqiptar para vitit 1992. Fevziu nuk mund ta ketë parë filmin “Salvador” as tek RAI sepse ai nuk i shfaqte kaq shpejt filmat e rinj amerikanë, për shkaqe financiare.
Filmi që ka parë Fevziu është në fakt një film amerikan që është shfaqur në Televizionin Shqiptar në vitin 1986, nën titullin “Nikaragua ‘79”, por që titulli i vërtetë i tij është “Under fire”, i prodhuar në 1983. Këtë film Fevziu e ka parë në kohën që ishte në shkollën e mesme. Fevziu, qartësisht e ka parë këtë film në Televizionin Shqiptar përderisa e kujton atë me emrin e vendit ku ndodhin ngjarjet dhe vitin, ndonëse ngatërron Nicaraguan me Salvadorin. Filmi “Under fire”. Pikërisht ky film rrëfen për një grup gazetarësh të huaj, kryesisht amerikanë, të cilët gjenden në Managua, kryeqytetin e Nicaragua, në vitin e fundit të luftës civile në këtë vend, në 1979. Personazhi kryesor është Russell Price (Nick Nolte) një fotoreporter i famshëm, i cili udhëton së bashku me të dashurën, gjithashtu gazetare, në një zonë të kontrolluar nga kryengritësit, ku dëshiron të takojë dhe fotografojë një komandant të famshëm guerrilas, të quajtur Rafael.
Qeveria pretendonte se Rafael ishte vrarë nga forcat shtetërore, por rebelët e mohonin këtë. Fakti nëse Rafael ishte gjallë ose jo, u bë një çështje me rëndësi për fatin e luftës civile në vend. Nëse amerikanët do të mësonin se Rafael ka vdekur, ata, do të arrinin në përfundimin se forcat shtetërore në Nicaragua kishin arritur suksese konsistente në luftën kundër rebelëve, do ta vazhdojnë furnizimin me armatime për forcat shtetërore nicaraguane. Nëse amerikanët do të mendonin se Rafael ishte gjallë, ata do ta konsideronin qeverinë si të paaftë për të arritur sukses luftën kundër rebelëve, dhe nuk do ta nisnin ndihmën në armatime, për shkak se do të mendonin që armët do të përfundonin në duart e rebelëve. Russell Price doli nga profesioni i tij dhe bëri të vetën kauzën e kryengritësve, duke bërë një fotomontim, ashtu që kufomës së Rafaelit i vuri të mbajë në duar një gazetë që tregonte datën, dhe kështu u fotografua dhe u publikua në shtypin amerikan. SHBA ndërprenë ndihmën për qeverinë, çka do të thoshte se triumfi i kryengritësve ishte i pandalshëm. Russell Price dhe e dashura e tij u shfaqën në sheshin qendror të Managuas duke festuar ditën kur kryengritësit morën nën kontroll kryeqytetin.
Zyrat e censurës së regjimit komunist shqiptar, të cilat shikonin me dyshim çdo film amerikan, posaçërisht ata bashkëkohorë, e gjetën filmin krejt kompatibël me standardet ideologjike komuniste. Në fakt filmi qe krejt në pajtim me qëndrimin e regjimit komunist shqiptar ndaj asaj që ndodhte në Nicaragua. Personazhi kryesor i filmit, gazetari amerikan Russell Price ishte krejt i ngjashëm me ata militantët marksistë-leninistë që vinin në Shqipëri në kohën e regjimit komunist. Personazhi i Russell Price, që e ka mrekulluar Fevziun, dhe është shndërruar në mënyrë të vetëdijshme e të pavetëdijshme, në modelin e tij të gazetarit, nuk ishte një gazetar por një terrorist. Russell Price praktikisht veproi si një agjent, si një njeri i shërbimit inteligjent të rebelëve nicaraguanë. Rebelët nicaraguanë, të udhëhequr nga Daniel Ortega, qenë një lëvizje marksiste e sponsoruar nga Kuba komuniste e Fidel Castro dhe sovjetikët. Fillimi i rebelimit kastrist në Nicaragua, dhe fitorja e tij më pas, e futi këtë vend të Amerikës Qendrore në një spirale katastrofale, që kaloi nga dhuna dhe shkatërrimet në një përmbysje katastrofike sociale, që në emër të një utopie absurde krijoi ferrin utopik. Me fitoren e rebelëve, Nicaragua ra nën një diktaturë të llojit kastrist, pasojat e së cilës i vuan ende sot. Blendi Fevziu, në autobiografinë e vet të botuar në 1992, shkruan:
Komunizmin nuk e kam dashur asnjëherë. Kjo është ndoshta më shumë meritë e familjes.[vi]
Është vështirë të ekzagjerohet përshtypja që të krijohet kur shikon se një i deklasuar si Fevziu mrekullohet nga një film dhe një personazh që hymnizon një luftë për vendosjen e një diktature marksiste në një vend tjetër. Si është e mundur që një njeri i cili nuk e ka dashur komunizmin të mrekullohej nga filmi “Under fire” dhe ta ketë adhuruar Russell Price, këtë terrorist të kuq, i cili shkeli rregullat deontologjike të profesionit të vet, për hir të bindjeve të veta ideologjike. Unë e kam parë këtë film njëkohësisht me Fevziun, në 1986, ai ishte 17 vjeç, unë 20. Por unë nuk u mrekullova nga filmi, por thjesht ndjeva përçmim dhe zemërim për adhuruesit hollywoodianë të terrorizmit të kuq, të cilët bënin filma të tillë. Unë ndjeva urrejtje dhe përçmim për këta horra të Hollywood, të cilët bënin pasuri duke spekuluar me vuajtjet e njerëzve që vuanin nga dhuna komuniste në botë. Në të vërtetë, personazhi i Russell Price do të ishte modeli i gazetarit të cilin Fevziu do ta imitonte në vitet nëntëdhjetë, posaçërisht në luftën e vitit 1997 në Shqipëri, e më tutje.
