2013-04-25

Nikos Kazanxaqis në shqip me ditarin e udhëtimit në Malin e Shenjtë


Nikos Kazanxaqis përshkruan te “Tundimi i fundit” atë shqetësim që frymëzoi në vitet tetëdhjetë Martin Scorceze të realizojë një film që i turbullon ungjijtë dhe Vatikanin:
“Përmbajtja e dyfishtë e Krishtit, dëshira e zjarrtë sa njerëzore dhe mbinjerëzore e njeriut për të arritur Zotin gjithnjë ka qenë për mua një mister i padepërtueshëm.
Burimi i ankthit tim, origjina e gëzimeve dhe brengave të mia që në të ri e më tej, ka qenë një luftë pareshtur e pamëshirshme midis shpirtit dhe trupit dhe zemra ime është rrethi ku këta dy armiq ndeshen dhe takohen.”
Kazanxaqis kryen një udhëtim në Malin e Shenjtë për të gjetur një përgjigje për dyshimet e tij mbi natyrën e fatit njerëzor. Shqetësime rinie për të shpëtuar shpirtrat, gjithë paturpësia, padjallëzia, fisnikëria e rinisë. Për dyzetë ditë të vitit 1914, bashkë me mikun e tij, poetin tjetër të shquar grek Angjelos Siqelianos, qëndron manastireve dhe provon shijen e asketikës. Dhe mban ditar. Ky ditar botohet së fundi në shqip nga Zenit Editions i përkthyer nga greqishtja nga shkrimtari Romeo Çollaku.
I ashpër, fjalëpak, kockë e fortë popullore, gjithë pikëpyetje, gjithë ankth metafizik që nuk e gënjen sipërfaqja e shndritshme, kretasi pelegrinoi në malin që prej një mijë vjetësh i ishte taksur virgjëreshës dhe ku nuk ka këmbë gruaje nuk ka shkelur dhe as ndonjë kafshë femër, dele, dhi, pula mace, mal i molepsur vetëm nga fryma burrërore.
“Asketika”, “Aleksis Zorba”, “Letër El Grekos”, “Udhëtoj nëpër Japoni dhe Kinë”, “Krishti kryqëzohet përsëri”, poema “Odisea” mbi 30 mijë vargje e botuar vetëm në 32 kopje, përshkohen nga ky shqetësim rinie i Kazanxaqisit. Madje edhe me përkthimet ai rri në këto ujëra si një autoritet i letërsisë botërore dhe njohës shumë i mirë i saj. Përkthen Niçen, Bergsonin, “Komedisë hyjnore” të Dantes dhe “Faustin” e Gëtes.
“Udhëtim në malin e shenjtë” u botua pas vdekjes së autorit. Por me romanin “Tundimi i fundit” të vitit 1953 kisha kërkon ndalimin e veprave të autorit, deri dhe shkishërimin e tij kërkon Kisha e Athinës, gjë që e kundërshton Patriarkana e Konstandinopojës. Kanzaxaqis i shkruan Sinodit: Më dhatë një mallkim Etër të Shenjtë, po ju jap një uratë: uroj ta keni ndërgjegjen të kulluar si imja dhe të jeni po aq të ndershëm e besimtarë sa unë.” Vatikani e regjistron “Tundimin e fundit” në listën e veprave të ndaluara.
Pas udhëtimit në Kinë më 1957, gjendja shëndetësore e Kazanxaqisit keqësohet dhe ndërron jetë më 4 nëntor nga leuçemia. Në varrin e tij në vendlindje në Kretë, mbi një kryq të drunjtë shkruhen fjalët e tij: “Nuk më tremb asgjë, nuk shpresoj asgjë, jam i lirë”. Fjalë që i mban për titull aktiviteti i nesërm në Muzeun Historik Kombëtar kushtuar Nikos Kazanxaqisit dhe projektohet filmi “Zorba”.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...