Aq shumë fliste Fevziu për këtë film në vitet tetëdhjetë në lagje, shkollë dhe në bordurat e bulevardit ku rrinte, saqë bashkëmoshatarët nisën ta quajnë me tallje “Rafael coftina”. Fevziu u nervozua aq shumë nga kjo gjë, saqë bëri të ditur me zë të lartë në më tepër se një rast, se çfarë thoshte neni 60 i Kodit Penal të asaj kohe:
Në bazë të parimit të internacionalizmit proletar, krimet kundër shtetit, të parashikuara nga legjislacioni penal i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, edhe kur drejtohen kundër shteteve të tjera socialiste, lëvizjes revolucionare të klasës punëtore, luftës së popujve për liri e pavarësi, përparim shoqëror e socializëm, dënohen si krime të kryera kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.[vii]
Kjo praktikisht do të thoshte se një qytetar i Shqipërisë që shprehej me përçmim për filmin “Nicaragua 79” dhe për kauzën e kryengritësve që rrëfehet atje, dënohej sipas nenit famëkeqe 55 të Kodit Penal për “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”, që parashikonte një dënim deri në dhjetë vjet burg! Kështu që, një bashkëmoshatar i Fevziut, mund të hynte në burg për shprehjen “Rafael coftina” se me këtë kishte bërë krim kundër popullit Nicaraguan dhe luftës së tij “për liri e pavarësi, përparim shoqëror e socializëm”.
Fevziu, me rrëfimin që ka bërë për filmin e mësipërm pohoi se ai e ka pasur gjithsesi një model gazetari qëkurse ishte në shkollë të mesme. Modeli i tij i gazetarit ka qenë Russell Price, ky Timur në version amerikan. Në rrëfimin e Fevziut për filmin që e kishte mrekulluar të bën përshtypje përdorimi i gabuar i fjalës “psikozë”, kur Fevziu thotë se iu desh kohë të arrinte në psikozën e filmit. Fevziu me siguri ka dashur të thotë se iu desh kohë që të arrinte në psikologjinë e filmit, se fjala “psikozë” do të thotë çrregullim psikik. Është simptomatike për intelektin e Fevziut që ai në moshën 35 vjeç kur e ka botuar këtë libër, nuk e di kuptimin e fjalës “psikozë”! Në fakt, psikologjia e filmit na çon në psikozën e Fevziut si gazetar. Ndonëse Fevziu nuk ëndrronte të bëhej gazetar, por shkrimtar, modeli i tij i gazetarit ishte Russell Price. E nëse kishe model Russell Price, ishte njëjtë sikur të kishe model dinosaurët e gazetarisë komuniste sovjetike dhe shqiptare, se Russell Price nuk ishte gjë tjetër veçse versioni amerikan i tyre. Adhurimi i Fevziut për personazhin e Russell Price të ndihmon për të zbërthyer ekuacionin enigmatik që ai bën për jetën e tij. Blendi Fevziu, në një autobiografi të tij, të publikuar në një libër të botuar në bashkëautorësi me Ben Blushin, në 1992, shkruan.
Kam lindur më 18 maj 1969. Mund të kisha lindur edhe më parë, kjo nuk është edhe aq e rëndësishme. Kryesorja është që qesha mbi këtë botë, këtë shekull, 24 vjet e 170 ditë pas vendosjes së diktaturës, ose 22 vjet e 307 ditë para rrëzimit të saj.[viii]
Blendi Fevziu na ofron kështu një lloj ekuacioni shifror-semantik, të cilin nuk na e zgjidh duke mos na e zbuluar të panjohurën e këtij ekuacioni, pra përse kishte veçanërisht rëndësi ajo që thotë ai. Përderisa Blendi Fevziu nuk e zgjidh këtë ekuacion, atëherë do ta zgjidh unë për lexuesin, duke thënë se kjo ishte një nga mënyrat që përdorte Sigurimi i Shtetit, duke filluar nga mesi i viteve gjashtëdhjetë, kur komunikonte me të rinjtë nga familjet e deklasuara, të cilët donte t’ i rekrutonte si agjentë. Pra, oficerët operativë të Sigurimit të Shtetit u thoshin të rinjve nga familjet e deklasuara, se këta të fundit kishin ardhur në jetë në kohën që “pushteti popullor”, siç quhej regjimi komunist në Shqipëri, kishte ardhur në fuqi prej një kohe të gjatë, dhe se vit pas viti qenë tretur shpresat e të deklasuarve se ky pushtet do të binte kur të “çelnin gjethet”. Edhe kur të kishin kaluar aq kohë sa ç’ kishte kaluar që prej ardhjes në fuqi të “pushtetit popullor” dhe deri në lindjen e tyre, përsëri ky pushtet do të ishte në fuqi, atëherë dhe më vonë, kështu që të deklasuarit duhet ta pranonin krejtësisht këtë pushtet dhe ta quanin veten fatlumë kur ai i përzgjidhte për t’ i bërë pjestarë të “organeve”, siç quhej me një eufemizëm qenia agjent i Sigurimit të Shtetit, si dhe shërbimi si dëshmitar në gjyqet politike për Hetuesinë, Prokurorinë dhe Gjykatën komuniste. Kështu ata do të kishin privilegje, të cilat nuk mund t’ i kishin si të deklasuar, ndryshe do të vuanin privime në shkollim. Vështirësi të ndryshme në jetesë, punë, dhe do ç’ ishte më e keqja do të bënin pjesë në kontigjentin e armiqve të cilët qenë kandidatë për t’ u burgosur dhe internuar. Kjo metodë ishte pjesë e atij që quhej “përpunim i butë”, për rekrutim. Nëse kjo metodë e butë nuk funksiononte, atëherë kalohej në metoda më të forta, sipas shkallëve të përpunimit. Duket se kjo metodë “e butë” është përdorur për rekrutimin e Blendi Fevziut si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Pra, oficeri operativ i ka thënë Blendi Fevziut:
Ti more djalë, ke lindur 24 vjet e 170 ditë pas vendosjes së pushtetit popullor. Një periudhë e gjatë, apo jo? Ja ku po kalojnë edhe 24 vjet e 170 ditë të tjera dhe pushteti popullor është përsëri në fuqi. Por gjatë kësaj periudhe do të vendoset fati yt, shkollimi yt, punësimi yt. Prandaj të del më mirë të pranosh propozimin tim.
Ekuacioni që ndërtoi oficeri operativ i Sigurimit të Shtetit nuk doli i saktë. Diktatura komuniste u rrëzua para se të kalonte një periudhë kohe sa ajo që nga vendosja në fuqi e “pushtetit popullor” deri në lindjen e Blendi Fevziut. Kur Blendi Fevziut i mbeteshin dhe 228 ditë që të barazoheshin të dy anët e ekuacionit të jetës së tij, siç ia pati parathënë oficeri operativ, diktatura komuniste pushoi së ekzistuari. Por Blendi tashmë kishte pranuar që ta ngërthente jetën e vet në këtë ekuacion diabolik, kështu që e ndjente të nevojshme që ta fillonte autobiografinë e vet me një apologji për atë që kishte bërë, një apologji e pasinqertë gjithsesi, se ajo shprehej në terma të pakuptueshme për të tjerët. Gjithsesi, mënyra se si Blendi Fevziu e nis autobiografinë e tij, është tregues i çrregullimit të personalitetit të tij, i faktit se tek ai ishte përftuar një personalitet i dyfishtë. Kjo është drama shpirtërore e Fevziut, të cilën ai e vuan, sa në mënyrë të vetëdijshme aq edhe të pavetëdijshme. Sot, kur unë po shkruaj këtë biografi të Blendi Fevziut, ai është 43 vjeç, dhe ka jetuar në periudhën pas rënies së diktaturës komuniste, pothuajse po aq kohë sa në periudhën para rënies së diktaturës. Si do ta shkruante Fevziu një autobiografi të tij në vitin 2012, apo dhe në 2013? Sot ai ka tradhtuar gjithkënd, madje edhe Russell Price.


20.
Pse Fevziu nuk flet për udhëtimin e tij të parë me aeroplan jashtë vendit në 1988?

Në një parathënie të shkruar prej atij vetë për librin e vet “Gjysma tjetër e botës”, të botuar në 1996, Fevziu shkruan:
Gjysmëbota tjetër nisi të rritej së bashku me mua. Emrat e çuditshëm stampuar mbi pullat e vjetra nisën të plotësojnë mozaikun shumëngjyrësh të hartës politike të botës. Aq sa kohë më vonë e kuptova se qemë të goditur që në fëmijëri nga një destin fatal. Ishim lindur dhe rritur në një gjysmëbotë, duke e injoruar pa motiv atë tjetërën. Vite më pas, pa mbushur të njëzetat, kur arritëm të kalonim kufirin fatal të gjysmëbotës së dytë, zbuluam të tronditur se kjo ishte e pamjaftueshme. Për t’ u bërë pjesë e një bote të re do të na duhej ta konkuistonim atë. Dhe po me aq pasion që gjurmonim emrat e pullave në një glob të vogël të botës, u nisëm një ditë me kostumin e veshur të mërgimtarit e njëherazi të konkuistatorit. Pa e kuptuar se gjërat që kanë munguar në fëmijëri mund t’ i takosh, por s’ mund t’ i ngadhnjesh kurrë më vonë.[ix]
Sipas kësaj, del se Blendi Fevziu e ka bërë udhëtimin e parë jashtë vendit para moshës 20 vjeç, pra në para vitit 1990, kur diktatura komuniste ishte ende në fuqi. Kjo që shkruan Fevziu më lart nuk duhet kuptuar se ai flet në përgjithësi për daljen e të rinjve nga Shqipëria pas përfundimit të erës së izolimit të vendit. Se në një libër tjetër, të botuar në 2004, Fevziu shkruan:
Vite më vonë kur afër të njëzetave u ngjita për herë të parë në një avion që do të më çonte përtej perdes së hekurt që kishte parashikuar gjysmë shekulli më parë Çurçilli, e kuptova se kisha gabuar. Se ai imazh bote i përftuar brenda vetes ishte shumë herë më i ndryshëm dhe se zhvillimet moderne i kishin dhënë globit një trajtë tjetër.[x]
Këtu Fevziu flet në numrin njëjës, vetëm për vetveten dhe saktëson se ka udhëtuar me avion para se të arrinte moshën 20 vjeç. Duke qenë se Blendi Fevziu ka lindur në 18 maj 1969, del se udhëtimin e parë me aeroplan ai e ka bërë para 18 majit të vitit 1989, pra në kohën kur udhëtimet jashtë vendit, aq më tepër me aeroplan, qenë një privilegj i pak njerëzve. Në një rast tjetër, në një ese të tij me titull “Të jetosh për atë që shkoi”, Fevziu, shkruan:
Ka shumë gjëra që mësohen në fëmijëri, por ato shprehi që nuk i njeh dhe nuk i prek atëherë, i ke vështirë t’ i bësh të tuat më vonë. E kam sjellë nëpër mend një ide të tillë edhe shumë kohë më pas, në prag të njëzetave, kur m’ u desh të përballem me një tjetër fenomen, që shumë shpejt do të bëhej pjesë e rëndësishme e jetës sonë, emigracionin. I huaj dhe gjysmë i harruar, ai merrte tek unë gjithnjë trajtat e pak njerëzve të arratisur, të pak figurave të rëndësishme historike, që asnjë prej nesh nuk dinte të thoshte nëse qenë gjallë, apo kishin vdekur. Se ç’ moshë kishin dhe cili kishte qenë impenjimi i tyre i mëpasëm. I mësuar tani me një emigracion të ri, atë ekonomik, e kisha të vështirë të bëja krahasimin normal, atë midis emigrantëve politikë, të larguar me dhunë e vështirësi nga vendi i tyre, që ëndërronin kthimin dhe jetonin për hir të tij, nga emigrantët e tjerë, ata ekonomikë. Emigrantë që qenë larguar vetë, që kishin ëndërruar një tokë dhe një fat tjetër dhe që më pas, në shumicën e rasteve, kishin ditur të bëheshin pjesë e vendit të ri.[xi]
Por Fevziu ishte në prag të të njëzetave në gjysmën e dytë të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989. Në atë kohë ende nuk kishte nisur emigracioni ekonomik nga Shqipëria. Me cilin emigracion u ballafaqua Fevziu në prag të të njëzetave? Në fragmentin e mësipërm të esesë së Fevziut hidhet paksa dritë mbi udhëtimin me aeroplan të tij. Fevziu paska bërë një udhëtim me aeroplan nga Shqipëria, dikur midis gjysmës së dytë të vitit 1988 dhe fillimit të vitit 1989. Blendi Fevziu nuk ka folur kurrë për këtë udhëtim të parë misterioz të tij. Ku dhe përse e dërgoi regjimi komunist studentin e vitit të dytë, Blendi Fevziu, me aeroplan? Si mundej që një i deklasuar, me biografinë politike të Blendi Fevziut të udhëtonte me aeroplan jashtë vendit? Udhëtimi jashtë vendit ishte shkalla më e lartë e besueshmërisë që tregonte ndaj një njeriu diktatura komuniste, e cila e shikonte si armiqësore botën jashtë kufijve. Një njeri mund të ishte dhe anëtar partie, pra komunist, por nuk quhej i përshtatshëm për të udhëtuar jashtë vendit. E megjithatë i deklasuari që ende nuk i kishte mbushur 20 vjeç, Blendi Fevziu udhëtoi jashtë vendit në verën e vitit 1988. Në atë kohë Shqipërinë e vizitoi gjyshja e Blendi Fevziut, së bashku me burrin e saj amerikan. Ardhja e saj në Shqipëri ishte një enigmë më vete, sepse si çdo i arratisur ajo ishte e dënuar me burg në mungesë dhe duhej të arrestohej në momentin që do të zbriste nga shkallët e aeroplanit në Rinas. Atëherë Sigurimi i Shtetit bëri një fushatë për gjallërimin e agjenturës së tij që vepronte në SHBA, në diasporën shqiptare atje, dhe për këtë simuloi disa arratisje të rinjsh (kuptohet përveç atyre guximtarëve të cilët u arratisën duke vënë kokën në rrezik). Para se të ndodhte kjo, këta njerëz kryenin kursin special të Sigurimit të Shtetit. Blendi Fevziut iu dha e drejta të bënte një udhëtim në Greqi me gjyshen, në verën e vitit 1988 dhe kjo ishte hera e parë që ai doli nga Shqipëria e izoluar. Këtu do të zinte fill dashuria e veçantë e Fevziut për Greqinë, për të cilën, siç do të tregoj më pas, ka momente komike. Më pas, gjatë vitit 1989, Sigurimi i Shtetit u vetëdijësua për ndryshimet që po ndodhnin në Lindjen komuniste, të cilave nuk mund t’ u shpëtonte as Shqipëria e lidhur ekonomikisht me bllokun sovjetik, kështu që u reduktua shumë dërgimi i agjentëve në Perëndim, dhe Fevziu mbeti në Shqipëri.
Arsyeja për të cilën Blendi Fevziu nuk flet për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, por bën vetëm aluzione për të, është se ai është i vetëdijshëm se nëse pohon që ka udhëtuar me aeroplan për në Greqi në 1988 është njëjtë si të pranojë se ka qenë agjent i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Korani i Myzeqesë”! Është ironi e madhe se Fevziun me këtë udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, e ka gjetur si Gomarin e Buridanit, me ato dy grumbujt e barit që i vunë para dhe nga të cilat mund të hante vetëm njërën. Fevziu ka përpara dy “grumbuj bari”. Njëri është rrëfimi për udhëtimin jashtë vendit me aeroplan që në moshën 19 vjeç, çka është një detaj joshës që kënaq ndjenjën e tij të vanitetit, dhe që do ta pasuronte shumë kronologjinë vanitoze të jetës së tij, të cilën ai e bën kështu vetë:
25 vjeç hipa për herë të parë në makinën time private; 27 vjeç kisha veshur tashmë kostumin e një firme të njohur mode; 30 vjeç mbaja në dorë ëndrrën time të atyre viteve, një “Rolex”, ndërsa 33 vjeç pasi kisha ëndërruar disa lloje makinash, kisha filluar të ngisja një “Mercedes” të mrekullueshëm.[xii]
Nëse këtu do të kishte mundur të shtonte edhe se në moshën 19 vjeç ka udhëtuar për herë të parë me aeroplan jashtë vendit, kjo kronologji do të bëhej pothuajse e përkryer, për një njeri që kishte lindur në një fshat të Myzeqesë, ku jetoi deri në moshën 14 vjeç me qëndrim të detyruar. Natyrisht se Fevziu do të kishte dashur që ta shkruante kështu kronologjinë e jetës së tij, por nguronte ta bënte për arsyen që kam thënë më lart. Ky “grumbull bari” ishte sa joshës aq edhe frikësues. “Grumbulli i barit” tjetër ai ku Fevziu ruan sekretin e tij, duke shpëtuar reputacionin e tij. Por “grumbulli i barit” tjetër është shumë joshës kështu që Fevziu bën si bën, dhe nuk rri dot pa shijuar nga një fije bari prej tij, me ato thëniet që kam cituar më lart, për daljen jashtë vendit me aeroplan që para se të arrinte moshën 20 vjeç.
Fevziu, paradoksisht, nisi ta mbajë sekret udhëtimin e tij të parë me aeroplan jashtë vendit, pikërisht në kohën kur u hap Shqipëria. Deri më atëherë Fevziu kishte folur shumë për udhëtimin e tij të parë në Greqi, aq sa i kishte mërzitur të gjithë ata që e njihnin. Por, qëkurse Fevziu shkoi në gazetën “Rilindja Demokratike”, në janar 1991, ai nisi të mos flasë më për udhëtimin e tij të parë në Greqi. Sipas dëshmitarëve, Preç Zogaj e tërhoqi mënjanë Fevziun në mes të një rrëfimi për Athinën, dhe duhet t’ i ketë thënë që të mos e zinte më në gojë udhëtimin e tij të parë në Greqi në vitin 1988. Preçi duhet t’ i ketë thënë:
Si thua ti, çfarë do të mendojnë njerëzit kur dëgjojnë se ti ke shkuar në Athinë me aeroplan në 1988, kur ende nuk i kishe 20 vjeç?Të gjithë ata që të dëgjojnë do të nisin të dyshojnë se mos “ke gëlltitur diku një lugë çorbë të prishur”, siç thuhet në këto raste. Edhe Frrokut i ka bërë përshtypje.
Fevziu nuk kishte nevojë që t’ i jepnin sqarime të tjera. Ai kuptoi gjithçka dhe që atëherë nuk e përmendi më udhëtimin me aeroplan në Athinë në 1988, përveçse tërthorazi, në mënyrën që e kam cituar më lart. Udhëtimi i parë në Greqi i Fevziut në 1988, e bëri atë një lloj eksperti të Greqisë. Kur në nëntor 1990 vdiq poeti grek Yannis Ritsos (Janis Ricos) ishte Fevziu që botoi në gazetën “Studenti” një shkrim me titull “Vdekja e vetmuar e Janis Ricos”, me të cilin mori çmim të parë për kritikë letrare në konkursin e gazetës “Studenti” për vitin 1990.[xiii]
Yannis Ritzos kishte qenë një poet komunist, i cili kur mori Çmimin “Lenin” në 1956, deklaroi se ai e konsideronte këtë çmim, më të rëndësishëm se Çmimin “Nobel”. Ky ishte njeriu të cilit Fevziu i bënte aq shumë lavdërime në nëntor 1990. Ritzos, ndonëse një imitues i Mayakovsky, qe një poet i talentuar, por një i ri shqiptar që kishte lindur në Shqipërinë komuniste dhe nuk e donte regjimin komunist, nuk mund ta lavdëronte Ritzos-in në nëntor 1990, një vit pas rënies së Murit të Berlinit, kur në Shqipëri ende mbijetonte diktatura komuniste. Nëse Fevziu vërtet e kishte pritur me padurim përmbysjen e diktaturës komuniste, atëherë ishte dashur që të kalonin shumë vite pas vdekjes së Ritzos që atij t’ i shijonte ky poet. Gjithsesi hymni i Fevziut për Ritzos në nëntor 1990 është në logjikën e njeriut që në fëmijërinë e tij ishte mrekulluar nga personazhet e Arkadi Gajdar.
Udhëtimi i tij i parë në Greqi shenjoi dhe sjelljen politike të Fevziut. Për më tepër se një dekadë qëndrimet e tij politike do të qenë progreke. Vetëm më pas qëndrimi i Fevziut nisi të evoulonte në proturk, për shkak origjinës familjare të tij, e cila e nxit që të ketë një joshje të fortë ndaj Neo-Otomanizmit që nisi të bëhej dominues në Turqi pas vitit 2002, me ardhjen në fuqi të Erdogan dhe ideologut të tij neo-otoman, Davutoglu. Kjo ka të bëjë dhe me një lidhje familjare të Fevziut me Neo-Otomanizmin. Gruaja e Fevziut, ose më saktë femra me të cilën ai bashkëjeton dhe ka një fëmijë, se nuk ka kryer martesë formale me të, është me origjinë turke. Gjyshi i “bashkëshortes” së Fevziut ka ardhur nga Turqia para Luftës së Dytë Botërore dhe ishte i martuar me një grua turke, e cila ishte kushërirë nga nëna me ideologun e Neo-Otomanizmit, Ahmet Davutoglu, sot ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë. Fevziu kërkon t’ përdorë këto lidhje për të marrë pronat e mëdha që kanë në Turqi paraardhësit e tij nga familjet Toptani, Ypi, Hysenbegasi, Mborja etj.
Duke u rikthyer tek eseja e Fevziut “Gjysma tjetër e botës”, që e citova në fillim të këtij kapitulli, mund të thuhet se ai e fitoi lirinë që ëndrronte, lirinë për të udhëtuar në botë, sa herë të donte, lirinë për t’ u veshur si të donte, ai i fitoi të gjitha liritë e imagjinueshme, me përjashtim të lirisë intelektuale. Ai refuzoi që ta konsideronte qoftë edhe përpjekjen më të vogël për të fituar lirinë intelektuale dhe libri i tij për Enver Hoxhën është pohim i skllavërisë intelektuale të tij, homazh ndaj saj.


21.
Spiuni i bordurave

Një djalë katërmbëdhjetëvjeçar që vinte në Tiranën e viteve tetëdhjetë, nga një fshat i provincës, natyrshëm do të kërkonte që të bëhej një kryeqytetas i vërtetë, të integrohej në jetën e kryeqytetit. Por Tirana e viteve tetëdhjetë nuk ofronte shumë për një të ri, dhe gjëja e vetme spektakolare që ofronte ishte ajo që quhej xhiroja e mbrëmjes. Pikërisht ajo u bë pasioni i madh i Fevziut, i cili ka shkruar shumë për xhiron:
Më vjen në mend Bulevardi i madh i Tiranës në një mbasdite të vonë pranvere, në një buzëmbrëmje, kur mijëra vetë shëtisnin me po atë hap të pandryshuar dhe sipas një rituali që askush nuk e dinte me saktësi KUR dhe SI kishte nisur? Ajo ecje në dy drejtime që nuk përziheshin dhe ngatërroheshin kurrë, ajo paradë fytyrash, veshjesh dhe emocionesh, që askush nuk mund ta përshkruajë më. M; u kujtua se, si ankthi i mbërritjes atje, ishte shqetësimi më i madh gjimnazist dhe se në momentin që vija këmbët në kufijtë e xhiros tjetërsohesha krejtësisht. Bëhesha pjesë e saj, e ndjeja krejtësisht timen dhe druaj se në shumë vite kam ngatërruar qoftë edhe një element të vetëm të atij rituali. Më kujtohej ecja nga lulishtja pas Monumentit të Skënderbeut deri tek Universiteti, mbajtje e krahut dhe drejtimi i kokës për të përshëndetur të njohurit e shumtë. Pastaj ulja tek bordura, një skenar stampë, por i mrekullueshëm që u bë pjesë e viteve studentore dhe aftësia që kisha për t’ i gjetur miqtë dhe të njohurit nga vendi që zinin çdo ditë në bordurën e Tiranës. Iu riktheva të gjithë asaj kohe me bindjen absolute se më parë sesa të ishte një kujtesë ose pjesë e jetës sime, ajo kishte qenë mënyrë të jetuari e një ose disa brezave njëherazi. Kishte qenë mënyra më e lumtur e ekzistencës sonë dhe një nostalgji e patretur. E tillë që më bënte të përshëndetja me dashuri çdo fytyrë që e kisha parë në atë ritual të përditshëm, ku do që ta shihja dhe pavarësisht nëse isha prezantuar ndonjëherë, apo jo.[xiv]
Nuk është ironi e vogël që Fevziu nuk njeh as historinë e asaj gjëjë që i ka marrë një pjesë të madhe të kohës në rini! Nëse Fevziu do të ishte rritur vërtet nga tre stërgjyshe që kishin njohur mirë Perëndimin, ai me siguri do të kishte mësuar edhe historinë e xhiros së Tiranës, origjinën e saj, si dhe dallimin e saj nga shëtitjet në qytetet e Perëndimit. Ajo që në argon e kohës quhej “xhiro” dhe që ishte një shëtitje masive që bëhej në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, e kishte origjinën që vitet tridhjetë të shekullit XX dhe ajo nisi të praktikohej në Shqipëri kur këtu erdhën masivisht italianë: specialistë të fushave të ndryshme, instruktorë ushtarakë, punëtorë, një pjesë e të cilëve së bashku me familjet e tyre. Të mësuar në vendin e tyre me shëtitjet në esplanada, të cilat janë rrugë të gjera në anë të lumenjve dhe përgjatë bregdetit, ata e përshtatën këtë ritual urban me realitetin e Tiranës. Me ndërtimin nga ana e italianëve të bulevardit të madh të Tiranës, ata nisën të shëtisin atje. Por italianët menduan edhe për ta bërë Tiranën një qytet me esplanadë. Kjo ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Italianët sistemuan Lumin e Lanës dhe ndërtuan në dy anët e tij bulevarde të gjera, si dhe trotuara përgjatë bregut të gjelbëruar të lumit. Trotuaret përgjatë bregut të lumit u ngushtuan vetëm para dhjetë vjetësh kur Edi Rama zgjeroi më tepër dy bulevardet përgjatë Lanës. Kështu që Tirana u bë i vetmi kryeqytet në Europë, që përfitoi një esplanadë në kohën e pushtimit. Italianët që gjendeshin në Tiranë, e zhvendosën shëtitjen e tyre përgjatë esplanadës së kryeqytetit. Kjo krijonte dhe idenë e xhiros, fjalë që në shqip do të thotë “rrotullim”, për shkak se shëtitësit vinin rrotull Lanës. Edhe shqiptarët nisën të shëtisin përgjatë esplanadës.
Regjimi komunist, që me hyrjen e Enver Hoxhës në Tiranë në 28 nëntor 1944, sikur e përcaktoi me itinerarin që ndoqi ai, itinerarin e shëtitjes së kryeqytetasve gjatë regjimit komunist. Enver Hoxha i cili hyri në Tiranë nga Rruga e Elbasanit, eci përgjatë bulevardit të madh deri tek Hotel “Dajti”. Njeriu i cili kishte shëtitur në esplanadat e qyteteve të Europës Perëndimore, nuk e pëlqeu kurrë esplanadën e Tiranës për shëtitje. Ndoshta i ngjante tepër borgjeze, e papranueshme për sensin e tij të rremë të puritanizmit proletar që shtirej se e kishte kultivuar duke “jetuar” mes punëtorëve. Xhiroja e Tiranës dhe e qyteteve të tjera të vendit në atë kohë, nuk kishte të bënte fare me shëtitjet në esplanadat e qyteteve perëndimore. Ajo ishte një shkollë e vërtetë e vanitetit. Të rinjve pjesëmarrës në të u bëhej obsesion ndërrimi i veshjeve. Nga të dy kolonat e shëtitësve që lëviznin në drejtim të kundërt dëgjoheshin fjalë të shkëmbyera mes të njohurish: “Le nam me këto pantallona/ fustan, të janë bërë si lëkura e trupit!” Të rinjtë, djem dhe vajza ndërronin mes tyre veshjet duke u munduar që të krijonin variacion, çka ishte e vështirë në atë kohë kur tregu i kontrolluar shtetëror, që ishte i vetmi në vend impononte uniformitetin në veshje. Çdo organizator i një sfilate mode në botë do të kishte dashur që spektatorët e tij të qenë po aq kqyrës të vëmendshëm të veshjeve të shfaqura, sa ç’ qenë të vëmendshën pjesëmarrësit në moshë të re, të xhiros së Tiranës ndaj veshjes së të tjerëve. Ata që uleshin tek bordurat qenë thjesht kqyrës. Kishte shumë të rinj që shndërroheshin në maniakë të xhiros dhe Fevziu ishte njëri ndër ta. Në një intervistë që i dha Ilva Tares në dhjetor 2011, në RTV Ora News, Fevziu tha për shkrimin e tij të parë në gazetën “Rilindja Demokratike”, në numrin e parë të saj:
Kur një ditë, në bordurën përballë Hotel “Dajtit”, ku kaloja mbrëmjet, mesditat, mbërriti një djalë që quhej Dritan Kaba, një personazh i njohur i shtypit të këtyre viteve (Fevziu e ka fjalën për vitet që pasuan- K.M.) dhe më tha, hajde se të kërkon Frrok Çupi se do të bësh reportazhin hapës të “RD”-së.
Fevziu pohon se ai kalonte në xhiro dhe në bordurat anës bulevardit, në skaj të Parkut “Rinia”, pjesën më të madhe të kohës së pasdites dhe mbrëmjes. Blendi Fevziu, në një autobiografi të vetën të botuar në 1992, në fund të një libri në të cilin është bashkëautor me Ben Blushin, shkruante:
Mbasditeve nuk kam munguar kurrë tek bordura. Më dukej sikur do t’ i mungoja vetvetes.[xv]
Këto dy fjali gjenden edhe në autobiografinë që gjendet në një libër të tij të botuar në 1996.[xvi] Fevziut i pëlqente xhiroja dhe bordurat për shkak se ai atje ai qe një person që binte në sy, një person që shndërrohej në personazh, për shkak të veshjeve që atij i vinin nga Amerika. Në xhiro dhe në bordurat sundonte uniformiteti në veshje, për çka Fevziu shkruan:
Mbaj mend që një ditë maji në maturë, i ulur në bordurën e Bulevardit qendror të Tiranës, ndërsa njerëzit kryenin ritualin e tyre të patjetërsueshëm të xhiros, kam numëruar me miqtë e mi më shumë se 200 këmisha të të njëjtit tip. Një model i ri që kishte dalë atë vit dhe që mes të rinjve ishte pagëzuar me markën “Majaci”, sipas emrit të një futbollisti të famshëm të “Apollonisë” së Fierit dhe bomber i kampionatit që ishte shfaqur i veshur me të në një nga emisionet sportive të mbrëmjes. Nuk e di se sa mjeranë duhej të dukeshim të veshur me ato uniforma të shëmtuara dhe aspak rinore, me atë mungese absolute dallime mes veshjeve të të rinjve, pleqve e në disa raste edhe fëmijëve, por jam i sigurt se, bashkë me varfërinë, uniformizmi i shoqërisë ka qenë një nga armët që ka ndihmuar më shumë diktaturën në indoktrinimin dhe jetëgjatësinë e saj.[xvii]
Derisa të tjerët qenë të veshur me një lloj uniforme civile, ndryshe ndodhte me Fevziun, i cili shkruan për vetveten:
Vija re vështrimet që më shoqëronin në rrugë, sa herë vishja pantallonat apo këpucët sportive që më vinin çdo vit nga Amerika dhe dëgjoja komentet për ato pak veshje ndryshe që qarkullonin në oborrin e gjimnazit. Gjithçka tjetër ishte e njëjtë dhe e njëtrajtshme.[xviii]
Kështu, Blendi Fevziu në xhiro dhe në bordurat fitonte identitet, i krijohej personaliteti dominues mbi të tjerët. Në këtë pikë nuk mund të mos bëhet pyetja se ku e gjente guximin ky djalosh, me atë biografi politike që kishte, që të shkonte çdo mbrëmje e të pozonte, i veshur me rrobe të dërguara nga SHBA, përpara dritareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku qenë zyrat e krerëve të Sigurimit të Shtetit. Se bordurat ku ulej Blendi Fevziu qenë pikërisht përballë dritareve të ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nëse Blendi ishte aq naiv sa të mos e kuptonte implikimin që kishin veprimet e tij, prindërit e tij dhe daja i nënës, i cili e mbante në shtëpi, qenë në gjendje t’ i kuptonin shumë mirë. Me biografinë politike që kishte familja e Blendi Fevziut, supozohej që prindërit e tij t’ i jepnin shumë këshilla për t’ u sjellë me kujdes në kryeqytet, dhe kështu supozohej të bënte dhe daja i nënës, i cili tashmë ishte babai i tij adoptiv. Prindërit dhe daja i nënës supozohej që t’ i kërkonin Blendit t’ u tregonte me hollësi se si e kalonte kohën. (Blendi shkonte të shtunave me tren në Lushnjë për të kaluar një natë pranë familjes dhe kthehej të dielën.) Normalisht, nga pikëpamja e normalitetit të të deklasuarve, prindërit dhe daja i nënës do të tmerroheshin kur të mësonin se Blendi çdo natë pozonte para dritareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Natyrisht se ata nuk do të shqetësoheshin vetëm në rastin kur e dinin se Blendi kishte marrëdhënie të posaçme me Sigurimin e Shtetit. Sigurimi i Shtetit e kuptoi mirë anën vanitoze të natyrës të Blendi Fevziut dhe e përdori shumë mirë atë, duke e shndërruar adoleshentin fshatar lushnjar në një spiun të përkryer bordurash në kryeqytet. Një i deklasuar si Blendi Fevziu që vinte në kryeqytet nga një fshat i Lushnjës, ku familja e tij vazhdonte të jetonte si e dëbuar nga Tirana, nuk do të guxonte që të ekspozohej kaq shumë, siç bënte Fevziu në Tiranë, duke qenë një nga njerëzit që binte në sy në xhiro dhe në bordurat. Ligji i parë i pashkruar në jetën e të deklasuarve, të cilin ata ia impononin vetes, ishte që të binin sa më pak në sy që të ishte e mundur. Fevziu kur u nis nga Lushnja në Tiranë, për të jetuar tek daja i nënës, duhet të ketë marrë shumë porosi nga prindërit për atë se si duhej të sillej. A nuk e porositën ata se duhej të përpiqej që të binte në sy sa më pak që të ishte e mundur? Fevziu ishte aq i rritur sa t’ i merrte seriozisht këto këshilla, se ai e kishte parë se çka ishte lufta e klasave kur qe në Lushnjë. Ai sigurisht se nuk donte që të rikthehej në fshatin në Lushnjë prej nga kishte ardhur.
Atëherë si merrte guximin Fevziu të sillej në atë mënyrë në xhiro dhe në bordurat? Këtu ka vetëm një shpjegim, se Fevziu gjendej në xhiro dhe në bordurat me mision nga Sigurimi i Shtetit. Shkurt, Blendi Fevziu ishte një spiun i bordurave. Diktatura komuniste natyrisht se e shikonte si armiqësor çfardo grumbullimi spontan njerëzish që nuk ishte organizuar prej saj. Xhiroja e mbrëmjes, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit, gjatë gjithë kohës së ekzistencës së regjimit komunist, ishte i vetmi grumbullim spontan njerëzish në Shqipëri, që tolerohej nga diktatura komuniste. Regjimi komunist me këtë donte t’ i thoshte botës se në Shqipërinë komuniste njerëzit qenë të lirë të qarkullonin bashkërisht, të paorganizuar nga shteti. Nënkuptimi qe se nëse njerëzit do të kishin ndërmend që të bënin një demostratë kundër regjimit, atëherë e kishin gjithë mundësinë për ta bërë atë gjatë xhiros. Ai që nuk e dinte se si funksionin gjërat në një shoqëri që jetonte nën një diktaturë komuniste, në mënyrë të pashmangshme do të nxirrte përfundime të gabuara nga xhiroja e mbrëmjes, duke e quajtur atë si një lloj referendumi spontan pro regjimit. Kur e vërteta ishte krejt ndryshe. Secili prej pjesëmarrësve në xhiro qe i vetëdijshëm se para, pas, anash, e shpesh edhe përkrah tij, ecnin spiunë të Sigurimit të Shtetit, të cilët do të raportonin sjelljen e çdokujt. Sipas këtyre raporteve, brenda pak ditësh do të vinte ndëshkimi.
Regjimi komunist ia kishte dalë që t’ u kultivonte pjesëmarrësve në xhiro paranojën e përgjimit total dhe njerëzit qenë të bindur se në pemët, në dy anët e bulevardit gjendeshin aparate të posaçme për regjistrimin e bisedave, si dhe videokamera të fshehura. Kjo bënte që tek njerëzit të kultivohej autocensura, çka ishte tekefundit ajo që dëshironte regjimi. Kështu që bisedat në xhiro u ngjanin atyre të njerëzve të cilët bisedonin në një dhomë ku ka aparate përgjimi. Njerëzit flisnin për muzikën e huaj, librat, filmat, por kujdeseshin që të bënin deklarata të cilat eventualisht do t’ u shërbenin për të thënë se qëndrimi i tyre gjatë bisedës kishte qenë ideologjikisht korrekt. Është e tepërt të thuhet, se Sigurimi i Shtetit, as që ishte në gjendje për të ndërmarrë një aventurë të tillë si përgjimi total i xhiros, por ai nuk ishte asfare kundër që pjesëmarrësit në xhiro të qenë të bindur për këtë gjë. Blendi Fevziu, në një ese të tij, ankohet se nuk ruhen pamje të filmuara të xhiros:
Por njëherazi u kujtova se se ndryshe nga sa ndodh në çdo vend të botës, kjo pjesë e jetës sime dhe të të tjerëve, tashmë ishte zhdukur. Veç kujtimeve tona, që koha dhe situatat e reja i përftojnë gjithnjë më të moderuara, ajo nuk ekzistonte më askund. Nuk ka asnjë foto, asnjë filmim të atij rituali magjik e absurd njëherazi, që ishte bërë shënjimi i jetës shqiptare. Shumë vite më parë, gjatë një vizite në Paris, një diplomat i njohur francez, Shmelevski, më kishte treguar se në vitin 1977 qe emëruar në ambasadën e Tiranës. Kishte mbërritur në kryeqytetin tonë, duke pasur të vetmin argëtim shëtitjen buzëmbrëmjes në Bulevardin e madh dhe se më pas, kur qe larguar ishte përpjekur ta shpjegonte këtë ritual në çdo vend që të kishte shkuar. Më pyeti me çudi nëse ajo vijonte ende, ndërsa mua m’ u desh të sqaroja se qe zhdukur prej kohësh. Tani’ më duhej të shtoja se ajo nuk ekzistonte më askund, si shumë pjesë të tjera të jetës sonë shoqërore.
Atëherë u kujtova se mungesa në filmime e “xhiros” dhe rituali i kryeqytetit që i kalonte mbrëmjet, duke shëtitur nga Monumenti i Skënderbeut tek godina qendrore e Universitetit, nuk ishte thjesht një aksident. Fati i keq dhe filozofia absurde e komunizmit, kishin zhdukur padashur çdo dëshmi të jetës së përditshme shqiptare gjatë 50 vjetëve, për ta zëvendësuar atë me ritmin dhe pozat festive. Thënë ndryshe dhe më thjesht ne duhet të jemi vendi i vetëm i botës, ku qytetarët në një moshë mbi 25 vjeç, nuk kanë më asnjë shans për të parë një dëshmi të asaj jete që kanë kaluar realisht.[xix]
Por, në arkivat e ish-regjimit komunist, nuk mund të mos ketë pamje filmike të xhiros, se Sigurimi i Shtetit, për nevojat e tij, me siguri që ka bërë filmime të saj, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Sigurimi i Shtetit nuk mund të ishte kaq i pakujdesshëm me një veprimtari të perhershme, spontane, publike të përmasave të tilla. Fakti që nuk janë gjetur deri më sot këto teleregjistrime, nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Pyetja më interesante që mund të bëhet është në fakt një tjetër, e pikërisht ajo se përse regjimi komunist nuk e përdori xhiron për nevojat e propagandës së tij, pra të shfaqte pamje nga ajo në filmat dokumentarë, si dhe ta përdorte xhiron si skenë të filmave artistikë, që prodhoheshin në kohën e diktaturës komuniste. Regjimi komunist nuk mund të mos jetë joshur për ta bërë këtë, por e ka kuptuar se do të kishte më tepër humbje se përfitim nga kjo gjë. Se nëse xhiroja do të bëhej pjesë e propagandës zyrtare, ajo do të humbte joshjen e saj për njerëzit, dhe do të fillonte t’ u dukej si një tjetër ritual i propagandës së regjimit, siç qenë parakalimet me rastin e festës së 1 majit, mitingjet me rastin e kongreseve, apo procesionet në lapidaret e dëshmorëve komunistë. Regjimit i shërbente më shumë xhiroja kështu, e mbetur jashtë kuadrit të propagandës zyrtare, që atë ta shikonin të huajt si diplomati francez që përmend Fevziu, apo të tjerë të huaj që vizitonin Shqipërinë, dhe të nxirrnin vetë përfundimet e tyre.
Xhiroja e Tiranës dhe e qyteteve të tjera të Shqipërisë, ishte ajo çka shfaqej një ritual urban i botës perëndimore, çka ishte shëtitja në esplanada, i përthyer nën prizmin e botës komuniste. Unë dyshoj shumë se xhiroja ka pasur ndonjë dobi të veçantë për të rinjtë që rritën nën regjimin komunist. Për maniakët e saj, si Fevziu, xhiroja, e shtuar me qëndrimin në bordurat, ishte një veprimtari tmerrësisht bjerrakohëse. Një i ri gjimnazist dhe student, si Fevziu, pas kthimit nga shkolla, do të bënte me ngut detyrat dhe mësimet për ditën e nesërme, ashtu që të dilte pasdite në bordurat dhe në xhiro. Një pjesë të detyrave do t’ i linte në mënyrë të pashmangshme për në mbrëmje. Pasiqë kthehehej nga xhiroja dhe qëndrimi në bordurat do të bënte detyrat dhe mësimet e mbetura, dhe do të shikonte televizor. Kur do të lexonte libra ky i ri? Nuk është për t’ u habitur që maniakët e xhiros dhe të bordurave kishin lexuar aq pak libra jashtëshkollore. Fevziu nuk bën përjashtim. Nga shkrimet e tij kuptohet se ai ka lexuar shumë pak libra përveç atyre që ishin të nevojshëm për mësimet në shkollën e mesme dhe në fakultet, ku ai studionte për gjuhë dhe letërsi shqipe, çka nënkuptonte dhe leximin e shumë librave nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj. Por studentët si Fevziu që nuk kishin kohë të lexonin përfitonin se programi shkollor ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që studentët mësonin në leksione kritikën letrare me frymë marksiste-leniniste për shkrimtarët e huaj dhe librat e tyre. Për një student që e kishte mësuar mirë leksionin, thjesht nuk ishte i nevojshëm leximi i librit. Ai ishte në gjendje t’ u përgjigjej pyetjeve. Aq më tepër kur pjesa më e madhe e librave të huaj për të cilët flitej në leksione as që gjendeshin në treg, madje edhe në bibliotekat publike nuk qenë të disponueshëm.
Të rinjtë të cilët qenë të apasionuar pas leximit, shkëmbenin mes tyre libra që gjendeshin në bibliotekat private. Fevziu nuk thotë asgjë të tillë në “esetë” e tij, kjo fushë nuk e interesonte, dhe me sa duket nuk qe as drejtimi i punës së tij, në lidhje me Sigurimin e Shtetit. Mania për xhiron dhe bordurat në moshën kur bëhen leximet formative të jetës, e la Fevziun intelektualisht të cekët. Edhe sot e kësaj dite ai është një njeri që nuk ka durim të thellohet në leximin e librave, pavarësisht se shtiret ndryshe. Kështu, spiuni i bordurave pagoi një tribut intelektual të përjetshëm.

[i] Gi de Mopasan, “Tregime e novela”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1991, f. 138
[ii] po atje: f. 138-139
[iii] po atje: f. 140
[iv] po atje: f. 145-146
[v] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 164-165
[vi] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 126
[vii] “Kodet e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, Botim i Byrosë Juridike pranë Këshillit të Ministrave, Tiranë 1982, f. 427-428
[viii] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 125
[ix] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 5-6
[x] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 138
[xi] po atje: f. 158-159
[xii] po atje: f. 259
[xiii] Gazeta “Studenti”, 17 janar 1991, f.5
[xiv] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 43
[xv] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 126
[xvi] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 94
[xvii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 292-293
[xviii] po atje: f. 292
[xix] po atje: f. 43-44

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...